SI TA PËRBALLOJMË FITOREN?

nga Klajd Miraçi

Pse shqiptarët e duan kaq shumë kombëtaren e tyre që të fitojë kundër atyre që na kanë bërë, na bëjnë dhe na duan të keqen?

Është një ndeshje futbolli që na gëzon shumë kur luhet në stadium dhe ne e duam gjithmonë të përfundojë me fitore për ne, se kjo na mbush me entuziazëm dhe na e bën ditën më të bukur e të hareshme, teksa festojmë fitoren që na bëri krenar e na beri të ndihemi shqiptarë dhe patriotë fitimtarë për një ditë të vetme. Aq më shumë që simbolikat kombëtare marrin shumë më tepër kuptim kur kjo ndeshje futbolli luhet kundër një kundërshtari të veçantë që nuk është kundërshtar vetëm në fushë por edhe në jetën tonë të përditshme që në e quajmë armik (keqbërës, dikush që na ka bërë keq dhe vazhdon të na bëjë keq e na do vazhdimisht të keqen), ky entuziazëm merr përmasa historike gjithfarësh, ku ne kërkojmë të marrim hak për padrejtësitë që na janë bërë, të tregojmë se jemi më të mirë e kemi qenë gjithmonë më të mirë se ta. Gëzimi dhe hareja jonë njëditore na bën të duam ta tregojmë sa më të mirë jemi se kundërshtari ynë, e që për një ditë ne fituam ndaj tij dhe e përulëm siç do të donim gjithmonë ta bënim një “armik” kudo.

Po kjo fitore e sotme a do të jetë dhe fitore e nesërme, e në vazhdim e ditëve të tjera që do të pasojnë hap pas hapi? A mund të tregohet gjithë fuqia jonë etnike, natyrale në një ditë të vetme e të përfaqësohet vetëm nga një skuadër e një ndeshje futbolli?

Se ne jemi të gëzuar sot, por sa do të jemi dhe nesër? Ne jemi patriotë sot, por sa do të jemi dhe nesër? Ne thërrasim për Shqipërinë etnike, natyrale sot, por sa do të thërrasim dhe nesër e në ditët në vazhdim? Ne jemi patriotë sot, por sa do të jemi dhe nesër e në ditët në vazhdim? Ne duam të tregojmë se sa më të mirë e qytetarë se “armiku” jemi sot, po sa do ta tregojmë edhe nesër e në ditët në vazhdim? Ne do ta duam atdheun sot, por sa do ta duam edhe nesër e në ditët në vazhdim? Ne e duam kombëtaren sot, por sa do ta duam dhe nesër e në ditët në vazhdim? Ne u mblodhëm të bashkuar sot për të mbështetur një qëllim (fitoren e kombëtares tonë), po sa do të mblidhemi dhe nesër të bashkuar për një qëllim që është për të mirën tonë e do të na bëjnë më të lumtur se dje? Ne i nderojmë patriotët tanë sot, por sa do t’i nderojmë dhe nesër e në ditët në vazhdim? Ne brohorasim sot thirrje patriotike, por sa do të brohorasim dhe nesër e në ditët në vazhdim?

Ne si qenie njerëzore nuk jetojmë një ditë por jetojmë ditë për ditë dhe nëse ne për një ditë duam të plotësojmë gjithë boshllëkun që krijojmë ditë për ditë, atëherë gjithë këto që bëjmë për një ditë do të kenë një domethënie të zbehtë e të pakuptimtë që në përditshmëri quhet patriotizëm dhe dashuri e rreme ose thjesht gjëra kalimtare. Prandaj një ndeshje futbolli nuk mund të karakterizohet nga gjithë këto ngjyrime që ne i japim dhe futim atje pa vetëdije, ku për një ditë kërkojmë të bëjmë atë që s’e bëjmë ditë për ditë e duam të tregojmë atë dashurinë e madhe për atdheun që duhet ta tregonim ditë për ditë, është e kuptueshme që kjo ndodh për shkak se stadiumi është mënyra e vetme ku qytetarët gjejnë mundësi për t’u shprehur e për të patur mundësi që t’u dëgjohen mendimet, që s’ua dëgjon njeri ditë për ditë ose bien në vesh të shurdhët si nga të tjerët që duhet t’ua dëgjojnë se e kanë për detyrë, si nga ne që vetë i themi e vetë harrojmë shumë shpejt që i kemi thënë. Nëse vërtet duam që të kontribuojmë e të tregojmë dashuri e shumë gjëra të tjera që tregojmë gjatë një dite të një ndeshje futbolli për vendin tonë, me atë entuziazëm që kontribuojmë kur luan kombëtarja kuq e zi, atëherë duhet të kontribuojmë ditë për ditë në këtë mënyrë, jo vetëm ne një ditë kur luan kombëtarja. Ne jetojmë ditë për ditë e nëse ditë për ditë nuk bëjmë diçka, për një ditë e vetmja që mund të bëjmë është asgjë.

Shënim: po e botojmë këtë shkrim edhe pse nuk biem dakord me disa nga premisat; sidomos nuk pajtohemi me idenë se një ndeshje futbolli mund të ketë lidhje me “ata që na kanë bërë, na bëjnë dhe na duan të keqen” dhe as me ndonjë larje hesapesh historike. Por autori është i ri dhe menduam t’ia japim fjalën, duke respektuar edhe vetë natyrën e blogut tonë si forum të mendimit të lirë dhe nevojën për t’u njohur me mendimin ndryshe [2Xh].

Nuk ka komente

  1. Sa here qe te jem ne hall per te perballuar peshen e paperballueshme te qenies tifoz i kuqezive, do i kthehem kesaj Shqiperise suaj “etnike natyrale”, pse jo, Legjendare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin