Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Përkthim

DHOMA E MIQVE TË RREMË

Nuk ka përkthyes profesionist a mësues të një gjuhe të huaj që të mos e dijë se çfarë është një faux ami (fr.) ose false friend (angl.): një fjalë a një shprehje e një gjuhe që duket sikur i ngjan shumë një fjale a një shprehjeje në një gjuhë tjetër, por që ka në fakt kuptim tjetër, shpesh krejt të ndryshëm.

Shembull klasik është ai i spanjishtes embarazada dhe italishtes imbarazzata; nëse në italishte fjala ka kuptimin “e zënë ngushtë, e vënë në pozitë të vështirë”, në spanjishte do të thotë “shtatzënë, me barrë.”

Ka edhe faux amis të llojit kuptimor, ku një shprehje jo doemos idiomatike e përkthyer fjalë për fjalë, merr kuptim tjetër në gjuhën pritëse – si për shembull anglishtja men’s room që nuk është e njëjta gjë me shqipen dhoma e burrave, madje aspak. Në fakt, men’s room e anglishtes është një eufemizëm për nevojtoren – krahas restroom, bathroom etj.; dhe që u referohet pikërisht nevojtoreve të burrave në hapësira pak a shumë publike.

Përkundrazi, në shqipe dhoma e burrave (gjithashtu oda e burrave) është një hapësirë private në një shtëpi a kullë, e përdorur tradicionalisht për të pritur mysafirët burra; etnologët kanë vënë re përkimin sigurisht jo të rastit midis këtij termi dhe turqishte-osmanishtes selamllëk (të krahasohet këtu edhe haremllëk, si hapësirë e ngjashme, e rezervuar për gratë). Dhoma (oda) e burrave, përveçse hapësirë brenda shtëpisë, ka qenë edhe institucion i jetës së përditshme, edhe private edhe gjysmë-private; si vendi ku burrat zakonisht të një komuniteti takoheshin dhe bisedonin, për çështje të rëndësishme, publike ose private.

Shqipja dhoma (oda) e burrave i referohet një kulture që ka ende gjurmë të segregacionit gjinor brenda shtëpisë; dhe ku nevoja për t’i mbajtur mysafirët veç grave të shtëpisë ka qenë aq e rëndësishme, sa ka çuar në specializimin e një hapësire brenda shtëpisë (masë fort e kushtueshme). Në shtëpitë moderne kësaj dhome i përgjigjet zakonisht dhoma e pritjes.

27-740_Lafayette_RSPërkundrazi, anglishtja men’s room i referohet një kulture ku segregacioni gjinor vepron në sferën private të kryerjes së nevojave fiziologjike; në kuptimin që hapësirat sanitare publike janë dashur mbajtur të ndara, sipas gjinive; kryesisht për të respektuar namuzin dhe nevojën për intimitet si të njërës palë, ashtu edhe të tjetrës; por edhe për të mos lejuar që ritualet e marrëdhënieve ndërgjinore (courting etj.) të ngatërroheshin me ritualet e jashtëqitjes dhe të pastrimit.

Kultura ku prania publike e grave ka qenë tepër e kufizuar, në mos zero, si ajo tradicionale urbane e shqiptarëve, nuk e kanë ndier menjëherë nevojën për të pasur segregacion gjinor në shërbimet sanitare publike; aq më tepër që në shumë raste këto shërbime – ose nevojtoret publike e në vende publike në qytetet – as që kanë ekzistuar. Gratë, në fakt, nuk pritej që të kishin nevojë të përdornin shërbime të tilla jashtë shtëpisë ose mjediseve të tjera familjare për to, meqë hapësira publike u përkiste, me përkufizim, burrave; dhe kjo vlen, sado në masë më të kufizuar, edhe për komunitetet e përziera ose kryesisht të krishtera, ku segregacioni gjinor publik nuk ka qenë aq i fortë dhe i rreptë sa në komunitetet myslimane (Në fototekën Marubi gjen fotografi grash katolike të mbuluara me perçe).

Kujtoj këtu që, te romani “Karriera e zotit Maksut” e Qamil Buxhelit, ku ngjarjet zhvillohen në kohën e Zogut, nevojtorja publike e inauguruar në qendër të qytetit të provincës ishte vërtet e ndarë në dy seksione, por jo sipas sekseve: njëra anë e lokalit ishte rezervuar për “miletin”, ndërsa tjetra për “autoritetet.”

Gjithsesi, segregacioni gjinor mes shqiptarëve do të ketë qenë tradicionalisht publik[1]; për shembull, te praktika e mbajtjes së grave veç nga burrat në raste festash dhe kremtimesh gjithfarësh në fshat e në qytet; ose edhe në raste vdekjesh dhe kësolli, ku burrat që vinin për ngushëllim priteshin – dhe ende priten – në një dhomë të ndryshme nga ajo ku priteshin gratë (kishte hapësira brenda shtëpisë, si p.sh. kuzhina, ku kriteri segregacional shfuqizohej, edhe pse kuqzhina ishte tradicionalisht hapësirë për gratë dhe fëmijët).

Ky lloj segregacioni pak a shumë ritual ka vazhduar deri vonë, për shembull, në ndarjen më dysh të radhëve në dyqane dhe biletari: për burra dhe për gra. Askush nuk e vinte këtë në diskutim a në pikëpyetje, së paku deri në fund të viteve 1980, në Shqipëri: kishte radhë burrash, sikurse kishte edhe radhë grash. Nëse kjo lidhej edhe me atë që radhët mund të shoqëroheshin me rrezikun e ndonjë kontakti fizik të padëshiruar mes dy gjinive, këtë nuk di ta them (por rreziku ishte real, p.sh. kur shiteshin bileta kinemaje për një film të ri ose ndonjë mall i rrallë e shumë i kërkuar). E kotë të shtoj këtu se ngacmimi i një gruaje mund të sillte pasoja të rënda jo aq ndaj gruas së fyer (psikologjike, etj.), por ngaqë burrat e familjes së palës së lënduar do të kërkonin menjëherë shpagim. Dua të them me këtë që segregacioni, sado ritual dhe sado absurd, i shërbente edhe (nuk po them “para së gjithash”) shmangies së konflikteve brenda komunitetit.

Pas kësaj paranteze, le të përfytyrojmë një situatë kur një shqiptar emigrant në ShBA është i ulur në një bar me miq të vet amerikanë vendës, dhe një prej këtyre i thotë: “Excuse me, my friend, I have to go to the men’s room.” Po sikur shqiptari ynë të ngatërrohej dhe të kujtonte se paskësh pasur, në bar, një “dhomë burrash”, ku atë vetë, përndryshe burrë mbi burra, nuk kanë begenisur ta futin? Kaq racistë të jenë këta amerikanët, kaq dyshues dhe përçmues ndaj të huajve?

Ose edhe situata e kundërt: një amerikan që flet pak shqip dhe që shkon për një kafe te shtëpia e një autoriteti lokal në një katund, dhe atje, i ulur në verandë duke shijuar privilegjet e mikpritjes tradicionale shqiptare, ndien nevojën për të shkuar në nevojtore, dhe i kërkon të zotit të shtëpisë, në shqip (meqë ky nuk flet anglisht) t’i tregojë se ku është “dhoma e burrave”, kushedi edhe duke bërë gjestin përkatës me dorë?

Ja edhe një situatë e tretë: një grua e huaj çfarëdo shkon për të bujtë te një shtëpi në një katund të thellë në Shqipëri, dhe e zonja e shtëpisë, që flet pak anglisht, i thotë kësaj se i kanë shtruar për të fjetur “in the men’s room”? Një natë pa gjumë për mysafiren, përballje me enigmën intelektuale që paraqet prania e një nevojtoreje burrash në një shtëpi katundi, apo një mundësi e papritur për intrigë seksuale?

Një shembull segregacioni gjinor që ka marrë dy drejtime të ndryshme; tashmë me potencial komik, në një botë ku kulturat kryesisht transformohen nëpërmjet përkthimit.


[1] E them këtë me rezervë, sepse nuk kam referenca ndaj studimeve përkatëse.

2 Komente

  1. Shume interesante kjo tema e ndarjes se hapsirave sipas gjinise ne raport me konceptet e hapesires ‘publike’ dhe ‘private’. Me siguri gjuha luan nje rol te rendesishem. Kam menduar shume keto kohe te fundit per lidhjen qe kane ato lokale e qytetit ku tabelat lexojne ‘te shoqeruar’ dhe do te thote qe nuk futet dot nje mashkull i pashoqeruar. S’kam arritur ne ndonje analize, po ceshtja interesante.

  2. Në lajmin (lajmin?!) me titull “Komisari i jugut pozon me të shoqen” (gazeta Tema, 21.12.2015), njoftohet lexuesi shqiptar se Koço Kokëdhima ka postuar një fotografi në Facebook me bashkëshorten.

    Midis të tjerash, thuhet: “Ata duken shumë të kuruar”. Kemi të bëjmë në thelb me faux ami, madje dyfish të rremë, sepse “të kuruar” duket qartë që është huazuar arbitrarisht nga italishtja. Në këtë gjuhë “curato” do të thotë “i mbajtur mirë, i mirëmbajtur, i kujdesur, i veshur mirë e me shije, etj.”, mirëpo në shqip fjalët “kuroj, i kuruar” kanë të bëjnë me mjekun e mbikëqyrjen mjekësore dhe përdoren vetëm në këtë kontekst. “I kuruar” mund të thuhet për një pacient, jo për një person që është prezantuar mirë nga pikëpamja e jashtme.

    Apo kemi të bëjmë me lojë të hollë fjalësh mes miqsh të rremë? Sidoqoftë, lajmi duket pozitiv.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin