Meqë flasim për raportin tonë psikologjik, si popull, me turkun, po lejohem të sjell një dëshmi personale, nga fëminia.
Kam qenë fëmija i parë, i brezit tim, në një familje relativisht të zgjeruar; ku më ka rritur stërgjyshja – ose Aneja sikurse e quanim – e lindur nënshtetase e sulltanit në Gjirokastër, sikurse edhe të gjithë gjyshërit e mi.
Brenda kësaj familjeje, i vetmi që e urrente turkun për vdekje isha unë. Prindët e mi mbanin qëndrim indiferent ndaj kësaj çështjeje, ndërsa Aneja, kur ia konfirmoja këtë qëndrimin timin jo pa njëfarë sadizmi, gjithnjë protestonte me forcë, duke ngulur këmbë: “turku është i mirë.”
Kjo megjithëse motra e gjyshes sime, që mua më mbante shumë afër, ishte njeri i ngritur dhe me shkollë (kishte studiuar në Firence) dhe gjithnjë mbante anën time në këto debate.
Por Aneja nuk pyeste për shkollë e për Firence, sikurse nuk pyeste për ideologjinë sunduese: Turku është i mirë, thoshte, pa e kuptuar se po shqiptonte çfarë ishte, të paktën për mua, blasfemi.
Familja e nënës sime ishte zhvendosur, pas Luftës, nga Gjirokastra në Tiranë; stërgjyshi im, ose burri i Anesë, i vdekur prej vitesh, kish qenë myhib gjithë jetën; gjithsesi i afërt me bektashinjtë. Mbaj mend që kur pastruam një herë katoqin, gjetëm libra të tij “turçe”, objekte dyfish të mistershme (për nga përmbajtja dhe për nga alfabeti).
Stërgjyshin (ose Babazotin siç i thoshim) unë s’e kisha arritur, që ta merrja në pyetje; por nga ç’më rrëfente Aneja, në Gjirokastrën myslimane kishin frikë vetëm grekun. Frikë, jo urrejtje. Këtë e tregon disi edhe Kadareja në Kronikë në gur – dhe ndoshta ngaqë forcat greke, të rregullta dhe të parregullta, kishin bërë masakra kundër myslimanëve në Jug por edhe gjetiu; meqë një pjesë e gjirokastritëve ose ishin zhvendosur në Gjirokastër (dhe në Libohovë) nga Janina pasi ajo zonë kish përfunduar pjesë e Greqisë; dhe pa përmendur pastaj që një pjesë tjetër ishin çamë.
Sa për mua, unë urrejtjen për turkun e kisha mësuar në shkollë, por edhe nga leximet ekstrakurrikulare. Ishin vitet 1960 dhe, me sa më kujtohet, ngjarja më e shënuar e jetës sime si “qytetar” i republikës ishin festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, që u kurorëzuan me zbulimin e statujës në sheshin homonim.
Për arsye që lidheshin me punën e saj, tetoja kish sjellë në shtëpi një numër të madh botimesh që kishin dalë për Skënderbeun, sidomos letërsi – të vjetër dhe të re (mbaj mend poema të Longfellow-t dhe, në mos gabohem, të arbëreshit Bilotta; por edhe Historinë e dytë të Nolit, pa llogaritur atë të Barletit që ishte botuar më parë; dhe pastaj vepra të Haki Stërmillit, Gjergj Zhejit, Skënder Drinit, Kolë Jakovës). Kam qenë edhe në premierën e operës “Skënderbeu” të Prenk Jakovës, ku u mërzita për vdekje (i mungonin skena aksioni); ndoshta edhe në ndonjë shfaqje teatri që tani s’më kujtohet mirë. Ndërkohë, monumenti i Skënderbeut kalorës, me shpatën zhveshur, profilin therës dhe bolet e hatashme të kalit, rëndonte në imagjinatën time më shumë se ç’rëndonte në vetë piedestalin.
Ndoshta vetëm fëmijët e merrnin seriozisht propagandën e atyre viteve; e cila e përdorte turkun si simbol të dyfishtë – të armikut të jashtëm aq të nevojshëm për diktaturat, por edhe të patriarkalizmit, të cilit i ishte shpallur luftë në gjysmën e dytë të viteve 1960 (emancipimi i gruas, revolucionarizimi i shkollës, mbyllja e institucioneve fetare, eliminimi i pronës private). Turku na pikturohej ne fëmijëve si e keqja absolute, ose insekti të cilit i duhej shtypur koka pa mëshirë; ose më mirë prerë me shpatë, siç e kish bërë Skënderbeu.
Përlavdimi i Skënderbeut përkoi edhe me daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës; çka lejoi që të hiqej një paralelizëm kuptimplotë midis skënderbejadës dhe izolimit të ri të Shqipërisë. Rrethimi i Krujës u rikthye, metaforikisht, me rrethimin imperialisto-revizionist, dhe vetë përpjekja e Skënderbeut u paraqit, nga ideologjia e kohës, si një orvatje heroike, por e parakohshme, për t’i dhënë Shqipërisë vendin e duhur në histori – ose si paralajmërim i çka do të bënte Enver Hoxha me të vetët, pesë shekuj më pas. Përndryshe, vitet 1960 ishin vite të “progresit”; dhe propaganda e zhvillimit dhe e progresit, sidomos në fushën sociale, kish nevojë për një metaforë të jashtme të prapambetjes, të cilën e plotësonte për bukuri Turqia (jo Turqia reale, por Turqia imagjinare prej së cilës Shqipëria ishte në shkëputje të përhershme; Turqia e Anadollit dhe e javashllëkut dhe e përtacisë dhe e korrupsionit; Turqia e turkoshakëve dhe e anadollakëve).
Për të gjitha këto ka analiza të mira nga Arshi Pipa dhe Armin Hetzer dhe Enis Sulstarova; dhe unë këtu vetëm do të shtoj se është ironike që kulti i Skënderbeut në Shqipëri shpërtheu pikërisht në momentin kur katolikëve shqiptarë iu dha goditja përfundimtare, duke ua mbyllur institucionet dhe burgosur ose persekutuar klerin; por njëlloj ka qenë ironik edhe triumfi i malësorit epik, në artet figurative të viteve 1980, pasi malësisë ia jetërsuan me përdhunë të gjitha institucionet e traditës, që nga feja e deri te mbajtja e armës dhe autonomia; dhe më në fund, edhe vetë largimi i monumentit të Stalinit nga sheshi qendror i Tiranës, pikërisht në momentin kur regjimi e përqafoi përfundimisht vijën politike staliniste.
Gjithsesi, urrejtja e brezit tim për turkun ishte e stilizuar – ndryshe nga ç’u kam parë disa grekëve të rreshkur në Napoli, të cilët edhe mua më mbanin për turk. Por çfarë nuk kuptoja mirë, ishte pse, vetëm dy hapa larg sheshit Skënderbej dhe shpatës që kishte bërë kërdinë, gjendej vitrina me foto te muri i ambasadës turke, në rrugën e Kavajës, ku mund të shihje pamje të mrekullueshme të Stambollit, mes të tjerash. Por kur e ngrija këtë shqetësim në shtëpi, më porositnin “mos iu afro shumë vitrinës”, ose “mos rri shumë gjatë aty”, ndonjëherë madje “as mos u afro fare”; sepse fotot e turkut edhe lejoheshin, meqë Turqia ishte vend mik; por edhe ndaloheshin, si çdo gjë tjetër e huaj.
Nga ana tjetër, dhe me gjithë posterët magjepsës tek ambasada, Turqia për mua nuk ekzistonte, përveçse si vend imagjinar, që i përkiste më shumë historisë se gjeografisë, në kuptimin që turkun unë do ta përfytyroja zakonisht si me çallmë, shallvare dhe jatagan, me mjekër dhe mustaqe dhe sy të zgurdulluar hiper-tiroidikë; praktikisht një figurinë në pritje për t’u ndarë më dysh nga shpata legjendare e heroit; ose një cartoon trashanik, që mund të vepronte, ideologjikisht, vetëm mbi mendjen e fëmijës. Ashtu e kuptoj edhe indiferencën totale të prindërve të mi, madje edhe ndaj zellit tim për t’iu bashkuar Skënderbeut, nëse do të më thërrisnin nën armë.
Dhe të mendosh që Kështjella nuk ishte botuar akoma…
Shprehja “turkalvanos” vazhdon akoma te perdoret ne Greqi nga grupmoshat e vjetra dhe te djathtet per te stigmatizuar apo karakterizuar shqiptaret myslimane. Madje dhe ne Jug te Shqiperise ortodokset “e zellshem” te Gjirokastres( lunxhiotet kryesisht) u thone myslimaneve te Gjr, turq. Ky perceptim i deformuar i ka rrenjet ne kohen e rum milletit dhe ne ndarjen e lagjeve ne qytetet osmane/shqiptare ne baze te perkatesise fetare te popullsise. Desha te pyesja ne lidhje me Janinen mqnse u permend me lart. Popullisa shqiptare ka qene dominuese ne qytetin e Janines para ndarjes se kufijve?
Për fat të keq, nuk di sa shqiptarë pikërisht ka pasur në Janinë dhe rrethinat… por vetëm që para ndarjes me kufi Gjirokastra e kishte Janinën pikë referimi shumë të rëndësishme, jo vetëm për tregti por edhe për kulturë.
Kam idene, por pa qene e sigurt,( ngaqe nuk me ndodhet libri) se ne librin e tij per Ballkanin Georges Castellan shkruan per nje numer shume te madh shqiptaresh, gati dominues ne qytetin e Janines, por ndoshta e ngaterroj me Stambollin. Kujt i ndodhet libri mund te bej dhe kerkimin perkates. Sigurisht qe Janina otomane ka qene shume e rendesishme per qytetet jugore te Shqiperise dhe sidomos per Gjirokastren. Nga nje kerkim qe bera ne internet rashe ndesh me disa burime interesante mbi Janinen dhe Epirin mesjetar/bizantin (ndonese nuk lidhje te drejperdrejte me temen tone) si dhe bashkesine e rendesishme hebreje te Janines. Dokumenti i dyte i perket bashkesise hebreje te Janines, por flet perreth 4000 hebrenj ne fillim te shek te 20.
http://www.cliohworld.net/onlread/5/44.pdf
http://www.kis.gr/en/index.php?option=com_content&view=article&id=394&Itemid=10
kendveshtrimi interesant,turqia ishte nje jashteqitje e zgjatur ne kohe e cila na shtoi virtyte mbi atonqe ntrashegonim me pare shto edhe njeriun e ri te komunismes plus edhe njeriun postkomunist domethene demokrat dhe na shfaqet nje identitet shqiptar pro europian ??
Cudi, nga shkolla, si nga 8-vjecarja,si nga gjimnazi,nuk me ka mbetur ndonje pershtypje se injektoheshim me urrejtje per turkun; me ka mbetur ndermend nga femijeria se Skenderbeu i mundte gjithmone turqit dhe aq. Nga rinia pershtypja se sundimi turk ishte nje fatkeqesi,per te cilen sot kam bindje. Kurse keto lidhjet e nendheshme me daljen nga traktati Varshaves,prishjen e kishave, katoliket etj as me ka shkuar kurre mendja… Indiference mbase, mbase paaftesi po mbase edhe s’kam faj se fundja interpretime jane.
Kurse keto bolet e hatashme të kalit te Skenderbeut u bene mit, me te renda se vete miti Skenderbeut..
Shkrimi është përjetim i një përjetimi – ose ritregim prej meje tashmë të rritur, i përvojës së një fëmije. Si përftesë, kjo s’është ndonjë zbulim imi – e gjen pothuajse në çdo material autobiografik, real dhe fiksional, kur autori flet për fëmininë e vet.
Lexuesit në këtë rast i duhet të dallojë midis asaj çfarë përjetonte fëmija në atë kohë, dhe çfarë përjeton i rrituri sot, kur sjell në mend përjetimin e atëhershëm të fëmijës (duke ia rrëfyer vetes). Kështu, përsiatjet për ideologjinë e kremtimit të 500 vjetorit të Skënderbeut janë të miat të tanishme, por mbresat nga BOLET e kalit janë të fëmijës; sepse fëmija trembet shumë nga këto manifestime kaq mashkullore – më vonë, shumë më vonë, pasi kisha lexuar Freud-in, do të mendoja se edhe pozicioni i shpatës së Skënderbeut, në statujë, nuk i lë gjë mangut një fallusi gati për të hapur zjarr. Por, duke parafrazuar sërish Freud-in, nganjëherë një shpatë s’është veçse shpatë – d.m.th. shërben për të prerë koka (ah, por ja ku dola sërish te kastrimi).
Edhe një herë, unë zbavitem kur e lexoj jetën time të atëhershme si të ishte roman, ose duke kërkuar “kuptime”; ma merr mendja se edhe të tjerë do të zbaviten, po të kujtojnë eksperiencat që kemi pasur të përbashkëta. Por në këto eksperienca, sidomos objektesh simbolike ose mitologjike, ndikojnë edhe leximet – p.sh. unë e lexoja me ëndje të madhe romanin me dy vëllime “Shqipja e kreshtave tona”, të Skënder Drinit; madje vëllimin e parë do ta kem lexuar më shumë se një herë; por shumëkush këtë roman nuk do ta ketë dëgjuar kurrë.
Nga ana tjetër, një të rrituri që përsiat për ngjarjet e vitit 1968, nuk i falet të mos i vendosë ato në kontekstin politik të kohës – dhe të mos gjejë një paralelizëm midis glorifikimit të Skënderbeut dhe rrethimit imperialisto-revizionist; ja për shembull, sot të gjithë rendën ta lexojnë politikisht hapjen e “bunkerit” të Enver Hoxhës dhe hapësirës që iu dha këtij eventi në mediat. A nuk do të ishte logjike që, sërish këta të gjithë, ta zbatonin këtë metodë – të shëndetshme – edhe për ngjarjet në të kaluarën e tyre? Ashtu do ta kuptonim më mirë edhe periudhën totalitare dhe kthesat në politikën e Enver Hoxhës, edhe vetëm po të fillonim t’u gjenim ngjarjeve kontekstin përkatës. Këtë e bëjnë më mirë historianët vërtet, por historianët në Shqipëri hë për hë e kanë mendjen të debatojnë për datën e Çlirimit dhe të tjera çështje të thella kalendarike.
A arritet ndonjehere te kuptonit se c’te mira gjente stergjyshja juaj tek turku?
Po të mbajmë parasysh kohën e fëminisë dhe të rinisë së saj (fund i shekullit XIX dhe fillim i shekullit XX), duket sikur e mira e perceptuar e turkut, për të, kish lidhje me mbrojtjen e popullsisë myslimane të Gjirokastrës ndaj rrezikut grek.