Panairi i Librit është hapur sot në Tiranë, festë dhe pikë takimi e pazëvendësueshme për të gjithë ne që me librin jetojmë.
Këtë vit nuk munda të jem i pranishëm “fizikisht”, më shumë ngaqë po punoj për një libër të ri, të cilin shpresoj ta kem gati në pranverë.
Përndryshe, më gjeni gjithnjë atje me librat e mi, të shpërndarë në stenda të ndryshme.
Te stenda e shtëpisë botuese Dudaj do të gjeni Sende që nxirrte deti, Kundër Purizmit dhe Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit. Atje mund të gjeni edhe Kullën e Sahatit, që e pata botuar në 2003, me K&B.
Dy librat me natyrë linguistike që kam botuar me shtëpinë botuese Çabej, Fraktalet e shqipes dhe Shqipja totalitare, vjet i ka shitur Kyçyku.
Folklori i elitave, një përmbledhje esesh për mediat, gjendet te stenda e shtëpisë botuese Morava.
Nuk di nëse te Botime Max gjendet akoma libri im me ese Midis zhgënjimit dhe mitit, që u kushtohet shndërrimeve dhe neurozave amerikane pas 11 shtatorit.
Jam i sigurt që vizitorët do të gjejnë në Panair prurje me vlerë, të letërsisë shqipe dhe të huaj, publicistikës dhe historisë, albanologjisë dhe fushave të tjera.
Për fat të keq, edhe një herë, shtypi është fokusuar në disa pak tituj, duke i vendosur pezull midis kulturës së celebritetit dhe asaj të skandalit.
Shopping të mbarë!