Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi / Udhëtime

DETAJET E TURIZMIT

 

E ardhmja e turizmit shqiptar nuk varet shumë nga strategjia e sektorit, sasia e investimeve, përqindja e taksave, numri i pushuesve, zhvillimi i infrastrukturës, e të tjera fjalë të mëdha, se sa nga vëmendja ndaj detajit.

E ardhmja e turizmit shqiptar luhet pikërisht aty: tek detaji. Në fakt, po të shikosh shqetësimet e “mëdha” që brengosin politikën shqiptare të dhjetëvjeçarëve të fundit, del se janë me vend, por jo parësore dhe jetike. Strategji për turizmin gjithnjë ka pasur, të paktën në letër e në programe politike; ligji për turizmin është përgatitur dhe herët a vonë do të miratohet përfundimisht; taksat kanë qenë të të gjitha llojeve: të sheshta, progresive, të papaguara, të vjedhura; numri i turistëve ka qenë në rritje, qoftë ai i të huajve qoftë ai kombëtarist; rrugët, mirë a keq, kanë shkuar deri në pikët më të largëta të turizmit malor.

Mirëpo vëmendja ndaj detajit është zhvilluar shumë pak, pothuajse aspak. Kështu, në një hotel çfarëdo të thonë se ka ujë 24h në ditë, por pastaj zbulon se uji është pusi dhe aspak i pijshëm. Mburren se ka drita gjithë kohës, por ato herë pas here ikin, zakonisht në çastin kur shënohet goli. Dhomat përshkruhen si të pajisura me televizor, kondicioner, frigorifer dhe banjë. Porse përshkrimet janë të përgjithshme, pa asnjë garanci reale.

Kështu, kur të marrësh çelësat e dhomës, qoftë hotel ose shtëpi, do të zbulosh fillimisht se çelësi nuk punon mirë. Mezi futet në bravë, me vështirësi hap derën, po me zor e mbyll. Televizorin nuk ke përse ta pretendosh me ekran Led, por të paktën të marrë dy-tre stacione: e megjithatë do t’i shikosh kanalet me miza, ose vetëm me zë. Për telekomandën ke dy lloj variantesh: mund ta kërkosh më kot dy orë ose mund ta provosh më kot dy orë.

Në rastin e parë nuk do ta gjesh e po t’ia kërkosh kamerierit ose pronarit rrezikon – siç më ndodhi mua – që të të tregojnë se nuk është ndonjë lodhje e madhe të çohesh nga krevati ose karrigia dhe t’ia ndryshosh stacionet me dorë. E drejtë, por nuk e kisha menduar. Midis të tjerash, do të humbësh disa kalori dhe do të të dalë malli i televizorit bardhezi Adriatik ose Iliria. Në rastin e dytë, do të lodhesh më kot duke shtypur të gjitha butonat e telekomandës, ose duke nxjerrë e futur disa herë bateritë e djersitura rrezikshëm. Pas disa kërkesash në katin e parë, do të vendosësh që t’ia blesh vetë bateritë, ose ta çosh tek ustai andej nga qendra.

Aventurën e detajit mund ta shikosh sidomos në banjë. Atje ia kupton rëndësinë dhe perspektivën në kuadrin e turizmit. Po të jesh me fat, rubineti i ujit të ngrohtë nxjerr ujë të ngrohtë dhe rubineti i ujit të ftohtë nxjerr ujë të ftohtë. Ose mishelatori i ujit sillet si në të gjithë botën. Po të jesh njeri normal, do të duhet një gjysmë ore që të rregullosh temperaturën e ujit, ose do të vendosësh ta bësh dushin me ujë të ftohtë.

Mirëpo, koka e dushit e hedh ujin ja majtas, ja djathtas. Nuk do të ishte problem sikur mbajtësja ku kapet dhe qëndron sipër të mos ishte thyer. Ajo dergjet e braktisur diku poshtë në lavaman, ose po të jesh përsëri me fat, gjendet tek mbajtësja e sapunit. Them me fat se mbajtësja e sapunit nuk gjendet kudo. I shkumuar siç je, mezi do të gjesh një vend ku ta lësh sapunin, ndoshta edhe në tokë, me frikën primordiale të ndonjë infeksioni të paparashikuar.

Duhet të parashikosh edhe problemin e peshqirit, i cili për fat të keq duhet varur dikur, sikurse të mbathurat e tua. E pra jo gjithnjë do të gjesh një grep, varëse, ose kunj çfarëdo. Këtu, mund të të ndihmojë rastësia, nëse ekziston, që ka të bëjë me fantazinë dhe iniciativën e pushuesit paraardhës, i cili ka vendosur dy gozhda prapa derës, duke e shëmtuar pak, por duke e shndërruar në funksionale. Një lloj personalizimi i hapësirës turistike.

Detaje të tjera nuk i kap dot syri i mashkullit. Janë punë femrash. P.sh. mungesën e fshesës ose të shkopit a leckës për të pastruar banjën; mungesën e detergjenteve për dezinfektimin dhe larjen e mjedisit; mungesa e varëseve në dollap; sirtarët që nuk hapen e nuk mbyllen; karriget fantazmë ose të paqëndrueshme. Janë hollësi të vogla, por edhe të mëdha njëkohësisht.

E kur ia qan hallin kamerierit, të shkel qyrin si bashkëfajtor dhe të pëshpërit: “Mos u mërzit. E rregullojmë këtë punë. Po ia marrim një dhome tjetër”. Çka mund të lexohet edhe kështu: “Unë po ia fus një tjetri, por ti duhet ta lyesh rrotën”. E të kujtohet detyrimisht zbori dhe ushtria, ku nuk kishte vjedhje, por vetëm zëvendësim. E po ta vësh veten në vend të pushuesit që do t’i marrin gjërat e ndjen veten më keq. Por nuk është nevoja: je ti ai pushues, se frigoriferin dhe telekomandën tënde funksionuese ta kanë marrë atë mëngjes, pesë minuta para se të mbërrije.

Zhvillimi i sektorit dhe i shërbimit në turizëm? Fillon tek detaji, ku bën pjesë edhe ti si turist.

Pa Komente

  1. Mungesen e ketyre “detajeve” e perjeton (nqs je i vemendshem sa duhet ate nate te vetme te qendrimit tranzit) edhe ne hotele/motele me 2 apo 3 yje te Janines, Parges, Athines, Bukureshtit apo Verones (per te sjelle shembuj reale nga eksperiencat personale), kur ke vendosur qe me fjetjen te mos shpenzosh me shume se 50 apo 60 euro/nata.
    Deri ketu, asgje e re nen kete diell.
    Detaji yne, ku edhe qendron diferenca, eshte tek fakti se Pishaku nuk i referohet ne kete shkrim nje hoteli ne te hyre te qytetit, prane te cilit gjendesh ndersa ka rene nata dhe te duhet te qendrosh (me pothuajse patjeter; je i lodhur nga udhetimi i gjate…), por hotelit kur do kalosh 10-15 ditet e pushimeve (te shumepritura) vjetore. Dhe ky eshte nje detaj aspak i neglizhueshem. Me potencial prishjen e pushime qe pa nisur fare.
    Si nje histori personale (e Pishakut apo kujtdo tjeter te njohuri a te panjohuri), e them se sinqeritet qe nuk do te me bente pershtypje kudhedi cfare. Shume e degjuar, prej vitesh. Por nga kendveshtrimi i strategjise, me sakte deshires se mire per nje turizem cilesor i cili te shnderrohet ne burim primar per permiresimin e ekonomise shqiptare po, ceshtja meriton te diskutohet. Dhe meqe Pishaku e solli ne blog, une them se mungesa e telekandes, ujit te ngrohte-te ftohte, frigoriferit qe punon, dhomes se paster e te sapolyer etj., etj., ne thelb mund te permblidhet thjesht me mungese kulture biznesi.

    1. Nuk është se kam pretendime të mëdha nga ky shkrim. E shkrova siç më erdhi. Këto ditë në Tiranë, pas dizaventurës sime të pushimeve verore dhe tregimeve (shfryrjeve) ndaj miqve e kushurinjve, pashë se nuk isha i vetmuar. Përkundrazi. P.sh. një i afëm i im, me banim në Shqipëri, kishte ndërruar fillimisht qytet bregdetar, pastaj brenda lokalitetit kishte ndërruar dy hotele. Arsyet? Si të miat, Të njëjtat aventura kam kaluar edhe vite më parë. Duket sikur gjërat nuk ecin me ritmin e duhur.
      Ndoshta duhet të kisha shtuar se e kisha fjalën për hotelet pranë detit, atje ku shkohet për një javë minimumi. Nuk e kam fjalën as për motelet (ku nuk ke kohë t’i shikosh mangësitë, se e ke mendjen gjetiu), as për hotelet e qendrës së kryeqytetit.
      Unë do ta përkufizoja si mungesë e kulturës së shërbimit turistik, sepse ajo e biznesit duket sikur i takon vetëm pronarit, ndërkohë që në hotel punojnë edhe punonjës të tjerë rrogëtarë, të cilët duhet të kenë të njëjtën vëmendje ndaj turistit.
      U bë kohë që bëhen studime e simpoziume, strategji e deklarata, e nuk dua të mohoj ecjen përpara, por shumë nga të njohurit e mi, për arsyet që thamë, preferojnë të shkojnë në Greqi, Turqi, Mal të zi, etj. Për mua, kjo mungesë, më duket luks për ekonominë e sotme shqiptare.

  2. Mënyra e funksionimit të turizmit në Shqipëri më kujton pak shërbimin e transportit urban ndërqytetës aty: i pa standartizuar, i rrëmujshëm, i copëtuar, ku çdo shofer niset e ndalet kur t’i teket e ku t’i teket, ku dy autobusa të njëjtë nuk i gjen dot.

    Turizmi në Shqipëri nuk ka për t’u bërë asnjëherë ai sektori strategjik i ekonomisë që duam, ai që sjellë turistë, valutë dhe mirëqënie të konsiderueshme në vend, pa një sistem rigoroz licensimi të hoteleve, me kritere të rrepta kategorizimi dhe, më kryesorja, nuk mund të bëhet pa kontrolle të detyrueshme dhe të vazhdueshme nga një instancë shtetërore të krijuar posaçërisht për këtë punë.

    “Çfarë vendi kemi, çfarë njerëzish jemi!”, ka qënë përshtypja ime e zakonshme nga pushimet në Shqipëri, shumë vite më parë. Natyra, plazhi, deti – mrekulli. Shërbimi dhe ambientet e brendshme – si mos më keq. Me ndonjë përjashtim, natyrisht.

    Problemet fillonin që me mirësjelljen e personelit, me gjëra të vogla (por të pritshme), si buzëqeshja e munguar te sporteli, te shërbimi i kamarjerëve të bezdisur në restorant, dhe deri te fodullëku i pronarit në lokal (he’s the boss!).

    Standarti i dhomave i ngjashëm me ato që përshkruan Pishaku më lart: përvec shtratit dhe ujit të ftohtë, gjërat e tjera ose konsideroheshin të tepërta dhe mungonin, ose ishin gjysmake dhe nuk funksiononin.

    Deri në momentin që vendosëm, që pushimet të mos i bëjmë më në Shqipëri.

  3. Nje propozim kam per nje “quick fix” te problemeve aspak te reja qe perballohen cdo vit me shqiptaret po ashtu perserites, si ne vuajtje edhe ne te ankuar.
    Zevendesojeni fjalen “turizem” me fjalen “pushime” me te gjithe derivativet perkates.
    Atehere do te shihni qe problemet qe has nje pushues nuk jane aq “stark” sa problemet qe do te haste nje turist.
    Kur te bien ne hise limona tha…

    1. Pashë deklaratën e porsabotuar të Berishës që hedh pak dritë në raportin midis fjalëve turizëm dhe pushime: Sezoni turistik pa drita, pa ujë. Rama ua nxiu pushimet turistëve.(Balkanweb)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin