Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Media

VALORI DI SCARTO

Mbase lexuesve të blogut u kujtohet akoma se çfarë ndodhi me esenë time “Valori di scarto” të botuar tani së voni nga revista Lettera Internazionale: një dorë e panjohur e një harbuti rishkroi, në fazën redaksionale, paragrafin e fundit dhe kushedi ç’pjesë të tjera të tekstit të përkthyer në italishte.

Meqë paragrafi i fundit përmendte Ismail Kadarenë, dhe meqë ndryshimi i bërë në fazën redaksionale e shtrembëronte tekstin tim origjinal, në mënyrë të tillë që dukej sikur unë i kisha vënë I.K.-së në gojë fjalë që ai në fakt nuk i kish thënë, kuptohet që ky gabim do të aktivizonte një kategori të mirënjohur lexuesi.

Dhe pikërisht: Minella Aleksi, një person i panjohur për mua dhe për shumë e shumë të tjerë, më goditi ashpër ad hominem me një artikull të botuar te “Panorama”, ku mes të tjerash shkroi [theksimet janë të miat, 2Xh]:

Sulmet e kritizerëve ndaj shkrimtarit të shquar (I.K.-së) po kthehen në patologji te ne. Kjo është e njohur. Por që studiuesit tanë si A. Vehbiu të katandisen në zëdhënës të mashtrimeve të ish-Sigurimit shqiptar, kundër një shkrimtari shqiptar, në një revistë ndërkombëtare, e cila botohet në gjuhët italisht, spanjisht, gjermanisht, etj., kjo e kalon çdo masë! Kush e shtyn për një shpifje kaq të poshtër? Kujt i shërben këmbëngulja e përhapjes së kësaj shpifjeje? Shkrimtari Kadare qëndron në avangardë të Shqipërisë europiane. Pse duhet përbaltur me shpifje? Ato forca që duan ta mbajnë Shqipërinë larg Europës nuk mund të jenë pro-perëndimore. Rrjedhimisht janë mekanizma që manipulojnë, që fabrikojnë dhe dezinformojnë në favor të Lindjes, mecenatët [sic] e shpifësit Ardian Vehbiu. Për shqiptarët, Lindje nënkupton sllavo-komunizëm. Krahas kësaj, bën habi lehtësia me të cilën një revistë disagjuhëshe pranon të botojë një shkrim me një të pavërtetë skandaloze, ku përmendet për keq shkrimtari Kadare. Ky shkrimtar është shumë i njohur në Itali, me shumë çmime. Po bordit redaksional të revistës që presupozohet të ketë kulturë të lartë letrare, i ka kalur gafa nga pavëmendja apo…? Njihen mirë rrugët që përdoren për të blerë favore të tilla, mënyra sesi u hapet rruga botimit të shkrimeve të tilla ku përbaltet një personalitet, në këtë rast një shkrimtar i madh. Me siguri A. Vehbiu do bëjë të habiturin, mbasi shpifës dhe spekulantë të tillë shoqëria jonë ka parë jo pak. E që u kanë ecur poshtërsitë, mbasi jo gjithmonë kanë marrë goditjen e pamëshirshme të së vërtetës.

Për të gjitha këto kam shkruar tashmë në blog (këtu dhe këtu); të interesuarit mund të ndjekin lidhjet më sipër nëse duan të mësojnë më tepër. E solla të gjatë citimin xhevahir nga artikulli i Aleksit jo vetëm sepse shembëllzon patetizmin amatorial në publicistikë (të dikujt që mbytet me pështymën e vet), por sidomos për t’i dhënë një ide lexuesit se me çfarë m’u desh të përballem – teksa më quajtën “shpifës” dhe “spekulant” që nga faqet e një gazete që mbahet si relativisht serioze, në Tiranë.

Ndërkohë, pasi e kuptova – jo pa vështirësi – se çfarë kishte ndodhur me tekstin, i shkrova menjëherë revistës Lettera Internazionale, për t’i kërkuar shpjegime dhe, sidomos, për t’i kërkuar një rektifikim publik të gabimit që ishte bërë.

Për fat të mirë, kryeredaktorja e revistës, Biancamaria Bruno, tregoi mirëkuptim të plotë për shqetësimin tim dhe vendosi të botojë, në sajtin e revistës, dhe pikërisht në faqen kushtuar numrit ku është botuar eseja ime, një njoftim në lidhje me gabimin, ku thuhet sa vijon:

Ribotojmë, të rishikuar dhe të korrigjuar nga autori, paragrafin e fundit të tekstit “Valori di scarto” të Ardian Vehbiut, që në versionin e botuar në edicionin tonë n. 120, përmbante disa gabime të rënda të përftuara në fazën redaksionale. I kërkojmë të falur për këtë incident Ardianit dhe lexuesve tanë.

(Ripubblichiamo, riveduto e corretto dall’Autore, l’ultimo paragrafo del testo “Valori di scarto” di Ardian Vehbiu che conteneva, nella versione uscita nel nostro n. 120, alcuni gravi errori prodotti in fase redazionale. Ci scusiamo per l’incidente con Ardian e con i nostri lettori.)

Pas kësaj, është ribotuar paragrafi i inkriminuar, këtë herë me një përkthim timin, i cili mëton t’i qëndrojë sa më afër origjinalit në shqip (të nxjerrë nga “Sende që nxirrte deti.”)

korrigjim

Ky gjest i duhur, nga ana e revistës, besoj do të qetësojë përfundimisht të gjithë ata që zbuluan tek unë armikun e konfirmuar të I.K.-së – si M. Aleksi, i cili tani kushedi duhet t’i vërë gishtin kokës dhe t’i shohë më realisht kapacitetet e veta publicistike; por edhe si ca të tjerë që komentuan këtu me maskë.

Më duket ironike që një ese e imja, për konceptin e ekskrementit në psikologjinë kolektive, të ketë tërhequr në debat ekskremente kutërbuese të një lloji tjetër.

Nuk pres prej M. Aleksit të më kërkojë ndjesë për artikullin e fëlliqtë që shkroi te “Panorama” (edhe sikur, nuk do t’ia falja); as prej “Panoramës” që të nxjerrë ndonjë mësim nga kjo dhe t’i japë fund botimit të artikujve të njëpasnjëshëm me sulme ad hominem kundër meje: nja tre të tillë vetëm në 2014, besoj.

Në rastin e fundit, do të mjaftonte një verifikim i thjeshtë, me një mesazh e-postar, për të shmangur bajgën që m’u hodh në kokë publikisht; dhe është detyrim profesional dhe moral i gazetarit ose i redaktorit përgjegjës të faqes së opinioneve që ta bëjë një verifikim të tillë; dhe jo të luajë rolin prej hamalli analfabet, që veç i transporton thasët me shkrime nga hangari i kutisë e-postare në faqen e gazetës.

Dua ta them këtë duke parafrazuar fjalët lapidare të vetë M. Aleksit: bën habi lehtësia me të cilën një gazetë serioze si “Panorama” pranon të botojë një shkrim të tillë […]. Po bordit redaksional të gazetës që presupozohet të ketë kulturë profesionale minimale, i ka kalur gafa nga pavëmendja apo…?

Për fat të mirë, ky incident më dha shansin të sqarohem me I.K., i cili u tregua shumë korrekt në shkëmbimet tona për këtë çështje, megjithë fërkimet që kemi pasur më parë, kryesisht të nxitura ose të sajuara nga personazhe të kategorisë së katërt.

Mbeten, megjithatë, disa të panjohura që unë e kam të vështirë t’i sqaroj: Kush i futi duart në esenë time dhe e rishkroi paragrafin e përkthyer me korrektesë nga A. Doda, duke shtuar atje pohime dhe epitete diskredituese për I.K.-në, në mënyrë të tillë që ato vetëm nga një shqiptar me hesape për të larë me atë shkrimtar mund të vinin? Si ndodhi pastaj që, nga krejt revista, vetëm eseja ime përfundoi e botuar në agregatorin undo.net, në një kohë kur as vetë revista Lettera Internazionale nuk e kishte nxjerrë online? Dhe pse vallë po të klikosh tani në linkun që të çonte deri dje tek eseja ime, të del një material krejt tjetër (provojeni vetë, pasi të kërkoni në Google: undo.net, Ardian Vehbiu; ja edhe këtu, në cache)?

Pa Komente

  1. Me siguri, jeni me i qete, te pakten per kete rast. Ky lloj hasmi qenka i kamufluar aq mire sa i paska shtrire tentakulat pertej adriatikut, oktapodh shpifjesh. Kohe te frikshme, pa pike respekti per lekuren e njeriut

  2. Xha – xha, me vjen mire qe ky sulm e shantazh mbi ju u sqarua nga nje pale e trete, pra nga revista ne fjale, dhe agresori apo shpifesi mjeran i porositur u diskretitua (dyshoj qe ky i te ndjehet mekatar, por kjo nuk ka rendesi). Ndoshta e tere e verteta do te zbardhet se shpejti per te ditur se kush ishte/ishin personat qe realizuan kete fallsifikim si dhe per te kuptuar qellimin e ketij veprimi dashakeqas dhe djallezor.

  3. Së pari, për pyetjen që shtroni në fund të këtij parashtrimi, është e kotë ta kërkoni përgjigjen në këtë blog, paçka se edhe ky është juaji e mund të shkruani ç’të doni. Keni tërë të drejtën, e njeriut a të zotit (nga cilido prizëm t’ju pëlqejë ta shihni), t’ia kërkoni (me ngulm madje) revistës në fjalë, e cila e ka lehtësinë teknologjike ta gjejë në pak minuta. Dhe ju më pas keni detyrimin ta bëni publik autorin e kësaj ngatërrese – me ç’duket, të qëllimshme – për hir të integritetit intelektual tuajin, për hir të respektit ndaj lexuesit të blogut që e keni informuar gjer më tani për këtë çështje në detaje, e madje t’i kërkoni edhe revistës të mbajë qëndrim editorialisht për këtë problem, jo thjesht duke korrigjuar tekstin tuaj. Në s’e bëfshit ju këtë, do të thotë se doni edhe ju të bëni zhurmë, paçka se me argumente, në të drejtën tuaj, njësoj si anatemuesit tuaj bëjnë me kapacitetin e tyre, në nivelin e tyre, për qëllimet e tyre. Dhe në këtë pikë, mua si lexues këtu në blog më mungon interesi ta ndjek këtë linjë, ashtu siç më mungon prej kohësh interesi të ndjek linja të ngjashme në shtypin e përditshëm shqiptar. Dikush, një taleban nën mantel intelektuali modern në atë shtyp, e quante ca kohë më parë afrimin e lexuesve në këtë blog “bashibozukizëm” – ndërkohë që afrimi në këtë blog (dhe këtu flas vetëm për veten time, jo për të tjerë) është më tepër shenjë refuzimi ndaj bashibozukizmit që ka kapluar shtypin shqiptar, është më shumë një formë largimi e distancimi prej tij. Por nëse edhe ky blog kthehet e operon me shtampa të njëjta me ato të shtypit tonë, paçka se shtampa me një nivel më të lartë intelektual e me respektimin në vija të trasha të bon sensit të një mjeti komunikimi, në fund të ditës nuk i mbetet kushedi ç’distancë nga shtypi që shpeshherë kritikon me të drejtë.
    E dyta, është mirë t’i themi nja dy fjalë për Sigurimin që citoni në shkrimin tuaj, aq më tepër tani në valën e diskutimit të një projekti të ri ligjor për hapjen e dosjeve dhe lustracionin. Nga ç’e kam ndjekur publicistikën mediatike ndër vite, si dhe duke njohur përditë e më shumë realitete e fakte të reja, më rezulton se shumë nga zërat që “zhurmojnë” gjëmueshëm kundër atij instrumenti shtypës të regjimit kriminal të E. Hoxhës dhe Byrosë Politike, vijnë o nga ndonjë qoshe e atij institucioni, o nga “të penduarit” dhe “të konvertuarit” e majave të dikurshme institucionale të institucioneve të tjera njësoj shtypëse a edhe “ndihmëse” të Partisë, o nga ndonjë qoshe e sigurimit të ri të pas `90-ës që (për traditë?) vazhdon operon pak a shumë si paraardhësi kur vjen puna të shpërfaqë fytyrën me anë të veprave të veta në publik. Mund edhe të kem mësuar ndonjë gjë gabim nga infot që rrjedhin qelb prej këtij thesi të madh e të errët ndërinstitucional ndër vite, por s’është ky rasti në përgjithësi. E pra, është hapur një debat për të bërë transparent sërish punën e një institucioni që, në fund të ditës, ka qenë vegël e një institucioni më të lartë, vendimmarrës, siç ishte kupola e partisë, në qendër dhe rrethe, e përfaqësuar me njerëzit e saj më besnikë në krye të gjithë institucioneve vendimmarrëse. Dhe është hartuar një projektligj, i cili – në formën siç është tani, siç është prezantuar prej hartuesve të tij – do të realizojë hapjen vetëm të dosjeve të Sigurimit, e do të kryejë lustracionin joshtrëngues për subjektet që kanë qenë (në çfarëdolloj forme) pjesë e këtij institucioni në të gjitha nivelet, por edhe pjesë e institucioneve të tjera në krye të tyre. Të paktën, këtë premton ky projekt në formën aktuale. Dhe këtu përshfaqet hileja e zakonshme sa herë pretendohet të bëhet transparenca e së shkuarës dhe reflektimi moral për të, me gjithë diskutimet e zhurmshme që e shoqërojnë. Është bërë vërtet një punë fort e mirë në hartimin e projektit që hap dosjet sipas modelit gjerman të kësaj përvoje, sa i takon Sigurimit të Shtetit, por janë lënë qëllimisht jashtë dosjet e institucioneve të tjera, atyre institucioneve që kanë qenë realisht vendimmarrëset e shumicës së vendimeve me pasoja për jetët e njerëzve. Projekti propozon më në fund – edhe pse me shumë vonesë, prapë duhet bërë deri në fund – hapjen e dosjeve të Sigurimit mbështetur në modelin gjerman si u veprua me dosjet e Stasit. Por krejt “pafajshëm” le jashtë gjithë dosjet e tjera, ato të Partisë, të Byrosë Politike, të komiteteve qendrore në qendër e në rrethe, të organizatave të partisë në institucionet e tjera kryesore, dosje këto që përmbajnë tharmin dhe vulën e vërtetë të vendimeve kriminale që merreshin në ato zyra dhe më pas zbatoheshin, ndër të tjera, edhe nga Sigurimi i Shtetit, Ministria e Brendshme apo edhe më tej. Nuk thotë një rresht për arkivat e institucioneve të tjera, ku ajka e institucioneve dhe e partisë merrte vendime, të cilat reflektoheshin në punën zinxhir të institucioneve të tjera, ndër to edhe Sigurimi. Nuk thotë një rresht për arkivat e institucioneve arsimore, arkivat e qendrave të punës, arkivat e hetuesisë e gjykatave, arkivat e institucioneve lokale, gjer edhe arkivat e zyrave të personelit nëpër institucione (apo, siç njiheshin ndryshe, zyrat e famshme të kuadrit), të mbushura me lloj-lloj letrash, vendimesh, rekomandimesh, dënimesh në embrion. Jo, për këto institucione – për majat e tyre – ka lustracion “vullnetar” – pra, do t’i thuhet publikut se ç’funksione kanë mbajtur të prekurit prej projektligjit në fjalë dhe do t’i lihet “dorës në zemër” të titullarëve të sotëm të institucioneve si të veprojnë me këta të prekur nga ligji, ndërsa transparenca do të bëhet, në stil gjerman, vetëm për Sigurimin, Këtyre dosjeve të tjera do t’u vihet kapak njëherë e përgjithmonë. Thua se Sigurimi ka qenë ai që qeveriste në Shqipërinë komuniste, jo komunistët vetë. Pale pastaj kur sjell ndërmend specifikën shqiptare që Sigurimi me rregull nuk rekrutonte në radhët e Partisë (paçka se njihen përjashtime), specifikë që qartësonte sa më s’ka se ishte Partia që i merrte vendimet dhe Sigurimi zbatonte ç’pjesë i takonte, ashtu siç zbatonin pjesën e tyre institucionet e tjera të shpërndara në të gjithë vendin.
    Dhe unë nuk flas kot apo në tym për këtë temë, kam arsyet dhe të vërtetat e mia që kërkoj në këtë drejtim. Sepse vazhdoj e dëgjoj një histori të paraqitur si prej Sigurimi, që përlyen njerëzit e mi, e që nga ana tjetër ka marrë jetë njerëzish e ka shkatërruar të tjera, prej vendimeve të marra në zyrat e partisë, vendimeve të marra në zyrat e organeve të tjera “ndihmëse” të partisë, e të zbatuara pastaj verbërisht nga organet e dhunës, si hetuesia, sigurimi e gjykata, duke përlyer e futur në vallen e tyre njerëz të piketuar “për të dhënë me çdo kusht një shenjë bashkëpunimi”, ngase ishin të dyshuar për të kundërtën a se refuzonin të bashkëpunonin ndryshe. Është një histori e dhimbshme sesi është vënë në lëvizje një mekanizëm i tërë, që në fund hëngri dy jetë njerëzish e që rrugës përleu shumë të tjerë, e që sot paraqitet në publik sikur i kanë vrarë kolegët e tyre të letrave. Këta të fundit kanë peshën e tyre për ç’kanë bërë ata vetë në këtë histori, por kanë pasur ndershmërinë dhe fatkeqësinë njëkohësisht të shkruajnë ato dokumente që shkruan e të zgjidhen me rekomandime të fshehta nga doçërit e majave të pushtetit për t’i shkruar, që ashtu të përlyheshin edhe ata me “komunizmën në zbatim”. Dhe atyre dokumenteve këta “fajtorë” u vunë emrin e tyre poshtë, nuk vunë ndonjë pseudonim. Dhe pjesën e tyre të fajit e lanë me emër, pa u fshehur skuthazi, siç kanë bërë të tjerë pas pseudonime tiranasish. Ndërsa prej Sigurimit të djeshëm e sigurimit të sotëm çuditërisht “kanë rrjedhur” vetëm ato informacione që i shërbejnë legjendës së “kolegëve vrasës”, që pastaj na përforcohet me “dënime morale kapitale” nga “baballucët e kombit”, ca doçër që kanë qenë në majë të piramidës dhe i kanë hartuar, në mos shkruar me dorën e tyre, skedat model të projekteve politike e ideologjike të eliminimit të “armiqve të partisë e të popullit” apo të përlyerjes, nënshtrimit e shtrëngimit për bashkëpunim me çdo formë, qoftë edhe vetëm me një akt ekspertize letrare, të atyre që “ia kishin me hile partisë”, atyre prej “shtresave të mundura”, atyre “prej shtresës së të deklasuarve”, atyre që mbanin damkën “e pushtetit të djeshëm”. Unë ende sot vazhdoj të kërkoj jo vetëm ato tre ekspertiza letrare apo nja dy dëshmi fshatarësh në gjyq që i janë hedhur publikut për konsum për të vazhduar traditën e vjetër të mashtrimit mbi autorësinë e asaj ngjarjeje, por vazhdoj të kërkoj në radhë të parë fishën e mbledhjes së komitetit të partisë e atij ekzekutiv ku është marrë shprehimisht vendimi për dënimin e tyre me vdekje dhe ku shfaqen arsyet e vërteta kriminale përse është marrë ai vendim, kërkoj fishën e mbledhjes tjetër ku është vendosur kriminalisht se cilët persona nga radhët e “klasës armike të të deklasuarve apo të të dyshuarve me prejardhje nga klasat e përmbysura”, se cilët pra do të goditeshin, cilët do të përlyheshin në këto goditje, do të shtrëngoheshin në bashkëpunim (dikush me dëshmi në gjyq, dikush tjetër me shkrime ekspertize) e do të shfaqeshin më pas për historinë dhe për të interesuarit si “kriminelët e vërtetë” në hartimin e dosjes gjyqësore që do të përdorej për fasadë në gjyqin farsë të dhënies së një vendimi që realisht ishte marrë me kohë tjetërkund, kërkoj dosjen e hetimeve të kryera kriminalisht në hetuesi, kërkoj dosjen e vendimeve të marra që caktonin si do të përzgjidheshin dëshmitarët dhe ekspertët e atij procesi. Jo rregulla e teknikalitete ligjore, jo, por mbledhjet me njerëz të gjallë që zgjidhnin e caktonin emra si të ishin gurë shahu dhe u caktonin rolet që do të luanin në atë proces dhe masat që do zbatoheshin mbi ta po të refuzonin ta luanin atë rol. Për ta zbardhur këtë histori gjer edhe S. Olldashit ministër të brendshëm ia kam kërkuar një kopje të dosjes së plotë, duke ia thënë shprehimisht se e kërkoja për publikim, sido të ishte, e bardhë apo e zezë për njerëzit e mi, si ish-koleg me të cilin kisha punuar dikur në të njëjtën gazetë, dhe ai refuzoi edhe ta zgjaste një cantim më tej këtë bisedë, jo më të më ndihmonte në publikimin e saj. Ndoshta ka qenë i zënë duke furnizuar ndonjë “studiues me themel dosjesh” me “dosjet e mëdha” të baballucërve të kombit, kushedi. E pra, këto dosje që kërkoj unë as ky ligji i ri i transparencës nuk i hap, se nuk i parashikon. Sepse nuk është ligj as për transparencë, as për lustracion, por është ligj që i shërben – si ata të mëparshmit – politikës së ditës për të eliminuar ca kundërshtarë (në PD duan të heqin qafe ata me dosje që deri dje i përdorën gjer në fund, për të konsoliduar pushtetin e drejtuesve të rinj, në PS duan të heqin qafe ca mbetje prej regjimit të vjetër e ca njerëz në sistemin e drejtësisë që u kanë ngelur në derë dhe, në vend që t’i shkarkojnë për atë që duhen shkarkuar, korrupsionin, duan t’i nxjerrin në pension për t’i zëvendësuar me “drejtësidhënësit” e tyre besnikë). Ndaj kur shtini Sigurimin ndër rreshta tuaja, qoftë kjo edhe me spond, kini parasysh se s’po bëni tjetër vetëm po i shërbeni zhurmajës së vjetër e të dalëboje. Ata që kishin në dorë vendimmarrjen dje, ata po ashtu e kanë edhe sot dhe s’kanë për ta bërë ndonjëherë transparencën e krimeve të regjimit komunist për këtë punë, se ishte regjimi i tyre dje siç është ky i sotmi i tyre sot. Dhe ne do vazhdojmë do dëgjojmë përralla me Sigurim e me “zbulim dosjesh të mëdha”. Dhe, me ligjin e ri, do hidhen për konsum ca dosje të tjera të përzgjedhura gjynahqarësh, nga këto që “i kanë shpëtuar shkatërrimit”, për të nëpërkëmbur ndonjë emër aktual në qarkullim që duhet goditur se mund t’u ketë dalë nga rreshti. Xhanëm, të zotët e shtëpisë së asaj pune e dinë ku u pikon çatia, ne s’na mbetet veç të presim e ta marrim vesh në muaj që vijnë.
    E treta, që lidhet edhe me shqetësimin tuaj, ka të bëjë, ndër të tjera, edhe me sigurimin e sotëm, organin e inteligjencës së ditëve tona. Në historinë e shtypit botëror dihet se ka edhe raste gazetarësh që u kanë shërbyer, përveçse publikut me raportime, edhe shërbimeve sekrete të vendeve të tyre, gazetarë në vende të huaja që, përveç shkrimeve publike, furnizonin me informacion të fshehtë edhe shërbimet sekrete. Kjo në njëfarë mënyre është e kuptueshme, i kanë shërbyer vendit të tyre nga jashtë në rrethana specifike. Por kurrë nuk kam lexuar gjer më sot në historinë e gazetarisë që përfaqësuesit e shtypit, që nga gazetarë e pronarë njëkohësisht (të modelit të viteve të para) e gjer tek drejtorë e kryeredaktorë apo opinionistë e drejtues emisionesh (të modelit të ditëve tona), të cilët dalin nga Shqipëria vetëm kur shkojnë me pushime e s’kanë bërë kurrë një shërbim pune gazetarie jashtë vendit, të jenë rekrutuar në atë masë si këtu në Shqipëri. Se ç’punë inteligjence bëjnë nga mëngjesi në darkë në redaksitë e gazetave a të televizioneve të Tiranës këta njerëz, logjikisht kjo ngelet një enigmë më vete. Por meqë ju s’keni ndërmend të merreni me këtë enigmë por, siç keni shkruar, doni të zgjidhni hallin tuaj të sulmeve të fundit që ju kanë ardhur prej linjës së magazinave popullore plot panorama piktoreske, provojeni t’i bini udhës më shkurt sesa të shkruani pareshtur në këtë blog mbi këto sulme. Qenkeni “sqaruar” me I.K. e tani qenkeni i qartë për keqkuptimet publicistike të së shkuarës. Pse nuk “sqaroheni” me këtë rast edhe me E. Ypin që, siç shkruani, keni pasur po ashtu konsiderata të larta reciproke në të shkuarën, e ndoshta ju ndihmon ai shumë më tepër në sqarimin e paqartësive tuaja mbi këto sulme, sa na shtroni ne lexuesve të blogut pyetje të vështira. Jo se ai ka gisht në historinë tuaj, as e them, as e aludoj këtë në asnjë mënyrë. Por di ama që ka mundësi për informacion të bollshëm, që mund t’ju vlejë në atë çka kërkoni. Pastaj ndajeni edhe me ne lexuesit këtu në blog historinë e sqaruar, nëse doni. E ne, nëse do duam, do ta lexojmë.

    1. Nuk po e marr vesh pse keni kujtuar se unë po ua kërkoj lexuesve të blogut emrin e personit që ka rishkruar paragrafin e esesë sime – pyetjet në fund të shkrimit tim janë pyetje që ia bëj vetes, jo të tjerëve.

      Ndryshimin e tekstit tim e ka bërë Lettera Internazionale; dhe personi që ka vënë dorë atje e ka bërë këtë nën autoritetin dhe autorizimin e revistës në fjalë, e cila nuk ka asnjë detyrim të bëjë publik emrin e një bashkëpunëtori të kontraktuar.

      Ajo çfarë mund të ndodhë më pas është çështje midis redaksisë së revistës dhe bashkëpunëtorit të saj, ku unë nuk ndërhyj dot. Jam interesuar edhe ligjërisht për këtë, nuk kam hapësirë veprimi të mëtejshme.

      Me E. Ypin e kam të vështirë të sqarohem, sepse më ka fyer rëndë dhe me vetëdije – sikurse edhe e kam të vështirë t’i hakërrohem një personi që shembëllzon, me qenien dhe fjalën e tij, gjymtimin psikologjik të viktimave të dhunës totalitare në Shqipëri.

      Madje, po të krahasojmë me situatën e tanishme, ndoshta do t’i takonte Ypit të bënte ndonjë përpjekje për sqarim, jo mua; sepse deri më sot ai ka folur ashtu si ka folur, ndërsa unë veç kam dëgjuar.

      Historia personale që tregoni është shumë e dhimbshme; do të sugjeroja që ta përgatitnit si shkrim më vete, për ta nxjerrë këtu në krye të blogut.

      1. Bëni si ta shihni më të mirën e punës suaj, imi sugjerim ishte. Sa për sugjerimin tuaj, s’e bëj dot pikërisht se nuk ka një ligj që më siguron hyrje në dokumentet e duhura. Pa to s’ke ç’sqaron. E unë s’bëj pjesë tek ai grup njerëzish që i bien padashje e papritur dosjet në prehër, e as tek ata që mund t’i tundin në ndonjë gazetë apo studio televizive. Por nuk mërzitem nga pritja. Në të ri edhe kam qenë ca i rrëmbyer, po jeta më mësoi të bëj durim, shumë durim. Ndërkohë i mësova vetes vlerën e servirjes së pjatave të ftohta.

  4. Ju lutem mos diskutoni për dosjet në këtë hapësirë. Të gjitha komentet për dosjet janë fshirë tashmë.

  5. Nuk kisha kurrfarë dyshimi se Xhaxhai ishte viktimë e një makinacioni të turpshëm, që filloi me ndryshimin e qëllimshëm të versionit të përkthimit në italisht e mbaroi me shkrimet delirante në shtypin shqiptar. Zakonisht nuk u besoj komploteve, ose më mirë i shoh me mosbesim, por pyetjet e fundit të Xhaxhait janë të rënda si gur, sepse mbeten aty pa asnjë përgjigje, pavarësisht korrigjimit publik të revistës Lettera Internazionale.

    Kush është marrë pak me korrektim bocash, ose ka bërë pjesë në një proces editorial, e di fare mirë që ndryshimet që iu bënë paragrafit për I.K.-në nuk ishin rastësore. Gjithsesi, është e pamundur që ndërhyrjen ta ketë bërë një i huaj, sepse kapërcimi kuptimor ishte aq i madh saqë është e qartë se ndryshimet problematike janë bërë nga një dorë që shqipen e përtyp, madje mirë. Do të shtoja se dora korrigjuese e njeh mirë edhe lojën e ligjërimit publik shqiptar, palët e supozuara në fushë dhe rregullat e saj.

    Tani, ndryshe nga Xhaxhai, unë pres, madje pretendoj në cilësinë e lexuesit, që gazeta “Panorama” dhe autori që shkruan aty M. Aleksi, t’i kthehen kësaj teme. E para duhet t’i japë detyrimisht hapësirë çështjes, i dyti, pasi të kërkojë falje e ta rishikojë qëndrimin e vet, mund të na ndihmojë të kuptojmë çfarë ka ndodhur në realitet, meqë aftësitë hetuese nuk i mungojnë. Për shembull, do të isha shumë kurioz të njoh dinamikat se si shkrimi i përkthyer i Xhaxhait, pa u shpërndarë ende nëpër pikat e shitjes, u bë objekt diskutimi në Shqipëri. Është e vërtetë që shtypi shqiptar është i shpejtë për ca gjëra, por timing në këtë rast po më duket tepër i përkryer. A thua varet gjithçka nga interneti?

    Siç e kam thënë edhe më parë, mundohem të shkoj përtej rastit që po trajtojmë këtu, meqë ka disa aspekte emblematike. Secili prej nesh mund të gjendet përballë vorbullave të tilla thithëse, mekanizmat e të cilave janë mister i vërtetë, ndërkohë që njeriu e ndjen dëshpërimisht pafuqinë e vet. Përballë ventilatorit me baltë ngrihen vetëm duart përpjetë dhe mbyllen sytë instinktivisht. Personalisht jam i bindur se ligji nuk do ta zgjidhë kurrë këtë çështje pa një kod etik të respektuar nga aktorët që veprojnë në skenën publike shqiptare.

  6. 2xha: “Për fat të mirë, ky incident më dha shansin të sqarohem me I.K., i cili u tregua shumë korrekt në shkëmbimet tona për këtë çështje…”

    Kjo sigurisht eshte midis Xhaxhait dhe I.K., por lexuesi thjeshte, do te harronte gjithshka nese sqarimi i incidentit do te hidhte me shume drite rreth reagimit te Kadarese.

    Ne fund te fundit, pavarsisht protagonizmit te te treteve apo te katerve. sqarimi dhe mirekuptimi midis te dyve, eshte deshmia me e mire rreth mirebesimit ndaj njeri-tjetrit.

      1. Faleminderit Xhaxha per sqarimin. Konfidencialiteti duhet respektuar dhe me duket nje veprim i urte nga ana e Kadarese, i nje njeriu ne moshe, i rrysur nga kontroversialiteti (i pritshem kur qendron fare ne majen e letersise dhe i vetem), dhe qe di te jape keshilla e te merret vesh, pa qene nevoja te behet komunikimi per konsum publik, dhe mendoj, me synimin e vetem, vecse per te ndihmuar

        Pas nje sinjalizimi nga nje lexues i PTF, sapo lexova shkrimin tuaj te sotshem ne gazeten Dita. Ne fund te shkrimit lexova shenimin: *Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal OLIO CON MARE

        Nga shenimi siper, titulli (… Si më kurdisën të flas kundër Kadaresë) dhe leximi i shkrimit mbeta i paqarte per dinamiken e shfaqes se shkrimit ne hub-in mediatik Dita, kur mendon se dicka e tille duhet te ishte shfaqur para se gjithash tek Panorama, apo tek revista italiane qe botoi pjesen e perkthyer nga libri Sende qe nxirrte deti.

        Pastaj, duke i hedhur nje sy komenteve, vura re se Dita, sherben cuditerisht dhe fatkeqesisht, edhe si nje “hub” vershimi filliqesishe si prej nje gjirizi nga komentues te betuar antikaderiane.

        Shfaqja e shkrimit, fatkeqesisht i ka sherbyer komenteve per te vjelle vrer armiqesor in extremis karshi nje autori qe i vetem, duam apo s’duan ne, fare i vetem, perfaqeson(dhe qe degjohet, referohet) sot per sot, letersine, mendimin shqiptar neper bote.

        1. Le t’i vëmë pak gjërat në perspektivë, se më duket se u bënë lëmsh.

          Mua më botuan një ese në një revistë letrare ndërkombëtare nga më të rëndësishmet në Europë, Lettera Internazionale.

          Në rrethana normale, kjo do të kish qenë sebep për t’u festuar – sepse nuk është diçka që ndodh përditë: as për mua, as për letrat shqip.

          Nuk e prishi kush terezinë – siç edhe e prisja. Por që kjo ese imja, të bëhej tani objekt diskutimesh, për një paragraf ku përmendej I.K., këtë nuk e prisja.

          Dikush futi duart dhe e rishkroi atë paragraf; dikush tjetër e solli artikullin në vëmendje të virtuozëve të zgjyrës në mediat e Tiranës.

          Befas e gjeta veten në mes të një polemike e cila nuk është imja; sepse sinqerisht, nëse e ka thënë apo jo I.K.-ja atë batutë për refugjatët, nuk më takon mua ta ftilloj; aq më tepër që thashethemet, gënjeshtrat dhe insinuatat për njerëzit e mëdhenj dhe në qendër të vëmendjes së publikut nuk ka burrë nëne t’i kontrollojë.

          Por unë shqetësohem shumë, kur as edhe një revistë e madhe, e kalibrit europian, nuk arrin të ndalë intrigantët dhe falsifikatorët, të cilët ma prishën esenë, ma prishën edhe gëzimin e botimit të kësaj eseje dhe njëkohësisht provuan të më hedhin në luftë me I.K.-në.

          Duke u përpjekur të gjej një frazeologji a një proverb që t’i përshtatet kësaj situate, ende po lëkundem midis “i zoti e nxjerr gomarin nga balta” dhe “mirë gomari që na ngordhi, por s’po na lënë rehat as mizat.” Çuditërisht, të dyja kanë gomarin për protagonist.

          1. Sigurisht, qe s’keni borxh te kilikosni kuriozitetin as te mizave as te gomereve. Gjynah qe ne vend te festoni nje arritje tuajen ju duhet te ngushelloheni qe vute te drejten ne vend.

  7. A nuk do të sqarohej kjo çështje edhe më mirë, sikur të thuhej hapur se kush është shprehur vërtet ashtu? Si dykorriks mendoj se është edhe e drejta ime (e jonë) të mësoj/më se kush na paska quajtur “jashtëqitje”. Më bën çudi p.sh. fakti që asnjëherë nuk shfaqen pamjet e mitingut të turpshëm pas ikjes tonë e as nuk gjenden në internet. Pse vallë?
    Kështu do të vriteshin me një gur dy zogj: edhe Kadareja do të çlirohej një herë e mirë nga ky thashethem i turpshëm e ai që e ka thënë do t’i duhej të sqarohej: 1) pse nuk është vetëdeklaruar për këtë çështje, por ka lënë të përbaltet një i pafajshëm (I.K-ja) e, jo së fundmi 2) të më/na kërkonte ndoshta edhe të falur.
    Apo është thjesht një thashethem i përhapur nga Sigurimi i Shtetit e nuk ka asnjë bazë reale?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin