Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

BOLERO

Pavarësisht se rrëfimtari e deklaron që në fillim se romani nuk do të jetë narrativë e një aventure, por aventurë narrative, lexuesi mezi pret të mësojë se ç’i ndodh atij tipit rreth të tridhjetave, që zbret shkallët e stacionit të metrosë së New York-ut, tek kryqëzimi i avenysë së 7-të dhe rrugës 40 në Manhattan, por që i zhytur në leximin e gazetës nuk ia vë veshin njoftimit për aksidentin e ndodhur diku në Brooklyn.[1].

Lexuesi i romanit “Bolero” të Ardian Vehbiut (Dudaj, 2015), nuk e di se po fillon një aventurë të re në krahët e tekstit, një udhëtim sa të njohur aq edhe ekzotik, sa emocionues aq edhe racional, ku harta nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, por që vizatohet rishtas me shenja të ndryshme, herë familjare e herë misterioze, ku dypërmasiteti klasik ia lë vendin hartës 3D, me tinguj, imazhe, refleksione, referime, përshoqërime, vegime. I flakur në tunelin hapësinor e kohor të narrativës, lexuesi ka mundësinë të eksplorojë universe të panjohura më parë, ose t’i shikojë me sy tjetër, edhe pse gjendet, së bashku me personazhin kryesor, brenda metrosë së New York-ut.

Ka shumë muzikë në roman. E jo vetëm tek titulli i huazuar nga vepra e njohur e Ravelit[2]. Muzikën e dëgjon dhe e ndjen gjatë gjithë leximit; rrjedh natyrshëm jo vetëm nga struktura e gjuha e romanit, me variacionet e veta që prekin si ritmin ashtu edhe melodinë, por edhe në referimet tekstuale ndaj muzikës klasike e moderne. Kështu, muzika shfaqet fillimisht në trajtën e metaforës, për të shpjeguar konceptin e lakut kohor, si ajo gjilpëra e gramafonit që jep vetëm një segment muzikor, sepse ka ngecur në një brazdë të gërvishtur të diskut prej vinili[3].

Por muzika vjen edhe në mënyrë indirekte, me përshoqërime pothuajse të pamundura, si kënga “Lovely Rita” e Beatles, nga albumi Seargent Peppers Lonely Heart Club Band; sikurse përmendet jo rastësisht (e jo vetëm një herë) nëpërmjet pardesysë së famshme blu, duke sjellë melankolinë e këngës dhe poezisë së Leonard Cohen (Your famous blue raincoat), që nga një anë ia ndez ngjyrat përmasës njujorkeze të romanit, nga ana tjetër e intrigon me karakterin romantik të vargjeve, ku nuk mungojnë as stacioni, as pritja e as treni. (Your famous blue raincoat was torn at the shoulderYou’d been to the station to meet every train).

Rrëfimtari duket sikur bën me narrativën improvizime tekstuale sikundër muzikanti bën me tingujt e muzikës. Metroja është vendi ideal për këtë, edhe pse nga altoparlantët nuk dalin melodi. Muzika është e kudogjendshme, kur u referohet veprave të njohura të klasikëve të mëdhenj (Mozart, Beethoven), pa harruar natyrisht autorë modernë (Keith Jarret), por edhe kur përmenden këngë e muzikë imagjinare, sa për të marrë shkas për refleksione rreth forcës së saj. Këtë bën edhe Livia, personazhe e romanit, që e konsideron muzikën si një modus vivendi, për të jetuar gjetiu, diku tjetër, si të thuash muzika si mënyrë për t’u arratisur nga e tashmja e pamjaftueshme.

Ka mjaft humor në romanin Bolero. E jo vetëm tek peripecitë e udhëtarit që lufton me sistemin automatik për të hyrë në metro, duke vënë në skenë një dialog surreal e argëtues, por në thelb i nxjerrë nga përvoja e përditshme. Ankthi që të krijon numri A-550342 zbutet me ironinë ndaj sistemit automatik, që zbaton një interaktivitet të rremë, anipse më të sofistikuar se ekranet e shurdhëta të platformës.

Me lehtësinë e komikes përballen edhe neurozat urbane e postmoderne, telefonatat me të durueshmin dr. Kiddalla, për trajtimin në distancë të patologjive psikike si agorafobia, klaustrofobia, skopofobia, batmofobia, siderodromofobia, entomofobia (të gjitha të vërteta), vijnë si jehona të shoqërisë aktuale ku tendenca e medikalizimit i shndërron njerëzit në vetë-kurues e recetë-zbatues, pa aftësinë për t’ia rrokur thelbin anktheve urbane, që marrin jetë jo rastësisht në metro, universi ku shtjellohet romani “Bolero”. E kushedi nga se buron ai qëndrim argëtues, e njëkohësisht i butë e mirëkuptues, ndaj dobësive të individit që lufton kundër patologjive të veta me zell të paepur e me vetëkontroll të admirueshëm. Efekti pasqyrë apo mirëkuptim në largësi?

Gjithashtu, ka diçka thellësisht komike edhe në njoftimet e vazhdueshme të altoparlantëve, që kanë një sërë funksionesh në roman, por na kujtojnë udhëzimet elementare prej zbori[4], ku nuk dihet se ku fillon naiviteti e ku mbaron idiotësia, por gazi të mbërthen kur mes këshillash sigurie absurde e lista sendesh të pagjasa që mund të bien në binarët e metrosë, shfaqen befas paruka, prefëse thonjsh, llulla e dildo. Të papërballueshme shpjegimet e sistemit për shenjat e jashtme të shtatzënisë në metro, ose këshilla argëtuese e zhvatur nga arkivat e përditshmërisë sonë: “Mos shikoni tek gazeta e tjetrit”. Teksti i lajmërimeve publike është mbrujtur me paternalizëm të shtirur e duket sikur sugjeron përgjigje prej Shvejku[5].

Ka shumë Shqipëri në roman, ndonëse si emër a mbiemër përmendet vetëm dy herë në libër (ndoshta qëllimisht shkarazi). Shqipëria duket sikur i qëndron larg romanit, pikërisht sepse është ambientuar në një hapësirë që nuk ekziston në Shqipërinë reale (kujtojmë se Shqipëria nuk ka metro), por kjo është thjesht një shashkë diversive, sepse vendi vërtet nuk përshkruhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, porse pasqyrohet në mekanizmat e tij më të thellë, e për këtë arsye më të padukshëm, të historisë së saj të hershme e të vonë. Por edhe në një të ardhme të mundshme[6].

Shqipërinë e djeshme mund ta gjesh tek vetë sistemi e pa dyshim në gjuhën e tij të drunjtë. Metroja na shfaqet si metaforë e totalitarizmit, si një zhvillim negativ i qytetit në drejtim të nëndheshëm, fizik e psikologjik njëkohësisht, atje ku ushtrohet “kontroll i rreptë hyrje/daljeve” e ku veprojnë Direktoratet me emra të çuditshëm, familjare për romanet distopikë. Zëri me timbër ushtarak që buçet përmes altoparlantëve, urdhrat për vigjilencë të llojit “kontrolloni me sy njerëzit afër jush”, por edhe eliminimi i dritareve, simboli i lirisë, si zgjidhje kinse e natyrshme brenda në metro, na çon në një të kaluar jo shumë të largët.

Për të mos folur për gjuhën totalitare me të cilën flet sistemi, një përzierje perverse e autoritarizmit, paternalizmit, burokratizmit, konformizmit, standardizimit, që e konsideron njeriun si një hiç, një qenie inferiore, ose si një send, praktikisht një kontejner për t’u mbushur me urdhëresa e propagandë. E pikërisht për këtë arsye, udhëzimet pedante në metro ose lajmërimet e ndryshme me “Vini re”, tingëllojnë sot sa absurde aq edhe qesharake. Nëse udhëzimet për vonesën të ngrenë nervat, ato për veprimtaritë e ndaluara në metro, me hollësi maniakale, luajnë me ironinë tallëse ndaj konceptit juridik, por shndërrohen në komike kur përmenden, ta zëmë, kafshët e palejuara në metro, si p.sh. bletët punëtore. E ç’të thuash për fjalitë elementare, të huazuara nga shqipja totalitare, por të përditësuara në realitetin e sotëm, të llojit “Pse është e rrezikshme të rrëzohesh në binarët”?

Kalimin nga evokimi i Shqipërisë së djeshme tek ajo e sotmja e realizon forma tipike burokratike “dhe/ose”, që dikur nuk ekzistonte, por që gëlon aktualisht në zhargonin juridik të shoqërive perëndimore, ku gjuha drunjëzohet nëpërmjet standardizimit masiv dhe drejtësisë preventive. Por edhe këto pjesëza të pafajshme (“dhe/ose”) shndërrohen në mjete prej klouni për t’i shkëputur lexuesit një buzëqeshje, të këndshme për zbavitjen e imagjinatës, të hidhur për ngjashmërinë me realitetin, se metronë e kemi edhe mbi dhé.

Por Shqipërinë e sotme mund ta gjesh gjithashtu në ankthet që romani përcjell në mënyrë të vetëdijshme e të pavetëdijshme. Në qoftë se një tiranas është mësuar që në vegjëli t’i ketë pikat gjeografike të referimit, siç mund të jetë Mali i Dajtit, ose vetë Kulla e Sahatit, romani “Bolero” e vërvit në një hapësirë çorientuese, “sepse mungojnë pikat e orientimit për subjektin lëvizës”. Në këtë pikëpamje, metroja na duket si shoqëria e sotme shqiptare, të cilës i janë zhdukur pikat e referimit, por edhe busulla për t’u orientuar, që mund të përkthehen me fjalë të tjera si vlera sociale.

Shqipëria e nesërme mund të profilizohet vetëm në ankthet e njeriut postmodern, sepse në premtimet e herëpashershme për kryeqytetin flitet edhe për ndërtimin e një metroje, çka mund të merret edhe si metaforë e shoqërisë së nesërme. E pra është shoqëria e nesërme shqiptare, me rrënjët e ngulitura thellë në të kaluarën e në të tashmen, që ngec (sikurse edhe narrativa e personazhet) në një loop, lak kohor, ku mbizotëron “zëri i zvargur i altoparlantëve”, e ku njeriu ndjen shenjat e para të asfiksisë: “Ajri mpikset ngadalë rreth meje, duke më kapur peng në të tashmen, duke m’i bllokuar daljet, duke m’i vënë në pikëpyetje të drejtat e mia themelore, si qytetar e si qenie njerëzore”. E tepërt të shtojmë se janë të njëjtat dilema që mundojnë njeriun postmodern, ose konkretisht Homo manhattanis, aventurat e të cilit janë edhe tonat[7].

Edhe pse të deklaruara më shumë seç duhet – autori mund t’i kishte fshehur edhe më shumë artificin[8] –, “Prolegomena për një sociologji të metrosë së New York-ut”, nuk janë gjë tjetër veçse një lloj harte për të interpretuar hapësirën e romanit, por edhe mënyra për t’i parë ngjarjet në mënyrë sistemike[9]. Kështu, teoritë e mediave të kumtit masiv, ndërveprimi në komunikim, parimi i autoritetit në mesazhet e metrosë, mënyra e shprehjes së autoritetit në gjuhë, krijimi i turmave, riprodhimi i hierarkive sociale postmoderne, dinamikat midis sistemit qe klientët (udhëtarët), përputhen edhe me ankthet e njeriut të nesërm, që mbetet klient e nuk arrin të shndërrohet në qytetar.

Mënyra se si ndërtohet qyteti i nëndheshëm, sepse për qytet bëhet fjalë e jo vetëm për një metro, nga një anë kujton vagëllimthi Matrix-in e vëllezërve Wachowski[10], falë edhe superkompjuterit Cosima, program i inteligjencës artificiale për të simuluar imagjinatën njerëzore. Ky ka nevojë për databazë leksiko-semantike e si i tillë i ngjason arkitektit të tekstit, pra një autori të mundshëm. Gjithashtu, përsiatjet e personazheve për randomizimin dhe implikimet e Cosima-s me zgjedhjen e lirë të individit (libero arbitrio) na sugjerojnë referime të tjera ndërtekstuale, pa harruar raportet e njeriut me inteligjencën artificiale. Nga ana tjetër, dyzimi i qytetit, një sipër e një poshtë, na shpie direkt në konceptin e “Qyteteve të padukshme” të Calvino-s, të paktën nga pikëpamja e narrativës, ku lineariteti bie pre e karakterit poliedrik të strukturës e të fabulës. Por është sakrificë e pranueshme për një roman që nuk rrëfen, por rrëfehet. Edhe atje qytetet ishin shprehje ëndrrash, që fshihnin dëshirë e frikë njëkohësisht, gjithsesi produkt i imagjinatës.

Pra, ka shumë qytet në “Bolero”. Por si edhe fusha magnetike, jo gjithnjë dinamikat e qytetit janë të dukshme. Pastaj ato mund të jepen edhe nëpërmjet hartave të përmbysura siç është metroja. Sepse metroja është mënyra më e shpejtë për ta kuptuar e kapur qytetin, thelbin e tij. Sepse metroja është Qyteti. Në roman vihet re edhe në dikotominë e vështrimeve të turistit e rezidentit, vështrime të ndryshme mbi të njëjtin objekt. Jetë të ndryshme mbi të njëjtën tokë. “Ne mund të jetojmë vërtet në të njëjtin planet, por në New York u përkasim rrafsheve të ndryshme të ekzistencës; sepse ju jeni turisti, vizitori, prani e përkohshme e pa peshë; hije që kërkon dëfrim, fërkim dhe konfirmim njohurish parafabrikate, ndërsa unë jetoj këtu, edhe se ju ndoshta e keni të vështirë ta kapni kuptimin e fjalës “këtu”, në zhargonin tim”. Turistët në sipërfaqe, rezidentët nën dhé. Për ata që kanë jetuar totalitarizmin shqiptar përshoqërimi me turistët e huaj është i detyrueshëm. Jetë paralele, në përmasa paralele, pa asnjë mundësi takimi real. Por edhe sot nuk jemi shumë larg. Vetëm që në epokën e globalizmit e të migracioneve masive çdo gjë bëhet edhe më e ndërlikuar.

Metroja është njëherësh kontekst, subjekt e objekt. Metroja shfaqet në roman si labirint, si jo-vend, si qytet, por edhe si qenie e gjallë. “Metroja është sahati e unë jam koha”. Metroja është edhe si një vend, në tranzicion ose jo, ku rregullat i vendos më i forti: “Metroja i ngjante një xhungle: liri, liri, por me kosto të lartë”. Aty qarkullojnë edhe legjenda urbane, sipas të cilave mund të jetohet e të përdoret si platformë e paqes. Por flitet se ka edhe metro private si blloku i dikurshëm në Shqipëri. E nuk mund të mungonte përmasa e panjohur e saj: Hic sunt leones, një lloj Es-i frojdian ku instinktet primordiale jetojnë si monstra për t’u shfaqur herë pas here si fantazma në platformat e mbipopulluara. Është e tepërt të thuash se romani “Bolero” ka shumë metro në faqet e veta, sepse çdo gjë zhvillohet brenda metrosë, në realitet e në imagjinatë. Si rrjedhim, fabula i qëndron metrosë sikundër peshku ujit. Në këtë kuptim metroja mund të shihet si hapësirë-kohë ku lëviz e merr jetë aventura e narrativës.

Personazhi me gazetë në dorë shikohet nga të gjitha anët në metro, madje edhe nga treni përballë. A mund të konceptohet një metropolitanë pa trena? Do të ishte e zymtë e brengosëse. Pa kuptim. Është treni që i jep kuptim metrosë. Edhe njerëzit. Treni është shpëtim e arkivol, koracë e kafaz, arratisje drejt lirisë e deportim drejt kampit të përqendrimit. Nuk është rastësi që personi në platformë pret një tren në drejtimin uptown e nuk është rastësi që fjala uptown është më e përsëritura në roman, pothuajse në çdo kapitull, si për të treguar dëshirën obsesive të njeriut për t’u kthyer në shtëpi, në sipërfaqe, në liri.

Mirëpo, të gjitha ngjarjet, konteksti, personazhet, nuk do të kishin kuptim pa konceptin e pritjes, rreth të cilit vërtitet i tërë romani[11]. Njeriu pret një tren që nuk vjen. Pritja është thelbi i COSIMA-s, por edhe i njeriut në platformën e metrosë. Megjithatë është e vështirë t’i vësh etiketë pritjes në “Bolero”. Sepse nuk është pritja e rrezikut imagjinar, siç bën oficeri Xhovani Drogo në romanin “Shkretëtira e tartarëve” të Dino Buxatit, por as pritja pasive tek “Duke pritur Godonë” të Samuel Beckett-it. Pritja e tipit me gazetë është diçka tjetër, një “përpjekje e dëshpëruar për moskuptimin e rrjedhës së kohës”, madje diçka më shumë: është gjendje e njeriut. A nuk është njeriu gjithnjë në pritje? A nuk është pritja normaliteti i njeriut?

Të presësh do të thotë shumë gjëra (autobusin, të dashurin, verën, Shpëtimtarin…), po këtu nuk kemi të bëjmë as me pritje pasive, as me humbje kohe. E në qoftë se pritjen e konceptojmë të shoqëruar me staticitetin, atëherë le ta themi se pritja në “Bolero” është mëse e lëvizshme. Njeriu në stacion vërtet pret, por narrativa është gjithnjë në lëvizje, edhe pse në mënyrë ciklike. Vetë mendimi i personazheve prek kufij të paeksploruar. Në qoftë se shqipja nuk e ka dallimin midis pritjes aktive e asaj pasive (aspettare, por edhe attendere në italisht), është ritmi i shkrimit dhe lëvizja e fabulës që i jep pritjes tensionin e duhur.

Pritja e personit me gazetë në dorë, që rrëfehet me pamje, emra e gjini të ndryshme, nuk është pa shpresë, sepse pritja pa shpresë nuk është pritje, është vdekje e parakohshme. Sipas telekamerave personi pret trenin, që simbolikisht mund të jetë edhe shpëtimi drejt lirisë, por vetë pritja mund të jetë preteksti për t’u arratisur nëpërmjet imagjinatës. Në këtë kuptim vetë pritja është ikje nga realiteti. Mirëpo ekziston edhe pritja përballë televizorit, e të gjithë atyre që shikojnë ekranet si tek emisioni Big Brother, format tashmë ndërplanetar e ndërkohor, që i ngjason mumifikimit, sepse edhe vetë fabula duket sikur atrofizohet[12].

Por pritja më e vështirë është ajo e kuptimit të jetës, të shenjës, të tekstit. Sepse ajo kërkon energji, lodhje, përpjekje, durim, njohje, vetëmohim. Në një farë mënyre edhe teksti i romanit është në pritje të “trenit” të tij, pra për t’u interpretuar nga lexuesi. Sepse ekziston, në roman, edhe pritja si e drejtë, sikurse nuk mund të mos ekzistonte arti i të priturit.

Romani “Bolero” i Ardian Vehbiut ka shumë kinema brenda, në formën e telekamerave, të regjizurës, të stilit. Kështu, krejt natyrshëm shkrihen në disolvencë referimet e filmave cult, nga fillesat bardhezi me Koracata Potemkin, tek klasiku i fantashkencës me Star Trek, për të përfunduar me parodizimin e filmave policorë, falë disa skenave të posaçme me action. Përmendet diku edhe një film hipotetik shqiptar 10 minutësh, si metaforë për të kuptuar strukturën e romanit. Platforma e trenave, e ndihmuar nga rrëfimi, ngjarjet e fragmentuara, telekamerat lëvizëse, duket sikur shndërrohet në set kinematografik, me konotacione onirike, sepse vetë narrativa i ngjason herë ëndrrës në “Inception“, herë projektimit të ëndrrave në “Solaris“. Përmasa onirike amplifikohet nga kërkimi me ngulm i pikturës Time Transfixed (La Durée poignardée), të René Magritte, ku koha përshkruhet e përshkohet me elemente familjare e misterioze, si pasqyra, ora, oxhaku, por edhe lokomotiva me avull, të cilat bashkohen në mënyrë absurde pikërisht nga tymi.

Teksti përbën edhe mjetin me të cilin lexuesi udhëton nëpër arkipelagun e shenjave, ku flora e fauna ekstratekstuale, ndërtekstuale dhe intratekstuale, me ngjyra ekscentrike, ia përpin vëmendjen duke e shndërruar udhëtimin në objektivin e vetvetes. Në “Bolero” loja me narrativën është rregulli, jo përjashtimi. Personazhe që lëvizin nga narrativë në tjetrën, figurantë që gjenden aty vetëm për të përmbushur një funksion të caktuar, parodi romanesh policorë, refleksione romanesh psikologjikë. Aty gjenden edhe parodi stilesh pa ushtrime manieriste. Tek e fundit Exercices de style, të francezit Raymond Queneau, përbën vetëm një pararendës të nderuar, jo shembullin për t’u ndjekur.

Këtu nuk kemi një fabul të rrëfyer me variante stilistikore, këtu kemi narrativën që ndërmerr provën e vështirë të përshkrimit të botëve të ndryshme, nga pikëpamje të ndryshme. Vetë personazhi kryesor rrëfehet pothuajse nga të gjithë e çdo kapitull fillon si narrativë e re, mbetur në tentativë, me një ftesë implicite për ta vazhduar, sipas gjasës nga fantazia e lexuesit. “Jo një libër diskursesh të mundshme, pra; por një libër botësh të mundshme”[13]. E gjuha e pasur që përdoret në roman i jep vlerën e shtuar. Stili sikur kërkon t’i disiplinojë ngjarjet. Lunaparku i shenjave ka efektet e veta psikedelike, ndonjëherë eksperimentale me multimedia moderne, siç janë përshoqërimet me videolojërat strategjike (SimCity, Emperor, etj.) që jo gjithnjë kërkojnë “kuptim”, kur kuptimin e përmban vetë ritmi narrativ gjithnjë në crescendo.

Ka pak femra në romanin “Bolero”, por nën pardesynë e famshme mund të jetë, përse jo, një grua. Megjithatë, prania e femrës duket sikur është diku andej nga liria, në uptown, si forcë magnetike konstante. Ndërsa prania e pakët e seksit në roman mund të shpjegohet me ndërtimin e universit të ankthit, me të cilin aktiviteti seksual nuk pajtohet lehtë, përveçse në trajta perverse nëpërmjet voyeurizmit të telekamerave. Totalitarizmi i njoftimeve publike dallohet edhe nga invadenca dhe seksofobia e regjimit metropolitan, krejt i qartë në njoftimin për ngucjen seksuale dhe ndëshkimin e saj, ndërkohë që frika e njëmendtë e sistemit vjen nga mundësia e kontaktit njerëzor dhe komunikimi i vërtetë. Nga ana tjetër, narrativa prek shpeshherë ritmin e orgjisë shenjore, por pa rënë në banalitet, duke dëshmuar se ajo i shpëton ndonjëherë kontrollit të rreptë totalitar.

Nuk mund të mohohet se ka shumë komunikim në “Bolero”. Njeriu me gazetë është lexues por edhe produkt i sistemit mediatik, ankthi i ri modern i shoqërisë aktuale. Telekamera, ekrane, shenja, lajmërime, udhëzime, altoparlantë, “paralajmërime formulaike”, formula paralajmërimesh, televizione, pllakate reklamash, zhurma, kompjuterë, internet, etiketa, kanale komunikimi, gazeta që lexohen, gazeta që flasin… E në një botë si metroja – kuti e nëndheshme rezonance –, efektet e tyre janë gjithnjë të amplifikuara. Prandaj edhe romani u kthehet dhe u rikthehet temave të mediave dhe pushtetit. Nga vëzhgimi se “një njeri me gazetë në dorë duket më pak i dyshimtë se një njeri pa gazetë”, tek ideja e pushtetit të katërt: “Ja ku ishte, kioska në cep të rrugës, dhe menjëherë përbri saj hyrja e metrosë”. Por nuk mungojnë as refleksione për turmën, individin, shoqërinë, ankthin e komploteve, brishtësinë e sistemit. “Bolero” duket si një hartë moderne e pajisur me street view nëpër rrugët e pafund të ekzistencës njerëzore.

E si mund të dilet nga ky labirint pasqyrash ku identiteti riprodhohet, copëzohet, shtrembërohet e përvidhet si në ëndërr? Si mund të dilet nga platforma e metrosë së njeriut? Se kjo mund të shfaqet e dyzuar si platformë ankthi, por edhe si oazë meditative rreth esencës sonë pritëse. Ndërsa shenjat nuk janë tjetër veçse barna kundër ankthit që shkakton kaosi, ose pamundësia për t’i kontrolluar gjërat që nuk varen prej nesh. Njeriu në platformë, si projeksion i njeriut postmodern, e ka rrugëdaljen, por duhet ta kërkojë e ta gjejë mes shenjash të panumërta në universe paralele. “Por po mendoja… kjo platformë stacioni: kushedi diçka do të dalë prej saj… Ne të dy vallë?” Ja pra, dashuria, si shpëtim, si rrugëdalje, si çelës.

“Eja të dalim përjashta”, tha Aloe, “S’ka kuptim të presim këtu më gjatë”.

 

 


 

[1] Një version i këtij shkrimi (pa aparatin e shënimeve) është botuar në revistën “Saras” (gusht 2015).

[2] Romani e deklaron që në fillim ndërthurjen me muzikën, por edhe autori në një intervistë e pranon këtë gjë duke shpjeguar gjithashtu lidhjen me strukturën e tij: “Unë vij nga eseistika, ndërsa romanin e dëshiroja të ishte si vepër muzikore, që t’i fliste lexuesit me strukturën e vet” (Entela Resuli, Ardian Vehbiu: Për Savianon, letrat dhe mediat zombi, “Gazeta Dita”, 29 Maj 2015, http://www.gazetadita.al/ekskluzive-ardian-vehbiu-per-savianon-letrat-dhe-mediat-zombi/)

[3] Një shpjegim të gjatë, natyrisht nga pozitat e autorit, do ta gjeni në intervistën dhënë në “Zgjoje”: “Kur fillova të mendoj për këtë libër, kisha parasysh një formë muzikore standard të njohur si ‘temë dhe variacione’ – ku materiali muzikor rimerret nga një variacion në tjetrin, por gjithnjë i ndryshuar. Kisha parasysh, atëherë, Variacionet Goldberg, të Bach-ut, vepër e mirënjohur e muzikës baroke, e cila sipas rregullës fillon me një aria dhe pastaj vazhdon me tridhjetë variacione të arias, të ndërtuara ndonjëherë sipas një arkitekture gati algjebrike…”. “Zgjoje”, 2 maj 2015, (botuar fillimisht në “Peizazhe të Fjalës”) https://zgjoje.wordpress.com/2015/05/02/ta-kthesh-rutinen-ne-muzike/

[4] Në shkrimin Ardian Vehbiu: Ngjashmëritë e metrosë me kohët e zborit, ku jepen edhe deklarata të autorit, zbori përmendet vetëm në funksion të rregullave totalitare, çka nuk e përjashton aspak anën komike, e cila lidhet edhe me absurditetin e disa aspekteve në totalitarizëm. Fatmira Nikolli, Gazeta shqiptare, 08 Maj 2015, http://balkanweb.com/gazetashqiptare/ardian-vehbiu-ngjashmerite-e-metrose-me-kohet-e-zborit/.

[5] Duket sikur teksti ka disa efekte prej psikoterapie, kur evokon totalitarizmin dhe reagimin shpotitës ndaj tij. Shih për këtë temë Pishak Zhgaba, Libra në farmaci, “Peizazhe të fjalës”, 25 dhjetor 2013, https://peizazhe.com/2013/12/25/libra-ne-farmaci/.

[6] Ben Andoni e mendon disi ndryshe kur thotë: “Në një farë mënyre, ky është perceptimi i sotëm real në kohët tona moderne, por që si subjekt nëse do të vendosej në Shqipëri do t’i duheshin elementë të tjerë, sepse ky është një libër amerikan i shkruar shqip. Në një farë mënyrë, përmes shtjellës, ai ndalon në ato kanone që kanë të bëjnë me rregullin, pasigurinë, udhëtimin dhe një element që i ngjan vetë Godosë”. Ben Andoni, Vallë roman për paranojën e kohës!, “Java News”, 24 qershor 2015, http://www.javanews.al/valle-roman-per-paranojen-e-kohes/

Mendimi se romani Bolero nuk ka të bëjë me Shqipërinë ka gjarpëruar në disa lexues e komentues. Ja çfarë pyetjeje i bëri gjatë një interviste gazetarja autorit të librit: “Zoti Vehbiu, i prezantoni publikut një roman të titulluar “Bolero”. Përse duhet ta ketë një shqiptar në bibliotekën e tij?” (Entela Resuli, vep. cit.) çka nënkupton se libri perceptohet në një farë mënyre si jashtë realitetit shqiptar. Kurse gazetari Blendi Salaj i bëri Vehbiut këtë pyetje: “Është një libër amerikan, apo për lexuesin shqiptar?” (Emisioni televiziv 100 minuta, “Ora News”, 8 maj 2015).

[7] Referimin ndaj shoqërisë aktuale e pranon në mënyrë indirekte edhe Agim Baçi kur shprehet: “Një gazetë…, një kamera që na vëzhgon…, një tren për diku…, një rrugë pa dritë… Këto elemente mund të mos jenë gjithçka, por janë shumëçka për një grafikë sociologjike të njeriut të sotëm. Pjesë e këtij “trafiku” jemi thuajse të gjithë, me ose pa dashje. Ndoshta vetëm dëshira për të mbërritur diku mbetet ende individuale, ndërkohë që të gjitha rrugët janë thuajse publike ose të vrojtuara, duke kaluar thuajse çdo kufi të asaj që njeriu ndërtonte shumë kohë më parë me veten”. Agim Baçi, Njeriu i pambërritur i Vehbiut, “Mapo”, 30 Maj 2015, http://www.mapo.al/2015/05/njeriu-i-pamberritur-i-vehbiut

[8] Agim Baçi shkruan: “Vehbiu duhet përgëzuar për sigurinë e tij në të shkruar, me zotërimin mjeshtëror të gjuhës, që fatkeqësisht u mungon shumë prozave të botuara në letërsinë shqipe. Por as të thënët mirë nuk e plotësojnë hijeshinë e prozës që i vjen nga shkëputja prej vëzhgimit sociologjik e kalimit në botën që duhet të na sjellë rrëfimi apo personazhi”. Nuk jemi aspak dakord me pjesën e dytë të pohimit, sepse përveç artificit të mësipërm, funksional në vepër, që mund të ishte limuar pak më shumë e të ishte futur në dritëhije, duhet ta pranojmë se hijeshia e prozës mbetet, madje e pasuruar nga variacionet shumëngjyrëshe të tekstit. Agim Baçi, vep. cit.

[9] Në emisionin 100 minuta me drejtues Blendi Salaj ne televizionin Ora News, autori A. Vehbiu bën një krahasim midis metrosë dhe hartës së qytetit, sidomos të Nju Jorkut. Emisioni mund të shihet në këtë lidhje https://www.youtube.com/watch?v=WQdow0py8x8).

[10] Qasjen me filmin e famshëm Matrix e ka bërë edhe Enit Karafili Steiner, por nga një perpektivë krejt tjetër, të déjà vu-së, gjithsesi tejet interesante e intriguese: “Në mirazhet e kujtesës ose të pandehmës se diçka është parë apo dëgjuar më parë (déjà-vu/déjà entendu, ju përshendet The Matrix); në ëndrrat që rrëshqasin në lëkurën e realitetit dhe realiteti që hedh lëvozhgën poshtë e metamorfozohet në ëndërr; në artistët e magjepsur nga korrespondencat e pafundësisë mes dy pasqyrave që përfaqin njëra-tjetrën”. Enit Karafili Steiner, Mirazhet ciklike në “Bolero”, “Peizazhe të fjalës”, 29 maj 2015, https://peizazhe.com/2015/05/29/mirazhet-ciclike-ne-bolero.

[11] ““Bolero” është një roman i pritjes, shkruan Gilman Bakalli. […] Esenca konstitutive e botës është pritja. Gjithçka tjetër është manifestim i saj në forma të larmishme. Gjithë këtë manifestim marramendës, të gjitha ngjarjet e botës frenetike të nëndheshme, mendja letrare i ndal dhe i shtrydh në fjalinë e thatë: “një njeri pret…”. Pastaj pak më tutje shton: “Aq sa ç’është roman i pritjes, “Bolero” është në të njëjtën kohë edhe një roman i iluzionit të pritjes”, Gilman Bakalli, “Bolero”ose rrëfè për me jetue!, “Mapo”, 09 Maj 2015. Për t’u shënuar titulli sa origjinal (referimi ekstratekstual i një vepre tjetër), aq edhe kuptimplotë (referimi ndaj strukturës së romanit).

[12] Enit Karafili Steiner e shikon pritjen në roman si frikë: “Pritja duket frika më e madhe e Boleros, pritja “arti moral i nënvlerësuar” (141), momenti i së të vërtetës: a ka ekzistencë të vërtetë njeriu që pret? Në fakt çfarë i mbetet njeriut që s’vepron por pret, ose mendon se pret, sepse në fakt edhe mundësinë e pritjes ia jep thjesht gjuha, fjala pres?”, Enit Karafili Steiner, vep. cit.

[13] “E kështu, kapitull pas kapitulli, fabulës së një romani si “Bolero”, ku nuk ndodh asgjë, i ndodhin shumë gjëra”, thekson Gilman Bakalli. E më tej, e interpreton, jo pa të drejtë, aventurën narrative si ngushëllim ekzistencial të njeriut modern: “Vdekja në formën e një bote të nëndheshme, që shkon drejt entropisë së pashmangshme e ku nuk ndodh më asgjë tjetër, përveçse pritjes së një treni që mund të mos vijë kurrë për shkak të një aksidenti apo incidenti diku. E në këtë rast aventura narrative “Bolero” mund të lexohet edhe si ngushëllim, i cili na kujton se edhe në një botë të tillë pa ngjarje mund të mbijetojmë duke rrëfyer… edhe vetë rrëfimin!”. Gilman Bakalli, vep. cit.

Pa Komente

  1. Falemnderit për shkrimin Pishak! Libri nuk më ka ardhur akoma (e pres brënda javës tjetër) por ky shkrim, bashkë me disa postime të tjera në blog si dhe intervista të XhaXhait më kanë bërë të kem një pamje të qartë se çfarë të pres.

    Natyrisht çdonjeri ka leximin e vet të librit dhe interpretimin e vet në bazë të shkollimit, kulturës, eksperiencave, etj por (dhe ftoj dhe XhaXhain këtu të komentojë nëse mundet) më bëri përshtypje fraza “Ka shumë Shqipëri në roman” kur XhaXhai në një intervistë në Vizion Plus (Oktapod) është shprehur përkundrazi “Nuk ka Shqipëri në thelb (në roman)”.

    intervista e plotë këtu: https://www.youtube.com/watch?v=2_xmoi4ZaNg

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin