Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim

E VËRTETA NË PYETJET

Studiuesit e anglishtes së përdorur në ueb kanë vënë re se shpesh foljet dhe shprehjet foljore faktive, të tilla si di që, mësoj që, marr vesh që, kuptoj që, më kujtohet që, më vjen keq/mirë që, jam krenar që ndiqen nga ndërtime pyetësore të cilat, në atë gjuhë, njihen si të llojit wh–, meqë përmbajnë përemra dhe ndajfolje pyetëse të tilla si who, what, which, when, where, whether.

Meqë kjo është pjesa e tretë e një eseje relativisht të çorganizuar, u lutem lexuesve që t’u referohen dy pjesëve të para (këtu dhe këtu); por, megjithatë, duke shtuar edhe se me folje faktive kam parasysh një grup foljesh dhe shprehjesh foljore të cilat ndiqen nga propozita që folësi i mban si të vërteta (shprehja foljore më vjen keq te “më vjen keq që t’u këput teli i violinës gjatë koncertit” parakupton që folësi e mban për të vërtetë incidentin me telin).

Tani, ndërtimet pyetëse që ndjekin foljet faktive krijojnë një problem për analizën tonë (ose më mirë “analizën”); sepse një pyetje si rregull nuk ka vlerë vërtetësie – në kuptimin që nuk mund të diskutojmë nëse pyetja vetë është e vërtetë apo jo. Për shembull, pyetja kush je ti? mund të jetë me vend ose pa vend, por jo e vërtetë apo e pavërtetë; meqë autori i saj në kontekst thjesht kërkon informacion për identitetin e dikujt.

Çfarë ndodh kur një pyetje e tillë përfshihet në një ndërtim faktiv, të tipit Ti nuk e di se kush jam unë ose E di ti se kush jam unë? Siç mund të pritej, folja di ia transmeton faktivitetin edhe informacionit që kërkon ose implikon pyetja, por e bën këtë në mënyrë të ndërmjetësuar, ose pa e eksplicituar atë informacion. Kështu, në vend që të thotë se unë jam V.I.P. dhe të punoj qindin, folësi zgjedh të thotë E di ti se kush jam unë?, duke përcjellë në thelb informacionin se fuqia e tij, në kontekst, është jashtë çdo dyshimi (është “e vërtetë”).

Kur Enver Hoxha, në një plenum të KQ të PPSh-së, tha se “Nuk e dinim ne se kush ishte Beqir Balluku, një mut muti…” ai thjesht kërkonte të konfirmonte premisën se miku-pastaj-armiku i tij Beqir Balluku ishte një kuadër i pavlerë (dhe se “Partia” e kish ditur këtë).

Mund të kërkojmë, në këtë rast, se ç’funksion luan struktura pyetësore e ndërtimit që ndjek foljen faktive. Pse vallë ndodh që, në vend që të themi se Ne e dimë si i ke fituar ti paratë që ke, parapëlqejmë të themi Pse, nuk e dimë ne si i ke fituar ti paratë që ke? Përgjigjja ka të bëjë me nevojën që e vërteta, ndonjëherë, të mbetet e nënvendosur; pse ashtu edhe kërcënon më shumë; sikurse me nevojën tjetër për të mos shkuar tepër larg dhe rrezikuar reputacionin me thënie faktive, ose pohime eksplicite të së vërtetës, në një kohë që i njëjti efekt mund të arrihet me mjete të tjera, më pak komprometuese.

Kështu, në vend që t’i themi tjetrit në publik unë e di që ti je një horr i klasit të parë dhe të rrezikojmë kundërgoditjen (grushtin, tritolin ose padinë gjyqësore, në një vend të qytetëruar), mund t’i themi pse, nuk e di unë kush je ti? duke e lënë akuzën të nënvendosur dhe duke i komunikuar tjetrit vetëm zotërimin prej nesh të dijes së vërtetë, por jo dijen vetë, e cila mbetet tabu. Të vërehet që vërtetësia, në këtë mes, bartet e gjitha nga folja faktive, meqë ndërtimi pyetësor (kush je ti?) nuk ka kurrfarë vlere vërtetësie.

Më tej akoma, ndërtimet faktive me pyetje e prezantojnë të vërtetën në ligjërim të çiftuar me agresivitetin e pyetjes. Ka një kategori pyetjesh që vendosin një farë hierarkie midis atij që pyet dhe atij tjetrit që pyetet – dhe me këtë nuk kam parasysh doemos kontekstet e hetuesisë dhe të marrjes në pyetje. Prirja e përgjithshme është që kush pyet (subjekti) qëndron më lart, në hierarki, se ai që pyetet (objekti); meqë kush pyet kërkon informacion, ndërsa kush përgjigjet e ofron këtë informacion; një strukturë ligjërimore që i ngjan asaj midis kujt urdhëron dhe kujt urdhërohet. Kështu një bos mund t’i thotë vartësit: Erdhe ti?; por një vartës vështirë se mund t’ia thotë këtë bosit të vet.

Për t’u kthyer te tema jonë, hierarkinë në bisedë e vendosin zakonisht ato pyetje të cilave në fakt përgjigjen ua dinë të gjitha palët; dhe përgjigjja e të cilave shërben si premisë e nënkuptuar e argumentit. Kështu, kur unë pyes E di ti se kush jam unë? vendos menjëherë një hierarki me tjetrin; duke i lënë të kuptoj se unë jam “dikushi”, dhe duke ia bërë një pyetje të drejtpërdrejtë (aq më keq, së cilës ai nuk i përgjigjet dot).

Më në fund, duke e lënë përgjigjen të hapur, pyetja i jep së vërtetës një vlerë potencialisht maksimale; në thënien Pse, nuk e dimë ne se kush është Selim Selimi? pyetja e nënrenditur kush është Selim Selimi kërkon si përgjigje krejt profilin identitar të këtij personi – që përndryshe mund të mbushë një kapitull libri. Kështu, dëgjuesi i angazhuar mund të zgjedhë mendërisht atë tipar të Selim Selimit që dëshiron. Përndryshe, një thënie alternative, si Pse, nuk e dimë ne se ç’matrapaz është Selim Selimi? e kufizon të vërtetën për Selim Selimin me të qenit matrapaz.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin