Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Udhëtime

KËSHILLA PËR PLAZH

Këshillat e mëposhtme nuk u drejtohen lëkurëbardhëve, as atyre që vuajnë nga reumatizma ose nga mungesa e vitaminës D. Këshillat nuk kanë të bëjnë me oraret për t’u futur në ujë, para ose pas buke, as me frutat e freskëta të detit, por u drejtohen atyre që kujtojnë se e njohin plazhin shqiptar dhe ofertat e tij turistike.

Janë fryt i një përvoje të hidhur, pa synim përgjithësues, që mund të shfrytëzohet nga të tjerët.

Mos i besoni internetit. Gjatë kërkimit të një vendi për të kaluar pushimet verore në plazh, në rast se pamjet me ngjyra dhe videot përshkruese janë joshëse, kujtohuni se realiteti nuk është ai që shikoni nëpërmjet ekranit. Photoshopi është stërgjyshi i mjeteve të sotme. P.sh. Ajo që po shikoni mund të jetë krejt e vërtetë, veçse i përket një universi të vjetër. Si drita e yjeve që shohim sot: shkëlqejnë, por gjatë kohës që i është dashur dritës të mbërrijë në tokë yjet ndërkohë mund të jenë shuar krejtësisht. Pra, pamjet e hotelit ose shtëpisë që mund të shikoni u përkasin disa viteve më parë, praktikisht vite astronomike për strukturat turistike shqiptare, ku ristrukturimet bëhen vetëm në rast shembjeje.

Mos u besoni syve. Kur shikoni pajisjet e një dhome plazhi mos u gënjeni nga pamja e bukur e frigoriferit. Si kallëp mund të jetë i hijshëm, por mund të jetë krejt impotent, në kuptimin që nuk ftoh. Përkundrazi, në vend që të zgjidhë problemin e të nxehtit mund ta keqësojë atë, sepse jo vetëm nuk ftoh, por edhe nxjerr më shumë nxehtësi nga mbrapa, më fort se një kalorifer. I njëjti kriter duhet të zbatohet me kondicionerët. Janë aty, bukuroshë në mur, por të lodhur, që nxjerrin më shumë baktere se sa freski. E megjithatë, bëjnë pjesë në pajisjet e kompletuara të dhomës, praktikisht si e gjithë bota moderne.

Mos u besoni distancave. Kur t’ju thonë se dhoma/hoteli/shtëpia juaj është njëqind ose dyqind metra nga deti, mos kontrolloni me Google map se nuk do të zgjidhni kurrgjë. Duhet ta shikoni vetë, ose më mirë duhet ta provoni vetë, mundësisht pak ditë para se të pranoni ofertën. Sepse në krye të disa muajve, midis vendit tuaj dhe plazhit mund të jetë ngritur një kantier ndërtimi, që ka prishur pyllin me pisha dhe ka devijuar rrugën e dikurshme, çka edhe e ka shndërruar dyqindmetërshin në një kilometër. Po ta bësh në këmbë, është kilometri më i rrezikshëm i jetës tënde, jo për pluhurin mbytës, por për makinat me drejtues me celularë në vesh, ose me femra gjysmëlakuriq në krah.

Mos u besoni llogarive. A bëjnë dy plus dy, katër? Jo gjithnjë. Kur merrni një dhomë në plazhin shqiptar nuk është e thënë që shifra që ju kanë dhënë të jetë përfundimtare. P.sh. pyesni për çadrat e plazhit, të cilat mund të paguhen veçmas, e për më tepër mos harroni se çmimet e tyre nuk janë fikse, sepse në fundjavë fryhen si buka me majà. Statusi juaj si pushues afatgjatë nuk kyn në punë fare.

Mos u besoni miqve. Mos pyet miqtë për vende turistike ku të kaloni pushimet. Mund të gjeni surpriza të pakëndshme. Standardi i kërkesave tuaja mund të mos përputhet me ato të miqve. P.sh. uji i ngrohtë për ty mund të jetë një must, kurse për mikun tënd mund të jetë luks, se “në plazh bën vapë dhe duhet ujë i ftohtë”. Ti e do ujin e ftohtë të frigoriferit, kurse ai nuk e konsideron si problem. Në qoftë se ajri i kondicionuar mund të jetë vërtet luks, si për ty ashtu edhe për mikun zbulues në pararojë, dushi i pastër e funksionues, krevati me dyshekë decentë, ose vetë televizori, mund të hyjë tashmë në kërkesat standarde të turistit. E megjithatë, ja që mungesën e tyre miku nuk e paska vënë re.

Mos i besoni kujtesës. Keni kaluar disa vjet më parë pushime të shkëlqyera në atë vend? Harrojeni! Duhet ta rifreskoni kujtesën me gjendjen aktuale. Kushtet e banimit mund të jenë përkeqësuar në vite, pylli me pisha mund t’ua ketë lenë vendin ndërtimeve të vilave të pasanikëve të rinj, rruga për tek plazhi mund të jetë prishur, makinat e dikurshme të rralla për mall, mund të jenë shndërruar tashmë si autokolonë milingonash.

Mos i besoni shërbimit. Kur t’ju thonë se shërbimi është i shkëlqyer merreni me rezerva. Ndonjëherë superlativat fryhen nga vapa. Tek shërbimi i mirë futet ndonjëherë edhe gjetja e telekomandës së televizorit, ose e baterive për to, dhe të shitet si arritje aq e madhe sa detyrohesh të lësh bakshish; ndërkohë që telekomanda duhet të ishte mbi televizor si në çdo vend të botës. Mos u përpiqni të diskutoni për dallimin midis kamerierit dhe pjatambajtësit: rrezikoni keqkuptime dhe probleme të paimagjinueshme.

Mos u besoni të tjerëve. Hapësira ku do të kaloni pushimet, hotel, shtëpi, pallat, apo çdo lloj tjetër strukture, ka vetëm një zot. Pronarin. Me atë dhe vetëm me atë keni punë, ose mund t’i zgjidhni problemet. Zakonisht është ai që sillet si gjeli në pullaz, ose mbi pleh, ai që e markon territorin çdo sekondë me tymin e cigares, ai që e pushton hapësirën me praninë e vet kaba, ai që nuk paguan kur i sjellin diçka në tryezë, ai që merr poza si bos në kuptimin më të ndryshëm të fjalës, ai që nuk pranon ndërmjetës por pret t’ia bësh direkt kërkesën, ai që tregon me qëndrimin e vet se ti je i përkohshëm në këtë sezon, ai që ndjek femrat me shikim lakmues e miklues, ai që e njeh gjithë zonën me soj e sorollop, ai që u flet punonjësve me tonin e skllavopronarit, ai që i jep gazit shumë kur merr fuoristradën sytërheqëse, ai që të sheh si kafshë për të të rrjepur sa më shumë e sa më shpejt.

Ka edhe këshilla të tjera, edhe pse po flasim ndoshta për raste të skajshme e numerikisht të papërfillshme, meqë turizmin shqiptar e lavdërojnë të gjithë… Gjithashtu, këshillat mund të mos merren parasysh, si të tepërta e të padëshiruara. Këshilla ka plot pra, dhe burojnë nga përvoja të ndryshme, por tani për tani, sidomos për ata që po marrin rrugën drejt plazhit, mjaftojnë këto që sapo thamë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin