KUR E PYETËN SOKRATIN

Një pjesë e lexuesve të këtyre radhëve do ta kenë marrë vesh për sulmin ad hominem kundër meje, si autor, dhe blogut “Peizazhe të Fjalës”, nga faqet e një gazete të Tiranës, “Panorama.”

Ky sulm erdhi në përgjigje të një kritike që i pata bërë asaj gazete, ditë më parë, në lidhje me degradimin që po ia bënte informacionit në faqen e saj të parë; dhe një thirrjeje që u bëja disa miqve dhe kolegëve të mi, që shkruajnë dhe botojnë tek ajo gazetë, për të mbajtur qëndrim ndaj lapërdhive.

Mënyra si zgjodhi të më përgjigjet gazeta në fjalë konfirmon drejtësinë e kritikës sime.

Në lidhje me diatribën kundër meje, më duhet të them se, megjithëse aty unë përmendem me emër, nuk e pashë veten në dordolecin që kish sendërtuar autori; dhe ata që e njohin blogun “Peizazhe të Fjalës” dhe e ndjekin prej vitesh, e dinë se ky nuk është “makinë fekalesh”, por përkundrazi, një makinë që, thjesht me ekzistencën e vet të përditshme, kërkon mes të tjerash edhe që t’i vetëdijësojë fekalet gjithfarësh për statusin e tyre, prej fekalesh, në rendin e sendeve.

Dëshpërimi i këtij sulmi dhe mungesa e plotë e skrupujve tregojnë edhe se “Panorama”, së bashku me të tjera media në Tiranë, e kanë të qartë tashmë se modeli i tyre i të bërit gazetari ka dështuar, në vetvete dhe përballë modeleve alternative, si ato që mundëson Interneti.

Ka gazeta online, si Shqip, Shekulli, Gazeta shqiptare dhe Java, por me siguri edhe ndonjë tjetër që më ka shpëtuar, të cilat i kanë qëndruar rregullisht larg tabloidizimit dhe sulmeve ad hominem (kjo është thjesht përshtypja ime); dhe sidomos, ka media online, si Reporter.al, TeSheshi, Postbllok dhe tani së fundi edhe ResPublica (nga ato që lexoj unë), që tregojnë se është e mundur të ruhet relevanca e fjalës së shkruar dhe dinjiteti i të gjitha palëve, pa bërë kompromis me etikën dhe respektin për personin. Peizazhe të fjalës, edhe pse nuk është sajt informativ por më tepër ofron një tryezë debatesh, i përket kësaj kategorie të dytë dhe e ka ruajtur profilin që ka prej tetë e kusur vjetësh.

Blogu ynë, siç e tha edhe Pishaku në shkrimin e vet mbrëmë, synon t’i dalë zot fjalës dhe t’ia mirëmbajë forcën, në një mjedis si ai i komunikimit publik shqip, ku zhvlerësimi i fjalës mbetet synim politik afatgjatë i të gjithë atyre që identifikohen me rrenën dhe pozën dhe ulërimën e çjerrë të atij që shet mall kallp.

GjekmarkajSa për autorin e shkrimit te “Panorama” dhe obsesionin e tij për të shkruar serialisht kundër meje, më duhet të them se nuk e kuptoj se çfarë e motivon atë si njeri dhe grupin që ai haptazi pretendon të përfaqësojë. Dje disa miq e të njohur më shkruan, për të më këshilluar të mos i përgjigjem; dhe sidomos të mos përgjigjem ad hominem – këshillë me vend.

Mua më ishte kujtuar, ndërkohë, një pasazh nga Sokrati i Diogjen Laertit (Jetët e filozofëve të shquar), ku autori rrëfen se Sokratin shpesh, për shkak të zjarrit dhe pasionit me të cilin argumentonte, kundërshtarët e sulmonin fizikisht duke e goditur me grusht ose duke ia shkulur flokut; dhe se, pa çka se shpesh e përçmonin dhe qeshnin me të, ai – Sokrati – e duronte këtë abuzim me qetësi.

Dhe kaq kish bërë përshtypje kjo, sa kur një herë i patën gjuajtur me shkelm dhe dikush shprehu habinë që Sokrati po e merrte këtë me kaq “filozofi”, ky u përgjigj: “Po të më shkelmonte një gomar, mos vallë duhej ta çoja në gjyq?” (duke pasur parasysh gomarin kafshë barre, jo njeriun që e thërresim ndonjëherë kështu me përbuzje).

E kam ndeshur këtë batutë së pari te Schopenhauer-i (esetë), në një pasazh ku ai argumenton se kodi i nderit kalorësiak (kjo “fëmijë e krenarisë dhe e marrëzisë”, e quan ai) ishte krejt i panjohur në lashtësinë klasike dhe se e ka origjinën në etikën feudale; dhe pastaj vëren se nderi qytetar synon komunikimin paqësor dhe mbështetet në opinionin e të tjerëve se ne meritojmë besim të plotë, meqë tregojmë respekt të pakushtëzuar ndaj të drejtave të tyre; ndërsa nderi kalorësiak, nga ana e vet, na paraqet si njerëz për t’u pasur frikë, meqë synimi ynë nuk është të respektojmë nderin e të tjerëve, por të mbrojmë me çdo kusht tonin.

Për t’u kthyer në argumentin tonë: “Panorama”, duke ndërsyer dikë që të hedhë baltë ndaj meje dhe blogut, kërkon të përhapë një mesazh frike, jo aq drejt meje (ky kod komunikimi është i huaj për mua dhe ashtu do të mbetet), sa drejt së tjerëve që po e ndjekin këtë farsë nga salla, madje edhe atyre që mendojnë se kjo nuk u përket. Madje, vetë “Peizazhe të Fjalës,” që kur u krijua, kish për synim të kultivonte komunikimin qytetar, çka do të na ndihmonte të gjithëve për t’u konstituuar si subjekte të këtij komunikimi.

Që këtej, më lejoni vetëm të shtoj, me Sokratin, se gomari mund të godasë me thundër dhe të plagosë dhe të shkaktojë dhimbje; por nuk mund të ngjallë as mëri, as maraz, as mllef dhe aq më pak urrejtje; sepse kur godet me thundër, e shkreta shtazë vetëm sa riprodhon esencën e vet, ose rolin që i ka caktuar fati të luajë në botë. Preokupimi im tani është tjetër: se mos, me kohë, nis të mësohem me idenë se kundërshtarët dhe detraktorët e mi janë vërtet të këtij kalibri.

SHËNIM: Ky shkrim synon lexuesin e blogut, nuk ofrohet për përdorim të lirë nga mass mediat. Kushdo që ka interes të ndjekë temën më tej, është i/e lutur të lidhet me mua drejtpërdrejt.

Nuk ka komente

  1. Tamam qasja e duhur, xhaxhai. Ose, thënë me fjalët e George Bernard Shaw:

    “I learned long ago, never to wrestle with a pig. You get dirty, and besides, the pig likes it.”

  2. Xha xha bere mire qe informove ketu per nje shkrim tek Panorama qe villte vrrer kunder teje, ose me mire te them kunder kritikave te hapura qe ti ben per cdo gje qe te duket e padrejte. Them bere mire, sepse me thene te drejten nuk para i shfletoj gazetat e aq me teper Panoramen.
    Fillova ta lexoj bukuroshin, por sinqerisht nuk arrita ta perfundoj ne vrrerin e tij, sepse me te vertete nuk ja vlen. Ne fund te fundit ne kete bote ka vend per te gjithe.

  3. SËRISH SCHOPENHAUER-I

    “Nëse dikush ia di vërtet vlerat vetes, atëherë do të mbetet indiferent ndaj fyerjes; por edhe nëse nuk arrin dot ta shmangë lëndimin, pak zgjuarsi dhe kulturë do të mjaftonin për të ruajtur gjakftohtësinë dhe për ta shpërbërë zemërimin. Sikur vetëm të ishim në gjendje të hiqnim qafe këtë farë supersticioni të nderit – ose idenë se e humbasim nderin kur na fyejnë dhe se mund ta rifitojmë duke e kthyer fyerjen; sikur vetëm të mund t’i detyronim njerëzit të hiqnin dorë nga ideja se padrejtësitë, brutaliteti dhe paturpësia mund të vihen në vend duke shprehur gatishmëri për të marrë shpagë, d.m.th. për të luftuar në mbrojtje të nderit, atëherë shumë shpejt do të binim dakord se fyerja dhe përçmimi i ngjajnë një beteje ku humbësi fiton; dhe se, siç thotë Vincenzo Monti, abuzimi i ngjan një procesioni kishtar, meqë gjithnjë kthehet në pikën nga u nis. Sikur vetëm t’i bindnim njerëzit që ta shihnin fyerjen nga ky këndvështrim, atëherë nuk do të na duhej të thoshim ndonjë gjëkafshë të vrazhdë, për të provuar se jemi në të drejtë. Mirëpo, nga ana tjetër dhe për fat të keq, nëse duam ta konsiderojmë seriozisht një çështje, na duhet para së gjithash të gjykojmë nëse ashtu nuk do të fyejmë, me ndonjë mënyrë çfarëdo, budallanë, që në përgjithësi alarmohet dhe mbushet me mllef në shenjën më të vogël të mençurisë; dhe se mund të ndodhë lehtë që koka që strehon pikëpamjen e mençur të përplaset me kungullin e kretinit, që është krejt bosh, me përjashtim të mendjengushtësisë dhe budallallëkut. Ama nëse do të mund ta shmangnim këtë krejt, epërsia intelektuale do të mund të zinte kryet e vendit në shoqëri, sikurse i takon; një vend që sot e zënë, pa çka se njerëzve nuk u pëlqen ta pranojnë, nga pamja e hijshme fizike dhe gatishmëria për të luftuar, në fakt; dhe efekti i natyrshëm i një ndryshimi të tillë do të ishte se më të mirët prej nesh do të kishin një arsye më pak për t’u tërhequr nga jeta publike. Kjo do t’i hapte rrugë edhe kortezisë së mirëfilltë dhe manierave sociale të hijshme, të tilla si ato që ekzistonin pa dyshim në Athinë, Korinth dhe Romë. Nëse dikush kërkon një shembull të mirë të çfarë kam parasysh këtu, do t’i rekomandoja të lexonte Banketin e Ksenofonit.”

    [Nxjerrë nga http://www.egs.edu/library/arthur-schopenhauer/articles/the-essays-of-arthur-schopenhauer-the-wisdom-of-life/chapter-ivposition-or-a-mans-place-in-the-estimation-of-others/; përkthimi im nga anglishtja.]

  4. Ju admiroj per seriozitetin qe tregoni ne kete blog. Por ti pergjigjesh Panorames dhe Gjekmarkaj nuk eshte aq akt serioz. Te tille duhen injoruar komplet, se vec euforise qe shkaktojne nder turma nuk i ofrojne gje tjeter mendimit dhe ardhmerise shqiptare.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: