Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Teknologji

KOMPLOTI I VETMISË

Nuk u besoj komploteve, por as rastësisë. Atëherë, si t’i pajtoj këto dy besime të miat, kur shoh se, vit pas viti, të gjitha shpikjet teknologjike synojnë të më veçojnë nga njerëzit e, në fund, të më izolojnë krejtësisht?

Deri dje, në sheshet e botës, fjalia më e përdorur ka qenë: “Të lutem, a ma bën një foto?”. Sa herë na e kanë kërkuar turistë nga të gjitha ngjyrat? “Po ku duhet ta shtyp? Ah, ja ku qenka butoni. Jeni gati? Cheese!”. Çifti ose grupi shpërndahej, merrte në dorë aparatin, falënderonte buzëqeshur. Por jo gjithnjë mbaronte kështu. “A doli bukur?”. “Besoj se po”. “Nga ju kemi, se nga theksi më dukeni…”. E kështu bashkëbisedimi mund të vazhdonte gjatë, të vijonte në kafene, e të përfundonte në miqësi. Ose siç thoshte, një shoku im: “nga aparati tek shtrati”, ngaqë e kishte për zakon “t’i gjuante” turistet duke hapur muhabet në sheshet kryesore dhe “taktika e aparatit” ishte nga më efikaset. Sepse dihet, se nga aparati shkrepet komplimenti, e nga komplimenti lind interesi, e nga interesi ndizet pasioni.

shkopi per selfieNejse, kohë të arta për ata që duan të takojnë njerëz e ta njohin botën. Tani, nëpër sheshe sillen rrotull zombie me shkopinj në duar, që bëjnë selfie në distancë. Duken të rrezikshëm, vërdallosen kërcënues me shkopinj të gjatë, që i vringëllijnë herë pas here dhe i çojnë lart në shenjë triumfi. Rreth tyre, sillen kuturu njerëz të tjerë me shkopinj për selfie në duar, ose për t’ua shitur atyre të paktëve që i rezistojnë durimit.

Po kështu celulari, mjeti më centralizues e megaloman i të gjitha kohërave. Ai i di të gjitha. Është telefon, aparat fotografik, kompjuter, navigator, radio, televizor, postier, kinema, rrjet, videothirrje, regjistrues, përgjues, e plot gjëra të tjera që akoma nuk i dimë.

Deri pardje, po deshe të flisje me dikë, duhet ta takoje, sot vë gishtin mbi ekranin touch screen dhe ja ku e ke, me figurë ose me zë. Ta kishte ëndja të shkoje në kinema me shokët, tani celulari të fton t’i shikosh efektet speciale në mikroekranin 5 polsh. Muzikë në koncert me familjen? Përse të lodhesh? E ke në celular.

celular-inteligjentMadje, së fundi, po shtohet dita ditës kategoria e zombie-t me kufje. Janë qenia të reja (dikush i konsideron jashtëtokësorë, të tjerë evoluim i racës njerëzore), që ecin nëpër rrugë, ose udhëtojnë në autobusë e trena, me dy fije që i dalin nga xhepi, ose çanta e kurrizit, dhe përfundojnë në vesh. Nuk dihet së ç’dëgjojnë, muzikë ose urdhra nga qendra. Mesazhi i tyre, veçse, është i qartë: “Mos më çani veshët, nuk dua të flas me njeri”. Në fakt, po t’i thuash ndonjërit “Më falni, për të shkuar në X vend, duhet të zbres tek stacioni tjetër?”. Ai bën sikur nuk dëgjon, pastaj sikur nuk kupton (kështu e kanë urdhëruar), e së fundi, pasi ti e prek me dorë, merr mundimin, me ngadalë, të heqë njërën e kufje e me fytyrën e shtrembëruar nga bezdisja, të thotë: “çfarë?”. Ti ia përsërit pyetjen, por përgjigja është e sigurtë: “Nuk e di. Nuk jam nga këto anë”.

E kush tha se rrjetet sociale nuk ma kanë me hile? Rrjetin e miqve të mi, deri dje më duhej ta mbaja me thonj e me dhëmbë, me letra e kartolina, me pulla e stilolaps. Duhet edhe t’i takoja herë pas here, për një kafe e për një teke. Të shtrëngonim duart, të bënim shaka, të ziheshim, të shkëmbenim frustracione, të bënim gallatë, të trokisnim gotat. Tani, shpikësit e teknologjisë, kanë bërë që miqtë të më japin pëlqime e të më dërgojnë emotikone. Nga larg. Të ndarë nga dy ekrane që flasin. Rrjete sociale apo rrjete asociale?

Dikur të humbje rrugën ishte po aq e bukur sa edhe ta gjeje. “Duke pyetur gjen Stambollin”, thotë një fjalë e urtë popullore, që ka një farë kuptimi konkret nga dita që shqiptarët shkojnë për turizëm në Turqi. Fakti është se kur humbisje rrugën me makinë, sapo pikasje ndonjë person anës rrugës dytësore, i afroheshe ngadalë, hapje xhamin me dorezë dhe e pyesje: “Më falni që ju shqetësoj, a e dini nga është rruga për në …?”. Dhe ai me entuziazëm ose përtesë të tregonte me një xhest, ose me një rrëfim prej gjysmë ore, rrugën për në destinacion.

Përndryshe të priste aventura e lokalit të vetmuar. Pasi panikoheshe nga humbja e rrugës dhe e toruas, dalloje nga larg salvaxhentin tokësor, barin periferik mes maleve ose luginës. Futeshe brenda dhe shikoje dy tipat në tryezë me një dopio përpara, atë vetmitarin tek banaku, katër tipa duke luajtur domino ose letra, gruan me fshesë në dorë dhe banakierin duke fshirë gotat. Para se të pyesje banakierin, kurrizi të digjej nga vështrimet e të pranishmëve. E njëjta pyetje: “Më falni që ju shqetësoj…”. Po të ishe me fat të thoshte: “Ec përpara, dy kilometra më tutje, djathtas”. Në të kundërt: “E keni nga ana tjetër e malit, por keni një hotel këtu afër, se tani është vonë”. Ose: “Pije një gotë. Ta ofron lokali. Nga të kemi një herë?”. E që aty e kuptoje se pushimet e ardhshme do t’i kaloje nga këto anë.

njeri ne makineMirëpo, tani ky luks nuk lejohet më. Xhamat e makinës nuk ulen më, ja nga ajri i kondicionuar, ja nga padobishmëria, për sa kohë rrugën ta tregon zëri i ftohtë i një femre që del nga Tom Tomi, ose navigatori i radhës që drejtohet nga sateliti. Është ai zë që ka zëvendësuar kontaktin njerëzor. “Ktheu majtas, pas dy kilometrash djathtas, pas 100 metrash keni mbërritur”. Por nënteksti është: “Nuk keni nevojë për njeri. Rrugën ta them unë. Teknologjia është e vetëmjaftueshme. Kështu do të shpëtosh nga kontaktet njerëzore dhe historitë e të tjerëve. Destinacioni u arrit. Vetmia”.

Por perfeksioni i mjeteve moderne, që synojnë vetminë e njeriut dhe eliminimin e kontaktit njerëzor, arrihet në momentin kur as shkrimet e tua kundër tyre nuk marrin asnjë përgjigje. Objektivi u arrit. Ti po flet me veten.

3 Komente

  1. Një efekt anësor i këtyre që flasin në telefon nëpërmjet kufjes, kur janë duke ecur në rrugë aq në vështrim të parë duken sikur u ka lëvizur ndonjë dërrasë, derisa ua sheh fijet që u varen nga veshi ose llambushkën e Bluetooth-it dhe thua “a-ha”: i kanë bërë më të pranueshëm folësit klasikë me veten, që nuk kanë pasur kurrë nevojë për telefon, për të komunikuar lirisht dhe me zë të lartë, me dikë që nuk është i pranishëm. Më pas kushedi do të marrim vesh se edhe ata që sot i mbajmë për viktima sëmundjesh mendore, në fakt vetë sa janë duke anticipuar një teknologji të re – p.sh. skizofrenia dhe realiteti virtual; ose paranoja dhe telekomandimi biologjik. Kur të shohësh nesër dikë që ecën në Via Tiburtina me një kapele me letër alumini në kokë, eja dhe më tako pa e bërë të gjatë: do të jem unë.

    1. Pashë sot dikë në via Tiburtina, afër një vitrine, një tip me një kapele me letër alumini në kokë. Kujtova se ishe ti. Iu afrova për t’i folur, por… paskësh qenë pasqyrë.

      1. Sjellje tipike prej paranojaku: të shfrytëzosh vitrinat e dyqaneve për të parë nëse po të ndjekin. I vetëdijshëm se edhe ashtu po filmohesh: të rroftë kapelja me letër varaku. Poshtë sistemi!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin