Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kulturë

TË GËRMOSH FILMIN

Gati 100 vjet më parë, Cecil B. DeMille drejtoi një nga filmat colossal të kinemasë amerikane pa zë: The Ten Commandments (“Dhjetë porositë”) i mbështetur në disa motive nga Bibla.

Dunat e Guadalupe-Nipomo, në kontenë e Santa Barbara-s në Kaliforni, u zgjodhën si vendi ku do të xhiroheshin skenat e jashtme të filmit, për shkak edhe se ngjanin me shkretëtirën në Egjiptin biblik.

Gati 1,600 punëtorë iu vunë punës dhe ndërtuan skenografinë madhështore të këtij filmi, e cila përfshinte një numër statujash të faraonëve deri në 10 metra të larta dhe 21 sfinksa prej betoni dhe allçie.

sphinx-1923Thuhet se DeMille vendosi ta shkatërrojë pastaj këtë butafori gjigantë – pas gjase, për të mbrojtur veprën e vet dhe për të mos lejuar njeri të filmonte atje sërish; dhe gërmadhat e Egjiptit kalifornian i mbuloi, dalëngadalë, rëra.

Banorët e zonës ndeshnin ndonjëherë në fragmente bareliefësh “egjiptianë” që nxirrnin krye në rërë; zakonisht pas ndonjë dimri me erë të fortë dhe stuhi. Ashtu edhe filloi të kristalizohej ideja për t’i eksploruar seriozisht këto rrënoja sado artificiale.

Në tetor 2012, kineasti Peter Brosnan dhe një ekip arkeologësh filluan gërmimet, për zbulimin e “Qytetit të humbur të DeMille-it.”

Së shpejti njëri prej këtyre sfinksave të zhgroposur do të ekspozohet në “Dunes Center”.

Ironikisht, vetë Cecil B. DeMille, në autobiografinë e vet të botuar në 1959, pat shkruar se

Nëse, pas 1,000 vjetësh, arkeologët do të gërmojnë në rërat e Guadalupe-s, shpresoj se nuk do të nguten të lajmërojnë, në gazeta, se qytetërimi egjiptian nuk kufizohej aspak në luginën e Nilit, por shtrihej deri në brigjet e Paqësorit, në Amerikë.

Tani kjo ngatërresë vështirë se mund të ngjasë; ndërkohë që një sfinks tjetër, ai i hotelit Luxor në Las Vegas, ende arrin t’i mbajë kryet mbi rërë, megjithë vështirësitë që po kalon industria e lojërave të fatit në ShBA.

Ka diçka esencialisht amerikane, në këtë arkeologji të butaforisë; a thua se Amerika vetë, si kulturë e rrënjosur në traditë, nuk mund të jetë veçse një model prej stukoje dhe allçie, i kulturës “tjetër”, asaj të mirëfilltë, që vjen nga përtej Atlantikut.

Edhe pse interesi për sfinksat e kinemasë pa zë përligjet vetëm nga shkëlqimi, në mos dominimi absolut i kulturës amerikane pop, në botën e sotme.

Ky lajm sjell me vete edhe ironi të tjera, mes të cilave edhe një legjendë qarkulluese prej kohësh, se në Grand Canyon janë gjetur gjurmë të qytetërimit të lashtë egjiptian, të cilat mbahen tani të fshehta, për arsye “të vetëkuptueshme.”

Si për ta mbyllur rrethin, mua sot më kish ardhur një e-mail për një piramidë ilire në Bosnje (ishte në serbo-kroatisht dhe nuk e lexoja dot; por përmbajtja m’u duk inkurajuese); dhe, meqë flasim për ilirët, kjo arkeologji e sfinksave të një filmi nuk di pse më solli në mend – pa ndonjë arsye – argumentin bizar, që ia kam lexuar dikur një bashkatdhetari, sipas të cilit fakti që sot ndesh një numër të madh shqiptarësh të quajtur Agron, Teuta, Taulant etj. vlen si provë vendimtare në mbështetje të hipotezës se ne, shqiptarët e sotëm, rrjedhim nga ilirët e lashtësisë.

Përndryshe, jemi mësuar që lidhjet mes arkeologjisë dhe kinemasë fiction t’i përjetojmë në rrafshin narrativ – ose nëpërmjet aventurave të arkeologëve në ekran; të themi Indiana Jones, ose personazhe të ngjashme. Figura e arkeologut që, duke rrëmuar atje ku nuk duhet, zbulon ose zhvarros një diçka të keqe, një mallkim ose qenie të murosur prej shekujsh është një nga klishetë themeltare të filmit horror.

Prandaj edhe më zbavit ky lajm i përkundërt; ku nuk është kinemaja që shfrytëzon misterin e arkeologjisë dhe të gërmimit – qoftë edhe thjesht për aventurë ose në kërkim të thesarit eluziv, të fshehur me mundim nga piratët ose tempullarët; por përkundrazi, arkeologët që rrëmojnë për të zbuluar botën e harruar të një sheshi xhirimi, në përmasa pothuajse reale.

Në raste të tjera, këto skena pothuajse reale kanë mbijetuar dhe nuk kanë nevojë për arkeologët; siç është rasti i këtij “qyteti” të ndërtuar në Tunizi nga George Lucas, për filmin e tij The Phantom Menace (të serisë Star Wars). Njëlloj si shumë ndërtime të ngjashme në Las Vegas, edhe ndërtesat e këtij “qyteti” (Mos Espa) janë në pjesën më të madhe vetëm fasada.

Si rregull, kinemaja i gjen skenat exterior të gatshme; për ç’arsye edhe shumë qytete të mirënjohura në Europë dhe gjetiu na duken si të varura pezull mes dimensionit të dytë dhe të tretë (ose ekranit dhe realitetit 3D). Për Sankt Petersburg-un kanë thënë (Jurij Lotman) se i ngjan një butaforie gjigante të një qyteti europian; por këtë efekt ta japin shpesh edhe vende jo dhe kaq historike; mua, për shembull, gjithnjë kompleksi i Sheshit Nënë Tereza në Tiranë më është dukur si film set; çka edhe m’u konfirmua kur më qëlloi të shihja, dal vivo, Palazzo della Civiltà del Lavoro në Roma EUR – një tjetër film set me pretendime të ngjashme. Ndoshta kjo ndodh sa herë që fasadat e ndërtesave përreth përjetohen vetëm në 2D, ose kur ti nuk ke mundësi, arsye ose kohë për t’u kuturisur në brendësi të tyre.

Dhe meqë flasim për Tiranën, sërish kinemaja, krahas fotografisë, na ofron – në mënyrën e vet – një arkeologji dy-përmasore të qytetit të dikurshëm, ose të atij që nuk ekziston më: me vende të tilla si Pazari i Vjetër ose Bashkia. Së shpejti këtyre do t’u bashkohen edhe të tjera – për ta sheshuar qytetin e mëparshëm në ekran ose në lastrat fotografike.

Por jo vetëm kaq. Mbaj mend se, dikur në vitet 1979-1980, që filmi Radiostacioni, me regji të Rikard Larjes dhe skenar të Bashkim Shehut, u vendos të xhirohej in loco, ose pikërisht aty ku kish qenë Radio Tirana në kohën e Luftës; dhe që përkonte me rrugën Kont Urani – ku e kisha shtëpinë.

Për të lehtësuar xhirimin, kryqëzimin e rrugës Kont Urani me rrugën e Kavajës (Konferenca e Pezës) e mbyllën me mur të lartë; në mënyrë të tillë që krejt mëhalla ime pësoi një lloj infarkti, pse një prej arterieve kryesore iu përtha. Vetë rruga Kont Urani erdhi dhe u mbush me gjithfarë rrangullinash që mbetën aty edhe shumë kohë pasi kish përfunduar xhirimi; pa folur për mitrolozin që kërciste atje ditën dhe natën; zhurmë që, së paku për disa prej banorëve, do të ketë ngjallur kujtime po aq “reale” sa edhe era e barutit që pushtonte mbrëmjet e trishtuara të dimrit tiranas.

 

Pa Komente

  1. Sa e bukur, Xha Xha, ironia e këtij tip kthimi tek rrënjët e allçiut, të lidhura me fiktiven që mbijeton fizikisht në Guadalupe-Nipomo dhe shpirtërisht në ëndrrën amerikane për origjinë dhe origjinalitet.

    Këto prej allçie, Luxor-i prej xhami e një vargan filmash me ose pa piramide, më bëjnë shpesh ta shoh kulturën amerikane si një adoleshent edipal, i cili, i shtyrë nga ankthi i ndikimit (anxiety of influence), s’ngopet duke vrarë babain përtejoqeanor.

    1. Xhaxhai (Ka diçka esencialisht amerikane, në këtë arkeologji të butaforisë; a thua se Amerika vetë, si kulturë e rrënjosur në traditë, nuk mund të jetë veçse një model prej stukoje dhe allçie, i kulturës “tjetër”, asaj të mirëfilltë, që vjen nga përtej Atlantikut.)

      Militchi (Këto prej allçie, Luxor-i prej xhami e një vargan filmash me ose pa piramide, më bëjnë shpesh ta shoh kulturën amerikane si një adoleshent edipal, i cili, i shtyrë nga ankthi i ndikimit (anxiety of influence), s’ngopet duke vrarë babain përtejoqeanor.)

      Interesant se si dy pozicionet e mesiperme konvergjojne me tezat e akademikut dhe filozofit Alen de Benua. Ne librin Il male Americano te botuar se bashku me nje mikun e tij italian ai merret gjeere e gjate vec te tjerash edhe me kete teme (megjithese nuk eshte as i pari e as i fundit).
      Nese dikush ka interes per kete liber (ne italisht) mund te me kontaktoje.

  2. “Si për ta mbyllur rrethin, mua sot më kish ardhur një e-mail për një piramidë ilire në Bosnje (ishte në serbo-kroatisht dhe nuk e lexoja dot; por përmbajtja m’u duk inkurajuese); ”

    Si paranteze: Piramidat e Bosnjes jane paraqitur ne dy seriale “Unexplained files” dhe me interesantja ne serialin “Ancient aliens” ku hidhet ideja se iliret jane ndihmuar me teknologji te avancuar nga qenie jashtetokesore.
    Tani per tani ky zbulim eshte trajtuar nga rrethet shkencore si arkeologji amatore dhe “piramidat” si kodra natyrale qe rastesisht kane forme piramidale.
    http://mw2.google.com/mw-panoramio/photos/medium/5331588.jpg

    Interesante sa me s’behet me qe keto piramida i kalojne nga permasat dhe vjetersia gjithe piramidat e zbuluara deri me sot

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin