Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

ÇMIM

Kopertina e vogelLibri im Sende që nxirrte deti u nderua sot me Çmimin “Ardian Klosi”, në Festivalin e Librit dhe të Arteve në Tiranë, për publicistikën më të mirë të botuar gjatë vitit 2013. Ju falënderoj të gjithëve ju që më mbështetët dhe i dhuruat këtij libri suksesin.

Pas Shqipes totalitare, ky është i dyti libër imi që merr një çmim kombëtar – por këtë herë gëzimi m’u përzie me trishtim të përtëritur për humbjen e mikut Ardian Klosi, i cili e kish projektuar prej kohësh këtë festival dhe, më tej, kish qenë edhe një prej lexuesve idealë të tekstit tim.

Ma dorëzoi çmimin Katharina, vajza e madhe e Danit; në një ceremoni ku morën pjesë edhe kryeministri Rama, ministrja e Kulturës Kumbaro dhe shumë miq, të njohur, kolegë dhe lexues. Prekëse për mua ishte prania në sallë edhe e dy motrave të Danit, Mirës dhe Etlevës, së vesë Juta, dhe mbesës Rozi, të cilët të gjithë i kam njohur në rrethana të tjera.

Nder i madh për mua që ky çmim m’u dha nga një juri e kryesuar nga Piro Misha, me anëtarë Iris Luarasin, Mustafa Nanon dhe Ylljet Aliçkën.

Këtë gëzim e ndava sërish me botuesen Arlinda Dudaj, e cila pati entuziazëm për këtë libër qëkur e pa për herë të parë në dorëshkrim.

Sende që nxirrte deti është një libër i menduar dhe i krijuar përmes blogut; dhe një provë, për mua, se letërsia tradicionale mund të bashkëjetojë, madje të përfitojë nga mediat e reja.

Dhe, më në fund, ky libër sikurse të gjithë të tjerët që kam botuar këto tetë vjet, i detyrohet kujdesit, besimit, frymëzimit dhe këmbënguljes së shoqes sime, së cilës edhe i është kushtuar.

Një moment nga ceremonia. (Foto Blerta Kambo/KM)

Një moment nga ceremonia.
(Foto Blerta Kambo/KM)

Pa Komente

  1. Ardi dhe Elona, urime dhe suksese të mëtejshme. Ishte mënyrë e bukur kjo, për të përkujtuar Ardian Klosin.

  2. Urime, Ardian.
    Jam i sigurte se me kalimlin e kohes vlerat e librit do te rriten. Lexuesit qe do te vijne do te gjejne ne të elemente të çmuar per te kuptuar nje kohe unike dhe te paperseriteshme qe i iken te gjitha zhvillimeve te zakoneshme, kohen e nje çmendurije kolektive, ku edhe ata qe nuk u preken nga bacili i Koh (es), detyroheshin te benin te çmendurin. Libri shpresoj të deshmoje ekzistencen e ketyre te fundit.

  3. Urime. Konfirmime të tilla jane hapa të rëndësishme për të orientuar vëmendjen në drejtimin e të mirës së përbashkët me anë të fjalës së shkruar. Mirënjohje për mundin dhe talentin!

  4. Urime për çmimin. Vlerësimi i këtij libri tregon, ose të paktën më bën të shpresoj, se vëmendja e lexuesit po vjen e fokusohet gjithnjë e më tepër në atë lloj krijimtarie, që i qaset të kaluarës me objektivitetin e nevojshëm, pra esëll. le të shpresojmë që ky stil të shndërrohet në shkollë.

  5. Të dashur miq, ju falënderoj nga zemra për urimet që më jepni.

  6. I dashur Ardi:
    Urime të përzemërta për çmimin “Ardian Klosi”. E konsideroj veten me fat që kam lexuar shkrimet e tua që nga fillimi i viteve 80, gjithmonë me kënaqësi të veçantë. Mezi pres ta lexoj „Sende që nxirrte Deti” … dhe librat e tjerë që jam i sigurt do të na dhurosh në të ardhmen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin