KONTRADIKTË, JO BURIM ZHVILLIMI

Vura re një kontradiktë në këto zgjedhje – veçanërisht gjatë fushatës – që dua ta diskutoj me ju.

Nga njëra anë, procesi kontrollohet i tëri prej partive politike, të cilat caktojnë emrat e kandidatëve dhe pastaj ua organizojnë fushatat hap pas hapi.

Në fakt, me gjithë suksesin e pjesshëm të kandidatit të pavarur Bojaxhiu në Tiranë, të pavarurit as fituan kund, as kishin shanse reale për të fituar kund.

Kështu me logjikë, partitë politike të mëdha nuk ka pse të investohen kaq rëndshëm në zgjedhjet lokale, sepse këto zgjedhje duhej të shërbenin si hapësirë për komunitetet dhe mikro-politikën.

Nuk ndodhi kështu, për shkak të partitokracisë; meqë partitë janë subjekti kryesor politik në të gjitha instancat, pavarësisht se ato vetë nuk funksionojnë normalisht si parti.

Nga ana tjetër, dy koalicionet e mëdha nuk ndahen mes tyre aq nga programet politike, në shkallë kombëtare dhe lokale, sa nga njerëzit që i udhëheqin dhe nga kandidatët që garojnë në terren.

Fushata në Tiranë, sa për të sjellë një shembull, u zhvillua midis Veliajt, Kosovës dhe, në shkallë më të reduktuar, Bojaxhiut; duke e lënë këtë të fundit jashtë kësaj trajtese me marrëveshje, përplasja midis Veliajt të majtë dhe Kosovës të djathtë nuk themelohej mbi dallimet mes programeve të këtyre dhe as filozofive politike që i frymëzonin; por ngaqë njërin e përkrahte koalicioni A, ndërsa tjetrin koalicioni B.

Vetë koalicionet përvijohen më shumë si fusha të forcës dhe të ushtrimit të pushtetit politik (që në rrafshin e marrëdhënieve me qytetarin përkthehet si klientelizëm flagrant); meqë dallimet mes tyre në programe – në rang kombëtar dhe lokal – nuk janë as të qarta as të përfillshme.

Veçanërisht në sytë e opinionit publik, koalicionet përvijohen si ushtri ose makro-grupime, të koaguluara rreth Ramës-Metës nga njëra anë, Berishës-Bashës nga ana tjetër.

Integritetin e koalicioneve e siguron (1) identifikimi i fortë me leadership-in përkatës dhe (2) një traditë politike e imagjinuar, ku “e majta” i referohet birësisë familjare, farefisnore dhe krahinore ish-puniste, ndërsa “e djathta” birësisë familjare, farefisnore dhe krahinore anti-puniste. Ende nuk është e qartë nëse faktorë të tjerë, si ndarja Veri-Jug, ose faktori kosovar, luajnë ndonjë rol vendimtar në këto raporte forcash.

Gjithsesi, këtu menjëherë përvijohet kontradikta midis partitokracisë, si mënyrë sunduese e ushtrimit të pushtetit; dhe faktit që partitë sot për sot ekzistojnë më shumë si organizime interesash rreth pak liderëve ose personaliteteve të forta në rang kombëtar dhe me mbështetje ndërkombëtare.

Dhe e njëjta kontradiktë manifestohet pastaj në rangun lokal, sepse kandidatët garojnë si persona (ose personalitete) të emëruar prej partive dhe të cilëve u vihet në dispozicion aparati politik dhe mjetet financiare të partive, por që përpiqen të fitojnë votën e qytetarëve me emrin dhe personalitetin e tyre, sikur të ishin kandidatë të pavarur.

Mirëpo, sa kohë që emrat e tyre janë vendosur në tavolina partiake – pavarësisht se me ç’kritere – atëherë atyre u duhet që ta ndërtojnë reputacionin e tyre prej liderësh lokalë gjatë fushatës.

Ndryshe do të ndodhte me kandidatë mirëfilli të pavarur, të cilët reputacionin e tyre ekzistues do ta përdornin dhe shfrytëzonin si kapital politik.

Kandidatët partiakë e marrin kapitalin e tyre politik prej partive (koalicioneve) që i kanë emëruar dhe që i mbështetin; çfarë u mungon, në fillim të fushatës, është reputacioni personal. Që këtej edhe personalizimi i tepruar që u vu re, së paku në disa nga qytetet e mëdha.

Vetë rezultatet e zgjedhjeve nuk më duket se pasqyrojnë aq diferencat midis kandidatëve që garonin – në reputacion, programe dhe besueshmëri – sa diferencat midis koalicioneve. PD-së do t’i duhet shumë kohë që të marrë veten nga katastrofa Berisha, ndërsa Basha duket i paaftë për të marrë në dorë leadership-in e opozitës në Shqipëri.

Koalicioni PS-LSI, së bashku me plotësimet që nuk po i përmend për mungesë vendi, tregoi se në këtë moment nuk ka kundërshtarë; çfarë duhet parë si forca e tij dhe si pika e tij e dobët. Është strategjikisht alarmante që e njëjta forcë politike të kontrollojë legjislativin dhe ekzekutivin në nivel qendror dhe lokal, në kushtet kur treguesit ekonomikë dhe socialë në Shqipëri nuk kanë gjasa të përmirësohen.

Historia e këtyre 25 vjetëve “pluralizëm” dhe zgjedhje “të lira” (theksin e vë te thonjëzat, jo tek termat vetë) ka treguar se fitimtarët gjithnjë janë përpjekur ta shfrytëzojnë fitoren për të shpartalluar krejtësisht kundërshtarët e tyre; sikurse ka treguar se ky tundim sa instinktiv, aq edhe impulsiv, ka dhënë efekt të kundërt.

Këto janë përshtypjet e mia kështu nga larg; mirëpres çdo lloj korrigjimi, debati ose zgjerimi të argumentit nga kolegët.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin