Ju lajmëroj për dy botime kulturore të muajve të fundit, ku janë përfshirë edhe tekste të miat.
Duke filluar me Lapidari, një vepër sa voluminoze, aq edhe ambicioze, e kuruar nga Vincent W.J. van Gerven Oei, Marco Mazzi dhe Xheni Alushi; rezultat i një ndërmarrjeje që do ta quaja heroike të Departamentit të Shqiponjave, për katalogimin e plotë, në terren, të asaj ç’ka mbetur nga lapidarët e Luftës Na-Çl në Shqipëri.
Tre vëllimet e veprës, një edicion dy-gjuhësh, mund të shkarkohen falas që këtej:
http://punctumbooks.com/titles/lapidari-volume-1/
http://punctumbooks.com/titles/lapidari-volume-2/
http://punctumbooks.com/titles/lapidari-volume-3/
Libri gjithashtu mund të printohet on demand.
Vëllimi i parë i kësaj vepre përmban materiale të shkruara, përfshi edhe ese dhe studime kushtuar lapidarëve.
Aty do të gjeni edhe një ese të gjatë timen për mbishkrimet në lapidarët, të titulluar: TEKSTE TË GDHENDURA NË KALENDAR: një lexim semiotik i mbishkrimeve në monumentet përkujtimore të periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare.
“Lapidari” do të prezantohet sot në Tiranë, në orën 19:00, tek Tulla Culture Center.
Nga Tirana le të kalojmë në Bukuresht, ku ka dalë tashmë nr. 45-50 i revistës Haemus, nën kujdesin e Ardian Kyçykut.
Ky numër voluminoz – mund ta shfletoni këtu – përmban materiale nga fusha të ndryshme kulturore, përfshi letërsinë, historinë, kritikën letrare etj.; një pjesë e madhe e të cilave janë në versione dy-gjuhëshe, shqip dhe rumanisht.
Mes këtyre, gjenden edhe disa tekste të miat, përfshi tregime të MaGje-s dhe ese.
Xha Xha, urime! Doja ta lexoja “Tekste të gdhendura në kalendar”, a mund të gjehet diku tjetër online, për jo-përdorues të facebook (në fakt edhe aty link-u del me difekt)?
Falemnderit.
Provo ta shkarkosh këtu vëllimin e parë:
https://www.dropbox.com/s/9oa9ba6b1682pnn/DOE_Lapidari_Volume_1_Texts.pdf
Link-u i dhënë në shkrim nuk ka defekt, por vetëm faqja përkatëse paraprihet nga një kërkesë për të dhuruar dicka për Punctum Books. Ndoshta disa shfletues (browsers) i bllokojnë ekrane të tilla.
Xha Xha, faleminderit për mundimin, arrita ta shkarkoj — e kullufita, jo lexova. Më la në mendime mbyllja, dmth paralelizmi mes tekstit të lapidarit dhe çertifikatës, dhe më ka ngelur pyetja pezull pasi dy pllaka në Gjenevë më kujtuan njëra-tjetrën, një përkujtimore e banesës dhe veprimtarisë së George Eliot, tjetra e Borges-it, ku, si në lapidare, mungon vula, firma autoritetdhënëse, e po mendoja nëse kjo mungesë nuk është tipike vetëm për diskursin totalitar që i fshin gjurmat e autoritetit për t’i natyralizuar e popullarizuar. (Këto pllaka më kujtuan një tjetër ngulur në murin rrethues të një shtëpie ish-partizanësh në Vlorë, dhe nëse s’gabohem, mungesa përsëritet edhe aty.) Me siguri më mungon mua ndonjë pjesë e “puzzle” …
(Pllakë përkujtimore për George Eliot: http://openplaques.org/plaques/7383
dhe e Borges http://www.sequentielle.com/temp_borges/manif/welcom_f.htm)