PËR PROFESORIN

Më lajmëruan që ka vdekur prof. Shaban Demiraj, pas një sëmundjeje të gjatë.

Gjuhëtari më i mirë i brezit të tij, vazhduesi logjikë-hekurt i shkollës së Çabejt, por edhe pionier i sistematizimit përfundimtar të gramatikës historike të shqipes, prof. Demiraj mbeti për dekada pikë referimi me vlerë absolute e gjuhësisë shqiptare në Universitetin e Tiranës.

Ndihem me shumë fat, që kam ndjekur kursin e tij të Gramatikës Historike të Shqipes dhe kam biseduar shpesh me të për çështje për mua të koklavitura, të historisë së gjuhës shqipe.

shdemirajE kam parë si shembull të pakrahasueshëm të rigorozitetit shkencor, objektivitetit, pozitivizmit dhe, sidomos, të metodës në studimet gjuhësore. Mendja e tij kishte kapacitetin e jashtëzakonshëm për t’i mbajtur të lidhura së bashku, dhe nën tension, të gjitha komponentet kaotike të gramatikës së shqipes, në sinkroni dhe në diakroni.

La një trashëgimi që ka zënë vend përgjithmonë në themelet e dijes albanologjike; veçanërisht duke treguar, nga një vepër në tjetrën si duhet t’i qasemi problematikave të gjuhës. Sot e kësaj dite, Gramatika e tij historike e shqipes është nga librat që konsultoj më shpesh, në bibliotekën time.

Së bashku me prof. Çabejn (sa ishte ky gjallë), prof. Kostallarin dhe prof. Domin, arritën t’ia mbajnë të lartë, për dekada me radhë, nivelin studimeve albanologjike në lëmin e gjuhësisë.

Ishin mendje të ndritura dhe erudite, si kjo e prof. Demirajt, që më bindën t’i kushtohesha gjuhësisë; pasion që më ka mbetur i gjallë edhe sot dhe m’i ushqen ditët; teksa metoda që mësova prej tij, drejtpërdrejt në auditor dhe duke ia studiuar pastaj veprën, më ka treguar rrugën në dije dhe më ka mbrojtur gjithnjë nga pasionet ideologjike, lajthitjet metafizike dhe marrëzitë e shumëve.

Ky artikull i prof. Remzi Pernaskës përmban një tablo praktikisht gjithëpërfshirëse të veprimtarisë së shumanshme dhe gjithnjë produktive të profesorit në dekada.

4 Komente

  1. Figurë e shumëshquar e dijes albanologjike, njeri i madh.
    Keqardhje e thellë për humbjen e pakthyeshme.

  2. Vertet humbje e pazevendesueshme! Ishte i fundit i brezit me te shquar te albanologeve shqiptare. Nuk ka me studiues dhe burra si ai.

    Drite i paste shpirti!

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: