PRAPË ME STALININ

Historiani dhe sovjetologu Stephen Kotkin prezantoi mbrëmë, në Celeste Bartos Forum, Biblioteka Publike e New York-ut, vëllimin e parë të monografisë së tij për Stalinin, nëpërmjet një bisede në formë dialogu me Slavoj Zizek-un.

Kur flet për Stalinin, nuk mund të shmangësh debatin për dhunën kataklizmike që u përplas mbi Bashkimin Sovjetik të viteve 1930 – në të gjitha shtresat dhe nivelet e shoqërisë, që nga kuadrot më të larta në udhëheqje, deri te fshatarët më të këputur.

Ky ishte terror i organizuar si të ishte prodhim në shkallë industriale, pa përjashtuar edhe kuotat e përmuajshme dhe llogari-dhënien statistikore në linjën e pushtetit për të pushkatuarit, të burgosurit dhe të internuarit.

Në batutat e para të bisedës, Zizek-u u tregua entuziast që edhe Kotkin-i anonte nga teza se mizoritë e Stalinit nuk mund të shpjegohen me rrugë psikologjike, ose duke e paraqitur liderin sovjetik si mishërim metafizik të së keqes; dhe se ato mizori duhen trajtuar, njëfarësoj, si produkt i vetë sistemit politik të dalë nga Revolucioni i Tetorit.

E megjithatë, as Zizek-u as kolegu i tij nuk arritën të sjellin ndonjë provë për dobinë ose nevojën e një dhune të tillë që u shkatërroi jetët dhjetëra miliona njerëzve.

Duke iu referuar incidentit të tanishëm të Germanwings Kotkin-i e krahasoi Stalinin e viteve 1930 me një pilot që krejt papritur vendos ta përplasë avionin e vet në tokë.

Po pse vallë? Pasi e kish përjashtuar tezën e Stalinit demon, duke e nxjerrë përjashta nga dera, ai u detyrua ta futë nga dritarja; sidomos përballë pyetjes “kundërfaktuale” të Zizek-ut, në lidhje me çfarë do të kish ndodhur me Bashkimin Sovjetik, sikur Stalini të kish vdekur dikur në mes të viteve 1920, nga një aksident çfarëdo.

stalinTë dy biseduesit ranë dakord se dhuna staliniste nuk mund të ndahet nga personaliteti i Stalinit; edhe pse e pranuan se në formimin e këtij personaliteti rol vendimtar kish luajtur përvoja e tij politike prej revolucionari, në Rusinë cariste dhe më pas prej lideri revolucionar, “nxënës” të bindur të Leninit.

Çka e risjell seriozisht në vështrim hipotezën e demonit si mishërim të së keqes kozmike.

Zizek-u u duk tepër i eksituar, me mundësinë që iu dha për të diskutuar lirisht Stalinin me një sovjetolog kompetent; një temë ku, me siguri, ndihet në elementin e vet. Edhe pse Kotkin-i është historian profesionist dhe duhet të ketë bërë punë të jashtëzakonshme me arkivat për të përgatitur veprën e vet, mua Zizek-u m’u duk më i besueshëm në qasjen e vet, pa çka se as njëri as tjetri nuk iu afruan dot zgjidhjes së enigmës.

Si gjysmë me shaka, mendova se kushedi Zizek-u e shijon kaq thellë dhe kaq intelektualisht enigmën e dhunës staliniane të viteve 1930, dhe e rrok kaq mirë enormitetin e saj, sa të parapëlqejë që ajo të mbetet pa shpjegim; si të ishte “singulariteti” që qëndron në themelet e socializmit real.

Sikurse dihet, absurditeti i terrorit stalinist kish të bënte, para së gjithash, me faktin që viktimat e tij ishin krejt të pafajshme – dhe se të gjitha akuzat, marrjet në pyetje dhe gjyqet publike ishin pjesë e një teatri makabër, ku fiksioni shndërrohej në realitet, ndërsa realiteti në makth.

Akuzuesit ndërtonin hipoteza fantastike për veprimtari brutalisht armiqësore të viktimave; ndërsa viktimat i pranonin fajet e tyre imagjinare haptazi, në sy të botës mbarë.

Nëse kish apo jo njerëz që besonin vërtet se kështu po likuidoheshin armiq dhe jo po shfaroseshin të pafajshëm, kjo çështje është dytësore ndaj asaj tjetrës: sa i shërbeu vërtet kjo dhunë Stalinit, pushtetit të tij dhe shtetit sovjetik?

Kotkin-i me siguri do të ndalet, në vëllimin e dytë të veprës, te marrëdhënia midis fillimit të terrorit në shkallë industriale dhe konsolidimit të revolucionit, pas viteve të marrëzishme 1920. Në rrafshin praktik-administrativ, stalinizmi së paku në krye përkoi me një normalizim të punëve – ose me qetësimin e vrrullit revolucionar të pas 1917-ës, që nuk lejonte kristalizimin e institucioneve e të marrëdhënieve sociale dhe disiplinimin e jetës publike.

Por ç’nevojë kishte që ky normalizim të shoqërohej me masakër shumë-milionëshe, në rrethanat kur rezistenca e organizuar kundër Stalinit dhe pushtetit sovjetik nuk ekzistonte?

Ç’kuptim kish identifikimi dhe pastaj asgjësimi i gjithë atyre sabotatorëve, spiunëve, trockistëve, agjentëve të huaj, puçistëve, të shiturve; ose likuidimi i një klase të tërë, kulakëve, në rrethanat kur asnjë akuzë ndaj tyre nuk qëndronte?

Përgjigjja, thotë Kotkin-i, duhet kërkuar më herët, ose në vitet kur revolucioni ishte ende në proces. Zizek-u duket sikur beson, përkundrazi, se terrori stalinist mund të përshkruhet në çdo nivel abstragimi, por vështirë se mund të shpjegohet deri në fund me argumente historike.

Diçka e ngjashme ka ndodhur në Shqipëri, kur Enver Hoxha ndërmori edhe ai spastrimet e veta në të gjitha nivelet e shtetit dhe të pushtetit dhe të shoqërisë shqiptare në vitet 1970, ose pas përfundimit të periudhës së “revolucionarizimit të përgjithshëm të jetës së vendit” gjatë gjysmës së dytë të viteve 1960.

Edhe në rastin e Hoxhës, terrori – pa çka se jo në përmasat e Bashkimit Sovjetik të viteve 1930 – pasoi një periudhë vrulli dhe zelli revolucionar të paprecedent.

Mund të formulohen disa hipoteza, për të shpjeguar pse ky terror filloi pikërisht në 1973: plakja dhe sëmundja e Hoxhës, lufta për pasardhje, vetëdija se sistemi kishte dështuar.

Por edhe këtu hipoteza më e kënaqshme kushedi do të ishte se terrori ndaj të pafajshmëve është pjesë e ciklit jetësor të shtetit totalitar.

Nuk ka komente

  1. E megjithatë, as Zizek-u as kolegu i tij nuk arritën të sjellin ndonjë provë për dobinë ose nevojën e një dhune të tillë që u shkatërroi jetët dhjetëra miliona njerëzve.

    Kjo eshte si te vesh ne dyshim dobine e bombave berthamore.

    A ka mundesi qe dobia e kesaj dhune te jete thjesht e nje natyre mekanike? Dmth a u krye kjo dhune per arsye se ekzisonte makineria qe mund te prodhonte ate dhune? Kur them makineri, e kam ne sensin teknologjik te fjales.

  2. “Zizek-u duket sikur beson, përkundrazi, se terrori stalinist mund të përshkruhet në çdo nivel abstragimi, por vështirë se mund të shpjegohet deri në fund me argumente historike.” — Xha Xhai

    Nuk arrita ta shoh deri në fund bisedën (mbetet për ditët e Pashkëve), por nga ky konkluzion që ke nxjerrë, Xha Xha, plus nga shënimet e sotshme rreth “Otellos”, shoh dy hallka të lidhura nga një frazë e S. T. Coleridge, “the motive-hunting of motiveless malignity”, ç’do të thotë, siç e kuptoj unë, se të duash të shpjegosh ligësinë e Jagos apo mizorinë e Stalinit me fakte historike e psikologjike është të racionalizosh atë që i shpëton arsyes, të padepërtueshmen që Zizek e quan “void of the Real”, ta mbushësh këtë me justifikimet e personalitetit.

  3. zizeku i vodhi shfaqjen Kotkin me perulesine e tij (correct me!, you know better) dhe protagonizmin… por Zizek kerkonte me ngulm te racionalizonte krimet, qofte edhe nepermjet ideologjise se kokave te drunjta (qe edhe jashte protokollove perdornin te njejtin gjuhe).. kam idene se ka vertetesi ne te dyja qasjet.

    Dhe me pelqeu nderhyrja e Kotkin se ishte nje kohe ku jeta e robit nuk vlente me shume se nje cm fitim llogore, gjate luftes se pare boterore. Dmth. sa vlere ka jeta e robit ku po ndertohet socializimi, po realizohet nje ide? hic gje, per te ardhmen Hitleri hapi furrat e kampet, e Stalini kosiste rradhet e vete.

    Patjeter qe ka edhe nje arsyetim te “ligesise”, te emocioneve e demonizimit te Stalinimit. Por kjo eshte qasja qe nje historian merr si njeri, e jo si robot. Pyetja eshte: a do ta beja une? Edhe Kotkin krahasoi Hitlerin me Stalinin, apo nevojen e politikaneve per te zhdukur personat qe pengojne reformat, aleatet e tyre. Une nuk do ta beja, e kjo nuk me ben te lig. Por nga ana tjeter: cfare duhet te beje me nje burokrat a gjeneral qe nuk zbaton urdherat? Kush e ka forcen shpirterore ti sakrifikoj keta njerez per hir te idealit a projekteve? te ligjte? apo kokeshkretet?

    1. “Kush e ka forcen shpirterore ti sakrifikoj keta njerez per hir te idealit a projekteve? te ligjte? apo kokeshkretet?”

      Po përse duhet shtruar kjo pyetje? A thua se idealet dhe projektet kanë vërtet nevojë për sakrifica njerëzore!

      Ideja se miliona njerëz të pafajshëm ishin pengesë për ndonjë reformë të mirëfilltë, qoftë edhe me natyrë komuniste, them se është fare e pabazuar.

      Megjithatë, edhe nëse i pranojmë pengesat, kjo histori duket se flet keq për reformat, dhe jo për ata që “i pengonin”, që siç thotë edhe Kotkin duket se kanë pasur të drejtë.

      Po perifrazoj diçka që më ka ngelur në mëndje nga një profesor imi që thoshte: “the modern world can only be endured if it is constantly challenged”. Kjo për faktin se moderniteti, në mos mizor, është totalitar nga natyra. Problemi është që rezistenca apo kundërshtia ndaj figurës së Stalinit dhe e dikatorëve të lindjes, që ishin edhe fytyra e modernitetit, as që mund të imagjnohej jo më të praktikohej.

      1. ka pasur rezistence, perderisa sic edhe thone se e helmuan te ikte, prandaj duhej mbytur ne djep, tek vonesat e shkresave, kundershtimet nen ze mes miqsh. .. une jam me ate qasjen e Zizek, qe nese njerezit besojne se duhen sakrifica, atehere do te kete – e jane te ndergjegjshem edhe ata qe sakrifikohen, kujto “me ka denuar partia!”, sepse njerezit besojne dhe jetojne nje ide a ideologji.. keta conin robte ne kasaphane, e vete i ndiqnin pas, me deshire nese arrinin te vete-sugjestionoheshin se kishin gabime. .. Edhe prioriteti i ishte dhene armikut te brendshem, me koston, sic permendet p.sh. te eleminimit te 1/3 te personelit te KGB-se gjate spastrimeve te viteve 30. I brendshmi, sikur vetja jone sa here, behet pengese per realizimin e nje projekti.

        1. Nëse i referohesh Zizek-ut me kritikën e “The Life of Others” në çështjen e motivimit të regjimit kur thotë se “even if no minister wants to f**k your wife, you still will be under constant observation”, del qartë se motivet e liderit komunist apo bolshevik shkojnë përtej motiveve psikoanalitike Frojdiane të njeriut të shekullit të 19-të. Ato shkojnë në favor të një projekti, por gjithësesi jo përtej paranojës.

          Shkaku i paranojës, dyshoj se është thjesht projekti. Them se është edhe roli paternalist që shteti komunist merr në emër të projektit.

          Duke patur paraysh paternalizmin, a mund të merret motivimi i Stalinit si shembull i motivimit dhe përkushtimit të liderit ndaj çfarëdo projekti?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin