Njohja e kontributeve shoqërore për emigrantët përmban një sërë problemesh, që shkojnë përtej ekonomisë dhe çështjeve teknike të pensionit. Herët e vonë, gjatë trajtimit të çështjes, do të përballemi me konceptin e lëvizshmërisë së punonjësve.
Ka vite që Bashkimi Europian i mëshon idesë së lëvizjes së punonjësve brenda kufijve të tij. Lëvizshmëria e burimeve njerëzore është padyshim diçka pozitive. Siç thuhet edhe në dokumentet zyrtare të BE-së, lëvizja e punonjësve mund ta ndihmojë progresin socio-ekonomik, duke çuar në rritjen e punësimit dhe zhvillimin e mbajtshëm. Dukuria e lëvizshmërisë merr rëndësi të posaçme sidomos në kohët moderne kur ekonomia ndryshon me shpejtësi dhe vepron brenda globalizimit e konkurrencës ndërkombëtare. Mendohet me të drejtë se lëvizshmëria e njerëzve ndihmon edhe integrimin e vendeve brenda BE-së dhe konsolidimin e tij.
Lëvizja ndikon natyrisht edhe mbi njerëzit vetë. Qëndrimi jashtë shtetit bën që të ndryshojnë mentalitetet, të krijohen mundësitë e bashkëpunimit, të hapen dritare të reja. Kur i kalon kufijtë e vendit detyrohesh jo vetëm të mësosh gjuhë të tjera, por edhe të përballesh me zakone e kultura të ndryshme. Kjo do të thotë se njeriu detyrimisht pasurohet me njohuri e përvojë. Së fundi, krijohet edhe një qasje kulturore pozitive ndaj Tjetrit, që i ndihmon njerëzit të përballen paqësisht me botën moderne.
Mjafton t’i hedhim një sy realitetit përreth për ta kuptuar se lëvizshmëria e punonjësve është rritur ndjeshëm vitet e fundit, si brenda profesioneve, ashtu edhe midis vendeve të ndryshme. Të dyja llojet e lëvizshmërisë (profesionale e gjeografike) lidhen me sigurimet shoqërore dhe perspektivën e punonjësit për të marrë një pension në të ardhmen.
Brenda dukurisë së emigracionit shqiptar, ka kohë që vihet re një lëvizshmëri e lartë, edhe pse statistika të sakta në këtë drejtim mungojnë. Megjithatë, dihet se shumë emigrantë shqiptarë kanë ndërruar më shumë se një qytet brenda të njëjtit vend dhe më shumë se një vend brenda një kontinenti. Ka nga ata që kanë ndërruar në emigrim edhe kontinent. Kështu do të gjejmë ndër shqiptarë nga ata që janë nisur nga Shqipëria dhe janë vendosur përfundimisht diku jashtë, por edhe nga ata që pas një periudhe pune në vend të huaj, kanë preferuar të shkojnë gjetiu, p.sh. Nga Greqia drejt Italisë, nga Italia drejt Gjermanisë, nga Greqia drejt Anglisë, e nga Europa drejt Amerikës së veriut. Zakonisht, tendenca është të shkohet drejt vendeve ku mendohet se ka kushte më të mira jetese.
Në qoftë se emigranti ka punuar në Shqipëri për një farë kohe dhe bën të njëjtën gjë në dy tre vende të tjera emigrimi, del menjëherë në pah problemi i sigurimeve shoqërore, për sa kohë periudhat kontributive nuk mund të mblidhen midis tyre. Nëse emigranti do të punonte vetëm në Belgjikë nuk do të kishte probleme, meqë Shqipëria e ka një marrëveshje me atë vend për njohjen e kontributeve. Por do të kishte shumë probleme sikur të kishte punuar pjesërisht në Greqi, Itali e më pas në Kanada. Si t’ia bëjë që t’i bashkojë të gjitha vitet për të kapur kriterin e viteve kontributive të vlefshme për pensionin?
Jo pak e dinë se kanë qenë migrantët në Europë që e kanë mbajtur mbi supe peshën e fleksibilitetit dhe të lëvizshmërisë. Në fakt, po të shikohet prania e shqiptarëve në Itali, do të vihet re se denduria e tyre respekton edhe mundësitë që ofron tregu i punës. Kështu, do të gjenden më shumë shqiptarë në veri se sa në jug, kurse trajektorja në vite është e njëjta: nga krahinat më pak të zhvilluara drejt zonave më të zhvilluara. Lëvizshmëria nuk është e thjeshtë, e ka një kosto njerëzore, por është pozitive për vetë aktorët e për shoqërinë në përgjithësi.
Me ardhjen e krizës gjërat janë ndërlikuar më shumë, sepse tani duhen shtuar edhe kthimet në atdhe. Së fundi, studimi i Instat me titull “Migracioni i kthimit dhe ri-integrimi në Shqipëri, 2013” tregoi se gjatë viteve 2009 – 2013, numri i emigrantëve të kthyer është 133.544. Ritmi i kthimeve është përshpejtuar pas vitit 2011 me rreth 1,5 herë. Në pjesën më të madhe të rasteve kthimet kanë qenë vullnetare. Të kthyerit kanë qenë kryesisht nga Greqia (70,8 për qind) dhe Italia (23,7 për qind). Shkaku kryesor i kthimeve: arsyet ekonomike.
Situata e re e kushtëzuar nga kriza ekonomike e bën më prioritare njohjen e kontributeve shoqërore, sepse emigrantët mund të kthehen, madje edhe përkohësisht, sikurse deklarojnë shumë shqiptarë të kthyer që janë intervistuar në studimin e lartcituar. Nga ana tjetër, duhet të kujtojmë se ka edhe fenomene të tjera si migracioni qarkullues dhe stinor, që vetëm sa ia shton xhirot lëvizjes së zakonshme të punonjësve.
Është pothuajse banale të nënvizohet se lëvizshmëria, që të ketë efekte pozitive, duhet të shoqërohet me të drejtat përkatëse për punonjësit, ku mund të veçojmë në rastin tonë atë të akumulimit e të njohjes së periudhave kontributive për marrjen e pensionit. Brenda vendeve të Bashkimit Europian kjo ndodh në mënyrë automatike, por jo për vendet ekstrakomunitare.
Bashkimi Europian e ka përparësi lëvizshmërinë e kapitalit njerëzor brenda tij edhe për arsye demografike. Siç dihet, popullsia europiane është gjithnjë e më e moshuar, ndaj prurjet e reja i duhen shoqërisë dhe ekonomisë. Gjithashtu, lëvizja e punonjësve krijon kushtet për një shpërndarje të mirë të kompetencave profesionale, çka do të thotë se në këtë kuadër politikat në favor të trajnimit e të integrimit të tyre marrin rëndësi parësore.
Lëvizja e kapitalit njerëzor pa të drejta do të ishte e papranueshme për standardet e qytetërimit të sotëm. Si rrjedhim lëvizshmëria në vetvete nuk do të kishte kuptim, për sa kohë edhe skllevërit e dikurshëm shkonin nga një kontinent në tjetrin e nga një plantacion në tjetrin, çka nuk na e ndryshon mendimin për atë dukuri të urryeshme. Tani, lëvizshmëria është vërtet diçka pozitive, por nuk duhet t’i penalizojë ata që e vënë në jetë. Nesër mund kemi shqiptarë që kanë punuar një jetë të tërë, por me pensione që s’u mjaftojnë as për bukën e gojës, pikërisht sepse nuk u njihen vitet e kontributeve të cilat – po e themi në parantezë – janë paratë e tyre të fituara me djersën e ballit. Plagë të tjera shoqërore si puna e zezë ose mosderdhja e saktë e kontributeve shoqërore, vetëm sa na e bëjnë kuadrin më shqetësues.
Shpeshherë, na ndodh të gjithëve të biem pre e qasjes ekonomistike e utilitariste ndaj dukurive të tilla, por që në fakt duhen përmbysur për t’u kuptuar deri në thelb. Sepse nuk duhet të harrojmë se kur flasim për sigurimet shoqërore e për pensione, po flasim për njerëz e për të ardhmen e tyre. E nuk është retorikë t’ia kujtojmë vetes se puna ka të bëjë me dinjitetin e njeriut, jo vetëm me rrogën.
sh interesant shkrimi! Edhe te dhenat e linkut kryesor te konferences te bejne te mendohesh. Me ben pershtypje sido qofte qe ka te dhena te Instat-it te shprehura nen kritere gjuhesisht te paqarta si dhe te tjera qe nuk cojne ne thelb te ceshtjes dhe te lene me pyetje pa pergjigje. Ka institute te tjera qe bejne vjelje e perpunime statistikore me shkencore ne Shqiperi?
Faleminderit Presje. Problemi është shumë serioz. Po të jap një shembull konkret që më treguan pardje funksionarët e Inas Albania me zyrë në Tiranë, të cilët merren me këto probleme prej kohësh. Një emigrant shqiptar pasi ka punuar rreth njëzet vjet në Shqipëri, ka shkuar në Itali, ku i rezultojnë rreth pesëmbëdhjetë vjet pune. Emigranti ishte me të drejtë shumë i shqetësuar. Sistemi italian nuk i njeh pension, sepse vitet e punës nuk janë të mjaftueshme, kurse ai shqiptar i njeh vetëm pensionin e pjesshëm, praktikisht pak a shumë 10 mijë lekë të reja. Bashkëkombasi ynë nuk di ku ta përplasë kokën sepse nuk mund të presë derisa të hyjmë në BE e të bëhet bashkimi i kontributeve shoqërore. Si ky ka plot shembuj të tjerë, madje po të shikosh statistikat mund të supozohet se do të rriten vit pas viti. Problemi duhet zgjidhur politikisht.
E kuptoj dhe duket problem masiv dhe qe, kam frike, do marre kohe te zgjidhet. Po nuk u zgjidh shpejt, ka gjasa qe brezit te pare qe emigroi do t’i duhet te vdese duke punuar pa qene ne gjendje te gezoje ca dite te qeta pushimi para se ta lere kete bote. Nuk ka asnje emigrant qe te kete ikur para vitit 2000 (nga qindra raste qe di une), qe ta kete ne vije punen e pensionit. As ata me pune te mira e fitime normale perendimore.
Jam dakord me rrejedhojat e periudhave, ndoshta kjo është pjesa më kryesore për t’u diskutuar. Përsa u përket sigurimeve e pensionit ato janë besueshmëri në ardhje. Në këtë mënyrë ata që kanë punuar në vende të tjera të Evropës, mendoj se ato vite pune do t’i merren parasysh. Përsa i përket migracionit ose emigracionit nuk mund t’u themi aftoktonëve të ardhur ku emigracioni ngelet përsëri në errësirë.
me sa di une, shume vende mund te kthejne kontributet mbrapsht nese jane paguar mbi nje periudhe te caktuar (p.sh. ne gjermani eshte mbi 5 vjet). Kuptohet qe ne keto raste kontributet kthehen pa interesa dhe ndoshta emigrantet duhet te siguroheshin privatisht per te pasur nje pension te denje. nga ana tjeter, gjithkund ne evropen perendimore, me terheqjen e shtetit social, pensionet do te reduktohen ne maksimum edhe per shtetasit e tyre. Por marreveshjet ndershteterore, sidomos me shqiperine qe ka nje kosto te ulet jetese, jane mire edhe per financat e italise e greqise, se mund te ofronin pensione nen standardet minimale te vendeve perkatese.