KËSHILLA PËR NATËN

makina_me_drita_ndezur

Nëse një natë dimri je duke udhëtuar nëpër terr e nuk dëshiron të ndalohesh nga policia, nëse je duke i dhënë makinës në rrugë të huaja e nuk ke dëshirë të të ndjekin me sirena zhurmëmëdha, nëse po udhëton me një të afërm e nuk ta ka qejfi të përfundosh në qelinë e repartit N, atëherë bën mirë që disa këshilla t’i ndjekësh me kujdes.

1. Merr gjithnjë dokumentet me vete, se nuk i dihet. Je në dhé të huaj. Atje kanë ca rregulla të çuditshme, po të ndaluan për identifikim të kërkojnë kartën e identitetit ose pasaportën.

2. Verifiko vlefshmërinë e letërnjoftimit, pasaportës e të dokumenteve të tjera që mund të të kërkojnë. Punë mukajeti, por disa hollësi kanë rëndësinë e vet.

3. Kontrollo gjithnjë orën kur del. Natën ka më mundësi të të ndalojnë se sa ditën. Edhe pse nuk ke faj, dihet që punët e këqija bëhen natën, çka mendohet edhe nga forcat e rendit.

4.  Kujtohu se proverbi thotë “më thuaj me cilin rri, të të them se cili je”. Ti mund të jesh në rregull, por bashkëudhëtari mund të jetë i skeduar, ose ca më keq, i paskeduar.

5. Kujdes: rregullat e deritanishme vlejnë edhe për shokun me të cilin po ndan rrugën. Ligji është i barabartë për të gjithë.

6. Freno dëshirën për aventurë. Të kesh dokumente me të dhëna të ndryshme nuk të bën automatikisht James Bond, as Jason Bourne.

7. Shikohu në pasqyrë: po t’i ngjash Brad Pitt-it, herët a vonë do të kërkojnë autograf.

8. Trajtoje përvojën si pasuri të patundshme. Mos i harro ngjarjet e mëparshme, se mund të të lipsen për të ardhmen. Kujtesa për këtë punë duhet.

9. Mos harro prejardhjen.

Cili nga ne nuk do t’i jepte këto këshilla bashkatdhetarit tonë, që sipas mediave u ndalua para pak ditësh në Ragusa të Italisë? Dakord askush, se këshillat janë shpesh si kofini pas të vjelit.

Nejse, historia është kjo. Një shqiptar udhëtonte me makinë nga ora një e natës me vëllanë e vet. Policia i ndaloi për kontroll rutinë. Për fat të keq djaloshi 32 vjeçar është adash dhe i ngjason një të kërkuari, po shqiptar, të sinjalizuar nga Interpoli.

Filluan kontrollet. Dyshimet u bënë të forta kur karabinierët ia gjetën vëllanë pa dokumente, kurse i dyshuari kishte jo një por dy pasaporta me emrin e vet. Të dyja e kishin datëlindjen e afërt me atë të shumëkërkuarit. Dyshimet u përforcuan kur forcat e rendit vunë re se në patentë datëlindja përputhej me atë të kërkuarit nga Interpoli shqiptar.

I dyshuari e kaloi natën në kazermë, ku karabinierët zbuluan se dy pasaportat ishin fryt i një “keqkuptimi”, ngaqë pasaportën e kujtuar si të humbur titullari e kishte gjetur më vonë, por nuk e kishte denoncuar faktin. Në kazermë, bashkëfshatarit tonë iu kujtua se për të njëjtën ngatërresë e kishin ndaluar edhe në Shqipëri.

Lajmin e dhanë një sërë mediesh, duke kujtuar fundin pozitiv të ngjarjes. Tutto bene quel che finisce bene.

Ka vend për një këshillë të fundit? Po. Respekto të gjitha rregullat e mësipërme nëse nuk dëshiron të përfundosh edhe në gazetë.