TA BËSH SHAHUN UJË

Këto ditë po luhet, në Londër, një turne shahu i nivelit të lartë, London Chess Classic, ku marrin pjesë disa nga lojtarët më të fortë sot, në nivel absolut, dhe pikërisht indiani Anand, rusi Kramnik, italiani Caruana, japonezi Nakamura, holandezi Giri dhe anglezi Adams.

Lexoj tani në blogun e Dennis Monokroussos (The Chess Mind) për ndeshjen e raundit të parë, midis dy ish-kampionëve të botës – Kramnik dhe Anand, e cila përfundoi në barazim, pas dyzet e kusur lëvizjesh.

Sikurse shkruan Monokroussos, dy lojtarët zgjodhën të ndjekin një sistem hapjeje që njihet me emrin Sistemi Botvinik – dhe që nuk ka nevojë ta përshkruajmë këtu, përveçse duke vërejtur që bëhet fjalë për të arritur një pozicion të caktuar në tabelë, sipas një radhe lëvizjesh pak a shumë të caktuar.

Sistemi Botvinik është nga sistemet më thellë të studiuara prej motorëve të shahut, të cilët i kalojnë variantet e mundshme të lëvizjeve në sitë, për të gjetur më të mirat, në çdo pozicion. Në lojën e mësipërme, të dy palët ishin aq mirë të përgatitura, sa e përsëritën versionin e rekomanduar prej motorëve deri në lëvizjen e 39-të (!), ose kur kishin arritur një pozicion të vdekur barazimi.

Kemi shkruar edhe më parë, në blog, për shndërrimet që ka pësuar shahu i niveleve të larta, pas fuqizimit të paparë të motorëve analitikë, të cilët rekomandojnë lëvizjet më të mira në pozicione të caktuara. Kryesori nga këto shndërrime ka të bëjë edhe me mënyrën si përgatiten shahistët më të mirë dhe për llojin e talentit që mundëson suksesin: sepse, nëse më parë kërkohej një farë ekuilibri midis memorizimit të hapjeve nga njëra anë dhe aftësive parashikuese nga ana tjetër, sot ky ekuilibër vihet në rrezik pikërisht ngaqë – së paku në teori – një shahist me kujtesë të jashtëzakonshme mund të memorizojë një numër të pafund pozicionesh dhe të arrijë meslojën, madje edhe finalen, pa menduar asnjëherë në mënyrë krijuese.

Ish kampioni i botës Anand njihet për aftësi të tilla; madje edhe të vetmen fitore në matçin kundër Carlsen-it e arriti falë përgatitjes paraprake; por edhe Kramnik-u nuk mbetet prapa. Siç e vëren edhe Monokroussos, për ata prej nesh që nuk e njohin Sistemin Botvinik, loja e djeshme u shtjellua në mënyrë dramatike – me sakrifica, kundër-sakrifica, zhbalancime dhe gjeste teatrale në mbarë tabelën. Të vjen keq kur mëson, pastaj, se e gjithë kjo ka qenë e mësuar përmendsh.

Pozicioni pas lëvizjes së 39-të.

Pozicioni pas lëvizjes së 39-të.

Pozicioni përbri u arrit në lojë, siç e përmenda, pas lëvizjes së 39-të. Në analizën që ia ka bërë lojës Monkroussos, dhe që mund ta gjeni këtu, pikërisht në këtë moment Kramnik-u devijoi nga partitura e njohur; por edhe ky devijim nuk është se solli ndonjë përmbysje në tabelë – barazim ishte dhe barazim mbeti.

Doemos, të përgatitesh deri në këtë thellësi nuk është lehtë, as mund të arrihet nga kushdo. Nuk është puna për të mësuar vetëm 39 lëvizje; por për të përvetësuar një rrjetë me mijëra përgjigje dhe kundërpërgjigje, ku çdo lëvizje është zgjedhur mes 4-5 alternativash optimale; si dhe një mori tjetër reagimesh, në rast se ndonjë prej lojtarëve i shmanget partiturës më herët dhe përpiqet të futë ndonjë risi në sistem.

Kjo do të thotë edhe se lojtarët e nivelit të lartë sot shpenzojnë energji të jashtëzakonshme për të mësuar lëvizje përmendsh; dhe ndodh pastaj kjo që përshkruan Tim Krabbé në blogun e vet Open Chess Diary (postimi 394), ku shahistë nga më të mirët sot deklarojnë haptazi se e humbën lojën ngaqë harruan ose nuk arritën dot të kujtojnë se çfarë duhej të lëviznin. Më parë, kur kompjuterët nuk përdoreshin ende për analiza shahistike, shahistët vërtet përgatitnin variante të caktuara dhe ndonjëherë edhe i çonin deri në fund në tabelë, por në përgjithësi ata mbështeteshin në aftësitë e tyre reale për ta vlerësuar një pozicion gjatë lojës.

Tek e fundit, kur dëgjon një mjeshtër të madh të thotë haptazi se e humbi lojën ngaqë nuk iu kujtua lëvizja që duhej të bënte nuk mund të mos sjellësh në mend situata aq të njohura nga vitet e shkollës, kur “bllokoheshe” gjatë provimit ose kur të pyesnin në mësim.

Tim Krabbé lë të kuptohet se rrugëdalja nga ky makth do të ishte i ashtuquajturi Fischer Random ose Chess960, ku çdo lojë shahu fillon nga një pozicion unik, që përftohet në tabelë duke i renditur figurat në mënyrë rastësore. Kështu motorët do ta kenë të pamundur të analizojnë hapjet, sepse numri i pozicioneve fillestare do të rritet nga 1 që është sot në 960.

P.S. Sa për lojën e cituar më lart, mund të ketë pasur rol edhe miqësia që i lidh prej vitesh këta të dy, Kramnik-un dhe Anand-in; aq sa t’i pengojë që t’i hidhen njëri-tjetrit në fyt, aq më tepër tani që Anand-i ende e vuan psikologjikisht efektin e matçit të sapohumbur për titullin botëror.

Nuk ka komente

  1. Faleminderit xha-xha me keto te reja dhe komente per lojen e shahut. Sic dhe duket ka ardhur koha te shpiken lojra te tjera ku njeriu te kete mundesine te perdore llogjiken dhe sidomos krijimtarine, pa te cilen nuk ke kenaqesi per te luajtur. Megjithese, shume syresh kenaqesine e ndjejne vetem kur fitojne pavaresisht se thjesht kane kopjuar.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: