PËR ORGANIZIMIN E PUSHIMEVE

Pas ankesës së Presidentit Nishani, i cili nuk ka mundur të pushojë në rezidencat shtetërore të Dhërmiut e të Vlorës, bëhet e domosdoshme që çdo qytetar të japë sugjerimet e veta për një organizim më të mirë të punës së institucioneve shqiptare.

Sipas mediave, Presidenti shqiptar paska preferuar bregdetin e Shëngjinit për të kaluar disa ditë pushime. Kreu i shtetit është vendosur së bashku me bashkëshorten në një hotel të vogël familjar pranë zonës së njohur si Rana e Hedhun.

Gjithnjë sipas mediave shqiptare, kabineti i Presidentit të Republikës ka mësuar se ai nuk mund të shkojë në dy rezidencat e mësipërme, sepse ato janë rezervuar për të gjithë sezonin veror nga Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta.

Ja disa sugjerime (por mirëpriten gjithashtu të tjera) që u mblodhën në rrjetet sociale shqiptare, pra nëpër kafene e lokale anembanë vendit:

– Institucionet shqiptare duhet të shkëmbejnë fillimisht numrat e telefonit.

– Numrat e telefonit shkruhen në një bllok të posaçëm në mënyrë që të mos humbasin.

– Nuk është e hijshme që t’ia japësh tjetrit qëllimisht numrin gabim, ose ta ndryshosh pasi ia ke dhënë.

– Për rezervimin e rezidencave zyrtare të sezonit nuk duhet pritur ardhja e sezonit vetë. Rezervimet duhet të bëhen kohë më parë.

– Të gjithë duhet të nisen nga parimi se pushimet jepen me ligj dhe për pushime kanë nevojë të gjithë, sidomos politikanët në krye të institucioneve.

– Zakonisht vlen proverbi “kush mënoi nuk bloi”, por kryesisht për vendet në tren (kur kishte hekurudha në Shqipëri) dhe për shtretërit në kazermën e zborit (kur kishte zbor në Shqipëri). Për institucionet kjo situatë duhet të shmanget.

– Që të mos ketë zënka e keqkuptime, është mirë që kabinetet përkatëse, të Presidencës, Kryeministrisë dhe Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, të komunikojnë mes tyre. Mund të flasin për periudhat e pushimeve, për agjendat e shefave dhe për organizmin më të mirë të rezidencave zyrtare.

– Komunikimi shkresor ekziston ende dhe nuk e përjashton atë me telefon. Në qoftë se institucionet përtojnë të vendosin numrin e protokollit, mund të marrin në telefon. Edhe e-mailet mund të përdoren, pa përfunduar deri tek sms dhe twitter, që preferohen kryesisht nga kryetarët.

– Për të mos ngecur në kurthin e kunjit, ose të “kush merr i pari në telefon e ul hundën”, duhet paracaktuar kriteri i telefonatave. Nëse nuk merret parasysh rëndësia e institucionit, mund të vendoset rendi alfabetik ose hedhja në short.

– Në rast se nuk bien dakord, nuk është nevoja të shqetësojnë Përfaqësitë e huaja diplomatike dhe Ambasadorët, të cilët kanë pushimet e veta, por mund të flasin mes tyre dhe t’i zgjedhin ditët kur rezidencat janë të lira.

– Mirë është që Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, që merret me rezidencat, ta ndërrojë emrin se nuk shërben vetëm Qeverinë, por të gjitha institucionet. P.sh. Mund të quhet Drejtoria e Shërbimeve Shtetërore.

– Zgjidhja e alternimit të viteve është mjaft e praktikuar në botë. Si të thuash: këtë vit në gusht i bën ti pushimet, vitin tjetër i bëj unë. Mirëpo kjo kërkon që palët të flasin mes tyre, por pa hile. P.sh. nuk lejohet që një institucion të thotë se do t’i bëjë pushimet në gusht, por pastaj paraqitet që në korrik me valixhe në dorë.

– Në rast se ambientet janë disi të kufizuara, mund të shtohet një banjë, një dalje e veçantë dhe të përdoren nga dy institucione njëkohësisht. Mund të lihet vetëm një lidhje e vogël sa për t’i thënë “mirëmëngjes” shoqi shoqit gjatë kafesë së mëngjesit.

– Mund të ndodhë që për angazhime kombëtare e ndërkombëtare të detyrueshme, të gjitha institucionet kërkojnë t’i bëjnë pushimet në të njëjtat ditë. Kjo është natyrisht e pamundur. Në këtë rast mund të mbesin pa pushime, por nga ana tjetër mund të adoptohet nisma “open day”, çka do të thotë se qytetarët, me rezervim paraprak, mund të kalojnë ndonjë ditë pushimi në rezidencat e institucioneve të tyre.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: