Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Kulturë / Totalitarizëm

PSIKODRAMA E HAPJES

Ka pasur interes të veçantë, në mediat tradicionale dhe ato elektronike, për disa ndërhyrje artistike-kuratoriale, të qeverisë së kryesuar nga Edi Rama, në objekte semiotikisht të rëndësishme, të lidhura, në mënyra të ndryshme, me regjimin totalitar:

një strehim atomik masiv në periferi të Tiranës, një shtëpi në kryeqytet dikur e përdorur nga Sigurimi i Shtetit për të koordinuar përgjimin elektronik të qytetarëve dhe kushedi për ç’tjetër (e mbiquajtur “Shtëpia e gjetheve”), vila në Bllok ku dikur jetonte Enver Hoxha dhe familja e tij, ndërtesa e muzeut “Enver Hoxha” e njohur me emrin “Piramida” dhe, tani së fundi, përurimi i një qendre të komunikimit dhe dialogut (COD) në katin e parë të selisë së Kryeministrisë, në Bulevardin e Madh të Tiranës.

Është folur dhe diskutuar për ndërhyrjet vetë dhe zgjedhjen e objekteve, por edhe për mënyrën si i janë paraqitur publikut këto ndërhyrje; ose diskursin dhe angazhimin në mos autoritar së paku autorial, që ka shoqëruar ndërhyrjet dhe përurimet. Këtu më poshtë do të hedh disa mendime, në lidhje me nocionin e “hapjes”, i cili pandashëm i ka shoqëruar të gjitha ndërhyrjet dhe diskurset përkatëse, veçanërisht në nivel zyrtar.

Kur flasim për ndërtesa, “hapja” si ndërhyrje në statusin e objektit parakupton një “mbyllje” të mëparshme – në kuptimin që një hapësirë ku deri dje publikut nuk i lejohej të futej, tanimë mund të vizitohet, madje t’i përkushtohet këtij funksioni të ri, duke u shndërruar në ekspozitë ose shenjë të së djeshmes së vet. Kështu, “bunkeri” shumëkatësh në periferi të Tiranës ishte për shumë kohë sekret dhe më pas mbeti i mbyllur për kureshtarët; “shtëpia e gjetheve” nuk ishte veçse një nga vilat e shumta të braktisura dhe në amortizim e sipër, që hijeshojnë rrugët e kryeqytetit; “Piramida” ka ndenjur e mbyllur në mënyrë intermitente, kryesisht ngaqë palët nuk janë marrë dot vesh se ç’të bëjnë tamam me të; “vila e Enverit” ka ndërruar përdorues dhe ka ardhur duke e humbur shkëlqimin në mënyrë relative; dhe, më në fund, Kryeministria ka qenë off-limits si objekt i rëndësisë së veçantë dhe seli e Këshillit të Ministrave, por edhe zyrë e Kryeministrit vetë.

Në të gjitha këto raste, çfarë është prezantuar si hapje ka qenë, në të vërtetë, një ndërrim i destinacionit dhe i funksionit të një hapësire arkitektonike në dispozicion; shumë kohë pasi kjo kish pushuar së kryeri funksionet për të cilat gëzonte dhe ende gëzon status të posaçëm. Para se të shërbente si seli për ekspozitën Bunk’art, strehimi atomik ishte thjesht një strukturë tunelesh të braktisura dhe të mirëmbajtura në mënyrë minimale; “shtëpia e gjetheve” nuk shërbente më për asgjë, dhe ish lënë të amortizohej kaq keq, sa sot e kësaj dite po punohet për ta bërë “të vizitueshme” nga publiku; te “vila e Enverit” nuk banonte më as Enveri, as fëmijët; teksa “Piramida” është lënë të katandiset në një gërdallë të rrjepur, që për pak do të kish përfunduar e rrafshuar përdhé. Vetëm për përurimin e tanishëm së Qendrës për Komunikim dhe Dialog (Center for Openness and Dialogue) në selinë e Kryeministrisë, mund të diskutohet akoma nëse është fjala vërtet për hapje të një hapësire dhe institucioni deri dje të mbyllur ndaj publikut; sa kohë që kjo hapësirë ende i përket ndërtesës që shërben si seli për Këshillin e Ministrave dhe për vetë Kryeministrin.

Tani, sikurse e kemi diskutuar tashmë edhe në blog, në kontekstin e një ngjarjeje me natyrë krejt tjetër – vrasjen e katër protestuesve në 21 janar të vitit 2011 – institucionet shpesh identifikohen me ndërtesat ku e kanë selinë; por kjo nuk do të thotë se institucioni është ndërtesa. Këtë ngatërresë e pat bërë atëherë – kushedi qëllimisht – kryeministri Berisha, kur deklaroi se “institucionet janë kështjella dhe nuk jepen kurrë,” për të përligjur dhunën e ushtruar nga Garda kundër protestuesve; dhe pastaj kur e përshkroi çfarë kish ndodhur me fjalët e mëposhtme: “mbi pesë orë është sulmuar në mënyrë barbare Policia e Shtetit dhe institucioni kushtetues i Këshillit të Ministrave” [kursivi im, 2Xh]; duke e quajtur kështu godinën e Kryeministrisë “institucion kushtetues” – çfarë do të ishte qesharake, sikur të mos shqiptohej në rrethana aq dramatike.

Kur i çeli dyert COD-ja tani së fundi, të shumtë ishin ata që iu referuan ngjarjes së katër vjetëve më parë; për të kujtuar si e njëjta ndërtesë që atëherë ishte ruajtur me armë, tani po vihej në dispozicion të publikut; dhe në të vërtetë ndryshimi është i admirueshëm dhe tregon se çfarë hendeku e ndan administratën e atëhershme të Berishës nga kjo e tanishmja e Ramës; por nga ana tjetër më duket se përpjekja për t’i vënë ngjarjet e atëhershme me këto të tanishmet në të njëjtin rrafsh rrezikon keqkuptim dhe ekuivokim; ngaqë edhe ajo ngrihet mbi identifikimin, logjikisht të gabuar, të një institucioni me ndërtesën ku ai e ka selinë.

COD ka për qëllim të demistifikojë një institucion, i cili deri më sot ka qenë i mbyllur për qytetarët, edhe pse ka ndikim shumë të madh në jetën e tyre

Thuhet në uebsajtin e Qendrës për Komunikim dhe Dialog; duke e lidhur, nëpërmjet një metonimie, hapësirën e qendrës, të vizitueshme dhe të përdorshme nga publiku, me institucionin e Kryeministrisë, në të njëjtën ndërtesë.

Mirëpo kjo qasje është të paktën e debatueshme. Njëlloj mund të argumentohet se kati i parë i ndërtesës së njohur si “Kryeministria” nuk është më pjesë e selisë së Këshillit të Ministrave që nga momenti kur ka filluar të funksionojë si sallë digjitale ku publikut i jepet akses në arkivin e Kryeministrisë; si bibliotekë e përfshirë në një rrjet kombëtar dhe kontinental; dhe si një sallë ekspozitash; ose – gjithnjë duke cituar nga uebsajti, si “laborator kreativ, në të cilin mund të hulumtohet kufiri ku bashkohen dhe mbivendosen potencialet e fushave të ndryshme të artit, politikës e kërkimit shkencor” dhe si “një vend ku idetë marrin formë, ku mendimi kritik informon artin dhe kultura ndriçon politikën, një qendër ku ata mund të ndryshojnë dhe emancipojnë politikat që do t’i hapin rrugën progresit të së ardhmes.” Të gjitha këto funksione të reja, të cilat i ka marrë një hapësirë e cila më parë ishte pjesë e selisë së qeverisë shqiptare, janë fisnike dhe të lavdërueshme në vetvete, por nuk kanë lidhje me funksionet e atij institucioni që ka selinë e vet tek e njëjta ndërtesë dhe që i ka dhënë ndërtesës – me metonimi – emrin e vet.

Nuk është funksion specifik i Këshillit të Ministrave dhe as i vetë Kryetarit të Këshillit të Ministrave të ofrojë “laboratorë kreativë ku të hulumtohet kufiri ku bashkohen dhe mbivendosen potencialet e fushave të ndryshme të artit, politikës e kërkimit shkencor”; dhe fakti që ky blatim bujar ndodh tani veç dy hapa larg selisë së institucionit qeveritar ose brenda së njëjtës godine, nuk ndryshon asgjë; statusi institucional nuk ka natyrë tranzitive. Kryeministri Rama në marrëveshje me organizmat përkatëse ka liruar një pjesë të selisë së Kryeministrisë për t’i dhënë asaj funksione të tjera (repurposing); dhe është angazhuar drejtpërdrejt në kurimin e kësaj hapësire që më parë i përkiste Këshillit të Ministrave; por kjo nuk mjafton, për ta bërë selinë e COD-së pjesë së selisë së institucionit të qeverisë shqiptare. Edhe sikur nesër të dalë nevoja për ta zhvendosur selinë e qeverisë shqiptare gjetiu, p.sh. në Pallatin e Brigadave, nuk ka asnjë arsye pse së bashku me Kryeministrin, zyrat ku kryen funksionet e veta qeveria si organ kolektiv dhe aparatin burokratik dhe ekspert përkatës, të zhvendoset edhe vetë COD-ja, me arkivat e saj digjitale, bibliotekat, ekspozitat dhe instalacionet e saj. Prandaj nuk më duket e saktë të thuhet “COD çel dyert e kryeministrisë shqiptare” – përveçse në kontekstin ku togfjalëshi kryeministri shqiptare shënjon një ndërtesë në Tiranë; përndryshe, institucioni i Këshillit të Ministrave mbetet i mbyllur dhe i mbrojtur nga publiku i Bulevardit ashtu siç duhej të mbetej, pavarësisht nga vizitorët e shumtë të qendrës së porsa-hapur.

E njëjta retorikë e “hapjes” u përdor edhe për përurimin e ekspozitës “Bunk’art” në hapësirat e nëndheshme të strehimit anti-atomik që kish ndërtuar regjimi Hoxha në periferi të Tiranës. Kjo hapësirë ish mbajtur e mbyllur gjatë viteve të regjimit, sikurse ish mbajtur e mbyllur edhe më pas; atëherë për arsye sekreti dhe sigurie; më pas kryesisht për shkak të inercisë. Ideja për ta shndërruar në një hapësirë muzeale ose ekspozitive është për t’u përshëndetur; por vetë cilësimi i gjestit të përurimit si hapje mund të krijojë keqkuptim – në atë masë që tunelet e strehimit kishin kohë që nuk e ushtronin më funksionin për të cilin ishin ndërtuar.

Vizitori i asaj ekspozite e ka shpesh të vështirë të dallojë midis artefaktit autentik dhe një kopjeje me funksion butaforik; çka e bën vetë statusin e hapësirës të lëkundet midis ekspozitës dhe instalacionit. Sa për të sjellë një shembull, në dhomën e Mehmet Shehut (ose të Enver Hoxhës) sheh një raft të vogël me libra, ku mes të tjerash spikatin dy vëllimet e romanit Mërgata e qyqeve; në gjendje goxha të përdorur, a thua se dikush i ka lexuar dhe rilexuar 4-5 herë, aq sa t’ua bëjë shpinat fërtele. Tani, meqë këto dhoma nuk u përdorën kurrë prej udhëheqjes së kohës, vizitori mund të pyesë se kush i ka lexuar kaq ethshëm librat në raftin e dhomës së gjumit të Mehmetit (a të Enverit vetë). Apo mos vetë librat dhe rafti janë sjellë aty si prop-e, ose për të krijuar atmosferë? Që ne të përfytyrojmë tani si krerët e shtetit shqiptar, të mbyllur në strehim me muaj për t’i shpëtuar “dimrit atomik” përjashta, ta kenë kaluar kohën duke lexuar romane të realizmit socialist?

Këto ndreqje dhe retushime në vetvete të vogla dhe kozmetike e problematizojnë statusin e hapësirave të tilla – të cilat i janë prezantuar publikut si “autentike”, por që mund të marrin, si pa dashur, natyrën e një instalacioni, dhe të shndërrohen në shenja të vetvetes; njëlloj siç shndërrohet në shenjë të vetvetes një turtull i balsamosur në muzeun e shkencave të natyrës – edhe pse si objekt kombinon disa detaje autentike, si puplat ose sqepin ose konfigurimin e trupit, me detaje të tjera krejt artificiale, si mbushja me kashtë, sytë prej qelqi dhe trajtimi kimik që u është bërë puplave dhe pjesëve të tjera të trupit, për të shmangur kalbëzimin.

Gjithsesi, dhe përtej këtyre analizave në detaj, ka diçka që bashkon ndërhyrjen e tanishme në ndërtesën e Kryeministrisë në Tiranë dhe ndërhyrjet e mëparshme në strehimin atomik, ose te “shtëpia e gjetheve” ose gjetiu; dhe kjo lidhet pikërisht me statusin e ri semiotik të këtyre objekteve – të cilat, para se t’i jepen publikut, e kanë kompletuar më parë kalimin (tranzicionin) në shenjën e vetvetes. Edhe strehimi i nëndheshëm, edhe “shtëpia e gjetheve” e kishin humbur prej kohësh funksionin e tyre parësor si ndërtesa, për të mbijetuar si monumente të amortizuara ose karkasa të së kaluarës së tyre. Kati i parë i Kryeministrisë, që nuk ishte as i amortizuar as karkasë, u shndërrua në Qendër të Komunikimit dhe të Dialogut në shërbim të publikut pasi u “çshenjtërua”, ose u çlirua prej funksioneve që përmbushte si pjesë e selisë së një institucioni kryesor të shtetit. Në “bunkerin” e Bunk’artit nuk është se vizitorët do të kapin gafil ndonjë mbeturinë të vonuar të politbyrosë, duke shtypur “urdhrin e ditës” me makinë shkrimi; as te “shtëpia e gjetheve” nuk është se kryhen akoma përgjime të qytetarëve e as merren në pyetje e torturohen viktima në bodrumet; dhe më në fund, vizitorët e COD-së nuk ka rrezik të trazojnë, me praninë e tyre, punën e kryeministrit Rama ose të ndihmësve të vet, në katin më lart. Emrat që mbajnë akoma këto ndërtesa dhe objekte, dëshmi të një të kaluare të afërt por çuditërisht të dematerializuar me ngut, nuk duhet të na pengojnë të shohim se bëhet fjalë për një ri-destinim të tyrin funksional dhe jo me hapje të mirëfilltë.

bunkart

The underground scene

Sa kohë që flasim për hapje, ka vend të vërejmë edhe se ky nocion, ose përftesë komunikative a propagandistike nëse duam, i referohet jo vetëm një mbylljeje të mëparshme, hipotetike ose reale, të imponuar ose të natyrshme, por gjithsesi kundër natyrës së sendeve; por edhe statusit të së qenit hapur, të cilin e shënjon bukur anglishtja openness, dhe që sërish vendos një marrëdhënie metonimie me hapjen si akt (çmbyllës). Pas shembjes së regjimeve komuniste në Europën Lindore, mitologjia e dyerve të hapura dhe e mendjeve të hapura nuk do të funksiononte dot, pa këtë parim të hapshmërisë (le ta përdorim këtë neologjizëm, për openness, sa kohë që shqipja hapje mund të krijojë ekuivoke, duke iu referuar edhe aktit edhe statusit të diçkaje që ka qenë e mbyllur dhe pastaj është hapur).

Kjo hapshmëri merr rëndësi të veçantë në shoqëri të sunduara nga sekreti, si kjo që kemi në Shqipëri; dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për sekretin e djeshëm, shtetëror, dhe pushtetarët zotërues të tij; por edhe sekretin e sotëm, që ka lidhje me shkeljen e ligjit, paligjshmërinë dhe shantazhet përkatëse; dhe në këtë kontekst të hapshmërisë do të përfshihet doemos edhe e shumëpërfolura hapje e dosjeve, si një akt suprem që hedh dritë atje ku më parë ishte errësirë (wo es war soll ich werden), e cila mbetet hë për hë e projektuar në të ardhmen, ose si një akt që duhet ndërmarrë dhe që do të ndërmerret, por që nuk është ndërmarrë dhe që rrezikon edhe ai që, kur të ndërmerret, të jetë shndërruar në një shenjë të vetvetes; ose që hapja e dosjeve të katandiset në një teatër të hapjes së dosjeve, njëlloj siç është turtulli i balsamosur në muze reprezantim teatral i atij të gjallit dhe kufoma e balsamosur e Leninit në mauzole reprezentim teatral i liderit bolshevik të Tetorit.

Kur i referohet mendjes, por edhe punës së institucioneve publike, kjo hapshmëri (glasnost) nuk mund veçse të përshëndetet; por kjo nuk u jep ndonjë status të posaçëm shenjave të saj, ose hapjeve të karkasave të mbetura mbyllur pas rënies së regjimit komunist, siç mbeten mbyllur për një kohë të gjatë sirtarët e ndërresave të lara në dhomën ku jetonte dikush që sapo vdiq. Në këtë kuptim, të hapësh gjëra të mbyllura, të harruara e të amortizuara nuk do të thotë se je duke ushtruar, qoftë edhe në rrafshin figurativ ose simbolik, parimin e hapshmërisë.

Më në fund, aspekti thjesht spektakular i këtyre gjesteve hapëse – që nga bunkeri anti-atomik te vila e Enverit, mbështetet mbi premisën, në fakt të diskutueshme, se publiku ka ndonjë interes të vetvetishëm për këto hapësira të hapura rishtas: për shembull, për të vizituar tunele të gërryera nën tokë, një shtëpi ku dikur strehoheshin aparate përgjimi elektronike ose edhe katin e parë të një ndërtese institucionale, e cila deri dje ruhej me roje të armatosura. Në fakt jo; interesi i publikut varet sa nga materialet e ekspozuara në këto hapësira dhe nga çfarë mund të bëjë publiku vetë atje, aq edhe nga paraqitja e këtyre eventeve në mediat, ose reklama. Në vetvete, hapësirat deri dje të mbyllura të ndërtesave në fjalë, sikurse hapësira të tjera të mbyllura, nuk janë dhe aq interesante as zbavitëse; ose, në çdo rast, nuk janë aq interesante sa aura që ua rrethon emrat (ose statusin prej shenjash), në imagjinatën kolektive; prandaj edhe vizitat rrezikojnë të jenë ose antiklimaktike, ose të përfundojnë në argalisje të padenja, siç ndodhi me vilën e Enverit.

Fakt është që këto hapësira ekspozitive mund të luajnë rolin e tyre edukativ, sidomos për t’u treguar brezave më të rinj ndonjë gjë të re, për jetën e prindërve të tyre nën totalitarizëm dhe natyrën e regjimit të Hoxhës në Shqipëri; por ky rol nuk mund të përmbushet, madje as mund të përfytyrohet, jashtë bashkërendimit të përpjekjeve informuese dhe edukative me shkollën. Në fakt, kur lexon se ç’thuhet sot në rrjetet sociale, të krijohet ndonjëherë përshtypja se brezat e rinj dinë më shumë për Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, se për gjysmë-shekullin totalitar; pa çka se shoqëria e sotme shqiptare mbetet ende krijesë e parritur e asaj të djeshmes.

Hapshmëria është relativisht e mirë, sidomos në rrethanat kur publiku kërkon vërtet të marrë pjesë në jetën dhe në veprimtarinë e institucioneve; dhe jo thjesht të dëfrehet me zbulime “sekretesh” si fëmija. Megjithatë, hapshmëria nuk përfaqëson ndonjë vlerë absolute dhe as virtyt – aq më tepër ngaqë, për ta pasur, duhet ruajtur dhe respektuar gjithnjë kufiri midis çka është e hapur dhe çka e hapur nuk mund të jetë. Këtu ndoshta do kujtuar edhe se, në disa fusha, si në përdorshmërinë publike të dokumentacionit zyrtar, aksesi i publikut ndaj këtij apo atij dokumenti është i përcaktuar me ligj; dhe një administratë që zbaton ligjin, së paku në Shqipëri, vërtet duhet përshëndetur dhe mbështetur, në rrethanat kur atje zakonisht pushteti shërben si mjet për ta shpërfillur ligjin; por nga ana tjetër vetë zbatimi i ligjit, në lidhje me çka është e hapur për publikun dhe çka jo, nuk është gjë shenjë e mendësisë së hapur dhe as e vullnetit për transparencë; por vetëm provë që shteti po funksionon ashtu siç duhet.

Pa Komente

  1. Duket pothuajse si lojë fjalësh, e mua m’u kujtua Ramiz Alia që në çaste kyçe të historisë sonë moderne, shqiptoi me besim të patundur: “Shqipëria as hapet, as mbyllet”.

    Unë do të doja të ndalesha më shumë tek aspekti spektakolar i këtyre hapje – mbylljeve që përmend Xhaxhai më lart. Sipas meje ka një inflacion të vëmendjes publike mbi hapjen e institucioneve në fjalë. Teksa jam dakord me rëndësinë e simbolikës së hapjes (dhe hapshmërisë), më duket gati gati morboze këmbëngulja për të sjellë kaq shumë vëmendje mbi këto procese që përndryshe kanë një efekt (në rastin më të mirë) margjinal në jetën e qytetarit shqiptar. Për më tepër, theksimi in extremis i efekteve të ndërsjellta kur arti bashkëpunon me politikën, duket më tepër si përpjekje e kryeministrit artisto-politikan për të pajtuar (dhe paqtuar) dy identitetet që rrinë spikatur brenda kostumit të të njëjtit personazh.

    Nga ana tjetër, besoj se ka një risi tek përdorimi i nocioneve të hapjes dhe hapshmërisë sa kohë që ato sistematizohen brenda synimeve të mirëcaktuara si dimensione të organizimit të ri (rilindës) institucional në ndryshim nga kaosi dhe anarkia e dyerve të shqyera që aq shumë karakterizoi Shqipërinë post-komuniste.

    1. Keto nuk jane nderhyrje qeveritare por te trurit te Rames, i cili nuk pyet as per institucione dhe as per Ligje. do ishte shume interesante te hapeshin dhe financat e ketyre nderhyrjeve se aty kupton shume me teper per idete “konceptuale”. Keshtu rama ka krijuar modelin francez te “Artisteve te Shtetit”, artiste zyrtare si Ansri sala dhe kopeja qe e shoqeron.

      1. A keni provuar të kërkoni drejtpërdrejt informacion si janë financuar këto ndërhyrje?

        Sa për procedurën, me sa di unë, ato janë miratuar nga organet përkatëse (KRT), të cilat Rama i ka pyetur.

        E kam fjalën: kritika pa bazë e zhvlerëson edhe kritikën me bazë.

  2. Me duket se ketu kemi te bejme me “mahnitje” pas modeleve te para gjetke, e qe i sugjerohen serish popullit, se publik nuk ka ndoshta, si risi, apo mendesi ndryshe. Kjo e “hapjes” te kujton ate qe ndodh kur takon dike qe ka shume vjet pa u kthyer ne Shqiperi: e nis muhabetin ne ate vit qe e ka lene eshe vendin. Edhe keto ekspozita shumngjyrese, qe synojne kontrastin me bardhe e zine e “politikes se vjeter”, kete me duket se realizojne: e konsiderojne qytetarin si emigrant te zanafilles nga “te vertetat” e vendit. Dhe ja i “vrasin friken”, o “kureshtjen” duke hapur dyert. Per te perfunduar edhe njehere si nje destinacion i radhes i shetitjes gjithefestive qe kryeqyteti i Shqiperise ben per cdo rast: feste, ceremoni, fetar apo laik, miting, tubim, perkujtim, promovim. Mjafton nje rast per nje shetitje ne bulevard/et.
    Pa folur ketu per faktin se keto lloj sajdisjesh te se shkuares, jane as me shume e as me pak, se performanca e “artistizuar” e rrefimeve te pafundme ne gazeta te sekreteve byroiste, mehmetiste e sigurimiste. Mund te benim edhe pa kete skene. Nuk do ishte cudi qe dikur dikush, ne sallen e mbledhjeve te Byrose, te vendoste manekine qe imitojne shoket e dikurshem dhe pelegrinazhi i vetvetishem i “qytetareve” t’i legjitimoje permes mallit dhe syve shpues te kureshtjes.

  3. Keto hapje tynelesh dhe vilash jane shprehje e nostalgjise se qeveritareve tane, “çuna dhe goca Tirone”, a thene ndryshe pinjolle te elitave te dikurshme qe nuk u ndahet shpirti nga e shkuara e lavdishme.

    Megjithate çeshtja nuk eshte pse hapen keto objekte, por pse trumbetohen me kaq pompe si suksese te qeverise, pse kryeministri dhe ministrat u kushtojne kaq shume kohe dhe energji a thua se vetem per to kemi mbetur keq.

    Sa per krahasimet me qeverine e Berishes, une mbaj mend se te pakten Berisha mburrej kur ndertonte rruge dhe autostrada. Dhe te mendosh se jemi tallur kur dilte e promovonte pataten e Kukesit ose arrat e Peshkopise! Ato te pakten e kishin nje logjike ekonomike, por keto tynelet e sotme ç’logjike kane?

  4. Shtepi me gjethe e tunele pa gjethe le te hapen te gjitha, po me kryeministrine çpati xhanem. Nqs kishte me shume hapesire sesa nevojat e kryeministrise, t’ia linte godinen nje ministrie tjeter qe ka nevoje per hapesire dhe te merrte hapesiren e saj.
    Nqs kryeministri tjeter do jete ish-ushtarak qejfli i armes i bie te hape ndonje poligon qitjeje ne katin e dyte,
    Shteti mezi mbahet ne kembe, kryeministri i ben makiazh. Kjo eshte si te vesh tek mjeku me surratin mavi e mjeku te nxjerre nga sirtari pudren.

    Puna eshte se mund ta marrim edhe me sportivitet e batuta, po filozofia e makiazhit shihet ne çdo veper, qe nga sheshet e qyteteve tek skandali i palmave dhe limitit 60km/h ne autostrade, per te vazhduar e sigurisht mosperfunduar me hapjet ne fjale.
    Kjo deshmon se per çfare e vret mendjen kryeministri, kur nuk eshte duke vizituar Macukullin, Zhapokiken apo Fier-Cifçine, per te bere shperdare legalizime si me qene sportelist i Aluiznit.
    Ketu eshte problemi, per çfare e vret mendjen kryeministri, me çfare projektesh harxhon kohen e orarit te punes, orar pune qe paguhet me taksat e qytetareve. Nuk mund te paguajme eshte sportelistin edhe kryeministrin per te njejten pune.

  5. Në stil këto vepra, Bunk-art, Piramida, Shtëpia e Gjetheve, COD dhe simotrat e tyre, janë akte ri-marrje (acts of re-appropriation). Termi “hapje” në këtë rast nuk mund të parashtrohet si koncept.

    Ndërkohë nocioni i hapjes në përgjithësi ka humbur kuptimin – me të drejtë përmendet rasti i hapjes së dosjeve në postkomunizmin shqiptar. (A mund të themi të cliruar se më në fund post-komunizmi e ka lënë pas tranzicionin dhe po e meriton plotësisht emrin e vet?) Akti i hapjes, që në komunizëm mund të ishte një akt heroik, sot edhe pse i mundshëm është gjithësesi i rëndomtë.

    Por përse përdoret atëherë termi “hapje”?

    Një shpjegim i llogjikshëm do ishte korrektësia politike. “Hapja” ishtë ndoshta i vetmi term që Kryeministri mund të përdorte për t’ia prezantuar publikut këtë lloj arti që mundësohet nëpërmjet aktit të ri-marjes, pa qënë i detyruar të futet në detajet e pyetje të sikletshme.

    Dhe kjo, jo sepse ka patjetër diçka djallëzore që përpiqet të fshihet në këto vepra, apo edhe në vetë termin ri-marrje (re-appropriation). Ndoshta edhe ka. Porse, prezantimi i konceptit të ri-marrjes jo më nga pozitat e artistit apo kritikut, por nga pozitat e pushtetit, pavarësisht nga dashamirësia e spikatur, e kthen këtë term kokëposhtë.

    Për shembull, ri-marrja e Shtëpisë me Gjethe do kishte kuptim nëse një grup artistësh të persekutuar nga regjimi i kaluar pa lejen e ndokujt do ta “pushtonin” godinën, për ta kthyer atë në muze të përndjekjes, të persekutimit, apo edhe në pijetore nëse do dëshironin. Përndryshe, rimarrja e kësaj godine nga një artist me pushtet dhe në pushtet, tingëllon më shumë si ri-sjellje. Rehabilitimi në statusin e qytetarisë i bëhet kështu pushtetit dhe jo subjektit; statusit të objektitit në fabrikën urbane dhe jo statusit të qytetarit si subjekt i përndjekur.

    Ndaj, ky akt jo vetëm prezantohet si jo-autentik, por edhe i shërben kultivimit të marrdhënieve tradicionale të pushtetit me të përndjekurit e vet, përsa kohë që bëhet e qartë se ishte pushteti ai që i mbante mbyllur deri dje këto hapësira, dhe është po pushteti ai që sot i hap.

    Ndërkohë projekti Bunk-art, është projekt i vjetër i Ramës, i konceptuar përpara se të kryhej transformimin i tij në politikan ndërsa jetonte në Francë. Në këtë kuptim Bunk-art ka qënë në atë kohë një akt i mirefilltë ri-marrje (re-appropriation). Për të mos folur pastaj që vetë koncepti i bunkerit nuk përkon me hapjen – do ishte një metaforë shumë e keqe.

    Nëse Bunk-art është projekti original i Ramës si artist jo politikan, gjithë projektet që vijojnë me Ramën politikan, janë dukshëm vazhdimësi e këtij projekti. Me një ndryshim thelbësor, që këto tashmë janë projekte dhe sipërmarrje politike.

    Kurse COD dhe provokimi i Parenos përpiqet ti ri-marrë këto projekte si filozofi dhe teknikë, duke shfrytëzuar statusin dhe pushtetin për t’i relativizuar (ngritur në rangun e shkëmbimit të vlerave të artit ndërkombëtar) për t’u dhënë vlera që përndryshe në kontekst nuk i kanë.

  6. Po ta shohim fenomenin e hapjes së këtyre objekteve si nismë ri-marrjeje ose ripërvetësimi (kam përdorur këtë shqipërim në një shkrim, ndër të tjerash, rreth bunkartizmit https://peizazhe.com/2015/01/31/fun-of-a-gun-dhune-muzike/), ky akt është për t’u mirëpritur.

    Që këto ripërvetësime e kanë zanafillën te qeveria/shteti mund të jetë edhe tregues për shterpësinë e ideve artistike apo varfërinë e financimeve të ideve artistike jashtë kornizës së shtetit.

    Prapësëprapë, i duhet hyrë më imët ripërvetësimit të një strukture ish-diktatoriale prej një shteti/qeverie të ri/re demokratik(e). A është më e urtë të lihen ripërvetësime të tilla në duar artistike të pamonitoruara nga shteti? Do thoja jo. Si bunkeri, piramida, Shtepia e Gjetheve nuk janë pronë e Zeqos (paçka se Ministria e Kulturës dhe Trashëgimisë, po ta gjente, do ta konservonte edhe thanën e këtij të fundit); pra, nuk është më i lavdërueshëm skenari ku një grup artistësh kubistë/ekspresionistë/orientalistë/ambjentalistë apo i ndonjë tjetë ngjyre merr nën flatra këto objekte kombëtare e i përvetëson sipas vizionit të tyre përkatës.

    Objekte të tilla të kujtojnë ish-kampet e përqëndrimit, shumica e të cilave janë rihapur të ripërvetësuar si pika nevralgjike historike, por edhe në sajte të turizmit të kulturuar (në mëngjes pinakotekat e Mynihut, pasdite labirintet e Dachau-t).

    Në teori e praktikë, akti i ripërvetësimit në një stad të parë ka për qëllim zgjimin e ndërgjegjes publike kolektive (public consciousness raising), i cili në stadin e dytë, synon ndryshim të qëndrueshëm nëpërmjet edukimit të kësaj ndërgjegjeje.

    Objektet e ripërvetësuara me iniciativën e kësaj qeverie mbeten në stadin e parë: atë të të zgjimit, të hapjes. Vizioni i saj nuk shkon në stadin e edukimit. Pa këtë stad, çdo akt ripërvetësimi përfundon i abortuar. Madje kthehet në ritual karnevalesk, si netët e karnevaleve, ku për pak orë fukarai mund të mbath kostumin e zengjinit. Kështu, ripërvetësimi dhe ndërgjegja e aktivizuar përkohësisht kanalizohet në turrësi (neologjizmi im ky, nëse vërtetë tiranasit e kanë quajtur voyeur-in turrs) dhe eksitim jetëshkurtër. Është në natyrën e ripërvetësimit të përfundojë i abortuar kur mungon vizioni për vazhdueshmëri. Ç’do të thotë vazhdueshmëri? Boll fakti që këto objekte hapen me zhurmë e mbyllen në qetësi flet për rrezik aborti e vizion të mangët. Në faqen e bunk’artit lajmërohet një sezon i dytë që prej dhjetorit të kaluar: hedhur mes rreshtave spikat edhe premtimi: “Sezoni i dytë do të hapë së shpejti me surpriza të reja.” Formulime të tilla i shkojnë cirkut (a kanë ndërmend të nxjerrin skeletin e diktatorit me “Mërgatën e Qyqeve” në dorë gjatë sezonit të dytë?).

    Po le ta imagjinojmë vazhdueshmërinë: zëre se do hapet përsëri (mbetet e papërgjigjur pyetja “pse u hap tani, pse këto hapje sezonale”?). Le të imagjinojmë një eksursion të një klase gjimnazi te bunkeri: çfarë mund të marrin gjimnazistët/shtetasit nga kjo vizitë? Shumë pak. Nga detaji i “Mërgatës së Qyqeve” që përmend Xha Xhai, plus ç’është qarkulluar në media, duket se probabiliteti për keqinformim është i madh. Por pyetja më afër thelbit të problemit është edhe çfarë bartin këta gjimnazistë/shtetas me vete; sa dritë të informuar prej historianëve sjellin me vete; ç’strategji u janë mësuar për të përqasur një të shkuar që kërkon shumë djersë mbi libra e arkiva për t’u ndriçuar, dhe sa të përgatitur janë këta shtetas të mos harrojnë se sado të gërrmohet, e kaluara mbetet si shpella e Platonit, një faqe plot hije?

    Them se këto pyetje janë më afër thelbit, sepse kjo është detyra fillestare e shtetit, e edukimit shkollor, detyrë e historianëve, e asaj historie që në Shqipëri nuk shet më shumë se 200 kopje për libër. Por as kopjet e pakta nuk ndryshojnë faktin që është detyrë primare e kësaj historie dhe jo e artit. Prandaj, më ngjan se këtyre projekteve u mungon kolonale vertebrale e punës historike, e cila duhet të informojë një art të angazhuar si ky që kërkon të bëjë kjo qeveri. T’ia delegosh detyrën e edukimit artit është si ta reduktosh terapinë psikoanalitike të një viktime të përdhunuar në workshop-e sporadike me titullat bombastik “Pikturo dhimbjen tënde” ose “Dance your rape away”.

    Sigurisht që shprehja artistike ka vlerën e saj, por sa më efikasë dhe të qëndrueshëm janë frytet e ripërvetësimit kur arti i bashkrenditet punës rigoroze të historianit, e do shtoja, analizës kritike të semiologut (që merret me jetën e shenjave). Duhet një ndërthurje e të paktën këtyre disiplinave që ripërvetësimet e një shteti demokratik të provokojnë gjallime të ndërgjegjes publike që arrijnë të krijojnë hapje të reja drej së kaluarës.

    Që ky estetizim i së kaluarës nuk qëllon në shënjestër duket që nga pyetjet që bëjnë komentues seriozë, në këtë blog e tjetëkund, kur thonë: “ç’relevancë kanë këto ceremonira për jetën e shqiptarit?”. Për faj të mangësive të një vizionit të keqrenditur relevanca nuk e arrin qytetarin. Por në fakt të tilla objekte historike janë kyçe, sepse relevanca e një x ndërmarrjeje nuk matet me vlerën që ka për jetesën imediate, atë që s’është veçse mbijetesë. Ne duhet të kthehemi pas e të mësojmë e të rijetojmë, aq sa mund të rijetohet retrospektivisht e kaluara, por për t’i mëshuar, asaj që them më sipër, t’ia besosh këtë detyrë artit është si të vësh qerren para kalit.

  7. Militschi: “Prandaj, më ngjan se këtyre projekteve u mungon kolonale vertebrale e punës historike, e cila duhet të informojë një art të angazhuar si ky që kërkon të bëjë kjo qeveri.”
    Nuk jam shumë e sigurtë se sa thellësi ka angazhimi i artit që po përpiqet të bëjë kjo qeveri. Nëse thellësinë e angazhimit e masim me termometrin e provokimit, atëherë po, arti është i angazhuar në të njëjtën masë sa edhe çorapet e kuqe te Edi Ramës në të kaluarën e afërt.
    E gjithë kjo ndërmarrje (dhe të tjerat e ngjashme) mua më duket si mise-en-scene e një njeriu që njëherësh operon si skenarist, regjisor, kostumograf, skenograf dhe së fundmi aktor kryesor i pjesës në fjalë. Personazhet e tjerë kanë vlerën e figurantit ose të asistentit, psh Parreno si asistent skenograf, Fshazi si aktore në rol episodik, Merkel si censore e pjesës (ju kujtohen censorët e dikurshëm që e shihnin pjesën të parët dhe miratonin – ose jo – shfaqjen e saj? Sigurisht ekipi realizues i pjesës shpresonte që këta – censorët – të mahniteshin prej saj)
    Për këto arsye, nuk arrij të besoj se ri-përvetësimi, si nocion i sjellë prej Militschit, arrin stadin e zgjimit e të hapjes. Ai as që e synon zgjimin apo hapjen meqë synimi kryesor i tij, nw kwtw rast besoj unë, është gjenerimi i vëmendjes për nevoja thjesht narcistike individuale. Zgjimi dhe/ose hapja, gjithnjë nëse këto janë duke ndodhur, janë në të vërtetë efekte kolaterale të atij procesi që përndryshe i shëmbëllen shpalosjes së bishtit të bukur të palloit në mesin e shpezërisë modeste nga pamja dhe nga ambiciet.
    Në fund, dy fjalë për relevancën: Jam dakord kur thoni se “relevanca e një x ndërmarrjeje nuk matet me vlerën që ka për jetesën immediate…”. Larg o Zot dita kur do të ndërpriten financimet për artin apo historinë meqë këto nuk i shërbyekëshin jetesës immediate. Gjithsesi, paketimi i ndërmarrjes si një produkt eklektik i veshur me qyrk historik e i mbathur me sandale artistike dështon në përftimin e një vektori të qartë synimesh dhe / ose vlerash. Kësisoj, teksa vlera artistike mbetet e turbullt dhe po lyp kohë për t’u davaritur, dhe vlera historike është ende një projekt për t’u zhvilluar, na mbetet që të shpresojmë për relevancën apo “added value” të ndërmarrjes në fjalë në mbarëvajtjen e punëve publike.

  8. Militschi: “Prandaj, më ngjan se këtyre projekteve u mungon kolonale vertebrale e punës historike, e cila duhet të informojë një art të angazhuar si ky që kërkon të bëjë kjo qeveri.”
    sophieshqip: “Nuk jam shumë e sigurtë se sa thellësi ka angazhimi i artit që po përpiqet të bëjë kjo qeveri.”

    sophieshqip, shqip flasim, por s’po kuptohemi. Unë shkruaj “që kërkon” dhe jo që bën. Në këto 800 fjalë koment, them se nuk arrin ta bëjë.

    Më tutje: sophieshqip: “Gjithsesi, paketimi i ndërmarrjes si një produkt eklektik i veshur me qyrk historik e i mbathur me sandale artistike dështon në përftimin e një vektori të qartë synimesh dhe / ose vlerash.”

    Unë shkruaj: “Për faj të mangësive të një vizionit të keqrenditur relevanca nuk e arrin qytetarin.” Jo vetëm që s’e arrin, por prezantohet si rit karnevalesk, çka përmban edhe qyrkun dhe sandalet artistike që përmendni ju.

    Atë që thoni rreth narcisizmit, jo se nuk e kam menduar, por sa vlerë ka për argumentin tonë ashtu siç e shtron këtë Xha Xhai, në një nivel semiotik që s’merret me cenet dhe çorapet e personit? Mua më intereson ceni i këtyre nismave dhe tendenca që krijojnë në kulturë. Siç e them, ceni që shoh unë është neglizhimi i edukimit të ndërgjegjes publike mbi një kapitull aq vital për Shqipërinë nëpërmjet atyre formave që i japin thellësi artit: në këtë rast kultivimi i një disipline si historia në shkolla, universitete dhe media (sepse mjaftojnë vetëm pak orë në shoqërinë p.sh. Arte apo BBC-history të ndiesh se sa mirë mediat mund të vihen në shërbim të edukimit dhe mendimit kritik). Është tipike e kësaj mangësie, që bunk’arti e josh publikun me surpriza të reja në sezonin e dytë, duke e shndërruar vetë projektin në bunker’argalisje.

    Për të dhënë një shembull kontrastues: në 2002, në Zvicër pati shumë polemika rreth politikës së imigracionit gjatë L2B, kryesisht në lidhje me refuzimin e çifutëve. U ngrit një komision i pavarur, sepse dukej qartë që as pirgu i librave historikë nuk ishte i mjaftueshëm për t’i shpjeguar popullit të kaluarën e tij. Raporti i komisionit u publikua dhe sinteza prej 619 faqesh mund të lexohet këtu (https://www.uek.ch/de/schlussbericht/synthese/uekd.pdf). Përveç kësaj transparence informative, raporti u diskutua në lloj-lloj mediash e formatesh, sigurisht duke u tematizuar edhe në shkolla, universitete. Një angazhim i ngjashëm i mungon nismave të kësaj qeverie.

    1. Militschi: “por sa vlerë ka për argumentin tonë ashtu siç e shtron këtë Xha Xhai, në një nivel semiotik që s’merret me cenet dhe çorapet e personit?”

      Qartazi paskam dështuar ta përdor simbolikën e çorapeve të kuqe në nivel semiotik.

      Ajo që mbase duhej të kisha theksuar ishte se Rama hyri në jetën publike nëpërmjet provokimit e u konsolidua si lider pikërisht nëpërmjet provokimit. Ndaj edhe çorapet e tij të kuqe në fakt u prezantuan si simbol i antikonformizmit dhe guximit për eksperimente sociale. Gjithsesi, fitorja politike nuk u arrit prej atyre çorapeve (përkundrazi, përparimi i karrierës politike të Ramës ishte në përpjesëtim të zhdrejtë me larminë e ngjyrave të paraqitjes së këtij). Nëse jemi dakord me këtë, pranojmë që edhe përdorimi inflacionist i ndërmarrjeve artistike nuk frymëzohet aq nga shpirti antikonformist se sa nga nevoja për të për të mbajtur gjallë vëmendjen e publikut dhe bashkë me të, edhe miratimin e tij, me çdo kusht, qofshin këto edhe produkte me esencë të vakët dhe dobi modeste.

      Në këtë kontekst, më duhet të këmbëngul në çështje të narcisizmit si frymëzues i një sërë nismash me interes dhe implikim të publikes. Në raste si ky që po flasim, nisma, pasi ka kryer efektin fillestar të shokimit të publikut dhe tërheqjes së vëmendjes, ka sfidën e vështirë që të ofrojë realisht një produkt, apo consumable që midis të tjerash duhet te kultivojë (sipas fjalëve tuaja): një disiplinë si historia në shkolla, universitete dhe media.

      Besoj që tek sfida e mësipërme buron edhe ngurrimi apo mosbesimi i publikut për autenticitetin e nismës dhe potencialin e saj për dobi të mirefilltë dhe të qëndrueshme publike.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin