Para krizës, dukej sikur po e linim pak mënjanë qasjen ekonomiciste e utilitariste, që po mbizotëronte në kohë.
Citohej shpesh Max Frisch, me fjalinë e famshme: “Prisnim krahë pune, erdhën njerëz”, e u fillua të flitej jo më për paratë e dërguara familjeve, por edhe për dërgesa sociale, me fjalë të tjera, ide, vlera, besime, praktika, sjellje, dhe kapitali social i të cilit bëhen bartës migrantët[i]. Kriza çoi pashmangshmërisht në ripropozimin e argumenteve ekonomike që mbështesin rëndësinë e imigracionit. Pra është e nevojshme të kujtohet, siç bën Dossier, se më 2013 kontributi ndaj PBB (GDP) kombëtar, i realizuar nga të punësuarit e huaj, ka qenë 123,1 miliardë euro (8,8% e totalit)[ii].
Përveç kësaj, imigrantët janë kontribuues të pastër të sistemit të sigurimeve shoqërore për arsye se, ngaqë nuk arrijnë të gjithë ta plotësojnë të drejtën për pension, kanë lënë në arkat e sigurimeve shoqërore – sipas vlerësimeve të Inps italian – më shumë se 3 miliardë euro, nga të cilat nuk do të përfitojnë kurrë. Për të mos folur për saldon pozitive prej 3,1 miliardësh, sipas vlerësimit të shkruar në Dossier, midis hyrjeve fiskale e kontributeve të punës, që lidhen me punonjësit imigrantë dhe totalin e daljeve që shpenzohen për ta. Me siguri është e domosdoshme të shpjegohet, për kushedi të satën herë, rëndësia ekonomike e imigrantëve por, a është normale të rifillojmë me të përpjetën e zakonshme argumentuese pas gjithë këtyre viteve?
Që imigracioni është faktor strukturor, pra pjesë përbërëse e sistemit Itali, në shoqëri, ekonomi, kulturë e në përditshmëri, nuk ka pikë dyshimi. Për të pasur një ide mjafton të lexojmë të dhënat e pranisë së tyre, sikurse është e mjaftueshme të hipësh në automjetet publike në mëngjes, kur nuk i gjejmë në shtëpinë tonë si ndihmës e badante. Numri i rezidentëve të huaj i ka kaluar 5 milionët. Vihet re një tendencë e fortë e ngulimit të qëndrueshëm, mbi të gjitha tek jo komunitarët, më shumë se gjysma e të cilëve kanë marrë lejeqëndrim afatgjatë. Tregues i qartë i një tendence të stabilizimit e të integrimit.
Rimarrja e konceptit të imigracionit si “pasqyrë” bëhet e detyrueshme, sidomos kur lexohet se Italia ka pak a shumë të njëjtin numër të imigrantëve dhe të qytetarëve italianë jashtë shtetit. Një situatë simetrike interesante e kuptimplotë. Globalizimi, mediat, interneti e rrjetet sociale, kanë vënë edhe më shumë në pah karakteristikat e migracionit si “fakt social total”[iii], ku ndërthuret e pasqyrohet gjithçka. Në fakt, imigracioni është tregues i problemeve tona, jo shkaku i tyre. Migracionet tregojnë veten, por edhe të tjerët. Rrëfejnë për vendet e nisjes, gjendjen e tyre, por edhe për vendet e pritjes.
E së fundi na interpelojnë. Papa Françesku e thotë qartë:
“Në epokën tonë, flukset migratore janë në rritje të vazhdueshme në çdo rajon të planetit: refugjatë e persona në ikje nga atdheu i tyre interpelojnë individët dhe komunitetet, duke e sfiduar mënyrën tradicionale të jetesës e, ndonjëherë, duke e tronditur horizontin kulturor e social me të cilin ballafaqohen. Gjithnjë e më shpesh viktimat e dhunës e të varfërisë, duke braktisur vendlindjet, pësojnë poshtërimin e trafikantëve të njerëzve në udhëtim drejt të panjohurës, drejt ëndrrës për një të ardhme më të mirë. Në rast se, më pas, u mbijetojnë abuzimeve e vështirësive, duhet t’i bëjnë llogaritë me realitete ku fshihen dyshime e frika. Jo rrallë, në fund, takojnë mangësi të ligjeve të qarta e të realizueshme, që ta disiplinojnë pritjen e të parashikojnë rrugëtime integrimi afatshkurtra e afatgjata, duke u kushtuar vëmendje të drejtave e detyrave të të gjithëve”[iv].
Megjithatë, migrantët duken shpesh të largët, pa asnjë lidhje me përditshmërinë tonë, e problemet e tyre sikur nuk na prekin nga afër. E këtu shkëmbi për t’u bartur bëhet më i rëndë.
[Vijon]
[i] Peggy Levitt, Social Remittances: Migration Driven Local-Level Forms of Cultural Diffusion. International Migration Review, 1998 e The Transnational Villagers, University of California Press, Berkley, 2001.
[ii] Në Rapporto annuale 2015 sull’Economia dell’immigrazione flitet për “Pil dell’immigrazione” (PBB të imigracionit): “Duke konsideruar pasurinë e prodhuar nga 2,3 milionë të punësuar të huaj, në vitin 2014 “Pbb e imigracionit” kapi shifrën 125 miliardë euro, ose 8,6% e pasurisë kombëtare”. Rapporto annuale 2015 sull’Economia dell’immigrazione, përgatitur nga Fondazione Leone Moressa, il Mulino, Bologna, 2015.
[iii] Abdelmalek Sayad, La doppia assenza. Dalle illusioni dell’emigrato alle sofferenze dell’immigrato, Cortina, Milano, 2002.
[iv] “Migrantët e refugjatët na interpelojnë. Përgjigjja e Ungjillit të mëshirës”, Mesazh i Atit të Shenjtë Françesku për ditën botërore të migrantit e të refugjatit 2016 [17 janar 2016].