Revista Harper’s e tetorit 2014 boton një fragment nga libri The missing pieces, i Henri Lefebvre, i sapobotuar në anglisht nga Semiotext(e); ku përmenden vepra arti të humbura, të harruara, të shkatërruara, të lëna përgjysmë ose që nuk u krijuan kurrë.
Po rendit disa prej këtyre më poshtë, që më tërhoqën më shumë vëmendjen, të shoqëruar me ndonjë koment timin të rastit:
Babai i Egon Schiele-s, që ishte edhe shef i një stacioni hekurudhor në Tulln, ia dogji të birit të gjitha vizatimet e vagonave hekurudhorë, gjatë një krize zemërimi.
Çfarë mund të kemi humbur kështu, nuk e di. A do ta kishim botën më të pasur a më intriguese, me vagonat e vizatuar të Schiele-s? Le të ngushëllohemi me mendimin se, të paktën, ky baba zemërak nuk ishte gjë fabrikant të brendshmesh për femra…
Diego Rivera erdhi në New York për të pikturuar, me porosi, një afresk në Rockefeller Center, ku pikturohej triumfi i marksizmit mbi kapitalizmin; dhe që do të përmbante edhe një portret të Leninit. Ky afresk u shkatërrua më pas.
E njëjta gjë do të ndodhte edhe në Bashkimin Sovjetik, disa dekada më vonë – ku shkatërrimi i portreteve dhe rrëzimi i statujave të Leninit u interpretua edhe si triumfi i kapitalizmit mbi marksizmin.
Shtatë metrat e fundit të dorëshkrimit origjinal të shtypshkruar të romanit On the road, të Jack Kerouac, i hëngri një qen.
Po më duket ironike që një romani për “rrugën” t’i jetë matur dorëshkrimi jo me faqe, por me metra.
Në Vladivostok, qyteti ku mendohet se ka vdekur poeti Osip Mandelstam, ka humbur tashmë edhe një statujë prej gize, pas gjase duke përfunduar në skrap.
Tash e tutje Vladivostoku duhet menduar si vendi ku “humbet” Mandelstami.
William Borroughs nuk e mbante mend që ta kish shkruar Naked Lunch.
Sa shkrimtarë do të donin t’i harronin disa prej veprave që kanë shkruar; dhe sa të tjerë që vetë lexuesi t’i harronte!
Një grua që mbështjell gishtat rreth një objekti i cili nuk ekziston më: The Invisible Object, nga Alberto Giacometti.
Por statuja ekziston (në MOMA), ndryshe nga ajo e Mandelstamit të shkretë.
Cervantesi thoshte se të tjerët duhej ta admironin edhe për çfarë nuk kishte shkruar.
Sërish një model ngashënjyes për shkrimtarët – me kusht që këto vepra të pashkruara të mos u zbulohen rastësisht pas vdekjes…
Gjashtëmbëdhjetë vizatime që Amedeo Modigliani i dhuroi së dashurës së vet, poetes Anna Akhmatova, përfunduan “të tymosura” nga ushtarët e Gardës së Kuqe, që i përdorën si letër cigaresh.
Droga paska qenë, pra, e fshehur në letrën mbështjellëse, jo në barin brenda.