DRITARE NË HISTORI

Gazeta Panorama zbardh faqe të dramës shekspiriane që luhej në prapaskenat e kupolës së Partisë dhe të shtetit, përshkruar nga pena stilografike e sekretarit privat të udhëheqësit.

Në ditarin e botuar këtë numër do të lexoni:

Shoku Enver i shoqëruar nga shoqja Nexhmije niset për në Zonën e parë operative, nga ku do të drejtojë personalisht pushimet verore. Shoku Haxhi Lleshi kërkon me ngulm të takohet me të për t’u konsultuar “për një problem” por pastaj tërhiqet dhe thotë se “problemi nuk është shumë urgjent”, teksa përplaset tek dera me korrierin partizan, i cili sjell nga Parisi librat që kishte porositur shoku Enver më 18 dhjetor, së bashku me disa gazeta të vjetra. Autori i këtyre radhëve bisedon kokë më kokë me shokun Peti Shamblli për shkrimtarin Vehbi S. që pat gabuar rëndë në një organizatë partie të universitetit; së bashku me shokun Peti lexojnë poemën “Vazhdim i një bisede” të shokut Vehbi, të cilën e gjejnë vepër të goditur me shprehje popullore që nxjerrin bukur në dritë madhështinë e Partisë. Befas bëhet i gjallë shoku Enver i cili kërkon, nëpërmjet Sulos, një shishe bojë Pelikan për rezervuarin e stilografit që i është tharë, çka e bën autorin të ndihet me faj, teksa shoku Enver nuk harron të urojë shokun Manush Myftiu për datëlindjen, pa çka se kalemat që ka kërkuar ende nuk kanë mbërritur nga Parisi, dhe kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga shoqja Nexhmije, e cila tani për tani duhet të kënaqet vetëm me tre kalema të pamprehur dhe tre kalendarë xhepi të viteve të ndryshme, një për secilin kalem. Pastaj autori u dërgon çiftit Hoxha rrogat, që u duhen me ngut, meqë janë me pushime. Shokët Enver dhe Hysni nuk dalin dot përjashta për të inspektuar nëndetëset, për shkak të kohës së keqe prandaj rrinë brenda duke luajtur spathi, si në kohën e Galigatit. Koha përmirësohet kur shoku Enver kthehet në Tiranë dhe merr në dorëzim zarfe të dërguara tinëzisht nga Mehmet Shehu, pastaj ulet t’u qëndisë kartolina ironike Fidel Kastros, Çausheskut dhe Viktor Eftimiut. Shoku Hysni bën ndryshime të rëndësishme në kalendarin e mbledhjeve, me dijeninë e shokut Ramiz i cili ka përgjegjësi direkte për datat, pastaj të gjithë vendosin që materialet e mbledhjes së qeverisë të mos ia kthejnë Mehmetit. Shokut Enver i vjen një letër e papritur nga Jozefa, e veja e Lambertz-it, për çka autori i këtyre radhëve lëkundet nëse duhet të njoftojë apo jo shoqen Nexhmije. Një personi të quajtur Jeta i bie të fikët, dhe, edhe pse pa ndjenja, vazhdon të qajë për një gabim që kish bërë tek hartonte një telegram ngushëllimi në emër të shokut Enver, si pasojë e të cilit gabim personi që kish vdekur u ngjall, duke shkaktuar çrregullim në politikën e kuadrit. Me insistimin e shokëve, shoku Beqir Balluku shkon në Paris për mjekime, së bashku me shokun Taqo që ka disa muaj që vuan nga një sëmundje e panjohur në veshka, me ç’rast i jepet edhe shkencës borgjeze edhe një mundësi për të bërë përpara. Shoku Enver vazhdon të mos dalë në zyrë, me pretekstin se koha është e keqe, në një kohë që Jeta dërgohet me pushime të detyruara, por jo në Paris. Zbulohet shkaku pse shoku Enver nuk vjen në punë: po përgatit me dorë të hekurt festimet për datëlindjen e shoqes Nexhmije, prandaj edhe nuk ka kohë të merret me materialet që i ka çuar autori i këtyre radhëve, mbi disa çështje të marrëdhënieve të udhëheqësve kryesorë të rrethit të Përmetit. Koha vazhdon të jetë e keqe, në një kohë që një farë Vahidi thyen çdo rekord, duke mbajtur katër orë leksion në universitet, pavarësisht nga shiu dhe suferina dhe pastaj kthehet në zyrë pa çadër. Kamerieri nuk ia pastron mirë shokut Enver tavllën nga pluhuri i cigareve, për çka dërgohet edhe ai për mjekim të detyruar në Paris. Shoku Petrit Dume aludon se shoku Enver nuk e ka idenë se çfarë bën ushtria aktualisht, meqë e ka mendjen te stilografi. Në fakt, pas një nate pa gjumë, për shkak të vizitës që do të bëjë në Kinë Presidenti i imperializmit amerikan, Niksoni, shoku Enver zgjohet vonë dhe e kalon paraditen në krevat me kafe e duhan, duke ia lënë, edhe këtë herë, gjithë barrën e drejtimit të punëve të shtetit autorit të këtyre radhëve. Si pasojë e tradhtisë së udhëheqjes kineze, tani shoku Enver detyrohet të instalojë një televizor portativ në zyrën e vet…

Këto dhe shumë më tepër, në ditarin thriller të zbardhur tani nga Panorama!

Shënim: sa më lart, me përjashtim të pjesëve në korsive, janë marrë thuajse verbatim nga teksti i ditarit.

1 Koment

  1. Sa herë ndesh në shkrime që përpiqen të shtrojnë për diskutim punën dhe rolin e medias (qofshin këto përpjekje edhe efekt anësor i diskutimit), nuk di pse më vjen ndërmend një foto. Nuk ka shumë lidhje me atë ç’është shkruar në këtë artikull, mund të mos ketë edhe me shumë të tjerë të ngjashëm. E megjithatë, sa herë shoh të tilla shkrime, kjo foto më vjen ndërmend. Nuk ia di historinë, nuk e di tamam as se ç’është – në sajtin që e ka publikuar s’thuhet kurrgjë. Qëndron aty si përkujtesë e dreqi e di se çfarë. Qëndron, gjer ai që e ka hedhur të kujtohet ta heqë. Gjer atëherë, ajo vazhdon të qëndrojë këtu: http://scottsutton.net/the-rich-and-powerful-piss-on-us-and-the-media-tells-us-its-raining/.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: