“Come viaggiare con un salmone,” ose “Si të udhëtosh me një salmon” është një skicë e njohur satirike e Umberto Ecos, e botuar fillimisht në vitin 1986 dhe pastaj e rimarrë në përmbledhje të ndryshme të këtij autori, përfshi edhe Il secondo diario minimo.
Aty rrëfehen peripecitë e dikujt – një italian, pas gjase alter ego i Eco-s vetë – që kërkon të ruajë një copë salmoni të tymosur, në frigoriferin e dhomës së hotelit në Londër.
Skica më pat rënë në dorë tani së voni, në një përmbledhje shkrimesh të Eco-s në anglishte, të titulluar “How to Travel with a Salmon” – me ç’rast më tërhoqi vëmendjen një lojë e këndshme fjalësh, që prej autorit sikur e prisja.
Rrëfimtari hyn në konflikt me personelin e hotelit (ngaqë këta pretendojnë se ky ka konsumuar një sasi të pabesueshme pijesh nga “mini-bar”-i) dhe pastaj, kur kërkon që ta vënë në lidhje me një avokat, ata i sjellin një avocado (angl. I asked for a lawyer, and they brought me an avocado).
Lexuesit thjesht anglishtfolës këtu mbase i shpëton ironia – por anglishtja avocado është një mik i rremë (faux ami, false friend) i italishtes avvocato; e para shënjon një frut, e dyta një profesion dhe një rol social.
Çuditërisht, origjinali italisht i këtij teksti nuk e sugjeron këtë lojë fjalësh. Aty lexohet: Ho chiesto un avvocato e mi hanno portato un mango.[1] Duke përfytyruar se rrëfimit të Eco-s i përgjigjet, virtualisht, një realitet përtej nivelit diskursiv, nuk shoh si mund të ngatërrohet një avokat me një mango; ndërsa një avokat me një avokado ngatërrohen lirisht në nivelin gjuhësor, edhe në italishte edhe në shqipe.
Ka këtu një enigmë, që nuk po arrij ta shpjegoj, meqë shakaja duket sikur funksionon në përkthim, por jo në origjinal; por edhe në përkthim funksionon vetëm për ata anglishtfolës që e dinë që anglishtja lawyer përkthehet si avvocato në italishte, ose me një fjalë që i ngjan shumë anglishtes avocado (pra ata që, virtualisht, nuk do të kishin nevojë për ta lexuar Eco-n të përkthyer anglisht).
Çfarë mund të ketë ndodhur? Ose redaktori i tekstit origjinal në italishte nuk e ka pëlqyer fjalën avocado ose e ka gjykuar si të papërshtatshme, duke e zëvendësuar me një fjalë tjetër, mango, kushedi edhe ngaqë ka kujtuar se bëhet fjalë për të njëjtin frut – kujtoj se jemi në vitin 1986, kur frutat ekzotike nuk njiheshin dhe kaq mirë sa sot, në Itali: unë mbaj mend të kem parë mango, në supermarketet ushqimore të Romës në 1987, por jo avokado.
Ose Eco-ja vetë nuk ka pasur ndërmend ndonjë lojë fjalësh, e cila megjithatë i ka shpëtuar nga nënvetëdija; ose kushedi ka bërë një shaka private, duke iu referuar ndonjë periudhe të rinisë, kur ai vetë e ngatërronte avokadon me mangon.
Mirëpo fakti mbetet që, në botën virtuale të rrëfimit, personeli i hotelit në Londër nuk ka asnjë arsye pse të ngatërrojë lawyer me mango; madje edhe në atë rast kur supozojmë se alter-egoja i Eco-s u ka folur në anglishte dhe, i ndikuar nga italishtja, u ka kërkuar këtyre një “advocate” ose “advocado” (në vend të një lawyer-i) dhe anglishtfolësit kanë kujtuar se ky u ka porositur një “avocado.”
Dua të them – kjo lojë fjalësh funksionon vetëm në atë kontekst kur një italian (ose spanjoll, ose frëng, etj.) flet anglisht dhe bie pre e një faux ami.
Që këtej, teksti anglisht (I asked for a lawyer, and they brought me an avocado) funksionon vetëm për atë lexues që di aq italisht, sa të kuptojë se anglishtja avocado dhe italishtja avvocato janë faux amis. Duke pasur parasysh se kjo lojë fjalësh në origjinal nuk ekziston – meqë në origjinal flitet për mango – mund të supozojmë edhe se shakanë, në tekstin anglisht, e ka futur përkthyesi i Eco-s; ose edhe vetë Eco-ja kur ka kaluar nëpër duar përkthimin anglisht dhe mund t’i ketë shkuar në mendje potenciali i këtij miku të rremë.
Një rast i rrallë, besoj, ku një dukuri me natyrë thjesht tekstuale, shfaqet në hapësirën e kalimit nga një gjuhë në tjetrën, ose në vendin gjeometrik të përkthimit si transformim gjuhësor; por jo vetëm në gjuhën e nisjes, as në vetëm në gjuhën e mbërritjes.
[1] Njëlloj edhe në versionin frëngjisht të këtij teksti: J’ai demandé un avocat, on m’a apporté une mangue (Comment voyager avec un saumon, Éditions Grasset & Fasquelle, 1997).
Nje tjeter interpretim: klienti italian i hotelit shkon ne banakun e hotelit dhe duke mos ditur fjalen “lawyer” u kerkon nje “avvocato”; Personeli kupton frutin e avocados, dhe ia sjell. Por italiani nuk e njeh avocado-n; Une e kam ngrene per here te pare ne Itali ne 1991, dhe ma solli dikush si dhurate te vecante, sikur me dhuronte nje bizhu origjinale gjetur varrosur ne sarkofag me nje mumje. Neper supermerkatot italiane nuk ekzistonte ende. Pra italiani, e interpreton si nje gje te ngjashme qe njeh, ekzotike, me forme te ngjashme, sido qe me ngjyre tjeter… me e aferta gje qe mund t’i shkonte ne mend ishte mangoja. Pra loja e fjaleve ka qene reale qe ne fillim, por njohja e ekzistences se saj mungonte si per italianin, si per anglezet e perfshire ne komunikim. Ndoshta edhe per Econ vete? Ne momentin e perkthimit te tregimit ecoja (ne dijeni te lojes qe ne fillim ose qofte edhe vetem me pas) e di qe italianet e njohin avocadon, dhe qe nje pjese e anglishtfolesve me njohuri te italishtes do kuptojne se cfare luhet ne shprehje. Ndaj kerkon qe mango te perkthehet avocado. Pra ngaterresa e krijuar nga realiteti i komunikimit ka qene ose s’ka qene hic pjelle e autorit ne momentin kur lindi ngaterresa. Por kur autori e shkroi dhe i dha titull (une mendoj se ne kete pike ai vete se paku e kish zgjidhur enigmen me natyre gjuhesore te ngaterreses) nuk kish kuptim per te ta quante avocadon avocado, se kjo s’do kish asnje vlere per italianet lexues.
gjynah, se si dikur si sot, si ne origjinal si ne perkthim, mbetet nje loder fjalesh e dale huq, se paku pjeserisht huq.