MUZIKË JASHTË KALENDARIT

Historianët e kulturës, artit, letërsisë dhe, aq tepër, biografët, gjithnjë i kushtojnë rëndësi kronologjisë, sepse dy vepra të një autori, sa për të sjellë një shembull të shpejtë, do të kuptohen dhe interpretohen më mirë, sikur të dimë rendin me të cilin janë krijuar.

Kështu, për të studiuar poezinë e Asdrenit, është zakonisht mirë të dihet që në krye se vëllimin Rreze dielli ky poet e botoi në 1904; ndërsa vëllimin Psallme murgu1930; dallimet e rëndësishme në stil, figuracion dhe patos midis dy vëllimeve do të shpjegohen më lehtë, po të kihet parasysh se cili e ka trashëguar tjetrin.

Kjo nuk do të vlente shumë për autorë si Migjeni, të cilët patën shkëlqim meteorik dhe u dogjën sakaq, duke qenë produktivë vetëm për një periudhë relativisht të shkurtër; dhe as për autorë si Lasgush Poradeci, krijimtaria e të cilit pas vitit 1944 – për arsye të ndryshme – nuk duket si vazhdim organik i poezisë së tij në vitet 1930.

Kronologjia lejon të piketohet mirë edhe trajektorja e çdo autori, në raport me autorët e tjerë – duke pasur parasysh se një krijues në hapat e para më shumë përçon ndikimet e mësuesve të tij; ndërsa në fund të krijimtarisë mund të fillojë të përçojë vetveten, ose të përsëritë.

Kjo vjen e bëhet më e qartë në studiuesit e arteve jofigurative; sepse këtu nuk është lehtë, në mungesë të së dhënave “kalendarike”, të vendosësh lidhje midis kohës kur është krijuar një vepër dhe kontekstit historik përkatës.

Kështu, nuk ka dyshim që Konti i Montekristos i Dumas-it është shkruar pas periudhës napoleonike në Francë; por marrëdhëniet midis, të themi, Simfonisë së Tretë të Beethoven-it dhe projektit politik të Napoleonit nuk janë dhe aq të tejdukshme.

Aq e vërtetë është kjo, sa për autorë për të cilët nuk dimë praktikisht asgjë, përveçse që kanë krijuar këtë apo atë kryevepër që u ka rezistuar shekujve, kronologjia e veprave shndërrohet njëfarësoj në biografinë e autorit vetë.

Retrato_de_Domenico_ScarlattiTë gjitha këto pak a shumë njihen. Më shkuan, megjithatë, në mendje, kur lexova para pak ditësh një jetëshkrim të Domenico Scarlatti-t (1685-1757), kompozitor italian që mori pjesë në tranzicionin nga baroku drejt periudhës klasike.

Djali një kompozitori tjetër të mirënjohur, Alessandro Scarlatti-t, Domenico-ja e kaloi një pjesë të madhe të jetës në Spanjë dhe në Portugali. Botoi shumë pak muzikë, sa ishte gjallë; dhe vetëm më pas dolën në dritë 555 sonata të tij për tastierë, të cilat kanë tërhequr dhe vazhdojnë të tërheqin një numër të madh admiruesish anembanë botës.

Për fat të keq të studiuesve dhe kushedi për fat të mirë të kompozitorit vetë, asnjë nga këto sonata nuk është ruajtur në dorëshkrimin autograf të autorit; prandaj kronologjia e tyre nuk dihet, dhe as mund të ndiqet me siguri evoluimi i stilit të Scarlatti-t nga një periudhë në tjetrën.

Sa për analogji, kujtoj këtu se ideja që ka kultura e tanishme për Mozart-in dhe Beethoven-in varet në masë të madhe nga “mosha” e krijimeve të tyre, ose renditja e këtyre krijimeve në kohë. Mozart-i ka shkruar një numër të madh simfonish (të paktën 41); por nga këto vetëm në rreth 10 të fundit, përfshi këtu edhe simfonitë “Haffner”, “Linz”, “Prague”, nr. 40 dhe “Jupiter” shprehet i plotë virtuoziteti i tij krijues. Midis simfonisë së 1-rë dhe asaj së 9-të të Beethoven-it duket sikur ka kaluar një mijëvjeçar; dhe njëlloj ndodh edhe me kuartetet e tij të harqeve.

Si ta përfytyrosh pra, këtë korpus të hatashëm prej 555 sonatash, i cili na ka mbërritur i paketuar, i hedhur me katapultë nga e shkuara; dhe me fare pak indikacione kronologjike?

Përpjekjet për të vendosur rregull në këtë sirtar stolish të çmuara nuk kanë munguar; ekzistojnë sistemime nga Longo, Kirkpatrick dhe Pestelli, të cilat u shërbejnë sot studiuesve si pika referimi; por është vërejtur se kriteret e përdorura në kronologjitë janë pak a shumë rrethore. Sot për sot, sonatat e Scarlatti-t mund t’i vësh në marrëdhënie strukturore, por jo historike me njëra-tjetrën; dhe kjo ua shton magjinë, sepse duket sikur iu dhanë autorit nga një donator “i epërm”; dhe erdhën në këtë botë të gatshme, në vend që të ngjizen, siç ndodh normalisht.

Dikush, më duket Borges-i, sugjeron diku që ta lexojmë Iliadën si të ish shkruar pas Eneidës; kushedi për ta përjetuar në mënyrë krejt të re historinë e antikitetit. Me Scarlatti-n këtij pështjellimi kronologjik nuk i shmangemi dot; çka do të thotë edhe se këtë autor e njohim rishtas, të klonuar nga e para, në çdo sonatë.

Kush u bë kurioz nga këto rreshta, le të dëgjojë një nga sonatat për të cilat shkrova, të cilën e kam zgjedhur sipas shijes sime. Duke vërejtur se nuk kam kurrfarë ekspertize në punë të historisë së muzikës, po shtoj këtu se Scarlatti i sonatave shpesh më tingëllon më afër sensibiliteteve moderne se Mozart-i i sonatave (për piano), pa folur pastaj për Haydn-in ose Carl Philip Emanuel Bach-un, nipin e atij tjetrit, që i përkasin të gjithë periudhës “klasike.”

Domenico Scarlatti, Sonata në Fa Mazhor, K. 17, luajtur në piano nga Mikhail Pletnev:

 

Nuk ka komente

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: