Përkthimet e këqia në mediat shqip nuk përbëjnë lajm, dhe aq më pak mund të shërbejnë si model për amatorët e artit të vështirë të shqipërimit.
Më rrallë ndodh që të përkthehen keq, ose me këmbë, shkrime që kanë të bëjnë me përkthimin.
Ndodh kështu me një shkrim të gazetës MAPO, të marrë nga një blog i The Wall Street Journal (Speakeasy), ku përkthyesi David Bellos i përgjigjet një pyetësori të thjeshtë.
MAPO-ja, që e ka botuar këtë jewel pa ia përmendur emrin përkthyesit (si të ishte ky ndonjë i burgosur politik, shqipërues i veprave të Marksit dhe të Leninit qëmoti), duket se e ka zgjedhur jo sepse i kërcet shumë se ç’shkruan TWSJ në lëmin e kulturës së letrave, por sepse David Bellos përmend, ashtu shkarazi, një shkrimtar tonin që ai e ka përkthyer nga frëngjishtja: jo ndonjë gjë për t’u mburrur, dhe aq më pak për një profesionist të rrahur me vaj e me uthull, si Bellos-i.
Por nuk e kemi këtu fjalën.
Intervistën e Bellos-it e ka masakruar një dorë vrastare, siç do ta shohim nga shembujt më poshtë (i kam italicizuar disa fjalë, për t’ua lehtësuar humorin).
Atje ku origjinali thotë:
If there were to be a Cabinet-level position for translators, or maybe an ambassadorship, David Bellos would be a strong contender for the post.
Shqipërimi blegërin:
Nëqoftëse do të kishte një kabinet për profesionin e përkthyesve, ose një ambasador, David Bellos do të ishte një kandidat superior për postin.
Atje ku origjinali shpjegon:
He has translated more than 20 books and is director of a program at Princeton University that awards a certificate in translation.
Shqipërimi turfullon:
Ai ka përkthyer më shumë se 20 libra dhe është drejtor i një programi në Universitetin Princeton që jep certifikata dhe cmime për përkthimet.
Why is it so commonplace to belittle reading in translation and to criticize the quality of translations?
Shqipërimi belbëzon:
Pse është kaq e zakonshme që pakësohet niveli i leximit të përkthimeve dhe të kritikohet, thuajse gjithmonë, cilësia e tyre?
Atje ku origjinali shpjegon:
Jokes that turn on the sounds of words, on the grammar of the language or on spellings often can’t be translated like-for-like.
Shqipërimi shkrofëtin:
Shakave që t’ju japësh kuptimin e duhur, në gramatikën e gjuhës ose të shqiptuarit shpesh nuk mund t’i përkthesh fjalë për fjalë.
Atje ku origjinali ngazëllehet:
Translating jokes is tremendous fun!
Shqipërimi thyhet më dysh:
Të përkthesh shakatë është tmerrësisht e vecantë.
Atje ku origjinali rrëfehet:
I can pass for a Frenchman for up to an hour or so—until some mistake gives me away.
Shqipërimi dërdëllit:
Unë mund të bëhem francez për disa orë, deri sa disa gabime të më zbrapsin.
Atje ku origjinali shtjellon:
“Twilight of the Eastern God” is set in Moscow in the late 1950s. In it, Kadare refers to a mildly avant-garde and therefore politically scandalous hendecasyllabic couplet that had written in Albanian.
Shqipërimi katranos:
“Muzgu i perëndive të stepës” është i vendosur në Moskën e fundit të viteve 1950. Në të, Kadareja i referohet Gardës së butë dhe vargjet ishin politikisht skandaloze për kohën.
Vëreni se si një dyvargsh njëmbëdhjetërrokësh vjen dhe shndërrohet në një “gardë të butë”: cili poet surrealist nuk do ta kishte zili këtë gardë të butë?
[Vëreni edhe dinakërinë e shmangies së fjalëve të vështira: hendecasyllabic i ka ngecur virtuozit tonë anglofon në fyt, dhe pastaj mezi e ka pështyrë në shami.]
Atje ku origjinali parashtron:
the Russian translation of the couplet that Kadare gives in transliterated form in the French edition of the novel allowed me to invent two lines of English verse that are also hendecasyllabic!
Shqipërimi hingëllin:
përkthimi rus i vargjeve që Kadareja jep në versionin e romanit francez, më lejoi që të shpik dy linja të vargut në anglisht që janë marramendëse.
[fjala hendecasyllabic kthehet medet sërish, për ta torturuar tonin; edhe pse këtë herë ky vendos ta japë si “marramendëse” – pse jo, sa kohë që po na merret fryma të gjithëve nga entuziazmi?]
Atje ku origjinali pyet:
“Life A User’s Manual” is next up on my reading runway and I’m a little intimidated. Any guidance?
Shqipërimi me të drejtë thjeshton:
Ndonjë udhëzim?
Dhe kështu me radhë – nuk po ju torturoj më, por mazohistët mes jush janë të ftuar të kuturisen vetë në këtë kopsht këpurdhash psikadelike.
MAPO-ja është treguar veçanërisht krijuese në përkthimin e titujve të librave që përmend Bellos-i në intervistë.
Kështu, romanin e mirënjohur të George Perec-ut, La Vie mode d’emploi, të përkthyer në anglisht si Life a User’s Manual shqipëruesi anglofon i MAPO-s zgjedh ta titullojë kështu:
JETA E NJË PËRDORUESI MANUAL
Po, vërtet – lexoni o njerëz dhe mësoni, se jeta është e shkurtër: jeta e një përdoruesi manual (gjynah mos paça, mua ky titull më bëri të mendoj për masturbimin; por për këtë nuk e ka fajin përkthyesi, as Perec-u).
Gjithsesi, të paktën këtu shqipëruesi ynë ka guxuar; sepse pak më tutje, kur bie fjala për një roman tjetër të Perec-ut, La Disparition, yni e ka parë të arsyeshme t’ia lërë titullin në anglisht: A Void.
Një këshillë miqësore për MAPO-n: kërkoni ndonjë të burgosur, herën tjetër që t’ju duhen përkthime tekstesh nga gjuhë të rralla si anglishtja, ku flitet për atë. Edhe pse fatmirësisht të burgosur politikë në Vendin e Shqiponjave nuk ka më, jam i sigurt se, po të zgjidhni rastësishëm dhjetë vetë në një koloni penale çfarëdo, do të gjeni të paktën njërin syresh që ta ketë idenë se kuptimi i fjalëve të pakuptueshme, si hendecasyllabic, duhet kërkuar në fjalor.
Hendecasyllabic = marramendwse? lol
Ketu nuk behet fjale thjesht per moskorrektese perkthimi, por per gafe gjuhesore!
E njejta gazete/fondacion qe perfiton para publike per te ndertuar Klubin e Kritikes Shqip? E njejta gazete qe do te jape cmimin Kadare?E njejta gazete qe i ka kushtuar librit ne seksion me vete ne faqen e vete? Kjo gazete nxjerr kete pacavure dhe njekohesisht pretendon se eshte ne krye te letrave shqip?
Natyrshem me vjen te pyes perse perkthehet tani nje shkrim nga 2014? Po ato dite Kadare ishte ne vemendje te publikut permes nje “statusi” rreth fatit te gjuhes shqipe nen sundimin osman. Kadare: Sundimi osman s‘ka qenë i keq? Njëlloj si të thuash e mirë për Shqipërinë s’është Europa, por Azia! I njejti status paraqitet ne media si “Kadare sulmon “adhuruesit” e Turqisë së re” . Statusi ne fjale shkaktoi nje seri reagimesh te tipit “Kadare po sulmon formulën themeltare të kombit shqiptar”. I del ne “mbrojtje” Jakup Krasniqi se “Kadare s’pranoi të ishte lodër e klaneve politike”. Ne mes te gjithe kesaj zhurme guardianet e Kadarese tek MAPO perkthejne nje shkrim te vjeter per te rifokusuar vemendjen nga historia tek letersia dhe ne proces i nxjerrin syte Kadarese. Doni me per gazetarine tek ne? Ne ka nje gje qe me vjen vertet keq eshte realiteti i pamohueshem se keta jane pasardhesit e Kadarese…
E megjithate askush nuk e refuzon oferten e “Mapo” per te marre pjese ne juri, ne ceremoni, promovime etj.. Dhe nuk besoj se kjo e perkthimit eshte edhe aq “gazetari”. Eshte thjesht “a miracle of freedom”.
Dakord, nuk është gazetari – por është shembull i brutalitetit me të cilin një lloj gazetarie, që po fiton gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri, kërkon ta trajtojë lexuesin dhe, me kalimin e kohës, edhe ta formojë. Një lloj gazetarie që ka efekt shumimin e idiotëve dhe, herët a vonë, edhe përjetësimin e vetvetes.
Idiotet aty kane qene perhere, duke pritur*. Media i tubon. Imagjino sikur t’i ndersente!
Por jane ende shume te rralle njerezit qe “i lajne duart tre here ne dite”, ndaj edhe sic e tha ai prifti i qemotit: “Te budallallepsemi qe te fitojme”.
Olio con mare vajti kjo punë. Por siç tha edhe ai filozofi kinez, turbullo që të kthjellosh!
Ardian, perkthimi eshte vertete i keq dhe turp per ne! Me sakte per mua qe e kam lene te shpetoje, por njeriu ben edhe pushime. Por, kur ke ne redaksi studente qe bejne stazhin mbi perkthime duhet mbajtur hapur edhe syri i trete. Edhe kur e ke lene boten e trete per te pushuar ne nje vend te se dytes. Keto, ju dhe komentuesit tuaj, te psikedelikezuar deri diku nga gafa e Tjetrit, nuk keni si t’i dini e as ta vrisni mendjen per to. Jo se e perligjin gabimin e trashe. Sic nuk perligjin konspiracione me ‘parate publike’, ‘fondacioni’, ‘cmimi Kadare’, ‘gazeta ne krye te letrave shqipe’ te cilat jane te teperta, te pabazuara e mjerane. Gazeta Mapo, here mire e here keq, ben jeten e saj. Per ca te lavderueshme, per ca modeste, per ca, me sa duket, kerdine e zeze. Megjithate, gjithkush ka te drejte te ngulfatet si te doje ne shkulmin e marazit te vet apo social. Nese perkthimi bastard i Mapo-s krijon edhe me shume mendime bastarde, kete se ben Mapo-n vademekum te bastardesise. Me sa duket, edhe e qashtra non meainstream media, ka inglorious bastards e vet. Alfred Lela
I dashur Alfred, ai përkthim nuk është thjesht “i keq.” Po të ishte i keq, as do të kisha shkruar për të, sepse përkthime të këqia ndesh kudo, madje edhe të miat nuk vë dorën në zjarr që nuk janë. Ai përkthim ishte i tillë, që vë në pikëpyetje mënyrën si punohet në mediat shqip dhe si komunikohet me lexuesin. Tradhton një mungesë standardesh që nuk mund të jetë rastësi.
Sa për gazetën “MAPO”, unë nuk e shoh versionin e saj në print; dhe me parantezën se kam botuar edhe vetë atje, po shtoj se versioni i saj online po zhvendoset tashmë drejt pornografisë. Ja një shembull i freskët, i nxjerrë nga faqja hyrëse e edicionit të sotëm:
https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/08/mapo.jpg
Nuk e kuptoj si pranojnë bashkëpunëtorët tuaj të botojnë përbri një shkrimi që jep shpjegime për “lëngun që nxjerrin femrat.” Si ka mundësi që ju që punoni atje, njerëz që unë ju njoh dhe ju vlerësoj, ta ulni stekën kaq poshtë? Çfarë ka ndodhur me ju?
Do të më thuash ç’hyn pornografia këtu. Unë besoj se hyn që ç’ke me të. E njëjta media që e fillon faqen me vulgaritete të tilla, do të nxjerrë pastaj edhe “përkthime” si ai që më tërhoqi vëmendjen mua. Ka një emër për këtë lloj dukurie: TRASH. Në shqip i thonë PLEH. Refuzoj të besoj se MAPO-ja është kështu – ju i keni mundësitë për të dalë në ballë të gazetarisë shqip, sepse edhe nga ana financiare nuk jeni, supozoj, katandisur si ca faqe të tjera.
(Në faqen tuaj bëhen reklama të UETPRESS, UET/LANGUAGE CENTER, Fondacioni MAPO, MAPO Agency, MAPO Travel (sepse jeta është udhëtim!), UET Consulting, e kështu me radhë; çfarë më tregon se ju nuk keni nevojë për klike, sepse atje praktikisht paratë kalojnë nga njëri xhep i kuletës te tjetri dhe gazeta MAPO, sa u përket reklamave, është thjesht vitrinë e UET-it. Sikurse më tregon se nuk keni nevojë të vrisni mendjen si do t’ua paguani rrogat gazetarëve – por mos më lër të gaboj.)
Sa për komentet, unë nuk mund të verifikoj gjithçka që shkruhet aty. Kujdesi im kufizohet me ruajtjen e rregullave elementare të komunikimit publik, përfshi edhe pastrimin nga sulme ad hominem – çka që ju, si MAPO, me gjithë burimet njerëzore dhe financiare që keni, nuk arrini ta ndalni dot. Unë personalisht, në faqen tuaj dhe në gazetën tuaj, jam sharë në mënyrën më të ndyrë; dhe me siguri do të vazhdoj të shahem, po të botoj sërish. Jo se e bëni ju këtë – ju thjesht e mundësoni.
Ti, si Alfred, je në gjendje të iniciosh një lëvizje për t’ia ndërruar faqen shtypit shqip online dhe për ta nxjerrë nga PLEHU. Do t’i bëje një shërbim kulturës shqip dhe publikut. Unë i pari do të të mbështesja me bindje, sikurse besoj edhe shumë të tjerë. Ky shpresoj do të ishte edhe efekti më i mirë i shkrimeve kritike si ky imi dje.
Alfred,
Që ju i përgjigjeni kritikës këtu, veçse ju nderon.
Ndonëse nuk jam dakort me gjithçka thua apo si e thua, ke hapur gjithësesi një dritare sado të vogël për të parë mënyrën se si funksionojnë gjërat në Shqipëri.
Shpresoj e kupton që përsa i përket keqmenaxhimit kronik, që dikush shkon me pushime nuk është arsye për një biznes të mbyll qepenat, apo akoma më keq të abuzohet. Por edhe niveli i produktit arsimor është shqetësim. Përveç shkollës, stazhi duhet të jetë pjesë e trajnimit si një vazhdimësi e procesit arsimor, dhe jo abuzim për abuzim. Dhe që kjo marrdhënie të jetë e drejtë varet kryesisht nga punëdhënësi.
Shpresoj ta mirëkuptosh kritikën.
Zoti gazetar i Mapos, do duhej ta kishit lene kete nderhyrje vetem me fjaline e pare – pranimin e turpit. Cdo gje tjeter adds insult to injury por meqe e pate te udhes t’i ndani me ne po te pergjigjem.