VARIACIONE MËNGJËRASHE

Në hyrje të Bllokut pasanik me histori skajshëm majtiste në Tiranën tonë të çmendur, ka një rrugë të mëngjër që kthehet 90˚ djathtas (unë i futem Bllokut gjithnjë nga Ura e Lanës), e që quhet Brigada VIII. Është nga të pakëtat për të cilat e ke të vështirë të kuptosh nëse i takojnë apo jo hapësirës shqiptare, për nga trotuarët, arkitektura dyqanore dhe emrat e boutique-ve, vetrinat, llojet e makinave të parkuara apo parfumet që të has hunda kur kalon.

Mund të kish qenë fare mirë tjetërkund në Evropë. Por ama, në vështrim të parë, emri Brigada e VIII i rri Bllokut po aq natyrshëm sa Papa Françesku do i rrinte një feste bunga-bunga të Berlusconit. Por ndoshta gaboj. A është në fakt Blloku ynë simboli perfekt i së djathtës së shfrenuar që s’pyet për ata që shkel me Ferragamo dhe ata që përqesh, veç ca metra përtej, apo simbol i një-ish të majte, rikthyer në Bllok me një tjetër fytyrë që kapardiset pasanike tamam atje ku e kanë përdhunuar dikur? Apo punët tona të majta e të djathta janë përzier aq keq, sa s’e rruan kush për vlerat e dy mendësive me procese e synime sociale të ndryshme, por vetëm për sa fitohet e sa kontrollohet? Unë nuk kam material të mjaftueshëm t’u përgjigjem këtyre pyetjeve, dhe jua them që tani që të mos e prisni. Thjesht, doja t’i ndaja me ju ngacmimet e mia.

I kam rënë Bllokut vërdallë të shihja se mos gjeja edhe emra brigadash të tjera sulmuese, por s’gjeta. Pastaj iu futa kërkimit të gjeja ç’mundesha për Brigadën VIII që të justifikoja ekzistencën e saj stoike dhe vetmitare në mes të Bllokut. Është e çuditshme sa pak gjëra gjeta online. Por çuditërisht mora vesh që ishte formuar në Prill 1944 në Sheper të Zagorisë. Më kujtohet që pikërisht në Sheper më kish marrë im atë kur filmonte për RTV një përvjetor të një brigade. Pa dyshim ka qenë kjo e teta! Kam qenë nën 10 vjeç besoj. E mbaj mend mirë se ishte hera e parë që për mëngjes haja mish qengji të ftohtë me një djathë të bardhë me erë të fortë bagëtie. Dua të di se si mund të lidhen kalimtarët e tjerë në këtë rrugë me Brigadën VIII. A e vënë re fare emrin kaq socialist të kësaj rruge partizane? Online ka më shumë material për disa brigada të tjera, sidomos për më të njohurat si e para dhe e dyta kryesuar nga Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku. Po pse të ketë ngelur emri i kësaj të tetës, dhe jo i brigadave më në zë? Himni i Brigadës së Parë Sulmuese (dhe jo të tetës) ishte nga këngët më të njohura partizane! Një lloj përgjigjeje vjen nga një shkrim i Y. Polovinës http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/01/brigada-labe/ që e lëvdon Brigadën në termat përdorur nga vetë armiku nazist. Kjo brigadë na paskësh qenë një ringjallje e lëvizjes pas dëmeve të Operacionit të Dimrit. Gjithashtu Polovina thotë se gjermanët e kishin quajtur Brigada Labe, ku epiteti nuk përshkruan thjesht krahinën e disa çetave e batalioneve që e përbënin, por edhe natyrën e trimërisë së brigadës. Të jetë lab edhe Polovina?!

Kish qenë që prej komunizmit emri i rrugës dhe ngeli aty, apo ia vunë emrin më pas? Gjendet në një zonë populluar nga shumë lebër krenarë? Ndonjë baba banues aty, biri a bija e të cilit kish lidhje me ata që u vinin emra rrugëve, kish qenë partizan në të? Informaliteti në Shqipëri s’çudit njeri. Vras mendjen, jo nga që kam gjë kundër Brigadës VIII. Përkundrazi: respektoj fort ata që luftuan nazizmin, sidomos me armë në mal. Por dua të di nëse kjo Brigada VIII shfaqet në Bllok si një vlerë e rastësishme, apo si element i një mendësie të majtë dhe i respektit masiv apo institucional për akte të majta, historike apo bashkëkohore. Pavarësisht nga mendimet e mia, Brigada VIII aty ku është gdhihet e qetë mëngjeseve, dhe bie në shtrat zhurmshëm dhe e lodhur netëve, pa i bezdisur hiç tiranasit.

Jo fort larg Rrugës Brigada VIII, duke kaluar drejt perëndimit përtej Shkollës Edit Durham (shkolla nuk ishte aq fatlume sa rruga, se ia kanë hequr emrin disadekadësh “11 Janari”), një tjetër institucion interesant i referohet simbolikisht mentalitetit bllokist të dikurshëm: “Hostel Propaganda”, me shenjat e drapërit dhe çekanit në krah të emrit stampuar më shumë se një herë në fasadën e ndërtesës. Ditën e parë buzëqesha dhe i bëra një foto. Pastaj pyeta rreth e rrotull. Më thanë se pronar ishte (një tjetër më tha se s’ishte më tani, dhe se e kishte shitur) një farë nipi i Enver Hoxhës. Të nesërmen shkova ta shoh. As nip Enveri, as nip Hysniu s’kishte dhe s’kishte pasur atje! Dhe nuk besoj se dy pronarët dhe administratorët më gënjyen kur më thanë se prona e vendit s’kish pasur lidhje me ndonjë të ish-bllokut: ishin dy çuna të rinj për së mbari (për të mos thënë “çuna Tirone”), të edukuar, të qeshur, të hapur dhe të muhabetit. Njëri madje më tha se ia kishin sikterisur prindërit larg Tirane dikur, por pastaj ishin rikthyer. Më pyetën çfarë doja të pija. Unë s’vendosja dot mes rakisë dhe çajit kamomil. Si mund të isha më e balancuar kur gjendesha në Hostel Propaganda?! Kish dy-tre goca të huaja në hall-in e hotelit, kati i tretë a i katërt i ndërtesës, në mos gaboj. Muret ishin mbushur me foto, parulla, orendi e zbukurime socialiste që gjendeshin dikur jo vetëm nëpër shtëpitë tona, por edhe në ndonjë pallat kulture ose repart ushtarak.

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

Por eklektizmi dhe super-zënia e hapësirës, s’e prishte hiç shijen e mirë të mobilimit dhe atmosferës që kishte aty. Njëri prej pronarëve më tha se i kish mbajtur objektet rrasur në apartamentin e tij, dhe më pas ku mundej sepse sa vinin e shtoheshin. Ishte i lumtur që ideja e hostelit i kish shpëtuar familjen, se partnerja e vet nuk duronte dot më malin me rrangullina socialiste që i rrinte mbi kokë në krevatin dopjo. Mobilimi i dendur e bënte edhe më kompleks hostelin labirint. Dritë-hijet që thyheshin nëpër kthesa dhomash, korridoresh dyersh e dritaresh të çrregullta, gjithashtu ishin çuditërisht socialiste… apo u hipnotizova unë teksa isha brenda?!

Hostel Propaganda ishte një lloj cope histori-ironi-businessi real, por ishte edhe një lloj muzeu, edhe një lloj kalcifikimi propagande marksiste, edhe një lloj venerimi humoristik i diktatorëve të gjithë kohërave moderne, edhe projektim i vuajtjes njerëzore gjatë komunizmit, por edhe i ngrohtësisë njerëzore që s’shteron as në kushte terrori, dhe po ashtu i resiliencës për të krijuar rehati shtëpiake edhe kur orenditë ishin të rralla, të shtrenjta dhe të shëmtuara (pa zënë me gojë që ishin edhe të gjitha njëlloj). Ah, harrova të them që ishte edhe hotel, Hostel Propaganda! Një ndër më të këndshmit në Tiranë duhet të them! Krejtësisht jo konvencional, por i bukur. Do doja ta gjeja këtë hostel diku tjetër ku nuk kisha shtëpinë time, dhe të flija aty! Për hir të së vërtetës, duhet të them se nata qe edhe fort e lirë! Enveri shfaqet nëpër foto të ndryshme në këtë muze allasoj, dhe është figurë qendrore, ende rrethuar nga kornizat prej teneqeje tipike përdorur nëpër shtëpitë shqiptare gjatë komunizmit. Shpresoj që Enveri nuk u fanitet natën bujtësve. Por hosteli kishte edhe Marks, Engels, Lenin, Stalin, dhe Mao. Madje kishte edhe Duce dhe Hitler. Ah, radiot e ëmbla dhe të shëmtuara Iliria; kolltukët tipikë dhe tavolinat 2000-lekëshe; tavolinat e mesit, një për shtëpi, që rrinte në dhomën e ndenjjes/ngrënies/gatimit; kolltukët dhe divanët shqiptarë me zbukurime lodrash plastike mbi to… dhe radion, pa tjetër; televizorët tanë tmerrues bardhë e zi; mobiljet e dhomave të gjumit si të pambaruara. Hosteli është një përzierje e çuditshme shumë gjërash, ashtu siç janë edhe idetë e dy pronarëve. Ata nuk e shpjegojnë qartë se cili është qëllimi i asaj që kanë ngritur, ndoshta as e dinë tamam; por kush pyet! Ata dinë ta bëjnë të funksionojë. Dhe Hostel Propaganda, propagandues i komunizmit apo tallës i asaj propagande qoftë, shkon për bukuri e nuk bezdis kënd atje ku është.

Por ama tufa mjerane e pleqve veteranë që dalin me portretin e Enverit në maj a nëntor, ajo po, që i inatos keq njerëzit, mobilizon të djathtën, dhe diskutohet gjerësisht në media e institucione, sit ë ishte problemi më i madh që kemi për të zgjidhur. Këta burra të vjetër për fat të keq s’morën vesh si ishte Enveri dje, dhe s’e marrin vesh as sot. Mua personalisht nuk më fyen fakti që mbajnë foton lart, por që janë në këtë fazë tashmë të pashpresë të kuptuari dhe njohjeje të së shkuarës dhe vetes. Portretet e Enverit mbajtur seriozisht, për mua janë irrituese, dhe më shumë qesharake, por ata që i tundin, nuk më janë dukur kurrë një grup njerëzish politikisht të rrezikshëm. Nga ana tjetër, as atyre që Enveri u ka vrarë e internuar njerëz, nuk u vihet faj që nuk duan t’ia shohin bojën dhe duan ta ndalojnë. Por më vjen të qesh me zë të lartë kur ka njerëz e politikanë, që seriozisht diskutojnë lidhur me këta fakirë delirantë, mundësinë e rikthimit të komunizmit. Mos fol pastaj për politizim të çështjes! Frontin e Majtë Shqiptar e kam parë gjithnjë si një organizëm qesharak, si një e majtë që ka balsamosur foshnjen e vet përbindësh, dhe që nuk ka asnjë shans mbijetese a që të tërheqë kënd. Sa për pleqtë me parulla me erë myk dhe portrete demode të Enverit, ata, kur kryejnë aktin e dëftimit të tyre publik, u duket se rinohen e burrërohen disi, dhe sikur fitojnë një fije dinjitet!

Çështja është se në një vend si i yni me 50 vjet komunizëm pas shpine, nuk bëjmë dot sikur ai të mos ishte kurrë, dhe nuk ndahemi dot nga vetja. E kaluara duhet përtypur mendueshëm dhe nga secili prej nesh pa rënë pre e praktikave që asgjësojnë kundërshtarin, servirur shqiptarëve nga vetë komunizmi. Por sa për grimcat që janë apo duken si të majta sot, ato janë solucione të holluara aq sa s’u ka mbetur më gjë e kuqe a komuniste brenda. Dhe shyqyr Zotit për këtë! Me të drejtë askush s’e prish terezinë për to.

Por ironikisht sot ka diçka që më shumë se gjithçka u duhet (se u mungon) shqiptarëve: e majta. E majta jonë ka ndjekur historikisht një traditë bërë me copa e arna modelesh e burimesh ideologjike të ndryshme, që dikur janë qepur me perin e trashë nacionalist, paranoid e delirant të Enverit. E kaluara jonë e majtë me të drejtë i fut tmerrin kallaballëkut! Ndërsa e majta e sotme duhet të ndjekë prirje ideologjike që shfaqen herë si turrje pas Europës, herë si tkurrje drejt etnisë, herë si ripjellëse reformash agrare e herë si gardiane e sanksionuese të pronës private. E majta jonë hedh një valle që orientohet kryesisht nga zgjedhjet, si dhe nga lufta ndaj armiqve më të spikatur të së djathës. Kryevalltarë janë udhëheqës individualë, që, edhe kur kanë pasur ca shkrepëtima revolucionare, s’kanë mundur të krijojnë deri më sot as një lëvizje të majtë dhe as një publik me vlera të majta.

Por përse po flas për të majtën veçanërisht? Sigurisht jo sepse është ajo që çalon në raport me të djathtën. Por sepse një vendi si i yni që vuan nga një mungesë e theksuar në ekuilibrin social, me një popullsi dërrmuese pa dinjitet njerëzor, i duhet e majta demokratike me politikat e saj sociale, për t’u ekuilibruar; i duhet një mendësi e majtë e përparuar, masive dhe me zë të dëgjueshëm, që synon drejtësi sociale dhe përmirësimin e jetesës së gjithë grupit, bashkë me tufat e braktisura anash, që kujdeset sidomos për gruan, për të pamundurin dhe atë që diskriminohet ose injorohet, është nevojë imediate sot për ne si popullsi me një përqindje të lartë që jeton në kushte varfërie, injorance dhe patriarkalizmi mesjetar. Po nuk ka rëndësi fare emri i kësaj mendësie dhe lëvizjeje! E lëmë pa emër se emrat na fusin në sherr (dhe “përtej së majtës dhe të djathtës” është slogan dalë boje sot). Veç ta kryejmë!

Nuk ka komente

  1. Presja: “… i duhet e majta demokratike me politikat e saj sociale, për t’u ekuilibruar; i duhet një mendësi e majtë e përparuar, masive dhe me zë të dëgjueshëm, që synon drejtësi sociale dhe përmirësimin e jetesës së gjithë grupit,..”

    Po a nuk eshte nje fakt i prekshem, qe eshte pikerisht e majta (qe deklarohet qe eshte) demokratike, e reformuar, rilindase sic quhet keto kohe, qe ka maxhorancen ne parlament dhe pushtet dhe ka dore te lire, mjetet dhe mundesite te beje dhe te ndjeke politika sociale dhe ekonomike ne Shqiperi.

    Presja: “…Po nuk ka rëndësi fare emri i kësaj mendësie dhe lëvizjeje! E leme pa emer…”

    Eshte e rendesishme qe te kete nje emer, mendoj une, sepse vetem keshtu njerezit, shqiptaret, “një popullsi dërrmuese pa dinjitet njerëzor” do ta dine nga po i vine ndryshimet dhe do ta ndjekin kete “mendësi te majtë te përparuar” per ta bere masive(masivizuar) dhe “me ze te degjueshem per te vendosur drejtesi sociale”, kaq te munguar ne nje vend, “popullsi me një përqindje të lartë që jeton në kushte varfërie, injorance dhe patriarkalizmi mesjetar.”

    Me ngjan sikur shprehesh per nje deshire, qe te kthehet ne mundesi, ne realitet. Per cfare te majte flitet Presja, kur e majta eshte ne pushtet?

    1. Sic them, une nuk shoh te majte ne Shqiperi. Ne shkrim them edhe dicka lidhur me cfare ndodh sot me forcat ne pushtet dhe takatin apo limitet qe ata kane. Nuk besoj se ne kushtet e Shqiperise ka kush dore te lire. Nuk besoj as se kemi nje ideologji te majte as ne pushtet, as mes njerezish. Ndaj mendoj per nje te majte nga poshte, dhe jo nje qe nis si levizje e lire ( ka ndodhur kjo me pare) dhe pastaj perfundon neper parti te caktuara. LSI eshte e majte sa eshte gjeli i detit qe une gatova per Thanksgiving.

      Ndoshta ke te drejte per emrin. Une nuk duroj dot me emra. Jane thejesht mjete propagandimi primitiv. Puna eshte se cfare behet.

      Po eshte per nje gje qe duhet te vije dhe qe s’eshte tani.

      1. Shqiperia eshte ne nje “juncture”(udhekryq, ku ndahen rruget) ku duhet ta lere medomos tranzicionin pas.

        Nje nga filozofet e majte me emer eshte edhe Zlavo Zizek. Eshte nje karakter teper interesant. Po e lidh Zizek-un me kete temen tone, parasegjithash se eshte perfaqesues i te majtes europiane dhe e dyta te ideve paksa “bizzare” qe ka ai per rolin e individit brenda te majtes, 🙂 qe pak a shume aberron idene tende, Presja, qe levizja, ndryshimi, duhet te vije nga poshte, masat.

        Ai flet per nevojen e “The Master” ne rastin e situatave ku vendet kalojne ne kriza te thella(besoj Shqiperia eshte nje vend ne krize permanente). Ai mendon se ne te gjithe kemi nevoje per nje, – nje lloj master-i despotik. Sjell shembullin e Curcillit dhe Thacerit. Imagjino nje i majte me idera te tilla. qe celebron natyren autoritare te njerezve qe duhet te udheheqin dhe merr shembull nga e djathta.

        Sipas Zizek-ut, jane ekspertet qe e prezantojne kompleksitetin e situates Master-it dhe ky e thjeshtezon ate me nje vendim-marrje. Perse ka nje mendim te tille Zizek-u? Kur nuk duhet te mbeshtetet nje ide e tille nga nje mengjerash, Zizek-u, qe arrin deri sa ta konsideroje nje iluzion te rrezikshem “aftesine” e masave, njerezve per tu vetorganizuar si entitete, pa nevojen e perfaqesuesve, politikane, sindikalisteve, parlamentareve, etj.

        Ai nuk duket se ka nje mendim te mire per masat; mendon se njerezit jane pertace, pjesa me e madhe kerkon te qendroje pasive dhe pret nga shteti, makina shteterore qe te mbaje ne levizje, te administroje, te qeverise te gjithe (strukturen), ndertesen sociale, qe secili te vazhdoje jeten e vet ne paqe.

        Citon Lippman, autorin e “Opinionit Publik”, qe mendon se duke qene se shumica jane turme, kope, duhet te drejtohen nga nje klase e specializuar teknokratesh, qe kane interesa pertej lokales. Kjo klase elitare duhet te veproje si nje makine njohurish, per te shmangur defektin kryesor te demokracise, idealin e pamundur “te qytetarit (si) te plotfuqishem”.

        Keshtu funksionojne demokracite – me aprovimin, lejen tone: nuk ka asnje mister ne ate qe thote Lippman, eshte nje fakt i dallueshem, misteri qendron tek ajo, qe duke e njohur ate, ne luajme lojen. Populli di ate cfare do (kerkon), – jo populli nuk di, dhe nuk do(kerkon) ta dije. Njerezit kane nevoje per nje elite te mire, kjo eshte edhe arsyeja perse nje politikan i duhur(sic duhet) nuk mbron vetem interesat e njerezve, per nepermjet tij, ata zbulojne cfare ata “duan vertete”.(tre-kater paragrafet siper jane perkthim i lire i imi)

        A nuk duket sikur e majta shqiptare e udhequr nga Edi Rama dhe skuadra e tij e teknokrateve, qe ka “re-branded” te majten shqiptare, partine e tij, i eshte ofruar idealit te Zizek-ut? (Master, experts, Master’s authentic decisions, nje lloj Thaceri i majte)

        Apo duhet t’i japim te drejte Relapso-s, ndoshta kemi nevoje per nje lloj despoti(edhe duke patur parasysh Zizek-un), per Master-in, vendimet autentike shkojne pertej te priteshmes, urdherat, vendim-marrjet e te cilit, deshmojne nje perseritje allashqiptare te shprehjes lapidare(ndoshta edhe te sajua nga te tjere) te Luigjit te XIV, shteti jam une, – “l’état, c’est moi”.

        Artikulli i Zizek-ut: The simple courage of decision: a leftist tribute to Thatcher

        http://www.newstatesman.com/politics/politics/2013/04/simple-courage-decision-leftist-tribute-thatcher

        1. Ideja qe duhet nje Master, Autoritet, Leader, Force i sjell ne nje canak gjithe ekstremistet e se majtes dhe te se djathtes. Zizek (qe e mori kete ide nga Badiou – ndersa ate te defekteve e problemeve te demokracise raprezentative e ka perpunuar mire vete) me idete e veta ekstremiste thjesht perserit ciklin e historise dhe menyren me tipike te te gjithe koherave… nje te majte (sic thashe, une do ta lija pa emer se keto emra jane qelbur ne gjolin e komunikimit masiv ne histori) qe mund te ndryshoje gjerat nuk i duhet kjo.
          Mes zizekut dhe nazisteve, pak ndryshon ketu, packa se Zizeku do thoshte se te majtet qe mendojne si une jane thjesht pre kulturore e sistemit te majte te kontrolluar retorikisht (pra edhe ideologjikisht) nga e djathta. Kur ai flet per liderin qe me autoritetin e vet “te cmendur” por karizmatik qe magjishem i ben “individet” te kthehen ne “subjekte”, ai vetem sa hedh ne perdorim per bijte e shekullit t’ri tesha te vjetra qe shume heret dhe shume me bukur i perdori Platoni kur veshi me to mbretin e vet filozof. Ndaj une flas per mendesi dhe levizje nga poshte, ate qe Zizeku ne shkrimin qe sjell ti e quan “miti i fundit” dhe jo per tufen qe ndricohet nga vegimi mbitokesor i liderit. Historia e njerezimit eshte bere nga ky raport dhe relacio qe propozon Zizeku, dhe ndaj eshte kaq problematike. Per mua njerezit duhet te edukohen dhe kulturohen qe te emancipohen, dhe nuk ka kurre emancipim real nese ai lidhet me nje vegim perendie. Njerez qe bejne gjene e duhur se ndjekin Masterin qe u tregoi papritur Driten, bien shpejt ne shtratin e vjeter ku ndihen rehat, se ne fakt nuk kane ndryshuar menyren si mendojne, vetem kane pare interesa te vogla t’u permbushen, ose se jane hipnotizuar/marrosur. Nese ndokush e sheh Ramen si kete lloj gjeniu influencues, ia fut shume kot; dhe jo sepse eshte ose nuk eshte gjenial, por sepse keto filozofi jane infantile dhe nuk sjellin ndryshim real. Zizek dhe badiou na e hedhin ne tavoline kete lloj “muti me lule”, sepse sado interesante qofte kritika e tyre per demokracine e sotme raprezentative (kritike te cilen une e admiroj), ata s’kane mundur kurre te propozojne gjesend me te mire per ta zevendesuar ate.
          Ti fut edhe Lippmannin ne valle kur komenton, Read Me. Une Opinionin Publik e kam lexuar me shume qejf dhe interes, por e quaj nje gje te shkuar (idete e tij per ata qe DUHET te perbejne eliten dhe per gazetaret psh jane te kritikueshme mendoj une). Une nuk mendoj me percmim per njerezit e “tufes”, sepse mendoj qe nje gjendje e tille vjen nga pamundesite per t’u edukuar mire. Levizjen nga poshte une e shoh si angazhim te perhershem dhe te perditshem me ta per edukim dhe jo per t’i marrosur. Dhe gjithashtu une mendoj qe me idete tona, ne te gjithe hyjme e dalim dhe distancohemi me shume ose me pak nga “tufa”. Une nuk shoh ndarje si “lippmann” mes Nesh dhe Atyre, por e shoh si proces. Dikur levizja Mjaft, me beri te mendoja se nje gje e mire po lindte.
          Se fundmi, une nuk kam asgje koherente per te propozuar si teori politike guide. Fola per dicka qe na mungon se ate e shoh si problem, por nuke di si kryhet. Per mua politika eshte nje arene ku nuk mund te mos felliqesh (sepse kur hyn ne te, edhe sikur te jesh paraprakisht idealist ose me ide, nuk mund te rezistosh. Kompromisi dhe korrupsioni te presin pas cdo dere qe hap dhe ne fund e kupton qe ne proces ke humbur veten dhe idete e tua). Pa zene me goje qe per vende si i yni ku politika behet nga ata qe na mbajne me buke, i ke duart te lidhura ne shume aspekte.

          1. Presje per te mos konfonduar lexuesin, Lippman-in e permend Zlavoj-a, jo une, Une po citoja Zizek-un. Pak a shume jam i qarte per ato qe mendon, apo perpiqesh te sqarosh, por mbetem krejt i paqarte, se ne cfare modeli e mbeshtet triumfin social dhe ekonomik te se majtes. Njerezit flasin per modele, teori, filozofe, themelues, udheheqes, politikane, etj.

            Personalisht me duket shume evazive, jo eficiente, te flasesh per triumfin e majtizmit, me terminologji abstrakte, idealiste, ideale; per masen e njerezve, qofte edhe e edukuar apo e emancipuar bazuar ne nje praktike te caktuar qe nuk ka zbritur ende ne toke. Sa mijevjecare njerezimi dhe civilizimi kane kaluar dhe pritet te vine, dhe kjo pune mbetet perseri pa zgjidhje. Perndryshe, nuk mund te flitet per shoqeri njerezore te organizuar, etj…

            Zeme e flasim per Krishtin, per Muhametin, Marksin, Maltusin, Nicen, Shophenaurin, Platonin, Sokratin, Darvinin, etj. dhe keshtu ne pafundesi, por te thuhet vecse se ato jane keqperdorur, keqinterpretuar, me duket sikur mbetemi ne te njejtin qerthull dhe endjet tona mbeten te pafund. Cdo brez dhe politikan, udheheqes i ri, do te pretendoje se pararendesit si kane kuptuar ata, i kane keqperdorur, i kane tradhetuar idete e tyre gjeniale, etj.

            Dhe ne vecse perseritim historine ne pafundesi. 🙂 Mallkim i rende te lindesh njeri…

  2. Pavaresisht nga fakti qe Lippmann permendet nga Zizeku, une iu referova vetem sepse e solle ti ne diskutim. Lexuesin kjo s’ka pse ta ngaterroje se ti e kishe sjelle tekstin origjinal te Zizekut me link.
    Ne fakt, nuk diskutoj triumfin e majtizmit ne shkrim, por them se mendesia e majte dhe politika te majta (jo politika grupesh ne pushtet me emra majtiste) jane ato qe nevojiten tek ne sot me teper se gjithcka, dhe them edhe se perse. Ne vende me varferine dhe gjendjen e edukimit masiv si i yni, politikat e djathta shfarosin klasat e mesme teresisht (si edhe tendencen e klasave te uleta per t’u bere klase e mesme) duke ia faturuar grupit te me te varferve. Une shpresoj qe ne nuk do shkojme aty, por ama rruga qe kemi sot dhe gjendja e periferive gjigante te popullsise sone te con aty. Dhe ketu nuk i referohem komunizmit qe kishim me pare.
    Nese nje ndryshim pozitiv vjen nga nje elite politike e majte, do kryhej me shpejt, sido qe jo detyrimisht me mire. Por une nuk besoj ne sistemin tone politik; e shoh ate si teresisht te varur nga paraja, dhe paraja e pasuria tek ne eshte kriminale, shpesh e nisur nga afera korrupsioni te thelle ekonomik e politik, madje edhe droge apo prostitucioni. Ndaj nuk besoj shume tek pushteti dhe them se duhet te rritet presioni i njerezve (presion qe do duhej te kishte nje ere te majte) ndaj cfaredo pushteti me cfaredo emri.
    Une nuk kam filozofe te zemres (s’kam idhuj ne pergjithesi)… ka gjera qe me pelqejne ne filozofe te ndryshem. Nuk mendoj qe aplikimet filozofike te dikujt te sjellin ne sisteme te ngjashme; cdo vend i aplikon ndryshe teori te ndryshme, ndaj nuk kam iluzione “keqperdorimi”. S’ka teori perfekte per realitetin, per shume arsye. Dhe jane teori ne fund te fundit. Dhe ne fakt nuk nisem te ndertoj rrugen tone drejt fitorjeve te reja. S’jam shkencetare politike. Une u referohem kuptimeve qe ne prodhojme si individe dhe si shoqeri, dhe them cfare kemi e cfare nuk kemi e si mund ta kemi. Fusha ime eshte ajo e fjales dhe kuptimit, pra e kultures, dhe ne kete kuader notoj.
    Te kerkuarit e idese duke pare mbrapa e perpara, e prape mbrapa, kritika e idese dhe e vetes, prodhimet e idealizmave si edhe rikthimi i tyre me drita te reja, sado lemsh qofte puna, eshte pjesa me e bukur e te qenit njeri. 🙂

  3. Presja: “…Te kerkuarit e idese duke pare mbrapa e perpara, e prape mbrapa, kritika e idese dhe e vetes, prodhimet e idealizmave si edhe rikthimi i tyre me drita te reja, sado lemsh qofte puna, eshte pjesa me e bukur e te qenit njeri.”

    Mendoj se ne politike dhe ideologji pasojat tregojne se nuk eshte pjesa me e bukur e te qenurit njeri, perderisa e kthen njeriun mbrapa ne kohe, ne instinktet e shtazes.

    “Lemshi”(quota siper: sado lemsh qofte puna) qe krijojne eksperimentet te frymezuara nga idete, kane cuar dhe cojne ne vdekjen e miliona njerezve. Duke futur ne pune figura konservative, lufta WWII kushtoi rreth 60 milione viktima, Holokosti i Hitlerit(6 milione), revolucioni i Tetorit 15 milione, krimet staliniste 20 milione(plus 5 milion gjate WWII), revolucioni kinez (plus kulturor) 40-60 milione.

    Gjate revolucionit francez(regjimit te terrorit) jane ekzekutuar ne gijotine apo me skuadra pushkatimi mbi 40 mije njerez.

    Se fundi, ne Shqiperi numri i viktimave te regjimit te EH mbetet akoma enigme, nje “big Guess”, i pasakte, sepse mungojne statistikat e besueshme, por sigurisht flitet per mijra. Ne nje statistike si “body counts” jepet nje figure prej 100 mije viktimash.

    Ngjan qe idete e majta(egalite, fraternite, liberte), vertete kaq te deshirueshme dhe humane, i kane kushtuar njerezimit me shume viktima nga terrori dhe uria. 🙂

    1. Me pret ne bese mua dhe njerezimin nese ne leximin tend e barazon kerkimin e zgjidhjes (qe pa dyshim ka idealizem brenda) si cartje pas cmendurive me kosto humane si ato qe perdor. Kosto te tilla nuk jane pasoje e domosdoshme e cdo idealizmi. Gjendja normale e puneve eshte lemsh. E tille eshte shoqeria njerezore. Nuk eshte idealizmi qe i ben gjerat lemsh. Qartesia qe sjellin shkencat ekonomike dhe ato politike jane iluzione te perkohshme qe heret (dhe jo vone) bien. Rendesi ka te kemi nje tendence levizjeje qe moralisht eshte ne krah te njerezve, perfshire te pamundurit. Te tilla jane idete e majta dhe kultura e majte ne pergjithesi. Ato nuk cojne detyrimisht ne totalitarizem. Pastaj, lemshi para e pas eshte i paevitueshem.

      1. Qe nga renia e Bastijes dhe deri tek ajo e Murit te Berlinit, qe njihet si epoka moderne (deshtimi i socializmit shenoi edhe fillimin e epokes postmoderne), fakeqesisht eshte provuar vazhdimisht se cdo te thote te ushqesh iluzione mengjerashe ne oqeanin e nje kulture dhe ekonomie liberale perendimore.

        Rousseau-n kur flet per origjinen dhe themelet e pabarazise, e quan si “mashtruesin e pare,” ate njeriun qe rrethoi me gardh per here te pare nje truall toke dhe i tha te tjereve: ky truall eshte i imi. Sa shume derdhje gjaku, krime, fatkeqesi e tmerre, sipas Rousseau-it, do t’i ishte kursyer njerezimit, nese do t’i ishte thene dikush “Ndal”, – atij njeriu egoist, individualist, – frutat e kesaj toke i perkasin te gjitheve dhe vete toka ne vecanti asnjerit.”

        Pas dy shekujsh, del qe mashtruesi ishte dikush tjeter, ai qe abrogoi(hoqi) te drejten e prones private, – pronen private ne vetvete, – si themelin e cdo lirie, duke invokuar rolin e plotfuqishem, pakufizime te shtetit, qe me mjetet qe ka ne dore, ushqen iluzionin se mund ta beje njeriun te virtytshem dhe te barabarte.

        Dhe historia vazhdon…njeriu lindi i lire, ne shoqerine e te barabarteve, por shoqeria, vete civilizimi e ktheu ne skllav. Le t’i japim njeriut dinjitetin qe humbi, kur u civilizua dhe u shkeput nga shtaza.

        Na fal Darwin, po te levizin eshtrat e gjeniut atje ne varr. 🙂

  4. Ka dy lloje stofash në shkrim, një vështrim nga e kaluara me efektet anësore të saj në të sotmen, dhe një shikim nga e ardhmja duke përzier në të edhe përditshmërinë. Mua më le një shije dyzimi. Pjesa e parë është e këndshme, përshkruese, deri – për njeriun që Tiranën e njeh asfare ose pak – edhe ftuese për të shëtitur qoshe të pakundruara, veshur me mistikën e ç’është përcjellë nga e shkuara, sot nën dritë të re neoni. Pjesa e dytë është ca e turbullt, e paqartë, në ndonjë pikë edhe e habitshme (si ideja për t’ia nisur diçkaje nga zeroja, me një frymë të re, që edhe mbështetet pak, por edhe nuk mbështetet shumë tek ajo çka njohur bota e majtë deri sot). Por ky, si klub virtual që është, e përcjell këndshëm edhe këtë natyrë parashtrimi, mjafton që të mos vejë puna gjer te përleshja e citateve.

  5. pjesa e dyte eshte ftese per meditim dhe shikim brenda vetes me nje busull morale “mengjerashe”. 🙂 Ke et drejte: eshte ca e turbullte se une nuk kam teori si te arrihet suksesi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin