JO ÇDO TALENT SIMULOHET

Një skandal tani së fundi, në Kampionatin Europian të Shahut për Femra në Chakvi, Georgia, mund të nxitë një debat për shkëlqimin individual, gradualizmin dhe barazitizmin, që nga shahu veç merr spunto.

Kur një rumune, Mihaela Sandu, e cila kish pasur rezultate mediokre deri para këtij eventi, e nisi turneun me 5 fitore rresht, një grup lojtaresh u dërgoi dy letra organizuesve të kampionatit, për të kërkuar masa më të forta kundër mashtrimit në shah (cheating), madje duke akuzuar Sandu-n drejtpërdrejt.

Në fakt, mashtrimi ka kohë që është kthyer në makth për eventet shahistike, sidomos ato të kategorisë së dytë e më poshtë. Për shkak të përhapjes së gjerë të programeve dhe app-eve që luajnë shah në nivel mjeshtri ndërkombëtar, shumë pjesëmarrës në këto evente tundohen nga çmimet e premtuara dhe gjejnë gjithfarë mënyrash për të komunikuar me bashkëpunëtorët e tyre në sallë ose gjetiu.

Mashtrimi, pra, është real; dhe një numër shahistësh janë kapur në flagrancë, me aparatura të fshehura në këpucë ose gjetiu.

Megjithatë, nuk është gjithnjë e lehtë t’i kontrollosh ata që marrin pjesë në turne për aparatura të fshehura dhe marifete të tjera; dhe ka raste kur lojtarë dyshohen se po mashtrojnë thjesht për nga mënyra si luajnë ose nga lëvizjet që zgjedhin.

Në fakt, kur një lojtar me koeficient relativisht të ulët (p.sh. 2300) fiton rregullisht ndaj mjeshtrave të mëdhenj; dhe lëvizjet e tij në pozicione kritike përkojnë me ato që do të bënte makina, atëherë organizatorët (dhe mjeshtrat që janë mundur) kanë të drejtë të fillojnë të dyshojnë.

Ideja bazë pas këtij supozimi – shpesh traumatik për personat e interesuar – është se një lojtar pak a shumë do të luajë në atë nivel që e sugjeron koeficienti i tij; dhe se përmirësimet në lojë nuk mund të vijnë veçse gradualisht.

Përkundrazi, kur një shahist vjen si me thënë nga rruga dhe papritur fillon të fitojë ndaj mjeshtrave të mëdhenj, atëherë shumëkush do ta tregojë me gisht si të dyshuar për mashtrim.

Dhe kjo filozofi e paranojës përbën një risi: më parë, shahistë të tillë do të tregoheshin me gisht si gjenij. Kampionë si Tal-i ose Fischer-i dikur, të admiruar nga bota mbarë si prodigies, tani do t’u nënshtroheshin gjithfarë kontrolleve para dhe gjatë turneve.

Mihaela Sandu

Mihaela Sandu

Sikurse ndodhi edhe në Chakvi, rumunia Sandu u akuzua si mashtruese vetëm e vetëm sepse po fitonte lojëra që, sipas koeficientit të saj, nuk duhej t’i kish fituar; pa çka se lëvizjet e saj, të analizuara më pas në tavolinë, nuk rezultuan gjë të sugjeruara nga ndonjë program. Në fakt, analistët menjëherë panë se fitoret e Sandu-t kishin ardhur më shumë si rezultat i gabimeve të kundërshtareve të saj.

E tronditur nga akuzat dhe polemikat që pasuan, Sandu filloi t’i humbë radhazi lojërat që i kishin mbetur; duke përfunduar viktimë e shkëlqimit të saj fillestar.

Paradoksalisht, mundësia edhe thjesht teorike e mashtrimit nëpërmjet një pajisjeje celulare dhe një app-i që luan shah mund të çojë në konsolidimin e statu quo-së dhe të mediokritetit, duke i vënë talentet e mëdha para trysnisë psikologjike: duhet të provojnë të pamundurën, ose që nuk po mashtrojnë.

Talentet e mëdha, gjenitë dhe prodigies gjithnjë shihen me frikë prej të tjerëve; dhe barazitizmi është streha e fundit e humbësve; por le të mos harrojmë se arritjet e një shoqërie në kulturë, në art, në sport dhe në industrinë e spektaklit janë gjithnjë arritje të një grushti individësh me talent të spikatur; por edhe psikologjikisht të brishtë. Do të ishte fatkeqësi që obsesioni i sotëm me fair play-n t’i bënte këta pak individë të rrallë dhe të vyer të ndihen fajtorë për dhuntitë e tyre.

Ngjitja meteorike e dikujt – qoftë ky sportist ose artist ose edhe politikan – mund të jetë pasojë e dhuntive të tij/të saj të pashembullta; sikurse mund të vijë edhe për shkak të mashtrimit.

Prandaj gjithnjë ia vlen të pyesim veten sa etike dhe shoqërisht e shëndetshme është paranoja që na nguc të vëmë në dyshim arritjet, çfarëdo arritjesh. Ajo çfarë ndodh në sportet kompetitive, ku shkëlqimi gjithnjë shoqërohet nga akuza për doping – të cilat herë pas here konfirmohen – mund të shërbejë si metaforë e mënyrës si reagojmë të gjithë ne përballë talentit dhe suksesit të tjetrit; që mund të shkaktojë po aq dëme sa edhe mashtrimi vetë.

Dhe le të mos harrojmë këtu konspiracistët, farë pjellore, që besojnë se suksesi i dikujt gjithnjë vendoset në tavolina përtej vëmendjes së publikut; ose atje ku burra të pushtetshëm luajnë poker me fatet e botës dhe të gjithëve ne që ende shpresojmë te randomiteti.

Paranoja jo rrallë përligjet nga realiteti; por a mjafton kjo përligjje për të na detyruar ta përjashtojmë, me përkufizim, gjeniun ose talentin e jashtëzakonshëm, si faktor të suksesit?

Çfarë ndodhi në Chakvi, Georgia, tregoi se parimi i fair play, aq themelor për sportin kompetitiv, mund të përdoret për të shkatërruar një trajektore triumfi; sepse duket e logjikshme të vendosësh një lidhje midis letrave të lojtareve dhe kolapsit të rumunes së akuzuar, gjatë gjysmës së dytë të turneut. Preokupimi i tepruar për fair play mund të përftojë kështu unfairness.

Një histori të incidentit në Chakvi mund ta lexoni këtu.

No Comments

  1. Interesante kjo Xhaxha, më rezonoi me një artikull që lexova jo më larg se dje për mashtrim masiv në lëmin e kërkimit shkencor, siç cilësohet duket se është mashtrimi më i madh në këtë lëmë në dekadat e fundit. Mjaft intriguese ishte edhe të lexoje mbi personazhin që perpetroi mashtrimin: karizmatik, bindës, savvy në përdorimin e teknologjisë më të fundit…gjithsesi mashtrues…për më shumë:
    http://www.slate.com/blogs/browbeat/2015/06/01/gay_marriage_study_faked_how_grad_student_david_broockman_uncovered_a_huge.html

  2. Interesante. Nga njera ane gjithe ky kontroll deri ne paranoje rrezikon te coje dem talente, nga ana tjeter mungesa e tij mund te coje dem vete lojen. Pare ne nivel makro, sporti ne pergjithesi ka qellime qe e tejkalojne talentin. Flas ketu per kalitjen, kompetivitetin, shpirtin e gares, tolerancen, largimin nga vesi, etj. Te gjitha keto kane nevoje per nje premise te panegociueshme : lojen e ndershme brenda rregullave. Psh sporti ne Shqiperi ka ndjekshmeri teper te ulet jo per shkak te nivelit (ose jo kryesisht), por sepse ka humbur besueshmerine me paracaktime rezultatesh apo gjithfare marifetesh.