Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

JETIMI FREUD

Para ca kohësh, patëm diskutuar këtu arsyet se pse shumë gjuhë europiane që kanë fjalë për fëmijën që ka humbur prindin, ose për burrin që ka humbur gruan (dhe anasjelltas), nuk kanë zakonisht fjalë për prindin që ka humbur fëmijën (Fjalë e shfaqur si mungesë).

Ky diskutim m’u kujtua, kur po lexoja këto ditë, një libër të filozofit frëng Michel Onfray, Perëndimi i një idhulli, kushtuar Freud-it dhe psikanalizës, të cilin e pat prezantuar këtu në blog, këtu e gjashtë vjet të shkuara, Lyss-i (Frojdi, po bie?).

Freud-i me të bijën Sophie

Dhe pikërisht, pasi Sophie, njëra nga vajzat e Freud-it, martohet me një Max Halberstadt në janar të vitit 1913, Freud-i i shkruan dhëndrrit një letër nga Roma dhe në fund e përshëndet kështu: “Kujtim prej një babai krejt jetim” (në italishte (gjuha në të cilën po e lexoj librin e Onfray-t): Ricordo di un padre del tutto orfano; në origjinalin gjermanisht: verwaisten Vater).

Onfray këtu spekulon, duke sjellë në vështrim xhelozinë e babait “incestuoz” ndaj dhëndrrit, duke shtuar se, me këtë fjalë, “Freud-i rivendikon [për veten] një të drejtë të njëjtë me atë të dhëndrrit: zotërimin seksual, përdorshmërinë e trupit, përkatësinë e tij në intimitetin e një qenieje.”

Spekulimi çalon; por enigma e mënyrës si e ka quajtur Freud-i veten, pas martesës së të bijës – verwaist – literalisht: “i lënë jetim”, kërkon ndoshta një sqarim, pa qenë nevoja të sillet në muhabet “privilegji incestuoz” i babait.

Ndoshta duhet nisur nga kuptimi fillestar i fjalës “jetim” – i fëmijës që ka humbur njërin prej prindërve ose të dy. Meqë humbja në këtë rast, sado simbolike, është ajo e së bijës që martohet, atëherë Freud-i që e sheh veten, metaforikisht, si “jetim”, është duke e identifikuar, gjithnjë metaforikisht, të bijën me të jëmën.

Dhe çfarë do të thotë kjo? Për ta arritur një përgjigje, le të nisemi nga bërthama e teorisë psikanalitike të Freud-it, dhe pikërisht kompleksi i Edipit. Onfray, në librin e cituar, merret gjerë e gjatë me marrëdhëniet midis jetës private të themeluesit të psikanalizës dhe psikanalizës vetë; dhe ka arsye ta bëjë këtë, po të kemi parasysh se Freud-i u mbështet në masë të madhe tek introspeksioni, kur formuloi teorinë e tij.

Dhe në këtë kontekst, le të kujtojmë edhe se kompleksi i Edipit, në formën e vet fillestare, nuk ishte veçse një abstraksion a një konstrukt narrativ algjebrik, i marrëdhënieve të Freud-it vetë me prindërit; dhe, veçanërisht, me nënën e tij Amalia.

Le të kujtojmë, më në fund, se gjithnjë sipas teorisë psikanalitike klasike, çdo marrëdhënie midis një burri dhe një gruaje (një mashkulli dhe një femre), nga perspektiva e burrit ose e mashkullit, riprodhon ose rimerr tërheqjen primordiale të fëmijës mashkull ndaj nënës.

Për ta thënë në mënyrë banale: te vajza që do, burri sheh projeksionin e imazhit që ka ruajtur për të jëmën.

Dhe kjo nuk ndodh vetëm në marrëdhëniet me natyrë seksuale, por edhe në marrëdhëniet e tjera, ku seksualiteti nuk vjen në vështrim (ose, nga perspektiva e Freud-it, është tabu): ato midis vëllait dhe motrës, ose babait dhe vajzës, e kështu me radhë.

Prandaj këtu nuk ka nevojë të trazojmë “privilegjet incestuoze” dhe seksualitetin, për të shpjeguar pse Freud-i e sheh veten si jetim, në raport me martesën e Sophie-s: dashuria që ndien babai për vajzën është e njëjtë, për nga tipologjia, me dashurinë që ndjen biri për nënën.

Sophie riderdhet kështu në shabllonin e një nëne simbolike, për Freud-in; dhe kur kjo nënë i kalon tashmë një burri tjetër, të shoqit (për t’u bërë “nënë” edhe për këtë tjetrin), atëherë Freud-i ndihet jetim.

Sikurse nuk ka nevojë as për psikanalizën, që marrëdhëniet brenda familjes dhe midis brezave, të shihen të relativizuara; a nuk pat shkruajtur Wordsworth-i, që në 1802, vargun e mirënjohur, “The Child is Father of the Man” në poemën “The Rainbow”, shqip “Fëmija është Babai i Burrit [Njeriut]” – çfarë, pas gjase, do të interpretohej kështu: profili psikologjik i një të rrituri i ka rrënjët në fëmijërinë e tij.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin