Nga debati rreth një teme për artin bashkëkohor, më tërhoqi vëmendjen një vërejtje e Romi Kodrës, se “Arti gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë i keqkuptuar kur ‘konsumuesit’ (vizitorët) e tij do ta ndajnë objektin artistik nga subjekti artist dhe marrëdhënia e ndërsjelltë e tyre në kohë dhe hapësirë,” pikërisht ngaqë më kujtoi praninë në rritje të artistit, si ndërmjetës mes veprave të veta dhe publikut; dhe kjo jo vetëm ngaqë sot shumë artistë i sheh të bëhen pjesë e veprave të tyre, në kuptimin literal, por edhe ngaqë jeta e artistit vetë, ashtu siç u prezantohet të tjerëve, në aspektet e stilit të jetesës dhe të jetëshkrimit, merr natyrë artistike dhe ndërhyn në perceptimin e veprës përkatëse; çka do të thotë se dukuria i tejkalon caqet artificiale të artit performativ, deri atje sa të lejojë të supozohet që është pikërisht artisti i pranishëm, me individualitetin e vet unik, që arrin ta nxjerrë veprën nga rrathët viciozë të riprodhimit mekanik dhe të anonimizimit.
Deri këtu në rregull. Mirëpo qëlloi që, në të njëjtën kohë, të lexoja një lajm dramatik – ose qesharak nëse duam – për një kompozitor të mirënjohur të muzikës klasike bashkëkohore në Japoni.
Pesëdhjetëvjeçari Mamuro Samuragochi, një nga krijuesit më të dashur të muzikës në atdheun e vet, doli që kish sendërtuar një imazh krejt të rremë për veten artist, duke pajtuar një kompozitor tjetër që t’ia shkruante veprat; por edhe duke u hequr si i shurdhët, pas gjase për të tërhequr simpatinë e publikut, nëpërmjet shoqërimit me mitin e Beethoven-it, ose të kompozitorit hero dhe njëkohësisht të mallkuar të mos i dëgjojë dot krijimet e veta.
Skandalin e ushqeu, me sa duket, fakti që një nga “veprat” e Samuragochi-t, Sonatina për violinë, ishte zgjedhur për të shoqëruar shfaqjen e patinatorit japonez në akull, Daisuke Takahashi, në Lojërat Olimpike Dimërore të Soçit. Në fakt, kur autori i vërtetë i sonatinës, një Takashi Niigaki, mësues muzike part time në një shkollë në Tokyo, mësoi se vepra e tij do të kumbonte në sallat e patinazhit artistik, nuk duroi dot më, dhe iu shpraz një tabloidi lokal. Niigaki zbuloi edhe sekretin tjetër të maestro-s: që edhe shurdhësia e tij kish qenë një akt për të magjepsur publikun.
E gjithë kjo histori mund edhe të konsumohet si rrëfimi i një mashtrimi të zakonshëm, ose banal, nga një pseudo-artist që e ka blerë famën me para – por mund edhe të lexohet ndryshe; ose pikërisht duke e interpretuar sajesën e Samuragochi-t, ose kompozitorin e shurdhër, që e kish zakon të dilte në publik me flokë të gjata, syze të errëta dhe kostum të zi, si pjesë të performancës së tij autoriale.
Në kuptimin që ky personazh i kompozitorit “dramatik” të merret si po aq artistik sa edhe muzika vetë. Tek e fundit, në atë masë që personaliteti, stili i të jetuarit, pamja dhe jetëshkrimi i artistit bëhen pjesë e konsumit që ia bëhet veprës së tij, atëherë edhe ato mund të jenë produkt i një procesi krijues po aq sa edhe vepra vetë; dhe cili prej nesh nuk ka menduar, i ndeshur përballë antikave të artistëve, mënyrave si këta vishen dhe krihen, huqeve të tyre seksuale, marrëdhëniet e tyre me drogën, psikiatrinë dhe policinë e kështu me radhë, se të gjitha këto elemente biografike janë në fakt të inskenuara, ose të paramenduara që t’i shërbejnë suksesit, ose të paktën pritjes së dëshiruar të veprës?
Ku përfundon, pra, poza dhe ku fillon autenticiteti autorial? A ka kuptim të shpresojmë se autori i një vepre arti do të mund të marrë pjesë aktivisht dhe individualisht në konsumin e saj, pa u shndërruar në aktor dhe pa “e gënjyer” publikun njëfarësoj?
E megjithatë, askush prej nesh nuk habitet me tatëpjetën, ose më mirë rrokullimën e Sauragochi-t: kështu, shtëpia botuese muzikore Nippon Columbia njoftoi menjëherë se do të ndalonte shitjen e CD-ve të tij; teksa orkestrat anembanë Japonisë i anuluan koncertet me muzikë të këtij kompozitori.
Për të kuptuar më mirë katastrofën, duhet pasur parasysh edhe prestigji i pazakonshëm i muzikës klasike në Japoninë e sotme. Sipas artikullit të lartcituar në NYT, publiku e adhuronte Samuragochi-in, i cili shihej si dikush që kish arritur të kapërcente sakatllëkun e madh – për një kompozitor – të shurdhërisë; për të triumfuar si artist i tingullit. Samuragochi e paraqiste veten edhe si djalin e një të mbijetuari prej shpërthimit atomik në Hiroshima; thoshte se e krijonte muzikën “duke i besuar instinktit të vet të brendshëm muzikor dhe duke komunikuar me zemër”. Ky imazh heroik pa dyshim ndihmoi që një prej veprave të tij, Simfonia Hiroshima, të shiste 180,000 kopje – shifër e jashtëzakonshme, për tregun e muzikës klasike.
I pyetur nga revista Time, në 2001, Samuragochi shpjegoi se, për të, humbja e dëgjimit doli se paskësh qenë “dhuratë prej Zotit.”
Një kompozitor i rremë, me një biografi të rremë dhe gjymtim të rremë; por pjesë e pandashme e një muzike pa dyshim reale, e cila është përjetuar për vite me radhë si manifestim i sublimes, nga miliona muzikëdashës në Japoni dhe gjetiu në botë: si t’i pajtojmë këto kundërti? A do të kishin pasur të njëjtin sukses “krijimet” e Samuragochi-t, po të mos shoqëroheshin prej imazhit të tij si hero i gjymtuar, ose titan i plagosur i artit? Ose më mirë – le ta shtyjmë thikën deri në kockë – a do të kish pasur muzikë të Samuragochi-t, përtej imazhit të tij të sendërtuar me kujdes, prej artisti romantik, të vuajtur dhe njëkohësisht triumfues ndaj së keqes?
PËR SA KOHË HAHET SAPUNI PËR DJATHË …
Përpara disa kohësh lexova një artikull për artin bashkëkohor në blogun peizazhe.com . Përveç argëtimit që më solli artikulli, më duhet ta pranoj, jo më të pakët nga kjo pikëpamje ishin komentet. Artikulli, në mënyrë disi provokuese, vinte në dukje mosmjaftueshmërinë e artit bashkëkohor të shfaqej si i tillë edhe përpara një pastruese të thjeshtë të muzeut (citohej në artikull rasti qesharak i një pastruese që kishte hedhur në plehra një instalacion i bërë me plehra). Komentet që vijonin në blog, të provokuara nga artikullshkruesi, i vinin qark një argumenti mbi artin bashkëkohor si një art klasor, si art jo-art apo në të kundërt si ART me shkronja të mëdha që ka gjithë të drejtën për tu quajtur i tillë. Provokimin e ndoqa edhe unë duke komentuar:
romikodra thotë:
Shkurt 21, 2014 te 4:47 am
Arti gjithmone ka qene, eshte dhe do te jete i keqkptuar kur ‘konsumuesit’ (vizitoret) e tij do ta ndajne objektin artistik nga subjekti artist dhe marrdhenia e ndersjellte e tyre ne kohe dhe hapesire. Zakonisht merret ne fokus njeri prej ketyre komponenteve dhe kristalizohet ne statusin e tij (objekt/subjekt/marrdhenie) te cilit i vihet edhe nje vlere (madje edhe nje çmim). Arti gjithmone (edhe me pare se Duchamp) ka provokuar statiken e çdo statusi dhe ka kultivuar pershkueshmerine (ne kohe dhe hapesire) e tij …gjithmone duke nenkuptuar me Art objekt+subjekt+marrdhenie .. me ‘+’ dhe jo me ‘/’.
Këtij komenti (që nuk është një vërejtje siç ishte interpretuar) artikullshkruesi i përgjigjet me një tjetër artikull të titulluar “Artist, Autor, Aktor”. Në këtë artikull të dytë merret rasti i një artisti japonez, i shurdhët, i cili kishte shitur shumë cd me muzikë klasike dhe që kohët e fundit u zbulua se nuk ishte e kompozuar prej tij, por prej një kompozitori me pagesë dhe mbi të gjitha që artisti i famshëm dëgjonte normalisht. Me këtë rast artikullshkruesi kërkon të ngrejë një paradoks (apo provokim?) mbi praninë e artistit në vepër dhe ndërmjetësinë e tij në përcjelljen e saj kundrejt publikut. Artikulli mbyllet me disa pyetje:
“Një kompozitor i rremë, me një biografi të rremë dhe gjymtim të rremë; por pjesë e pandashme e një muzike pa dyshim reale, e cila është përjetuar për vite me radhë si manifestim i sublimes, nga miliona muzikëdashës në Japoni dhe gjetiu në botë: si t’i pajtojmë këto kundërti? A do të kishin pasur të njëjtin sukses “krijimet” e Samuragochi-t, po të mos shoqëroheshin prej imazhit të tij si hero i gjymtuar, ose titan i plagosur i artit? Ose më mirë – le ta shtyjmë thikën deri në kockë – a do të kish pasur muzikë të Samuragochi-t, përtej imazhit të tij të sendërtuar me kujdes, prej artisti romantik, të vuajtur dhe njëkohësisht triumfues ndaj së keqes?”
Menjëherë më erdhi në mendje Walter Benjamin (‘Vepra e artit në epokën e riprodhueshmërisë së saj teknike’), por me të do të merrem pak më poshtë. Fillimisht dua të specifikoj se kam përshtypjen që artikullshkruesi për të etiketuar me titullin “art” apo “artist” mjaftohet me: suksesin publik (“Pesëdhjetëvjeçari Mamuro Samuragochi, një nga krijuesit më të dashur të muzikës në atdheun e vet …”); me suksesin në elita (“Sonatina për violinë, ishte zgjedhur për të shoqëruar shfaqjen e patinatorit japonez në akull, Daisuke Takahashi, në Lojërat Olimpike Dimërore të Soçit”); me suksesin tek ekspertët e fushës (thuhet në artikull që artisti shiste cd-të e tij nën etiketën e shtëpisë botuese muzikore Nippon Columbia). Kjo për mendimin tim nuk është e mjaftueshme, jo sepse e them unë, por sepse që në vitet ’30 të shekullit të shkuar Benjamin nënvizonte humbjen e aureolës mistike të veprës së artit. Ky degradim i aureolës mistike kishte ardhur në pikturë falë shpikjes së fotografisë, që riprodhonte realitetin më mirë se çdo pikturë e bërë prej dorës së njeriut; dhe në artet performative falë kinematografisë, që për spektakolaritet tejkalonte çdo aktrim të mundshëm live.
Nuk vdiq pas këtyre shpikjeve teknologjike as piktura dhe as artet performative (teatri). Nuk vdiqën sepse në pikturë p.sh. doli – për të mos përmendur qindra të tjerë – Pikasso që riformuloi thelbin e artit dhe si rrjedhojë parametrat e gjykimit. Po kështu nuk vdiq teatri (si art performativ) sepse ditën disa njerëz revolucionarë të rifokusonin thelbin e tij (madje teatri është paradigmatik sepse në krizën e tij më të madhe pati edhe hovin e tij më të madh; pikërisht në këtë epokë që po flasim teatri u bë shkencë dhe hyri me të gjithë të drejtat të bëhej pjesë e kurrikulave universitare; deri atëherë ishte artizanat). Tek të gjithë këta njërëz, artistë revolucionarë që shpëtuan artin e tyre, asnjëri nuk ka patur prirje për të arritur publikun e gjerë të masave. Këta njerëz riformuluan, kultivuan dhe më pas publiku i masave i ndoqi duke u kulturuar pas tyre.
Sipas Benjamin-it ka një lloj tjetër mënyre për të reaguar ndaj teknologjisë, që është mënyra reaksionare e fashizmit. Fashizmi nuk kultivon artin por kultivon idenë e aureolës tashmë përfundimisht të humbur. Duke synuar aureolën fashizmi do të sugjestionojë masat e gjëra të publikut për t’i manovruar si automa. Benjamin ndalet këtu. Pasolini, Debord dhe shumë të tjerë që patën mundësi t’i mbijetonin nazi-fashizmit, kuptuan që mjeti ideal për të krijuar aureolën e humbur, dmth simulakrën e saj, ishte komercializimi masmediatik i mallrave; mall ndër mallra është edhe vepra e artit.
Tani, duke iu rikthyer artikullit të peizazhe.com, them se nëse publiku japonez pëlqen një lloj muzike (pranoj që mund të jetë edhe e këndshme për tu dëgjuar), kjo nuk do të thotë detyrimisht se muzika në fjalë ka vlerë artistike. Kur publiku japonez pëlqen një lloj muzike si rrjedhojë masmedias dhe operatorëve të tregut muzikor nuk ju plas fare për vlerën artistike, por vetëm për vlerën monetare të saj, sepse duan in primis të shesin mallin. Po kështu edhe orkestrat që perfomonin këtë muzikë: nuk është se njohin vlerën artistike, por shkojnë drejt shijeve të publikut pagues (shesin bileta). Idem për patinatorët në Sochi që kishin vendosur të performonin nën tingujt e kësaj muzike (blejnë apo joshin shijet dëgjimore të jurisë apo tifozëve).
Në mënyrë të pafajshme dikush mund të ngrihet e të thotë: Epo atëherë nuk paska asnjë që të gjykojë në mënyrë të pagabueshme artin? Pse vetëm ekspertët mund ta njohin artin? Unë them se po. Por kjo nuk është kategorike. Ka njohës shumë të mëdhenj të artit që kan ngrënë sapunin për djathë (sidomos në shit-blerjet e veprave piktorike), por është shumë e vështirë ta hanë për shumë kohë.
Romi, unë Samuragochi-n nuk e njoh fare. Kur shkrova për dukurinë, u mjaftova me sa kishte lajmëruar NYT, por edhe media të tjera – ose më mirë, duke i besuar gazetës.
Nga ana tjetër, është fakt i padiskutueshëm se Samuragochi ka pasur sukses me një publik si ai japonez, me shije të përpunuar dhe të sofistikuar në lëmin e muzikës “serioze”, dhe ku konkurrenca mes kompozitorëve, dirigjentëve dhe vetë orkestrave është aq e fortë, sa të japë ajo vetë garanci për cilësinë e veprave që dalin mbi ujë.
Njëlloj është fakt edhe që shtëpia diskografike e cila kish investuar në veprat e Samuragochi-t ka ditur se ku ta harxhojë paranë; dhe më në fund, që personi i pajtuar, me pagesë, nga Samuragochi për të kompozuar nën emrin e tij ka qenë muzikant profesionist, kompetent, dhe pse jo, edhe me talent mbi mesataren.
Të gjitha këto fakte në vetvete nuk mund të diskutohen; përkundrazi, çfarë ato vënë në dyshim, është vetë figura e artistit Samuragochi, dhe pikërisht: cili është ky njeri, artist, autor dhe aktor?
(1) Thjesht etiketa emërore që qëndron detyrimisht mbi çdo vepër arti; ose thjesht autori i simfonisë “Hiroshima” – në kuptimin siç është, bie fjala, Hesiodi autori i “Punëve dhe ditëve” ose Marciali autori i “Satirave” (le të supozojmë se nuk dimë gjë tjetër për këtë lloj autori, përveçse që emri i tij i shoqërohet një vepre përkatëse).
(2) Figura e artistit të gjymtë por sublim, të plagosur në shpirt dhe njëkohësisht zë këngëtar, të shurdhër si Beethoven-i por që e gjen forcën për ta kapërcyer sakatllëkun fizik, falë përsosmërisë shpirtërore – figurë e kultivuar nga ai vetë, por edhe, në një farë mënyre, e imponuar nga qasja kitsch-romantike, prej publikut japonez, jo aq ndaj muzikës klasike dhe serioze, sesa ndaj figurës së kompozitorit ose të artistit në përgjithësi?
(3) Një mashtrues që shfrytëzon me pagesë punën e të tjerëve dhe ia shet atë publikut së bashku me farsën e personalitetit të vet prej “artisti”?
Do të më thonë: të treja bashkë. Deri dje, kur mashtrimi ende nuk njihej, publiku që dëgjonte muzikën e Samuragochi-t ishte i ndarë midis (1) dhe (2); meqë e kam të lehtë të imagjinoj njerëz që e pëlqenin atë muzikë, pa ditur asgjë për autorin; sikurse dikush mund të dashurohet pas muzikës së kompozitorit belg César Franck, gjithë duke kujtuar se ai ka qenë me origjinë nga Arles dhe se është rritur nga jezuitët; ose të lexojë romanet e George Sand-it, pa e ditur se autorja ka qenë grua. Sot e tutje, kur mashtrimi është bërë i ditur, unë mund ta kuptoj pse të gjithë ata që e ndiqnin Samuragochi-n në bazë të (2) të ndihen të zhgënjyer; por e kam të vështirë të kuptoj zhgënjimin e grupit (1); meqë për këtë grup përvetësimi i muzikës së atij “autori” ka qenë i shkëputur nga informacioni për autorin vetë; dhe struktura e atyre pjesëve nuk ka ndryshuar, thjesht ngaqë autori i tyre, deri dje i kujtuar se kish qenë A, rezultoi se kish qenë B; sa kohë që është krejt i mbrojtshëm pozicioni se autori i veprës artistike X nuk është veçse autori i veprës artistike X (në kuptimin që, kush nuk di asgjë fare për Lao Tsu-në, por ka lexuar Tao Te Ching, do ta identifikojë Lao Tsu-në si autorin e Tao Te Ching; dhe për këtë lloj publiku, fakti që veprën X rezulton se nuk e ka krijuar autori Y, por autori Z, është pa kuptim logjik).
Po Xhaxha, te treja pikat bashke. Dhe te treja pikat i perkasin sebashku objekt+subjekt+marrdhenies artistike e cila mund te gjykohet dhe “etiketohet”/”emerohet” si ART vetem ne teresine e vet. Kur shkeputen nuk eshte se nuk jane vepra arti, por gjykohen si te tilla duke i marre te mireqene pjeset e tjera te shkeputura, ose me mire te them in omisis. Duchamp qe merr “qypin e hàles” (siç thote nje shoqja ime) dhe e vendos ne muze, nuk do te thote se ky objekt behet automatikisht veper arti. Per te qene e tille duhet te njihet se ç’eshte artisti (subjekti krijues) dhe motivi/provokimi (marrdhenia e tij me objektin) qe e ka nxitur ne kete veprim. Kjo natyrisht kerkon parametra te tjere gjykimi qe i shtohen parametrave te vete vepres-objekt.
Tani, une 1. nuk besoj se japonezet kane ndonje sofistikim artistik me pak a me teper se shqiptaret apo pigmejte e Guinese se Re Papua; 2. nuk besoj qe pas revolucionit teknologjik duhet te merremi ende (!?) apo ekskluzivisht me objektin; 3. nuk besoj se fundmi qe shtepite diskografike jane çertifikuesit me te denje dhe mbi te gjitha objektive te cilesise artistike ….ops objektiv? Ata jane objekt-ivizues, gje-zues, shnderrojne objektin artistik ne mall (Debord) per t’i dhene nje vlere monetare te per-cak-tuar. I vene cak vepres se artit, e kufizojne. Por me kot, sepse vlera monetare nuk arrin asnjehere vleren artistike. Le te mendojme vetem qe çmimi i Monalizes rritet dita dites dhe çdo tregetar i kujdesshem ndaj parase e ka mese te qarte qe nese e shet, diten tjeter do te kete humbur, do te jete me pak i pasur.
Me thua Xhaxha qe japonezet e grupit 1. e kane shijuar muziken si objekt (pertej etiketes se emrit te artistit). Duke i tejkaluar dyshimet qe mund te lindin mbi vleren artistike reale te muzikes se Samuragochi-t, pra po e marre “japonezisht” si te vlefshme, kam pershtypjen se po quhet veper arti nje objekt. Vetem duke i vendosur afer si percaktime (veper-objekt) besoj se dallimi eshte i dukshem mjaftueshem. Me nje objekt, sado sugjestionues, nuk mund te futemi ne marredhenie metateorike qe na zgjerojne dijen mbi ART-in ne teresine e tij. Gjithmone ne te ka nje omisis i cili plotesohet ekskluzivisht nga vezhguesi. Dhe nese revolucionohet botkuptimi artistik (qe eshte gjithmone tendeca ideale e çdo artisti) kjo vjen ne kete rast si rrjedhoje e interpretimit te subjektit vezhgues dhe jo objektit te vezhguar. Ndersa me nje veper, mund te revolucionohet botkuptimi i artit, madje pa nevojen e ndrehyrjes interpretuese te subjektit vezhgues. Vepra vepron pertej spektatorit/vezhguesit.
Kam nje artist shume per zemer, quhet Antonin Artaud. Eshte nje nga revolucionaret e teatrit. Nuk pati asnje sukses ne jete qe te linte te imagjinohej revolucioni qe solli. Ky njeri beri dhe kultivoi te berit e tij. Ne pak fjale krijoi shenja dhe prej tyre te shenjuar; pra, riformuloi shenjueshmerine e objekteve, gjesteve, fjaleve artistike dhe me keto ka krijuar kulture dhe si rrjedhoje art. Kete nuk besoj se e ben nje Samuragochi i çfaredoshem dhe as nje objekt i dale prej tij. Nuk duhet abuzuar me termat ART, ARTIST. Samuragochi mund te krijoje muzike te kendshme, por jo detyrimisht do t’i themi artist. Nuk jemi ne ‘The Voice’ prej nga dalin çdo vit nga 3-4 Vaçe Zela qe kane jetgjatesine artistike e nje fluture ne pyll. Pa nderhyrjen e artistit qe modifikon statusin (marrdhenien) e gjerave (objekteve, qofshin keto edhe gjeste, fjale apo tinguj) dhe i kultivon ato, nuk ka veper arti.
Ndjese per papiruset Xhaxha!
Shkruan:
Romi, sot e kemi shumë të lehtë t’ia heqim titullin ose etiketën e artistit; çështja është nëse e quanim apo jo artist dje.
Dhe fakt është që ne e quanim ashtu; ose më mirë, publiku i tij në Japoni, e quante ashtu.
Ose, le të biem dakord dhe të themi se, para se të zbulohej mashtrimi, publiku në Japoni e konsideronte Samuragochi-n si A, ndërsa sot e tutje do ta konsiderojë si B.
Mua më intereson pikërisht relevanca e kësaj diference, A-B, në pritjen që i bëhet veprës nga publiku, ose çfarë ndodhi me këtë vepër, gjatë dhe pas kalimit nga A në B.
Xhaxha, une besoj kjo eshte mesele ende teper e nxehte per t’u kapur pa doreza. Eshte akoma heret pra, te flitet per nje kalim te vepres nga A ne B ne syte e publikut. Me vijne te pakten dy arsye ne mend pse vepra trajtohet per momentin me te njejten monedhe qe trajtohet edhe Samuragochi.
Publiku eshte jo vetem i zhgenjyer, por edhe i zemeruar, besoj, dhe nuk mund te pritet nga publiku qe ne kete vale zemerate te gjykoje ftohte mbi vepren pavaresisht autorit. Per me teper qe autori i presupozuar ka qene “darling” i publikut. Me duket pra, normale, ne kete pike, qe inati ndaj Samuragochit t’i nxirret vepres. Eshte teper heret qe te kerkohet nga publiku te beje çshoqerimin e njerit nga tjetra. Rrjedhimisht, nuk do te thote se te vetmet merita te kesaj vepre jane te lidhura me figuren e artistit romantik, por se reagimi ndaj vepres eshte legjitim per momentin.
Nga ana tjeter, bojkoti i shtepive botuese muzikore dhe i orkestrave, mund te jete edhe me i kalkuluar nga c’duket. Ceshtjet e autorisise nuk jane ceshtje qe mund te trajtohen thjesht nga pikepamja artistike, por nderthuren sa me fushen e ligjit aq edhe me ate te shperblimeve financiare (ne kete rast edhe te ndeshkimeve financiare, ndoshta). Keshtu qe kam pershtypjen se nderkohe qe publiku shfryn zemerimin e vet ndaj Samuragochit dhe vepres se njollosur me mashtrim, avokatet e shtepise botuese, avokatet e autorit te vertete, si dhe edhe te Samuragochit, me siguri do jene duke u perpjekur te shkoklavisin royalties.
Gjithsesi, besoj se lidhja mes autorit dhe vepres, eshte lidhje qe cek te gjitha aspektet e integritetit, qofte ne kuptimin moral, qofte ne kuptimin e njejtesimit te vepres me autorin. Kam pershtypjen se publiku, megjithese nuk eshte aq strikt, kapercimin e disa limiteve nuk e toleron dot. Keshtu pra, eshte nje gje per publikun te pranoje se autori eshte nje lloj aktori qe disa momente te jetes se vet i ekzagjeron, qe luan rolin e te marrit, apo qe perfiton nga figura e kompozitorit te shurdher, dhe tjeter gje te pranoje mashtrimin. Nuk e di nese ka shqipja terma ekuivalente, por une do thosha qe nga nje krah publiku jo vetem e lejon, por edhe e fton “hoax” (qe eshte nje lloj mashtrimi), dhe nga ana tjeter, jo vetem qe nuk e lejon, por edhe behet agresiv deri edhe duke humbur racionalitetin perpara “cheating” (qe eshte edhe ky mashtrim, por nje tjeter lloj mashtrimi). Ne kete rast, kemi nje mungese totale integriteti per sa i perket Samuragochit dhe lidhjes se tij me vepren, dhe eshte kjo mungese totale integriteti cka dhe shkakton nje reagim total.
Natyrisht qe publiku ka nje perceptim ‘etiketor’ do ta quaja. Etiketor eshte nje lloj si te thuash qe publiku eshte mesuar tashme te konsumoje ne kete mall debord-ian jo vleren ne vetvete por vleren e etiketes. Rrobat nuk i veshin tashme per tu mbuluar apo mbrojtur prej te ftohtit por per te evidentuar statusin qe vjen si rrjedhoje e firmes/etiketes (edhe ke GABI kerkojme ‘firmato’ sot e kesaj dite: adidas, nike, etj).
Kam pershtypjen se c’bente Samurogachi kur ishte A apo B mbetet e njejta gje; ‘vepra’ e tij mbetet e njejte kam pershtypjen nga pikepamja e vleres artistike. Dua te mirekuptohemi, nuk po them se une do e kisha kuptuar qe vepra e Samurogachi-t nuk kishte vlere, nuk jam me i mire se japonezet si njohes muzike. Por nje ekspert i muzikes veshtire se do te gabohej ne vleresimin real te tij (nuk po flas per Nippon Columbia, sepse besoj qe kjo firme globale sheh pak ne vleren artistike kur behet fjale per te shitur cd).