Lexoja këto ditë një ese për rolin e ripërtërirë të shpejtësisë sot, në transport dhe në komunikim, dhe në përgjithësi në kontekstin e bashkëkohësisë (Speed Kills).
Tema në vetvete nuk është e re; pa i trazuar futuristët dhe optimistët e teknologjisë, po kujtoj veç një libërth të Paul Virilio-s botuar fillimisht në Francë në 1977 (Speed and Politics) dhe, nga një këndvështrim tjetër, një ese më të vonshme dhe të mirënjohur të Italo Calvinos (“Rapidità”), të përfshirë në të ashtuquajturat “leksione amerikane” të këtij autori.
Që me Einstein-in, e kemi marrë vesh se kur, duam të rritim shpejtësinë, na del përpara një fatalitet: caku i shpejtësisë së dritës, konstantes c, që nuk mund të arrihet nëpërmjet përshpejtimit.
Nga ana tjetër, meqë informacioni në rrjetet elektronike (digjitale) udhëton me një shpejtësi të përafërt me c, jemi mësuar të mendojmë edhe se, kur është fjala për komunikim të zakonshëm në Tokë, elektroni i ka bërë distancat të papërfillshme.
Dhe këtu më la pak gojëhapur eseja që citova në krye të shkrimit, meqë aty lexova, mes të tjerash, sa vijon:
Në botën e trading-ut me shpejtësi të madhe, investuesit në Chicago, për shembull, nuk mund të tregtojnë më aksione në tregjet e New York-ut, për shkak të atyre pak nanosekondave shtesë që duhen për të transmetuar porositë për blerje dhe shitje në rrjete që e kanë arritur tashmë cakun maksimal të shpejtësisë me të cilën udhëton informacioni. Kësisoj, shpejtësia nuk e ka bërë vendndodhjen të parëndësishme, por përkundrazi, e ka bërë më të rëndësishme se kurrë. Firmat e financës, duke ndjekur një praktikë të njohur si “co-location”, tani i ndërtojnë magazinat për serverët e tyre sa më afër (fizikisht) tregjeve ku e zhvillojnë veprimtarinë.
Paradoksalisht, ky rehabilitim i “pozicionit” në një botë të digjitalizuar ka lindur si nevojë jo e njerëzve, por e kompjuterëve (makinave). Brokerët vetë mund të operojnë që nga New York-u në bursën e Chicago-s; sepse diferencat në nanosekonda as që perceptohen dot prej trurit të njeriut; kompjuterët, përkundrazi, mbështeten pikërisht në këto diferenca për të krijuar dhe ruajtur avantazhet.
Ku ka paradoks, ka edhe ironi: atje ku pushtetin e rrëmben teknologjia, përfshi tani edhe botën e këmbimeve në bursë (trading), është natyra ajo që e bllokon progresin – meqë shpejtësia e dritës (c) shërben si një barazues i madh; ose faktori që e bën demokratik universin, sa i përket përhapjes së informacionit (dhe jo vetëm).
Përndryshe, në tregun e apartamenteve në New York këtë punë e kanë ditur prej kohësh: location is everything.
ka dy shkrime shume te mira LRB te Donald MacKenzie mbi high frequency trading http://www.lrb.co.uk/v36/n17/donald-mackenzie/be-grateful-for-drizzle – qe tregu mbizoterohet nga ato kompani qe blejne aksione ne momentin kur ti ke bere porosine, dhe te shesin praktikisht dy here, me nje perqinjde centesh siper, te njejtin mall
Flet me shume per aksesin e pabarabarte qe ofron teknologjia. Ka ca kohe qe peshperitet se edhe interneti nuk eshte i barabarte per te gjithe, se shume perfitojne dhe pse aksesi eshte i njejte, pikerisht prej manipulimit dhe paaftesise se konsumatorit. Se fundmi duan ti heqin edhe neutralitetin rrjetit qe kompanite te fitojne edhe me shume para, e te kene korsite e tyre ne autostrade. Lufta e shpejtesise ka filluar atje ku nuk e shohim.