NJË TEATËR PËR SHAHUN

Shahu hyn edhe ai në sportet për publikun – dhe jo vetëm në nivelet më të larta. Kur dy vetë ulen në një vend publik me tabelën midis, do të shfaqen edhe të tretë që të ndjekin lojën aty pranë: në parqe, në trotuare, në kafene.

E megjithatë, aq dallojnë spektatorët e shahut nga ata të futbollit, ose të themi të teatrit ose të koncertit, sa anglishtja amerikane përdor një fjalë të posaçme për ta: kibitzer, të cilën e ka marrë nga jidishtja e hebrenjve të Europës lindore.

Sepse kibitzer-i nuk mjaftohet shpesh të shohë lojën dhe të zbavitet; ai rreket edhe të marrë pjesë, me mënyrën e vet, duke u sugjeruar lëvizje lojtarëve, duke reaguar ndaj gabimeve ose, kushedi “gabimeve”; duke u skandalizuar me “svisto-t” (angl. blunder) dhe pastaj duke i debatuar të gjitha këto zellshëm me kibitzer-ët e tjerë.

Më ka qëlluar të shoh, deri edhe në lojëra mjeshtrash, kibitzer-ë që vazhdojnë punën e tyre pa iu dridhur qerpiku – duke i dhënë lexime të personalizuara pozicioneve në fushë, identifikuar dobësitë dhe kërcënimet, gjetur “lëvizjet e vetme.”

Në rrethana më formale, p.sh. gjatë një turneu lokal ku nuk lejohet t’u sugjerosh haptazi lëvizje ose ide lojtarëve, kibitzer-i shndërrohet në mjeshtër të pantomimës – duke rrëfyer me gjeste se çfarë duhet të lëvizet dhe si.

Ndryshe nga publiku tipik i një ndeshjeje futbolli, kibitzer-i nuk bën tifo për këtë apo atë lojtar: atij i intereson drejtpërdrejt loja, jo pala që luan. Nuk kërkon as pret e shpreson detyrimisht që njëra apo tjetra palë të fitojë, por vetëm që atij vetë t’i dalë fjala dhe sugjerimi.

Kibitzer-i, në thelb, luan për vete.

Një kibitzer i vetëm mund të mjaftohet me një tundje koke, një psherëtimë, një kontakt sysh për të përcjellë bashkëfajësi ose edhe thjesht mirëkuptim. Por shto edhe nja dy-tre të tjerë, që nuk ka as nevojë ta njohin njëri-tjetrin dhe ja ku sasia shndërrohet në cilësi – meqë grupi i soditësve merr forcë, për t’u kthyer në palë të lojës që po luhet. Si me magji, loja krijon një komunitet aktiv përreth.

Ky grup, ekip, a çetë e improvizuar kibitzer-ësh riprodhohet orë e çast, nëpërmjet debatit; më shpesh akoma, nëpërmjet refuzimit. Teksa lojtari që ka radhën për të luajtur mendohet për të zgjedhur lëvizjen e duhur, kibitzer-ët përfshihen në shkëmbime plot pasion, peshojnë opsionet dhe alternativat dhe jo rrallë bien dakord të gjithë, në mbyllje të një procesi që do t’ua kishin zili deri edhe në parlament.

Dhe, çuditërisht, ata kanë zakonisht të drejtë.

Manifestim i së mirënjohurës “urtësi të turmave”, për të cilën ka shkruar James Surowiecki? Ose i atij efekti kur një masë njerëzish që komunikojnë mes tyre ia dalin të funksionojnë si një makinë e vetme inteligjente, në kërkim të së vërtetës?

Në fakt, kibitzer-ëve mund t’u interesojë e vërteta shahistike, ose vazhdimi objektivisht më i mirë, në një situatë të caktuar; por atyre u intereson edhe më shumë drama: një sulm i dëshpëruar, një gambit, një sakrificë romantike, një kurth të cilin viktima ende nuk e ka parë, një përpjekje e dëshpëruar e lojtarit në disavantazh për ta shpëtuar lojën.

Kibitzer-ët duan spektakël; pa çka se, me sjelljen e tyre dhe vetë rolin e tyre, bëhen ata vetë pjesë e spektaklit. Bërtasin, hakërrohen, ngrenë vetullat, ngërdheshen, bëjnë shenja të ekzagjeruara me duar e me këmbë, imitojnë – sado ngathët – baletin delikat të gurëve në fushë.

Kam parë pastaj ndonjërin prej tyre, deri atëherë të zjarrtë në sugjerime dhe të rreptë në vlerësime, të ulet edhe ai për të provuar dorën, duke luajtur vetë, diku në periferi të ngjarjeve.

Dhe nuk ka pamje më të mjeruar: jaguari i djeshëm duket tani si ndonjë breshkë e squlltë, që rishtas e përkohësisht ka braktisur zhguallin. I drojtur, ngurrues, viktimë e dyshimeve të veta, i kapluar nga ankthi, i turpëruar nga kolegët e vet që i dihatin në zverk – kibitzer-i kuturiset në ndonjë hapje të vjetruar, eksperimenton me një ide të huazuar nga një lojë tjetër, i njom gurët e vet me djersën e ftohtë që ia mvesh gishtat, nuk arrin të diktojë deri edhe rrezikun më elementar: dhe zakonisht përfundon i kapur mat deri edhe para se loja e tij të ketë tërhequr vëmendjen e të gjithë atyre të tjerëve që ushqehen me kërma.

Kibitzer-i e ka zor të luajë vetë; meqë vokacioni i tij është shahu me proxy, ose i deleguar.

Nuk i pëlqen që t’i bëjë vetë lëvizjet – por kërkon, përnjëmend, ta bindë tjetrin që të luajë në emër të tij. Idealisht, kibitzer-i do t’ia sugjeronte lojtarit përkatës çdo lëvizje, duke e shndërruar në kukull, në buratino, në avatar.

Dhe kjo ndodh, më shpesh se ç’kujtohet, kur lojtari është fillestar, ose nuk e ka idenë se ç’të bëjë; dhe prandaj ia dorëzon kontrollin e lojës atij tjetrit, që di të luajë më mirë, deri në atë pikë sa i pari të katandiset thjesht në ekzekutor mekanik të “komandave” që i vijnë nga lart.

Më ka qëlluar, shumë kohë më parë, të gjendem në një situatë të tillë. Ende fëmijë, por i apasionuar pas shahut, më kishin përzgjedhur që të merrja pjesë në një simultane që kampioni kombëtar i atëhershëm, Vangjel Adhami, do të jepte një të diel në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, me 50-60 vetë, për nder të vizitës në Shqipëri të Presidentit të FIDE-s, ish kampionit të botës Max Euwe.

Nuk di pse më kishin zgjedhur: ngaqë isha fëmijë, ose ngaqë e kisha këmishën të hekurosur si për ditë feste. Shahu tërhiqte në atë kohë gjithfarë energumenësh; në një kohë që autoritetet shahistike të vendit kërkonin të bënin figurë të mirë me FIDE-n, edhe sa i përkiste statusit social të pjesëmarrësve.

Për ata që nuk e dinë, simultania luhet kur një shahist i mirë, zakonisht mjeshtër, mat spektakularisht forcat me një numër të madh kundërshtarësh gjithfarësh; të cilët ulen gjithsekush në fushën e vet, dhe presin që t’u kalojë mjeshtri përpara, për lëvizjen e radhës.

E mbaj mend që Adhami, flokëverdhë dhe imcak, e nisi aventurën me mua duke luajtur e2-e4, njëlloj si Ostap Bender-i te “Dymbëdhjetë karriget”; unë – kushedi pse – parapëlqeva të hyja në mbrojtjen franceze (e7-e6); pastaj Adhami, që me sa duket nuk ma kishte ngenë, kaloi në variantin e ndërrimit në d5 dhe dy-tre lëvizje më pas unë nuk po merrja më vesh se ç’bëhej.

Shkaku për këtë ishte i thjeshtë: kibitzer-ët. Pas meje ishin grumbulluar ca prej këtyre, që bënin zhurmë dhe më rekomandonin lloj-lloj lëvizjesh. Mes këtyre, ishte edhe I.K., shahist nga më të mirët në Tiranë. Vendosa të ndjek këshillat e tij verbërisht – dhe ashtu bëra, derisa situata në tabelë u ndërlikua pak, unë humba një ushtar, teksa I.K. humbi interesin dhe u zhvendos drejt një loje tjetër, duke më lënë mua në mëshirë të kampionit. Të paktën u dorëzova si burrat: duke shtrënguar duart me të!

Kibitzer-ët gjatë një loje midis Spaskit dhe Talit.

Kibitzer-ët gjatë një loje midis Spaskit dhe Talit.

Njëlloj si vartësit ndaj drogës, që kërkojnë doza më të larta për t’u ndier mirë, edhe kibitzer-i tërhiqet pas shahut romantik, pozicioneve të ndërlikuara në kufi të absurdes, kurtheve djallëzore prej të cilave mund të dilet me një lëvizje të vetme – të cilën kibitzer-i e di, por jo gjithnjë arrin t’ia komunikojë viktimës.

Kalin! Kalin! Jo atë more, kalin tjetër! Në f5! Jo në f5 po në f7! Bjeri me fil! Sugjerimet zukatin rreth fushës, si ndonjë luzmë bletësh. Kibitzer-i njëkohësisht dëshiron që loja t’i japë të drejtë me ecurinë e saj, dhe që loja t’i japë të drejtë ngaqë njëri prej lojtarëve nuk e bëri lëvizjen e sugjeruar prej tij.

Mos! Nuk e ka parë! Për çdo lojë që ka tërhequr publikun e vet, janë të paktën katër dramat që shtjellohen njëherësh: ajo objektive, në fushë; dy të tjerat, në mendjet e se cilit lojtar, doemos të ndryshme mes tyre; dhe drama e katërt, krejt surreale, në fantazinë kolektive të kibitzer-ëve.

Këta mund të kenë simpatitë e tyre për njërin lojtar ose për tjetrin; por askush nuk mund të quhet kibitzer mirëfilli, po nuk shprehu haptazi mosmiratimin e vet. Jo! Jo! Jo! Gjithsecili prej tyre “ka parë” diçka; në periferi të lojës shkëmbehen idetë, si valuta në një treg të improvizuar kambistësh; përtej rezultatit, çfarë ka rëndësi është të gjendet një konsensus, të arrihet një solidaritet, të sanksionohet një mirëkuptim.

Masa e kibitzer-ëve është politike në thelbin e vet.

Kakofoninë e sugjerimeve të tyre e krahasova më lart me një luzmë bletësh; por kur bëhet fjalë për lëvizje që nuk janë bërë ende, edhe pse mund të bëhen, krahasimi më i mirë do të ishte me renë probabilitare, si mbivendosje lojërash të mundshme.

Renë që pëson pastaj kolaps, në momentin që lojtari i radhës ekzekuton lëvizjen në fushë.

Mos! Jo! Gabim! Pse more? Si ka mundësi? Nuk ka mundësi! Po ky tjetri ç’pret? Nuk e ka parë? Mos më thuaj! Kalin! Kalin të them!

Prej kibitzer-ëve ndoshta fizikën kuantike nuk e mëson dot; por të paktën dramën e saj do të mund ta përjetosh.

Edhe pse nuk është thjesht çështje parashikimesh, anticipimesh dhe probabiliteti; dhe as e një gjakimi për të triumfuar me proxy: te kibitzer-ët që japin e marrin, mbi një lojë shahu kushedi jo dhe aq tërheqëse në vetvete, mund të gjesh – po të duash – thelbin e çka na bën njerëz: pjesëmarrjen nëpërmjet simpatisë.

Sepse kibitzer-i vërtet dëshiron që t’i dalë fjala; por kjo gjithnjë kur i vjen në ndihmë atij tjetrit, ose të paktën kur kujton a gënjen veten se po i vjen në ndihmë. Përmes këtij dyzimi të egoizmit në altruizëm dhe vice versa, shtjellohet edhe krejt ambiguiteti moral i kibitzer-it, i cili kujton se bën mirë edhe kur thjesht i shërben mitologjisë së vet egomaniakale; dhe kujton se po kultivon virtytet e veta shahistike, edhe pse në fakt motivohet nga dëshira për të ndihmuar.

Edhe në futboll qëllon ndonjëherë që publiku t’i thotë një lojtari, ose edhe trajnerit dhe më shpesh akoma arbitrit se çfarë të bëjë; në boks bëhet fjalë më tepër për inkurajim – meqë nuk ia tregon dot tjetrit si të qëllojë me grusht, ose si t’i shmanget grushtit ardhës; në lojëra tavoline më të ngjashme me shahun, si bridge-i, këshilla e pakërkuar mund të krijojë ndërlikime, nëse spektatorët ua kanë parë letrat edhe të tjerëve; dhe aq më keq kështu në poker, ku ndonjë prej atyre që luajnë do të nxjerrë, herët a vonë, koburen. Por këto janë lojëra që e përfshijnë probabilitetin në rregullat e lojës, dhe nuk ua lënë thjesht parashikimeve, përsiatjeve dhe hipotezave të atyre që luajnë.

Prandaj edhe kibitzing-u, në shah, i afrohet më shumë edhe politikës në demokraci: më një anë ata që luajnë vërtet, ose politikanët e mirëfilltë – që nuk kanë kohë të mendojnë, sepse u duhet të lëvizin; më anën tjetër, publiku i kibitzer-ëve, që zakonisht i ka paraparë jo vetëm problemet, por edhe zgjidhjet; jo vetëm dilemat dhe alternativat, por edhe kolapsin e tyre; jo vetëm konfliktet, por edhe kompromiset përkatëse. Nëse tryezën e lojës, dhe dy palët që i japin kësaj loje ekzistencë dhe jetë, do ta përfytyronim si të tashmen, atëherë renë e kibitzer-ëve që e sheh fushën nga sipër do të na duhej ta klasifikonim si projeksionin e së ardhmes – sado të brishtë, sado të pagjasë, sado të pambështetur.

Në kontekste të tilla, e vërteta është gjithnjë e pranishme, por praktikisht e pamundur për t’u pikasur dhe përdorur; njëlloj si ajo ora e mbetur që, dy herë në ditë, e tregon orën me saktësi të frikshme.

Mes kibitzer-ëve, e vërteta fshihet në mjegullën e varianteve, interpretimeve paralele dhe arsyetimeve kundër-faktuale. Çfarë ka rëndësi, është që në fund të çdo loje, kur mjegulla është kthjelluar dhe e vërteta shahistike nuk i intereson më kujt, madje as atij që ka fituar, kibitzer-i të mund ta shqiptojë më në fund formulën triumfale: ju thashë? dhe pastaj të largohet drejt një tryeze tjetër.

No Comments

  1. Kur kam qenë i vogël e mbaj mend mirë se isha spektator i rregullt i shahut. I atij që bëhej në lagje, si në këtë kohë, për të gënjyer vapën në ndonjë hije peme. Ditët asakohe ishin shumë të gjata. Ndoshta kam qenë edhe kibitzer. Mirëpo, me sa mbaj mend, në lagjen time kishte një lloj pakti të fshehtë. Në disa ndeshje nuk lejohej të kishte kibitzer. Nuk lejohet me fol, thuhej. Ta bënin me shenjë sapo afroheshe. E po të sugjeroje, rrezikoje të prishje lojën ose ndonjë shpullë me gishta të nxirë nga duhani. Në fakt, kibitzer-at e lagjes sime bërtisnin me të madhe kur shihnin ndonjë lëvizje të gabuar, ose thjesht kur e kapje gabim, ta zëmë filin. Mirëpo kishte edhe një rregull tjetër: “E kape gurin? Gjeji vendin!”.

    Së dyti desha të them se në ndryshmërinë e varietetin e figurave në shoqëri ka vend si për lojtarin ashtu edhe për kibitzer-in. Të dy kanë mëkatet e tyre, i pari me vendimarrjen e shpejtë dhe me kultin e veprimit, se futet me kokë kudo e pa menduar; i dyti me qëndrimin prej Ponc Pilati, se nuk futet në lojë, flet vetëm nga jashtë dhe i lan duart menjëherë. “Unë nuk rri duarkryq”, shprehet lojtari. “Unë ta thashë!”, ose “Ta thashë unë!”, shprehet kibitzer.