Më pat bërë përshtypje një titull i paradokohshëm, që shoqëronte lajmin e Deutsche Welle-s, për një konferencë shtypi të fundvitit, dhënë nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin: “Çështje të vjetra dhe lule të reja stili tek Putini.”
Sidomos ngaqë nuk u dhashë dot dum këtyre luleve të stilit, dhe më dështoi përpjekja për ta përfytyruar Putinin me një buqetë lulesh stili në dorë.
Si edhe herë të tjera, detektivi përkthyes brenda meje e identifikoi problemin te përkthimi; dhe ashtu u vura të gjej tekstin origjinal, nga ku e kishin shqipëruar këtë titull të çuditshëm me lule.
Mirëpo anglishtja nuk më ndihmoi – sepse titulli atje fliste për “Recurring themes and a game of bingo for the Putin show”; dhe sado krijues të kishin qenë përkthyesit e lajmit, vështirë se do të kishin kaluar nga “game of bingo” te “lulet e reja të stilit.”
Atëherë mendova se, meqë lajmi ishte i Deutsche Welle, ndoshta duhej të kërkoja origjinalin gjermanisht. Dhe, bingo! – aty m’u shfaqën “lulet e stilit”, në gjithë hijeshinë e tyre stinore: “Alte Themen und neue Stilblüten bei der Putin-Show”.
Po ç’të jenë këto Stilblüten? Fjalorët i shpjegojnë si “gafa në të folur”, që shoqërohen me efekte komike; p.sh. fjalë të zgjedhura keq, ose neologjizma aksidentalë, të llojit “misunderestimate”, që ka për autor të madhërishmin George W. Bush. Në anglishte, ato quhen ndonjëherë “bloopers”, ose më rrallë “bloomers”, “howlers” ose “stylistic blunders.”
Megjithatë, kush lexon artikullin në fjalë, do ta vërë menjëherë re se aty bëhet fjalë për “fraza të gatshme” ose “klishe”, të cilat i përdor shpesh Putini (italisht: frasi fatte, luoghi comuni), dhe që provojnë se ato që thotë Presidenti rus në konferenca shtypi janë të skriptuara dhe më shumë maskojnë, se nxjerrin në dritë.
Përkthimi në shqip i materialit nga Deutsche Welle lë për të dëshiruar – por veçanërisht tërheq vëmendjen shqipërimi i Stilblüten si “lule stili”; çfarë të bën të mendosh se përkthyesi ose nuk e ka ditur kuptimin e fjalës gjermanishte, ose beson se kompozitat e gjermanishtes mund të kalkohen lirisht në shqipe.
Ironikisht, Deutsche Welle e pat sjellë Stilblüte si fjalë të javës (në 30 maj 2015), duke shënuar se këto lulëzojnë zakonisht në fjali me dy kuptime, ose kur dikush përdor një fjalë gabim. Këtu të kihet parasysh se blüte shënon lulen e një peme, p.sh. të mollës ose të qershisë (angl. blossom). E njëjta fjalë, në thelb, ndeshet edhe në hollandishte, si stijlbloempje dhe në suedisht, si stilblomma.
Në fakt, përkthyesi i lajmit të mësipërm në anglisht e ka lënë krejt jashtë fjalën problematike, duke e riformuluar titullin, për të përmendur atje “bingon” që paska luajtur gazetari me klishetë e Putinit për gazetarët. Kjo mbase edhe ngaqë “Stilblüten” nuk i është dukur term i përshtatshëm, në gjermanishte, për atë dukuri gjuhësore që përshkruhet në artikull. Por këtu mund ta kem unë natyrisht gabim.
Sa për “lule stili” – kjo është vërtet një Stilblüte e shqipes, në kuptimin që ka fjala në gjermanisht; meqë përkthyesi, me pak mundim, mund ta kish sjellë si klishé, shprehje bajate, avaz i vjetër, slogan, shprehje stereotipike, banalitet ose truizëm. Kushedi herën tjetër më mirë.