Reklama

DUAJE TË AFËRMIN

Tema e harmonisë ndërfetare vjen sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë e sjellë nga Papa Françesku.

Kjo harmoni, kjo bashkekzistencë paqësore mes komuniteteve të feve të ndryshme, është e vjetër mes shqiptarëve; dhe në këtë kuptim, mesazhi i Papës ishte më shumë për botën.

Më shumë se arritje shpirtërore jona, a tipar thelbësor i të qenët shqiptar, ajo do parë si produkt i rrethanave specifike të shtetit shqiptar, pas krijimit të tij në vitin 1912 – si shtet me një shumicë detyrimisht myslimane, por i rrethuar gjeografikisht nga një kontinent shtetesh të krishtera.

Paritë myslimane të shqiptarëve, herë me pragmatizëm dhe herë me bindje, e kishin kuptuar tashmë se Islami nuk duhej t’ia ndërronte orientimin historik të popullit, në kohë aq kritike për mbijetesën kombëtare.

Shqipëria qëkur lindi, lindi si vend europian; dhe Krishterimi është pjesë konstitutive e Europës – gjë që për Islamin është ende herët që të thuhet, megjithë komunitetet myslimane që sa vijnë e shtohen, në Perëndim.

Dhe që këtej rrjedh edhe bashkekzistenca mes nesh; pa çka se pastaj, me kalimin e viteve, baza e vërtetë sociale, e kësaj harmonie mes shqiptarësh, u bënë laikët; ose të gjithë ata që nuk i jepnin shumë rëndësi prejardhjes së tyre fetare, dhe as e përdornin fenë si far ndriçues në gjakimet e veta.

Kështu ka mbetur edhe sot: nëse shqiptarët kanë shkuar dhe shkojnë mirë mes tyre, pavarësisht prej përkatësisë fetare, kjo vjen ngaqë nuk i japin shumë vend dhe rëndësi fesë, në përcaktimin e raporteve me Tjetrin.

Disa e kanë quajtur këtë, jo pa të drejtë, indiferencë. Por edhe indiferencë në qoftë, prapë vjen si rezultat i një seleksioni shekullor mes alternativave – dhe nuk mund të shpërfillet si e vulgut, ose e pavirtytshme.

Tradicionalisht, si kusht për bashkëjetesë paqësore me një komunitet që nuk është yti ka qenë mospërzierja (non-ingerence). Kështu, po të pyesje dikur një tiranas vendali se si i kishin punët me vllehët ortodoksë që jetonin në Tiranë, do të të thoshte: “njerëz të urtë, shohin punën e tyre;” dhe po të pyesje një nga vllehët e Tiranës për komshinjtë e tyre tiranas myslimanë, do të të thoshte “njerëz të urtë, shohin punën e tyre”.

Shohin punën e tyre, vërejnë punën, s’ngacmojnë njeri, nuk të ngasin, nuk të vjen e keqja prej tyre, nuk ngatërrohen me njeri, s’kemi pasur kurrë ngatërresa me ta, s’futin hundët, s’i bien kujt në qafë, etj. – të gjitha shprehje që të japin një ide, sado provizore, për kriterin bazë të bashkëjetesës, siç është kuptuar nga bashkëjetuesit dhe të bashkëjetuarit.

Kjo mos-ndërhyrje ose mos-përzierje lidhet edhe me tabunë e prozelitizmit nga ana e institucioneve fetare përkatëse; sikurse mbështetet mbi parimin e pranuar në heshtje, se një komunitet nuk mund ta përdorë fenë e vet, për t’i kërkuar nënshtrim, qoftë edhe simbolik, komunitetit tjetër ose për t’i treguar çfarë të bëjë dhe pse.

Nëse kjo i referohet pastaj edhe traditës së mirë të bashkëjetesës mes feve brenda Perandorisë Osmane, u takon historianëve që ta ftillojnë.

Një korolar i teoremës së bashkëjetesës ndërshqiptare, ka qenë edhe që elitat e vendit, me dhe pa pushtet, dhe pavarësisht nga përbërja fetare e popullsisë ose e zonave të influencës, do t’i mbajnë fytyrat të kthyer nga Europa – një Europë laike, që Krishterimin e ka tani më shumë kulturë dhe etikë, sesa fe të vetën.

Dhe kjo nuk ka pasur lidhje, natyrisht, me përkatësinë fetare të elitave vetë, as me ndërtimin e tempujve – por me profilin kulturor të shqiptarit të shekullit XX e më pas, si qytetar i një vendi europian të pavarur dhe laik.

Papa Françesk e shprehu më se një herë mbështetjen dhe admirimin e vet për bashkëjetesën paqësore të komuniteteve fetare – dhe komentuesit e shumtë në mediat botërore e lidhën këtë me rrezikun e ISI-t. Mund të jetë kështu, nga një perspektivë globale – por nuk më duket që ISI të përbëjë ndonjë farë rreziku për prishjen e harmonisë fetare në Shqipëri.

Përkundrazi, faktorët që mund ta cenonin këtë harmoni do të ishin, para së gjithash (1) sekuestrimi i fjalëve të Papës dhe i ndikimit të këtyre fjalëve prej një grupi të caktuar brenda elitave, për t’u përdorur qëllimisht kundër një grupi tjetër; dhe (2) krijimi i idesë, deri më sot pa ndonjë bazë, se është pikërisht komuniteti shqiptar mysliman që e rrezikon këtë bashkekzistencë dhe harmoni, për shkak të çfarë ka ndodhur dhe po ndodh me myslimanët gjetiu në botë, nga Afganistani në Angli.

Ndaj ISI-t duhet vepruar me rreptësi totale, meqë i rrezikon të gjithë me dhunën që e ka vendosur në qendër të qenies së vet; dhe kur them të gjithë, kam parasysh edhe vetë komunitetin mysliman; madje radikalizimi dhe fundamentalizmi islamik nuk mund të izolohen tek ne përveçse me zotimin e plotë të këtij komuniteti – çka vlen natyrisht edhe për Kosovën, ku ndërveprimi i Islamit me politikën është më i spikatur se në Shqipëri.

Prandaj, për ta ruajtur këtë harmoni dhe mbarëvajtje ndërfetare që kaq po na e vlerëson bota, le të kujdesemi seriozisht, që të mos e jetërsojmë myslimanin shqiptar për arsye politike triviale, për t’iu përjargur të fortëve të Shekullit ose për katundarira tipike tonat; sepse jetërsimi pjell radikalizim.

Papa nuk erdhi në Shqipëri që të konvertojë myslimanët dhe agnostikët shqiptarë në të krishterë; por që t’u tregojë të gjithëve, përfshi këtu edhe myslimanët, se mësimi i Krishtit është para së gjithash mësim i paqes, i harmonisë dhe i vëmendjes ndaj Tjetrit. Po a do të dimë vallë ta bëjmë tonin këtë mesazh?

Reklama

Nuk ka komente

  1. ”’Prandaj, për ta ruajtur këtë harmoni dhe mbarëvajtje ndërfetare që kaq po na e vlerëson bota, le të kujdesemi seriozisht, që të mos e jetërsojmë myslimanin shqiptar për arsye politike triviale, për t’iu përjargur të fortëve të Shekullit ose për katundarira tipike tonat; sepse jetërsimi pjell radikalizim.”’

    Pas gati 16 vjet ne pushtet, si minister, kryebashkiak e kryeminister, morem vesh se Rama eshte katolik dhe i pagezuar qe motak. Erjon Veliaj eshte protestant dhe lidh kurore tek prifti protestant.
    Pa dashur te paragjykoj bindjet fetare te askujt, nuk vjen çik si era oportunizem kjo pune ?
    S’ka ndonje gje te keqe ne kete mes, ose me sakte vete nuk shoh ndonje gje te qortueshme, por ama nuk besoj se mund te flasim dot per jetersim, jargavitje e katundari, nqs neser nen shembullin e Rames dhe Veliaj, na dalin shume katolike e protestante.

    Te qenit katolik e protestant (besimet e Europes se mirefillte) nuk eshte ende fitimprures per masat e gjera, por aty ku ka qene mundesia, njerezit nuk kane hezituar te kthehen nga myslymane e ortodokse ne katolike e protestante.

    Ne, shqiptaret, si bashkesi etnike (se si bashkesi shteterore 100 vjet histori kemi), nuk kemi pasur e nuk kemi mundesi reale te kujdesemi per mosjetersimin e komuniteteve fetare, sepse komunitetet fetare jane pjelle e proçeseve integruese. Vetem nqs proçeset integruese nuk nxisin perfitime nga identiteti fetar ne mund te shpetojme nga ndikimet negative.

    Sot per sot, proçeset integruese qe ndikojne ne zhvillimet tona, jane Europa si BE dhe rikthimi i Islamit ne Lindjen e Mesme te zgjeruar e veçanerisht Turqi.
    Nuk mund t’i shpetojme dot proçeseve integruese, sepse edhe nqs s’duam ne qe te kemi pune me to, jane ato qe kane pune me ne.
    Keshtu, Papa vjen dhe paraqet me force faqe botes autoritetin e Perendimit ne Shqiperi, pjesemarrja e madhe konfirmon vullnetin popullor per pranimin e atij autoriteti. Jo se autoriteti ishte lekundur nder shqiptare, por ne rrethe te ndryshme si ne Europe ashtu edhe ne Lindjen e Mesme, kishin filluar te kishin dyshime.

    Persa kohe qe identiteti fetar nuk lejon hapesira oportunizmi per masen e gjere, por vetem per Parine, nuk besoj se do te kete ndonje forme jetersimi qe pjell radikalizim, Nqs masat e gjera, sidomos myslymane do te perceptojne se te jesh i krishtere katolik ose protestant, te sjell perfitime te perfillshme, atehere domosdo qe do perseritet historia, e do kemi edhe radikalizim.
    Por, perseris, se heperhe nuk duket se proçesi integrues qe vjen nga Perendimi, te sjelle me vete perfitime e rreziqe te tilla.

    1. Persa kohe qe identiteti fetar nuk lejon hapesira oportunizmi per masen e gjere, por vetem per Parine, nuk besoj se do te kete ndonje forme jetersimi qe pjell radikalizim

      Harron te besh analizen e faktoreve te jashtem. Masa e gjere kur nuk ka buke te haje e sheh Parine te nginjur mire ndjen revolten e padrejtesise te ciles islami radikal i jep ze me mire se askush tjeter. Ne kete proces radikalizimi masa mund te nise te veshe shallvare, te mbaje mjekerr, e te te kerkoje formim te partive islamike si alternative per ‘drejtesi e zhvillim’ (partite e Vllazerise Muslimane te gjitha mbajne kete emertim). Prandaj nuk duhet nenvleresuar faktori i jashtem, as te perjashtohet radikalizmi.

      1. Hiq çnatyrimin gjate diktatures, nuk gjen dot nder shqiptare konflikte sociale me baze ekonomike. Kultura ka nje element militarist te konsoliduar , ku i pasuri si bej e bajraktar ka edhe shpaten e komanden. Edhe sot, deputetet i ke neper restorante me gangot, kuptohet ata deputete qe s’jane vete kapobanda (s’po bej emra se njihen).
        Mendoj se kjo karakteristike, sado qe vazhdon e zbehet, eshte ende aq e forte sa te parandaloje revolta popullore ndaj padrejtesise, grabitjes e abuzimeve te Parise. Per kete arsye, Islami radikal apo çdo forme radikalizmi antiestablishment nuk ka per t’u bere ndonjehere levizje me frymemarrje te gjere.

        1. Nejse varet si e sheh kete ceshtje. Revolta ndaj Diktatures, per aq sa mund te ishte, erdhi e u be realitet vetem kur ekonomia shkoi pertoke. Si te thuash miratimi i pergjithshem se ai regjim duhet te binte erdhi nga stomaku, jo nga shpirti. Pa le te thone ca se “ne e kemi reformuar nga brenda”. Se dyti: 1997, te mos ishin Piramidat as qe binte Saliu ndonjehere. Tani gjithe oponenca e heshtur, kundervenia ndaj politikes eshte vetem per ekonomine. Madje fakti qe Ilir Meta, ky simbol i babezise, qe ja ka dale te jete edhe i holle si gjilpere e peshores, eshte aty pikerisht si nje model i tille: Nese behesh me te, dikur patjeter qe do kesh mundesi te mbllacitesh ndonje cike. Pra nuk kemi mundesi te normalizohemi ekonomkisht hajde te vjedhim. Modeli? Ilir Meta, Shpetim Idrizi. Tani kjo elite po kalon gradualisht drejt humbjes se perspektives, thjeshte sepse ajo rrethohet vetem nga dy qasje: pragmatizmi qe me te mund te vjedhesh dhe ta hedhesh lumin dhe e dyta se kjo eshte teresisht e paafte qe te beje dicka pervecse te vjedhe, te vjedhe dhe vetem te vjedhe. Dhe nese vjen momenti qe edhe njehere del ne rruge perballja, une kam nje si parandjenje, qe askush nuk do qelloje me ne ajer si ne vitin e budallallepesjes kolektive 1997. Te gjithe do ta dine shume mire se ku do shkojne dhe se ke dere do shqyejne.

        2. Po me kujton Karl Marksin ne vitin 1853 me kete qe po thua me siper:

          Among the other nationalities, we may dispose in a very few words of the Arnauts, a hardy aboriginal mountain people, inhabiting the country sloping towards the Adriatic, speaking a language of their own, which, however, appears to belong to the great Indo-European stock. They are partly Greek Christians, partly Moslems, and, according to all we know of them, as yet very unprepared for civilisation. Their predatory habits will force any neighbouring government to hold them in close military subjection, until industrial progress in the surrounding districts shall find them employment as hewers of wood and drawers of water; the same as has been the case with the Gallegas in Spain, and the inhabitants of mountainous districts generally.

          Besoj se e sot jemi gati per ‘qytetrimin’, dhe ‘militarizmi kulturor’ eshte nje atavizem. Per mua gjithe ata shkojne ne Siri shkojne jo per para, por per nje ndenje solidarizmi e revolte kunder padrejtesise. Kjo ndjesi mbetet shume akute te muslimanet qe kane rigjetur rrenjet e tyre e qe ankohen per diskriminim qe u behet stilit te tyre te jeteses qe eshte kryekeput jo-konsumerist ne nje ekonomi te modeluar mbi 70% konsum. Valle ke pyetur ndonjehere veten pse e majta borgjeze shpeshhere ben aleanca me myslimanet?

        3. Varet se çfare kuptimi/ngjyrimi i jepet fjales qyteterim. Llafi qe bie, qyteterimi i lashte grek ishte militarist deri ne palcen kulturore , ai romak u ”paqetua” vetem ne fazen perandorake. Nqs do kundervinim militarizmin kulturor me qyteterimin vetem ai kinez do te mund te quhej qyteterim. Ne kete kuptim, vetem Kina ka pasur rregullisht konfliktin social me baze ekonomike ( sekte te fuqishme barazimtariste qe para Krishtit, deri tek Krishti i taipingeve).
          Myslymanet e te majtet bejne koalicione pragmatiste. Ankesat islamike ndaj padrejtesive e diskriminimit nuk kane lidhje me ndergjegjen sociale qe buron nga islami, sepse ashtu vendet islamike do te ishin pararoja boterore e majtizmit, por vetem me gjendjen e tyre ne Perendim, e cila eshte njesoj si e çdo komuniteti emigrantesh, dmth me e keqja ne shoqeri.

        4. Qafir,

          une kam gjithe jeten qe protestoj kunder padrejtesive dhe ankohem per diskriminimet e te gjitha llojeve, por deri tani nuk me ka vajtur mendja t’i pres koken kujt ne shenje proteste.

          Gjithçka mund te thuash: mund te perpiqesh te gjesh arsyet e thella te ketij degjenerimi njerezor, mund te akuzosh prinderit qe kane abuzuar seksualisht me ta kur kane qene te vegjel, mund t’ua vesh fajin ushqimeve te modifikuara gjenetikisht qe po u çoroditin genet njerezve etj. etj. por nuk mund t’i justifikosh duke u veshur motive fisnike ketyre plehrave.

  2. Në përvojën time me miq myslymanë dhe katolikë të Shkodrës nuk ka qenë mospërzjerja siguresa e bashkjetesës.

    Miqtë e mi, të cilët bëheshin dhe bëhen me njëri-tjetrin, ndiqnin madje edhe praktika të ngjashme për të bërë pak dritë dhe mirë në rrethet e tyre. P.sh., para vigjiljes së Krishtlindjes, ata katolikë shpërndanin paketa të vogla të njohurve të tyre që s’ishin fort në gjendje, ata myslymanë qese me ushqime të lëna shpesh anonimisht para derës, natën e Vitit të Ri.

    I çudituri dhe i çuditshmi në këtë mes isha unë, produkt i një brumosjeje darviniste. Vonë i rashë në të që miqtë e mi kanë diçka themelore të përbashkët, besimin në një “theos” dhe “telos,” që i dallon nga filiozofia e ftohtë e mbijetesë së më të fortit. Dhe ma solli këtë gjë në mendje një intervistë e këngëtarit gjerman Xavier Naidoo (“Dieser Weg,” “Ich kenne nichts, das so schön ist wie du”, të cilin e pyetën si shpjegohet, se pa çka se i krishterë, ka aq shokë myslyman. Shokët e mi, u përgjigj ai, kanë të vështirë të pranojnë një ateist, jo një të krishterë.

    Në një kontekst tjetër, pra, del mësimi i vyer i reformatorëve: “sola fide”.

  3. Teme e gjere qe ia vlen vazhdimisht te diskutohet. Vitet e fundit eshte terhequr vemendja me te drejte ne media se bashkejetesa paqesore fetare (per hir te shkurtesise po perdor termin “tolerance”) po merret shume bukfalisht, kallup e pa u pertypur. Toleranca fetare eshte perdorur me shume si nje sllogan politik, njefare banderole qe u tundet personaliteteve e popujve perpara njesoj si ato qe iu tunden Papes ne bulevard. Pra njelloj gjesti qe tregon qe i kemi letrat ne rregull.

    Qe ta sqaroj qe ne fillim. Jam pro reklamimit te saj ne arenen socio-politike dhe mendoj se toleranca qe kane treguar shqiptaret na ben nder ne por edhe te tjereve. Ceshtja eshte se ajo duhet studiuar me thelle si ne planin nacional (shqiptar) ashtu dhe ne planin global.

    Ne planin nacional jane disa pikat qe mund te “sqarohen” ose ku mund te thellohet studimi.

    1. Faktori i komunitetit me te madh dhe te fuqishem, atij musliman ne kete proces
    2. Marrdhenia politike midis kishes ortodokse dhe Stambollit
    3. Faktori i klerit katolik si elite e nje komuniteti minoritar
    4. Faktori Bektashizem

    Pika e pare mua me duket se eshte lene krejt ne hije per shkak te kompleksit pro-perendimor te “elitave” shqiptare. Pika e dyte me duket se eshte prekur disi por me shume ne nje kontekst puro historik. Pika e trete nuk di te jete studiuar ndonjehere. Ndersa persa i perket faktorit Bektashizem-nuk kam njohuri per trajtim ne kete prizem. Sidoqofte per mua eshte nje faktor kryesor sepse Bektashizmi eshte ne njefare menyre nje pajtim i Islamit me Krishterimin. Mendimi im eshte se ferkimet midis muslimaneve dhe te krishtereve kane qene me te vogla ne zonat ku ka pasur nje numer te konsiderueshem besimtaresh bektashi.

    Ndersa ne planin global, lind natyrshem pyetja se si mund te mesoje Evropa apo bota nga Shqiperia? Pyetje jashtezakonisht e veshtire perderisa kushtet nga nje vend ne tjetrin ndryshojne. Por behet edhe me e veshtire ne momentin kur ne nuk i kemi te qarta dinamikat e harmonise fetare ne Shqiperi. Ne mendje me vijne sot tre modele te harmonise fetare ne bote.

    1. Ai i shqiptar (ku ka nje mazhorance fetare predominuese)
    2. Ai etiopian (ku ka njefare barazpespeshe fetare-afersisht 50% te krishtere me 50% muslimane)
    3. Ai neozelandez (qe mbeshtetet kryesisht tek indiferenca dhe tek nje shoqeri kryesisht laike)

    Mua me duket se Evropa tenton modelin neozelandez por mund te mesoje me shume nga ai shqiptar. Ne te dyja rastet ka nje veshtiresi shume te madhe qe e permend edhe nje komentues me siper. Evropa eshte qender gravitacionale ndersa te dyja keto vende jane vende perifierike edhe pse te nje lloji te ndryshem periferie.

  4. Ka një fill të lehtë trishtimi në këtë cikël shkrimesh që paraprinë dhe e shoqëruan këtu vizitën e kreut të Vatikanit, Papa Françeskut në Shqipëri. Trishtim për një revansh të supozuar të katolicizmit (në rastin konkret, e të krishtërimit në përgjithësi) në kurriz të myslimanizmit. Jo se e keni krejt gabim. Veçse ngatërroni e bëni bashkë ca gjëra që, përndryshe, janë më shumë të ndara. Feja, si shprehje besimi e individit apo qoftë edhe e grupit, është mënyrë jetese dhe reflektimi individual apo i bashkësisë. Institucionet religjioze, nga ana tjetër, janë forma organizimi që përpiqen të rregullojnë punët në domenet e veta e që detyrimisht ngërthejnë në vetvete komponentin e pushtetit.
    Sa i takon së parës, unë besoj se njerëzit sillen karshi saj njësoj si lulja e diellit. Njeriu priret të kthehet andej nga i vjen më fort drita, dritë që – në fund të fundit – i duhet për të jetuar. Është ky reflektim që më bën të mendoj se teoritë e zëshme për përhapjen me forcë të islamit në Ballkan janë, në masë dërrmuese, të pabaza. Shekuj më parë, kur islami u prezantua në Ballkan, nga Lindja vinte më shumë dritë, më shumë zhvillim se nga Perëndimi. Plus që dinin të marshonin më shpejt. (Por islami, që s’ishte tanimë në fillesat e veta, shoqërohej edhe nga një makineri e stërmadhe religjioni, e cila përdori me raste edhe shtrëngimin si mjet të vetin pushteti – element ky nga ku burojnë sot tërë idetë e gabuara në qarkullim.) Sot kjo situatë është përmbysur, ka kohë, ndaj dhe është lehtë e mendueshme që krishtërimi të fitojë terren, pa nevojën e kurrfarë shtrëngimi, ndaj myslimanizmit.
    Nga ana tjetër, institucionet e religjionit janë, për nga natyra e tyre, edhe instrumente pushteti. Dhe pushteti, për të siguruar sundimin, zgjerimin dhe forcimin e tij, është e provuar historikisht se përdor gjithçka. Kjo ka vlejtur, në pjesën dërrmuese të historisë, edhe për institucionet fetare, gjer ditën kur shteti u nda nga religjioni (për të krijuar “religjionin” e vet) dhe pushteti u transferua në të tjera duar, duke i lënë kryesisht institucioneve fetare vetëm mjetin e besimit për të punuar. (Mjafton të shohësh si funksionojnë edhe sot plot shtete me baza fetare, si në botën arabe apo edhe Greqinë fqinje, për t’u bindur se këto institucione, po të mundnin, do të përdornin gjithçka.)
    Ndaj gaboni kur mendoni se Ati i Shenjtë nuk ka ardhur këtu edhe për të shtuar radhën e grigjës së vet. Dhe këtë s’ka nevojë ta bëjë me të tjera mjete. Mjafton predikimi i paqes dhe bashkëjetesës. (Fundja, nga Perëndimi sot vjen më shumë dritë. Dhe kaq mjafton. Lindja nuk ofron dot gjë për momentin. Apo, më mirë, ajo që ofron, s’është fort e pëlqyeshme.) Mjetet e tjera u mbeten t’i përdorin atyre që, këtu brenda, shohin lart jo në kërkim të Zotit, por të vendit të imagjinuar se ku duan të kacavirren. Dhe frika juaj gjen me të drejtë justifikim. Fundja, bëhet fjalë ç’ambient kërkojmë të ndërtojmë – atë të bashkësisë që kërkon të jetojë në paqe, apo atë të terrenit të gjakimit për pushtet.

    1. Unë i përkas atij brezi shqiptarësh të rritur në një mjedis krejt laik, ku feja shihej më shumë si degë e tharë e së kaluarës, madje që para se të ndalohej me ligj nga regjimi. Dhe nuk mbaj mend të ketë parë ndonjë shenjë përkushtimi ndaj kultit dhe ritit në familje, madje as te stërgjyshja ime.

      Nga ana tjetër, e kuptoj rolin që luan feja, për të zhvilluar dhe ruajtur në njerëzit shqisën morale, aq delikate – meqë kam jetuar edhe në një vend të pafe, si Shqipëria; edhe në vende religjioze, si Italia e Jugut dhe ShBA. Sidomos vitet që kam kaluar në Itali, më kanë bërë ta admiroj rolin që ka luajtur katolicizmi atje, për ta mbajtur kohezive shoqërinë italiane. Mjaft të krahasosh Italinë demokristiane, të viteve 1950-1980, me atë të Berlusconi-t!

      Natyrisht, e di që virtytit mund t’i qasesh pa ndërmjetësinë e fesë; unë vetë, që i jap shumë rëndësi etikës në jetën time edhe publike edhe private, besoj se jam provë për këtë. Por çfarë ka mjaftuar për mua, ndoshta nuk mjafton për të tjerët – dhe anasjelltas.

      Idealisht, do të doja që feja të rihidhte rrënjë në shoqërinë shqiptare si dimension moral i jetës së individëve dhe të komuniteteve; prandaj më vjen keq, dhe me sa duket edhe e shpreh, kur shoh se ajo po përdoret më shumë për kauza identitare, duke e rrezikuar kështu drejtpërdrejt atë unitet të brishtë, mbi të cilin ngrihet shqiptaria kapilare.

      Përndryshe, angazhimi im në këto punë është edhe pragmatik: do të doja të jepja një kontribut, sado modest, për të shmangur konfliktin fetar mes shqiptarëve, ose acarime kombvrasëse që u detyrohen interesave të palëve të treta. Kur njerëzit janë të varfër dhe shoqëria mbarë u beson idhujve të parasë, konsumit dhe të dukjes, është shumë kollaj ta shesësh shpirtin, madje pikërisht kur kujton se je duke “e blerë.”

      1. Mjedisin që ju e përshkruani, e njoh mirë. Në ju ndihmon kjo gjë, mund edhe t’ju them se “filozofi” im i preferuar – meqë po jetojmë publikisht një dallgë “shfaqjeje” preferencash filozofike, po ia lejoj vetes edhe unë një të tillë – është humoristi Xhorxh Karlin. Jo vetëm kaq, por Xhorxhi është po aq edhe “profeti” im i parapëlqyer. Ndoshta ngaqë të dy i falemi diellit. “Fundi i botës” që vizaton ai në një nga rutinat e veta skenike, për kë i njeh shfaqjet e tij në HBO, sidomos të viteve ’90 e më tej, është ku e ku më i bukur e zbavitës nga përshkrimet e shenjta të apokalipsit a qametit.
        Lënë mënjanë këtë, laicizmi që ju mbroni si kulturë superiore s’është veç formati i besimit (një besim i turbullt, mbushur me sekte lloj-e-lloj,) rrokur prej institucioneve shekullariste, institucione që kanë prodhuar aq luftëra e kanë derdhur aq gjak sa dhe institucionet religjioze përpara tyre. Shekulli XX mjafton si dëshmi, aq sa s’do të ishte fare nevoja për dëshmitë vijuese që po shohim në këtë fillim mijëvjeçari të ri. E pra, formave të besimit s’është për t’u pasur frikën. Tjetër gjëje, po.

    2. Teoria e njeriut luledielli realisht nuk shpjegon asgje ne islamizimin e Ballkanit.
      Eshte historikisht e qarte qe Islami depertoi vetem ne Bosnje e Shqiperi, vende te pastabilizuara fetarisht dhe ky depertim i takon kryesisht shek 17, kur Perendimi ishte ne shkelqim gjithnje e me te forte. Turqia asokohe ishte refleks i Bizantit ( turqit e tjere aziatike krijuan persianate tipike).

      Shume perflitet per ndriçimin e Turqise Osmane nga ata te tezes se perqafimit te mirepritur deri mezipritur te Islamit, por turqit osmane u treguar inferiore edhe ndaj vellezerve te tyre te Azerbaixhanit, sepse keta turq gjate Persise Safavide, krijuan nje entitet qe ishte superior kulturalisht, ekonomikisht, administrativisht e me raste edhe ushtarakisht.

      Fete ndryshojne ne raste krizash te medha e te zgjatura ekzistenciale, ku nevojitet nje fillim i ri, i cili fare mire mund te jete edhe ekonomik. Ose mund te thuhet se ne gjendje krize te thelle mjafton çdo justifikim per te kaluar ne anen tjeter per nje fillim te ri.

      Gjithsesi, nga sa u fol e perfol gjate vizites, nga te gjitha palet u la te kuptohej qe nje Shqiperi e mundshme islamike eshte armikja e Shqiperise europiane, dmth nje identitet i forte myslyman perjashton identitetin europian. Nqs deri me sot çdo identitet i forte fetar perbente rrezik per ndasi brenda kombit, tani e tutje identiteti i forte myslyman perben rrezik per kombin eurokristian shqiptar.
      Kuptohet qe shume shpejt keto pallavra fetaro-politike do perfundojne ne koshin e plehrave te kujteses kolektive dhe njerezia do i rithehet bindjes fetare postmoderne, se Zoti eshte nje per tere, kush i thote Allah, kush Krisht, kush Jehova, rendesi ka te bejme kurbane e te hame mish qengji. S’ka nge populli i thjeshte te merret me elukubracione identitare pa bereqet.

      1. Faktet që sillni janë të pasakta – për ç’shkak apo për ç’arsye e bëni këtë, kjo është puna juaj. Në nga padija, mundësitë e informimit sot janë të pafundme. Kalendari i përhapjes së islamit në Ballkan apo edhe në Shqipëri nuk është ai që pretendoni. Njeriu ka të drejtë të ketë mendimin e vet, por jo faktet e veta. Fundja, ju s’po therni gjë ndonjë qingj e s’po shijoni gjë mish, por po rrini e po shkruani këtu.

        1. Me vjen keq qe s’ju besoj dot kur kontestoni me duar ne xhepa, duke fishkellyer e me koken kthyer nga ndonje ballkon.

        2. Kjo që po diskutojmë s’është çështje besimi, është punë faktesh. Besoni ç’të doni, është e drejta juaj, por mos e shisni këtë besim për histori. Shekulli i 17-të, që referoni këtu, është vala e tretë e përhapjes së islamit në Ballkan, ajo në zonat rurale, pas dy valëve paraprirëse, në shek. 15 dhe 16, në zonat urbane, ndërsa prezantimi u bë së pari në shek. 14, pas marrëveshjeve ushtarake të bujarëve vendas me turqit për mbështetje ushtarake kundër bujarëve të tjerë. Një monument dëshmi të valës së parë, ndër të paktit në rajon, i asaj kohe ka mbetur në këmbë edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Është në mes të Korçës. E ka datën e ndërtimit të stampuar në hyrje. Mund ta kesh pak vështirë ta gjesh, se tolerantët dhe bashkëjetuesit e sotëm lokalë e kanë mbytur mes pallateve të reja shumëkatëshe atë monument trashëgimie, por – si i thonë – me të pyetur gjen Romën e Stambollin, le më pastaj Xhaminë e Mirahorit.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: