Këto ditë në Tiranë, përveç qendrës e disa vendeve vip-ash, ngado të shkosh, do të gjesh qenë. I ke nga të gjitha racat e nga të gjitha llojet.
Më të shumtët, ose më të dukshmit, janë qentë endacakë. Periferitë e kryeqytetit janë plot e për plot. I shikon në rrugë, duke u sorollatur sa andej këndej; i gjen në trotuare, të përgjumur nga vapa; i dallon afër dyqaneve të ndryshme në pritje të ndonjë kocke.
Janë kafshë të mjeruara e të braktisura. Nuk është e vështirë të dallosh se janë në vështirësi, ndoshta me sëmundje, por me siguri jo të ushqyer mirë. Vapa me siguri ua përkeqëson gjendjen. Duket që janë të palarë e të pakujdesur. Shikohet nga qimja e nga lëkura. Por edhe nga sytë e trishtuar.
Nuk janë të frikshëm tek i shikon me sy mbyllur buzë rrugës, aq të lodhur sa mezi i hapin qepallat për një vështrim indiferent. Ndonjëherë duket se më shumë kanë frikë ata se sa njerëzit. Megjithatë, bëhen të frikshëm kur i sheh në grupe, tek vrapojnë pa e ditur nga një cep i kryqëzimit tek tjetri. Ose kur i lehin njëri tjetrit për arsye njerëzisht misterioze. Ke frikë, sepse mund të bëhen të paparashikueshëm.
Ka plot qytetarë që ankohen për higjienën e këtyre kafshëve dhe për mungesën e vaksinimit të tyre. Nga ana tjetër, ka nga ata që thonë se gjatë vapës qentë bëhen të rrezikshëm, por kjo vlen edhe për të njeriun e stresuar, e siç dihet, Tirana zë një nga vendet e para për nga stresi. Megjithatë, çështja e sigurisë është parësore, si për qentë që enden rrugës, ashtu edhe për qytetarët. Nuk duhet të harrojmë trafikun e rënduar të Tiranës dhe rreziqet e tij.
Vite më parë, animalistët protestuan kundër vrasjes së qenve nëpër rrugët e Tiranës. Me të drejtë. Ajo masakër nuk ishte dinjitoze për qytetin e qytetarinë. Mirëpo, përgjigjja ndaj problemit nuk mund të jetë as ekstremi tjetër, ose indiferenca totale ndaj tyre.
Pak ditë më parë, administrata e re e kryeqytetit premtoi se qentë do të mblidheshin e do të vendoseshin në kapanone bosh, ku do të vaksinohen, do të sterilizohen e do të vihen në dispozicion të atyre që duan t’i adoptojnë. Zgjidhja duket e mirë, por kërkon një farë urgjence për sa kohë qentë përbëjnë rrezik edhe për fëmijët që ecin rrugës.
Por sot, vura re që qentë endacakë mund të shihen edhe në një plan tjetër. Në një lokal të qytetit, një vajzë pret porosinë me një qen të bardhë e leshator në dorë. E përkëdhel, e puth, e kruan, e ngacmon me dashuri. Ai duket që nuk jeton në gjendje të mirë, por më shumë: në luks. Qimja si ajo e qengjit, në kokë një fjongo e kuqe, litari i cilësisë së lartë. Emrin duhet ta kishte të bukur, ledhatar, por nuk ia dëgjoja dot kur e zonja ia pëshpëriste në vesh. As firmën e biskotave që i jepte herë pas here nuk ia mora vesh. Por me siguri ishin biskota importi.
Pak më tutje grupi i qenve garipa e gangsterë, që enden sa andej këndej për të vënë diçka në dhëmbë. Të uritur e të lodhur nga një ditë e gjatë vere. Të pistë, të hallakatur, lëkurën e qimen gjithë vraja, por pa qafore. Kamerieri i tremb dhe i largon. I hedhin një sy pa interes bardhoshes në krahët e bukuroshes dhe vijojnë diku me vrap të çrregullt.
Duket që edhe shtresa e mesme e qenve paska pësuar një shfarosje të përgjithshme. Ka vetëm polarizim: ose shumë të pasur, ose shumë të varfër. E shumë individualizëm e indiferencë mes tyre. Efektet e krizës, të rendit shoqëror, apo të pasqyrimit të njerëzve? Ndërkohë mediat njoftojnë për një debat të pakuptueshëm për taksat e qenve të luksit.