Botuesit në Shqipëri rregullisht ankohen se libri “literary fiction” sidomos nga autorë vendës, por edhe të huaj të letërsisë serioze, nuk u shitet.
Se çfarë kuptohet me këtë “nuk shihet”, kjo nuk është edhe shumë e qartë. Mund të kuptohet sikur një libër shet vetëm dhjetë kopje; mund të kuptohet sikur një libër nuk i shlyen dot shpenzimet që janë bërë për ta botuar; mund të kuptohet edhe sikur një libër nuk shitet aq sa ç’shpresonte botuesi që të shitej.
Sikurse mund të bëhen edhe spekulime të ndryshme nga këto.
Por cilat do të ishin shifra të pranueshme, që botimi i një libri të konsiderohej sukses? Sërish këtë nuk e thotë kush. Që një libër të ketë sukses, duhet edhe të reklamohet me forcë, në mediat tradicionale dhe në ato sociale – por reklama ka edhe ajo shpenzime.
Përgjigjja nuk është e lehtë. Botuesit vërtet do të donin që libri të shitej sa më shumë, përfshi edhe librin “fiction” origjinal shqip; por kjo nuk mund të ndodhë dhe as do të ndodhë, në qoftë se shkrimtaria nuk kultivohet në nivel publik.
Edhe pse askush nuk pretendon që një shkrimtar sot të jetojë me të ardhurat nga librat e veta, sikurse ndodhte dikur, në totalitarizëm, kur regjimi u paguante rroga të mira (për kohën) shkrimtarëve, që këta të ishin të lirë “të krijonin” – atë lloj letërsie që i shërbente regjimit, pa u shqetësuar se me çfarë do t’i rronin fëmija.
Sot ky model duket sikur është zëvendësuar nga një version brutal i ekonomisë së tregut (version i përshtatur për mendje me sensibilitet dhe dhëmbë prej kali), të cilin as edhe libertariani më i tërbuar nuk do të guxonte t’ia impononte logjikës së krijimtarisë – përveçse në një kulturë si e jona, që nuk e dëshiron të renë, madje që e refuzon me këmbëngulje të renë.
Gjithsesi, të kthehemi tek “industria” e librit letrar (“fiction” mirëfilli). Për Shqipërinë mund të mos dimë shumë përveç ankimeve standard të botuesve, por ka vende të tjera, ku i numërojnë gjërat më me kujdes.
Për shembull, për Britaninë e Madhe, faqja bookseller.com kish botuar disa të dhëna shumë kurioze, për librat e shitur mes 13 titujve që janë përfshirë në listën çmimit Man Booker Prize për këtë vit.
Të dhënat faqja në fjalë i ka marrë nga Nielsen BookScan TCM, e cila mbulon 90% të shitjes së librave me pakicë për atë vend.
Dhe, për çudi, te kjo sheh se ndonjë autor i listuar, si Marlon James (A Brief History of Seven Killings), ka shitur gjithsej 6700 kopje; Andrew O’Hagan ka shitur gjithsej 3,273 kopje; dhe autorë të tjerë vërtiten pak a shumë në këto nivele, në mos më pak; p.sh. Anuradha Roy, që nuk kish shitur asgjë para njoftimit të listës, tani ka kapur shifrën prej 604 kopjesh.
Sipas një shkrimi të botuar në NPR, edhe romani i Tom McCarthy-t, Satin Island, ka shitur gjithsej 3,600 kopje në ShBA (nga të cilat njërën e kam blerë unë); krahasuar me 1,511 që kish shitur në Britaninë e Madhe.
Për krahasim, libri im “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit” ka shitur rreth 450-500 kopje në dy botimet e veta, sipas disa hamendjeve të miat (K&B e pat nxjerrë librin, në botimin e parë, në 300 kopje, të cilat nuk i gjen më; nuk di në sa kopje e ka nxjerrë Dudaj botimin e dytë, sepse me këtë botuese kam nënshkruar një lloj tjetër kontrate.)
Po të krahasohen këto shifra me numrin përkatës të lexuesve, i bie që edhe një libër “fiction” shqip për të cilin nuk u reklamua kurrë asgjë dhe që nuk u shkrua asnjë rresht nga kritika, është shitur përpjesëtimisht shumë më mirë, se ç’është shitur Satin Island i McCarthy-t në Britaninë e Madhe dhe në SHBA (ku ka të paktën 50 herë më shumë lexues potencialë se në Shqipëri).
Shto këtu edhe që çmimi i librit tim është pak a shumë i njëjtë, në sens absolut, me atë të McCarthy’t (të dy botimet në paperback), edhe pse rroga mesatare në Shqipëri është disafish më e vogël se në Britaninë e Madhe dhe në ShBA. Kush blen MaGjen në Shqipëri shpenzon përpjesëtimisht shumë më tepër se ai që blen McCarthy-n këndejza.[1]
Botuesi mund të mos e shohë këtë çështje detyrimisht kështu: tek e fundit, sa më i vogël është numri i kopjeve që botuesi parashikon të shesë për një libër, aq më i parëndësishëm bëhet libri për financat e shtëpisë botuese; dhe aq më pak vëmendje do të marrë, në nivelin e marketing-ut. Edhe pse, në teori, marketing-u i mirë mund të kompensojë edhe për defekte të rënda të një vepre, sërish nuk e shoh këtë logjikë të zbatuar gjëkundi në tregun shqiptar të librit “fiction”; ku reklamohen zakonisht vepra të përkthyera që i drejtohen një publiku pa pretendime, ose që thjesht ndjek modën edhe në zgjedhjen e titujve për të lexuar; me një fjalë, ata tituj që botuesi i ka botuar në tirazh më të madh dhe shpreson të nxjerrë aq fitime sa, të paktën, të mbulojë shpenzimet e reklamës. Rreth vicioz, pra.
Gjithsesi, të dhënat më sipër i solla si shembuj; çdo autor dhe botues mund të shtojë të vetat, duke i krahasur me të dhënat e shkrimeve që kam cituar më lart. E vërteta është se, nga pikëpamja e lexuesit por jo vetëm, libri shqip “literary fiction”, nga autorë vendës në Shqipëri, ecën shumë më mirë se libri “literary fiction” nga autorë vendës në ShBA dhe në Britaninë e Madhe (këtu po e lëmë jashtë letërsinë e zhanrit); dhe pavarësisht faktit të mirënjohur që letërsia e huaj konsumohet në Shqipëri relativisht shumë më tepër se ç’konsumohet letërsia e huaj në vendet anglofone (çka ndikon jo vetëm në dinamikën e tregut të librit, por edhe në zgjedhjen e librave dhe organizimin e kohës së leximit nga ana e lexuesit).
Çfarë nuk e lë këtë që të kuptohet menjëherë, është faktori i shkallës; ose fakti që numri i blerësve të librit në vende të mëdha mundëson që një shtëpi botuese ose fundja edhe një autor të nxjerrin fitime edhe duke e mbajtur shumë të ulët marzhin; pa përmendur përkthimet, përshtatjet për skenë dhe ekran, etj.; dhe pa përmendur që një shtëpie botuese mesatare i mjafton të ketë një super-best seller për t’i mbuluar të gjitha vrimat e mundshme në buxhet.
Pa çka se edhe në Perëndim shtëpitë botuese nuk mund të pretendojnë të pasurohen, duke shitur vetëm Tom McCarthy-n ose Jonathan -in ose fundja edhe Anne Enright-in; prandaj duhet të kompensojnë duke investuar edhe në botime të letërsisë së zhanrit, ose në mënyra të tjera të tërthorta.
Dhe nëse kjo vlen për Perëndimin, aq më tepër vlen për një treg të vockël si Shqipëria; duke pasur këtu parasysh edhe faktin që faktori i shkallës vlen për botuesin dhe deri diku për autorin, por jo për lexuesin individ, që nuk do t’ia dijë shumë nëse librin e tij e kanë blerë edhe 1 milion lexues të tjerë, apo vetëm ai dhe e jëma e autorit.
Fituesi i çmimit Man Booker Prize do të marrë 50,000 lira sterlina. Gjasat janë që çmimi t’u japë një shtysë vendimtare shitjeve të librit fitues – ndryshe nga ç’ndodh në Shqipëri, ku fituesit e çmimeve kombëtare gati kanë turp që kanë fituar dhe akuzohen menjëherë, prej rivalëve, se nuk e kanë merituar fitoren ose e kanë manipuluar jurinë; dhe ku vetë botuesit e kanë të vështirë ta shfrytëzojnë çmimin për t’i dhënë librit më shumë ekspozim dhe më shumë lexues.
Këtu do të ishte edhe vendi të pyesnim se çfarë e bën sot një libër “fiction” të suksesshëm në Shqipëri: Kopjet e shitura? Reputacioni i autorit? Çmimet që ka fituar? Përkthimi në një gjuhë të madhe? Numri i artikujve kritikë që kanë dalë për të në shtyp (nëse kanë dalë)? Reputacioni i autoriteteve kulturore që e kanë lavdëruar librin? Sa herë është folur për të në televizion? Vdekja aksidentale ose e parakohshme e autorit?
E kështu me radhë, duke pasur parasysh se një sukses për autorin nuk është doemos sukses edhe për librin shqip si dukuri kulturore, sikurse nuk është doemos sukses as për botuesin; por edhe se fokusi i këtij shkrimi ishte tirazhi, absolut dhe relativ; dhe shitjet, sërish absolute dhe relative. Le t’i diskutojmë këto bashkë; unë e përjetoj dyfish, si lexues dhe si autor, ekonominë e librit; por ndoshta kaq nuk mjafton për një “lexim” shterues të tregut.
(c) Peizazhe të fjalës.
[1] Këtu duhet pasur parasysh se letërsia e zhanrit, p.sh. science-fiction, crime fiction, thrillers, mystery fiction, medical thrillers, techno-thrillers, fantasy fiction, horror fiction, romance fiction, etj.; dhe përgjithësisht pulp në Shqipëri pothuajse nuk ekziston. Vetëm fantashkenca, në botën anglo-saksone, ka një numër marramendës nën-zhanresh, si dystopian fiction, alternate history fiction, time travel, cyberpunk, steam punk, space operas, etj.
Xha Xha, in ordine sparso…
Kur shkruan: “Mund të kuptohet sikur një libër shet vetëm dhjetë kopje; mund të kuptohet sikur një libër nuk i shlyen dot shpenzimet që janë bërë për ta botuar; mund të kuptohet edhe sikur një libër nuk shitet aq sa ç’shpresonte botuesi që të shitej.”
Mendoj se e ke të qartë që interpretimi yt i parë, shitja e dhjetë (por edhe pesëdhjetë, njëqind apo dyqind) kopjeve mund të ishte një bashkësi që i përban dy interpretimet / hipotezat e tjera. Nëse një libër shet dhjetë kopje, natyrisht që nuk i shlyen shpenzimet e botimit të tij e me siguri nuk shet aq sa ç’shpreson botuesi. E kundërta nuk është e vërtetë, natyrisht. Nga eksperienca ime personale mund të them që zakonisht, në Shqipëri verifikohet hipoteza e parë e për pasojë edhe dy të tjerat.
Pyetjes tende: “Por cilat do të ishin shifra të pranueshme, që botimi i një libri të konsiderohej sukses?” çdo botues do t’i përgjigjej sipas kutit te vet. Në përgjithësi, do të thoja që minimalisht do të duhej që një libër të mbulonte shpenzimet e veta të botimit. Sikur të ndodhte kjo gjithmonë, edhe ngurimet e botimit të këtij apo atij autori, do të ishin shumë më të pakta pasi çdo botues do ta dinte se kush do të ishte skenari më i keq. Por kjo nuk ndodh dhe zakonisht rrezikohet humbja e lekëve të investuar dhe prandaj edhe ngurimi është i madh. Shifrat që do të të japin botuesit varen edhe nga shpenzimet që bëjnë ata, pra edhe nga puna që bëjnë me librin. Këto do të varionin nga 300/400 kopje në 600 / 700 kopje… Përsëri, kjo varet nga botuesi dhe nga lloji i punës që bëhet me librin.
Krahasimi që bën ti, midis librit tënd dhe atij Roy-t apo McCarthy-t nuk më duket i goditur. Në Shqipëri ti je më i njohur, relativisht se ç’janë këta autorë në atdheun e tyre. Kjo që po them është shumë e vështirë për t’u faktuar, prandaj nuk po insistoj. Kjo është përshtypja ime… nëse të tjerë kanë argumenta kundër apo pro, i mirëpres ato. Ajo që doja të shtoja këtu është se krahasimi do të ishte më i saktë po të merrnim këto emra dhe t’i krahasonim me një autor shqiptar të panjohur nga publiku i gjerë. Nuk do bëj emra specifikë se nuk dua ta personalizoj.
“… faktori i shkallës vlen për botuesin dhe deri diku për autorin, por jo për lexuesin individ, që nuk do t’ia dijë shumë nëse librin e tij e kanë blerë edhe 1 milion lexues të tjerë, apo vetëm ai dhe e jëma e autorit.” Mendoj se e ke gabim; edhe lexuesi, kur nuk është një mi bibloteke, do të ketë dikë me të cilin ta diskutojë librin, do të ndihet pjesë e jetës shoqërore, e modës së momentit. Lexuesve u intereson shumë të dijnë se sa veta e kanë lexuar këtë apo atë titull dhe çfarë mendojnë ata. Libri është kthyer në objekt mode, kulti, trendi etj etj… Libri si mjet kulture dhe vetëm aq tërheq gjithmonë e më pak. Megjithëse personalisht jam e bindur se kjo është vetëm një fazë, se jetojmë në cikle të caktuara, edhe kur flasim për librat. Tani jemi duke rënë jashtë dashurie me librat dhe në dashuri me “lidhjet” (interconnection, social network, social life…). Herët a vonë, do të lodhemi me këtë, do të kuptojmë se sa dëme ka shkaktuar dhe do të jetë rradha e diçkaje tjetër. Herët a vonë do t’i rikthehemi librave vetëm e vetëm për kënaqësinë tërësisht private të leximit, për atë raport intim e të mistershëm që mund të lindë vetëm midis një lexuesi dhe një libri (dhe jo midis turmave të lexuesve)… por tani për tani, jemi këtu ku jemi. Libri është një mall dhe si i tillë duhet t’u nënshtrohet ligjeve të ekonomisë së tregut.
Dhe së fundmi, siç e di ti mirë, business model-i i shtëpive botuese nëpër botë funksionon pak a shumë kështu: ata botojnë 100 tituj (sa për të thënë një shifër të madhe, por jo të saktë) në vit duke shpresuar se nga këta 100 do të kapin tre / katër “peshq” të cilët do të kthehen në bestsellera. 96 të tjerët vegjetojnë, midis jetës dhe vdekjes, pra janë në mos me humbje, me zero ose shumë pak fitim. Tani, kur thuhet që autorët shqiptarë shesin pak nënkuptohet edhe kjo: probabiliteti që të nxjerrësh një bestseller nga një autor shqiptar (ku me bestseller në Shqipëri nuk nënkuptojnë qindra mijëra kopje si nëpër botë, por disa mijëra kopje) është shumë shumë i vogël. Atëherë, natyrisht që biznesmeni botues do të priret drejt titujve që kanë më shumë shans, sipas eksperiencës së tij, të bëhen bestseller.
Pastaj, ka njerëz, botues ose jo, që mendojnë se një autor duhet botuar patjetër, shet apo s’shet… kjo është tjetër histori. Ka të bëjë me kënaqësinë personale të të lexuarit, me dëshirën për t’i dhënë një shans dikujt, me dëshirën për të bërë përpjekje deri në fund. Nuk ka të bëjë me biznesin e botimit dhe shitjeve të librave. Ky biznes, si të gjithë bizneset e tjera, do kosto sa më të ulta e të qarta e fitime sa më të mëdha e të sigurta. I them këto jo si akuza, po si fakte.
Ndoshta kjo eshte vertete, por kjo “njohje” eshte thike me dy presa: sidomos per nje autor si Vehbiu, i cili rregullisht i paraqitet publikut nepermjet sulmeve ad hominem. Pra, lexuesi i mundshem i Vehbiut e has ate nepermjet titujve bombastike si “Kardian” apo “kurbetciu i akcihaneve”. Lexuesi i ardhshem i Satin Island, te pakten ne Amerike, ku ai eshte edhe me i panjohur, ka patur si kontakt te pare recensa ne New York Times, LA Times, The Guardian, Washington Post, New Republic, Huffington Post- pa permermendur dhjetra revista e faqe letrare niche. Te gjitha keto para se libri te nominohej per Man Booker Prize. Vehbiun maksimumi do e blejne ato 200 veta qe e kane lexuar rregullisht. Tom McCarthyn e kane zbuluar mijera prej recensave me siper, ashtu sic edhe vazhdojne ta zbulojne.
Problemi pra nuk eshte sa njihet nje autor -qellon qe te njihet per keq – por si i behet i njohur nje autor lexuesit; sidomos ata te rinjt, ne nje kohe kur kritika letrare e dialogu mbi librin eshte pothuajse inekzistent.
Sa i përket botimit të librit si biznes, do të doja ta shtjelloj pak më tej.
Duke filluar nga ajo që unë po kufizohem me librin artistik (“literary fiction”), se përndryshe libër është edhe një manual për riparimin e frigoriferëve.
Dhe botimi i këtij lloj libri, për mendimin tim, e ka një aspekt biznesi, por nuk mund të jetë biznes. Ose mund të jetë po aq biznes sa edhe arsimi publik ose shëndetësia publike.
Në fakt, gjithçka i ka rrënjët te faktori i shkallës, ose fakti që publiku i librit shqip është vetvetiu i kufizuar në numër, çka do të thotë që një shkrimtar, në hapësirën shqiptare, vështirë se mund të jetojë me të ardhurat që nxjerr nga librat e vet.
Kaq mjafton për ta vënë në pikëpyetje modelin e biznesit; edhe pse unë kam dyshim që edhe një shtëpi botuese nuk qëndron dot mbi ujë, pa e hapur veprimtarinë e vet në fusha më të përfitueshme, si ajo e librit shkollor.
Një biznes që nuk përfton të ardhura për asnjërën palë, nuk është biznes por hobby. Një biznes ku njëra nga palët – autorët – dalin me humbje, ndërsa një palë tjetër – po spekuloj – me fitime, është i pandershëm (unfair).
Ideja ime është që libri “literary fiction” në Shqipëri ka po aq nevojë për mbështetje financiare sa edhe teatri, opera dhe baleti; filmi dhe artet vizuale.
Prandaj letërsia nuk mund të jetë biznes, por e shumta një gjë non-profit; që mbahet në këmbë me subvencione publike dhe private. Modeli i biznesit në këtë fushë specifike funksionon mbase në fazën e shtypshkronjës.
Xha Xha, do të thuash që po ta kishe ti në dorë, do të bëje një ligj që botuesit e “literary fiction” duhet të ishin organizata not-for-profit?
Do ta propozoja patjetër, por si pjesë të një pakete ligjore komplekse, që ta paraqiste letërsinë e shkruar shqip si të mirë publike (me një status të ngjashëm me arsimin dhe shëndetin). Kjo nuk do të përjashtonte ekzistencën e shtëpive botuese “for profit” (njëlloj sikurse ka shkolla dhe spitale private, krahas atyre publike). Arsyeja kryesore për këtë është se nuk ka aq lexues në Shqipëri, sa botimi i librit letrar të mbijetojë si biznes.
Më shkoi mendja edhe te një paradoks tjetër, në lidhje me argumentin që kishim: idealisht, botuesit e “literary fiction” ua shesin shërbimet e tyre edhe konsumatorit të librit (lexuesit) edhe autorëve (që do të ishin në këtë rast “suppliers”). Kjo ngaqë pagesa që u bëhet autorëve – në ato raste të rralla kur kjo ndodh – nuk ka fare lidhje me kohën që ata shpenzojnë për të shkruar librin.
Xha Xha, nder pyetjet qe me lindin duke lexuar rreth propozimit tend: Cili do te ishte kriteri i botimit te nje “literary fiction” prej shtepive botuese “non profit”? Si do te behej perzgjedhja e autoreve dhe “doreshkrimeve” qe do te botoheshin? Cili do te ishte autoriteti qe do te vendoste mbi vlefshmerine e botimit te “krijimeve artistike” ne zhanrin ne fjale? etj.
Nese me lejohet te pyes sa per te bere nje krahasim. Po libri Bolero i cili ishte i miremediatizuar sa kopje ka shitur?
Nuk e kam idenë. Kontrata ime e tanishme me Dudajn nuk parashikon dhënie informacioni për kopjet e shitura.