ZGJOJE

zgjúa, zgjói m.sh. zgjóje(t) arkë e posaçme a kosh ku bletët rrinë e bëjnë mjaltin; koshere; tërësia e bletëve që rrinë në një arkë të tillë

Zgjoje – për çfarë na duhet ky blog i ri? Ç’nevojë kishte për të?

Gjykoni vetë. E kemi menduar si një hapësirë ku vizitorët të ngjërojnë mjaltin që prodhojnë bletët e kulturës shqiptare, duke e mbledhur nektarin lule më lule.

Mjalti merr shijen dhe aromën e luleve ku ushqehen bletët; dhe shërben pastaj si ushqim. zgjoje image

Njëlloj edhe kultura është një cikël i pandërprerë, ku krijuesit dhe publiku ushqehen dhe ushqejnë, dhe ku kërkon të gjejë vendin e vet modest edhe ky blog.

Duam të informojmë për çfarë ndodh në hapësirën kulturore, përtej atyre ngjarjeve që gëzojnë favorin dhe vëmendjen e mass mediave dhe që i gjen, të sponsorizuara politikisht, në çdo faqe informacioni.

Dhe duke informuar, duam t’i mbledhim bashkë lajmet kulturore, në mënyrë që ato të hyjnë në dialog mes tyre edhe si lajme, për t’u treguar të interesuarve se diçka lëviz dhe prodhohet.

Seksionet e kulturës në shtyp, edhe kur nuk i kanë mbyllur akoma si të paklikuara, lajmërojnë për gjëra të kalibrit të “Big Brother” dhe për prapanicat e Kim Kardashian-ëve shqiptare.  Aq më tepër që jo rrallë ndodh që materiale shumë të mira kalojnë pa vëmendje, thjesht ngaqë askush nuk dëgjon asgjë për to.

Lexuesi i interesuar, edhe kur dëshiron të informohet, duhet të kalojë shumë kohë me shfletime, nga një prapanicë në tjetrën, pambarimisht.

Se ç’rrugë do të marrë Zgjoje, këtë është ende herët ta themi. Duam të ndihmojmë duke informuar – duke ua vënë krijuesve punët në pah dhe duke i kombinuar në kontekste të përbashkëta.

Projekti ynë i ri i ka rrënjët në blogun Peizazhe të Fjalës, por ndryshe nga ky nuk do të kufizohet me prurje origjinale; dhe do të synojë t’i shërbejë kulturës kryesisht duke e mbështetur, ushqyer me informacion dhe ekspozuar protagonistët.

Duam të jemi agregator – por jo vetëm i materialeve që ofrohen nga mass mediat. Këto të fundit kanë politika editoriale dhe interesa për të ndjekur – të cilat shpesh janë edhe shkaku që kultura shqiptare sot po vuan pasojat e komercializmit dhe të indiferencës së publikut.

Dëshira jonë pra është që të përcjellim drejtpërdrejt dëshirat dhe kontributet e krijuesve, duke vendosur një linjë komunikimi jo-komerciale mes tyre dhe publikut.

Por sa do t’ia arrijmë? Le ta bëjmë këtë bilanc pas disa muajsh. Dhe deri atëherë, urojmë që eksperienca në blogun e ri t’ju ketë shërbyer për diçka.

Nuk ka komente

  1. Pergezime te sinqerta per nismen ! Ka aktualisht tentativa te tilla te peraferta ne blogosfere, edhe pse per fat te keq me nje sukses relativisht modest, per shkaqe qe edhe varen po edhe nuk varen nga administratoret perkates. Mirepo PTF eshte nje garanci tashme dhe une besoj vertet se kesaj radhe ka per te levizur dicka. Suksese !

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: