Të dashur miq, kolegë dhe lexues të blogut,
Këtë vit kam nderin të përfaqësoj Shqipërinë në Festivalin e Letërsisë së Re nga Europa, një nga ngjarjet kryesore të vitit për letërsinë e përkthyer në New York, që do të zhvillohet në datat 6-9 nëntor 2015.
Veç meje, në festival do të marrin pjesë shkrimtarët Bernhard Aichner (Austri), Naja Marie Aidt (Danimarkë), Niccolò Ammaniti (Itali), Tomáš Halík (Republika Çeke), Wojciech Jagielski (Poloni), Josefine Klougart (Danimarkë), Alek Popov (Bullgari), Jordi Puntí (Katalunja/Spanjë), György Spiró (Hungari), Bogdan Suceavă (Rumani) dhe Bettina Suleiman (Gjermani).
Programin e Festivalit mund ta shfletoni këtu.
Shpresoj dhe uroj të gjeni pak kohë dhe të vini për t’u takuar me mua dhe për të marrë pjesë në ndonjë prej veprimtarive, sidomos te paneli kushtuar “Përgjegjësisë në të shkruar”, i moderuar nga Maaza Mengiste, ditën e premte 6 nëntor në orën 6:30 të mbrëmjes në The Center for Fiction, 17 East 47th Street, New York, NY 10017, si dhe të shtunën, 7 nëntor, në orën 4 deri në 5:30 pasdite, në panelin “Të mblidhemi bashkë”, në Scandinavia House, Victor Borge Hall, 58 Park Ave., New York, NY 10016, ku do të lexoj pjesë nga romani “Bolero.”
Të dyja këto veprimtari janë të hapura për publikun.
Në panelin e së premtes kam menduar të flas për marrëdhëniet midis pranisë aktive në diskursin publik dhe librave që kam botuar, nga këndvështrimi edhe i misionit etik që shoqëron, dashur pa dashur, ndërmarrje të tilla.
Te ky link mund të lexoni një intervistë që i kam dhënë Milena Delevës, në kontekstin e ngjarjeve kulturore që i paraprinë Festivalit.
Pjesëmarrja ime në këtë Festival, ku Shqipëria përfaqësohet për herë të parë, u mundësua nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë.
sh mire..si mund t;ju dhuroi dy librat e mi, ne gjuhen shqipe, per ne panair,apo vetem literature e perkthyer…
Ky nuk është panair libri, por festival shkrimtarësh. Dhe gjithsesi, unë nuk jam organizator i eventit, por vetëm i ftuar.
Xhaxha, të uroj sukses dhe kënaqësi në këto ditë të vyera kontributi dhe shkëmbimi.
Urime e sukses!