Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

MUAJI I MJALTIT

zemer ne rereMuaji i mjaltit në kuptimin fillestar është periudha e parë e martesës. Thonë se shprehja vjen nga kohë të largëta përderisa përdoret në shumë gjuhë të botës, ku fjala muaj jepet shpeshherë me hënën (en. honeymoon, fr. lune de miel, it. luna di miele, es. luna de miel), por pa ia ndryshuar kuptimin dhe ëmbëlsinë. Detyrën për t’ia gjetur origjinën fjalës “mjaltë” brenda togfjalëshit, po ua lëmë të tjerëve.

Fakt është se muaji i mjaltit, përveç nga çiftet para e pas martese, përdoret në botë edhe në politikë. Shprehja shënjon periudhën kohore menjëherë pas zgjedhjeve, gjatë së cilës qeveria fitimtare gëzon “mirësinë” e opinionit publik, të mediave, të qytetarëve në përgjithësi. Studiuesit e shpjegojnë me kapitalin politik të përfituar gjatë fushatës elektorale dhe me pritshmërinë e krijuar para e pas zgjedhjeve.

Klima pozitive që rrethon qeverinë e re gjenerohet gjithashtu nga mekanizma të thjeshta psikologjike, për sa kohë çdo qytetar, madje edhe më opozitari, arsyeton me një farë tolerance. Një qeverie të porsavotëbesuar nuk mund t’i kërkosh shumë, sepse i duhet kohë për ta marrë situatën në dorë. Ministrat vetë kanë nevojë për një periudhë të caktuar për t’u ambientuar me problemet, praktikat e hapura, funksionarët, nëpunësit, etj. Të gjithë kanë nevojë gjithsesi për të marrë në dorëzim zyrën, për të pastruar tryezat e punës dhe për të gozhduar kornizat e rastit.

Sa zgjat muaji i mjaltit në politikë? Nuk ka periudhë të sanksionuar me ligj, por dihet që nuk është një muaj fiks siç e thotë shprehja. Mund të jenë edhe disa muaj. Thuhet se muaji i mjaltit përkon me 100 ditët e para të qeverisë. Këtu na duhet të kujtojmë diçka për këtë numër “magjik”. Mendohet se miti i 100 ditëve ka lindur gjatë periudhës së Roosevelt-it më 1933-in, që më pas u ripërtërit nga pasardhësit e tij deri në ditët e sotme me Obamën. Në realitet, nuk ka ndonjë arsye logjike që bilanci i parë të bëhet pikërisht pas tre muajsh e kusur ditë. Përse jo, ta zëmë, pas pesë muajsh, ose 200 ditësh, në rast se na tërheqin numrat e plotë me zero?

Tradita ndërkombëtare e 100 ditëve ka trokitur edhe në derën e politikës shqiptare. Pak kohë më parë Rama zhvilloi një konferencë të posaçme shtypi për të bërë bilancin e 100 ditëve të para të qeverisë së tij. Ja disa artikuj shtypi që përshkruanin ngjarjen: 100 ditët e para të qeverisë Rama, Rama 100 ditë, prezantohen reformat e Qeverisë, Rama: Përmbushëm prioritetin për një qeveri të njerëzve, 100 ditët, Rama: Mbajtëm premtimet. Në të vërtetë, nuk është i vetmi kryeministër që ka marrë në shqyrtim këtë periudhë “magjike”. Edhe Berisha në vitin 2009 e respektoi ritin e krijuar: Kryeministri Berisha mbi 100 ditët e para, Berisha: 100 ditët e para, bilanc pozitiv, Berisha: “100 ditët historike të qeverisë time”

Që miti i qindëshes së parë ka zënë rrënjë e vërtetojnë edhe pritshmëritë që qarkullojnë për këtë periudhë. Mediat u kërkojnë politikanëve pronostikimet pikërisht për këtë periudhë, sapo i fitojnë zgjedhjet. Në një intervistë të njohur në televizion, kryeministrit shqiptar iu bë kjo pyetje: “Cilat do të jenë 100 ditët e para të qeverisë së “Rilindjes”?” Nga ana tjetër, pikërisht për këto ditë bëhen anketime të ndryshme online (Rezultati i Sondazhit: Si do të vlerësonit 100 ditët e para të qeverisë Rama?), çka tregon se tashmë numri është popullarizuar.

Megjithatë thelbi qëndron gjetiu, pavarësisht numrit të saktë të ditëve pas krijimit të qeverisë. Muaji i mjaltit për çiftet e porsamartuara përfytyrohet të jetë muaji i ëndrrave, i dashurisë, i qetësisë, i lumturisë. Zakonisht çifti e kalon muajin e mjaltit me pushime, gjatë të cilave mund të “hidhen themelet” e ndonjë jete të re. Praktikisht është muaji i mirëbesimit, i kënaqësisë, i moskokëçarjes. Të metat nuk falen, sepse nuk dallohen fare.

Paralelizmi me politikën është i thjeshtë. Gjatë muajve të parë, të metat e qeverisë – edhe kur dallohen – harrohen menjëherë. Justifikimi është në majë të gjuhës, sepse e reja ka aftësinë për t’i magjepsur disi njerëzit. Jehona e urimeve dhe festimeve për fitoren është ende në veshët e gjithkujt. Nga ana tjetër, pas andrallave, zhurmës dhe lodhjes së zgjedhjeve, qytetarët preferojnë pak qetësi.

Problemi më i madh i muajit të mjaltit është se një ditë mbaron.  Vjen një çast që çiftit i duhet të përgatisë valixhet, të bëjë kontrollin e mërzitshëm në aeroport, të kthehet në shtëpinë e pluhurosur e të zhytet në përditshmëri. Është rutina që i zgjon njerëzit nga hipnoza e risisë dhe e moskokëçarjes. Në këtë periudhë çifti fillon ta dallojë se trëndafili ka edhe gjemba. Kjo ndodh pak a shumë edhe në politikë. Pas efekteve speciale të risisë qeveritare, njerëzit fillojnë t’i hapin sytë më mirë, duke u bërë më pak tolerantë. Kjo mund të shkaktohet edhe për faj të pritshmërisë së krijuar në kohën parazgjedhore. Sa më e lartë të jetë ajo, aq më i mundshëm bëhet zhgënjimi. Nga një qeveri që ka ardhur në pushtet me qëllime revolucionare e me premtime spektakolare priten rezultate të shoqëruara me fishekzjarrë. Zhgënjimi i afrohet pragut edhe pa mbushur njëqind ditët.

Me kalimin e kohës administratorët e rinj të pushtetit humbasin edhe alibinë e qeverisjes së mëparshme. Brenda muajve të parë, është bërë tashmë sport ndërkombëtar, kritikohet ashpër menaxhimi pararendës. Si edhe në Shqipëri, zbulohen llogari të mbrapshta, borxhe, korrupsione, djallëzi të ndryshme, të bëra e të pabëra, të vërteta e teprime. Është pjesë e lojës politike. Mirëpo kjo teknikë nuk mund të përdoret sine die. Me fjalë më shqiptare vjen një moment që i del boja, sepse nuk mund t’i akuzosh për dëmet në kiç ose në bash ata që e drejtonin anijen dy vjet më parë. Edhe sikur të ishte e vërtetë ke pasur kohë ta riparosh ti vetë, pa humbur kohë me ankesa.

Aspekti më pozitiv i muajit të mjaltit në politikë është se gjatë kësaj periudhe qeveria i ka duart disi të lira për të ndërmarrë reforma madhore, madje edhe të dhimbshme nga pikëpamja sociale. Më pas gjërat ndërlikohen pak. Historia botërore tregon se gjatë muajve të parë janë realizuar objektivët më ambiciozë, sepse më vonë hovi fillestar vjen duke e humbur energjinë e vet.

Tani, shumëkush prej nesh mund të pyesë nëse për qeverinë shqiptare muaji mjaltit ka mbaruar. Nuk kam ide të saktë, sepse muaji i mjaltit nuk është periudhë fikse, por dihet që muaji mjaltit mbaron për çdokënd. Herët a vonë. Këtë e di edhe vetë qeveria Rama. Megjithatë, mbarimi i muajit të mjaltit nuk përkon me mbarimin e përvojës së bukur; në fund të fundit, tek vështirësitë e jetës së përditshme dallohet dashuria e vërtetë që i reziston kohës. Në këtë kuptim, muaji i mjaltit i tërheq urimet për përjetësi, sikurse ato për përfundim të shpejtë. Kundërshtitë e zakonshme njerëzore.

Pa Komente

  1. I nderuar Pishak, jam kurioz si do ta pajtoje këtë metaforë kaq të ëmbël për muajin e mjaltit, me thirrjet e vazhdueshme të opozitës për ta rrëzuar qeverinë Rama menjëherë, madje edhe me revolucion – p.sh. nesër.

    Normalisht do të pritej që koncesioni mirëkuptues t’i jepej qeverisë nga opozita – meqë sa për zgjedhësit, këta ia kanë dhënë votën (dhe besën) për më shumë se 100 ditë. Se unë nuk kam dëgjuar gjë as Bashën, as Berishën të nxjerrin sheqer nga goja gjatë kësaj periudhe.

    1. Kam përshtypjen se opozita e bën protestën më shumë për të shtrënguar radhët e veta se sa për të kundërshtuar qeverinë. Opozita më duket ende në kërkim të identitetit të vet; në këtë kuadër protestat e tanishme më duken në funksion të ricilësimit të rolit të saj. Kjo nuk do të thotë se opozita nuk ka të drejtë ta kundërshtojë mazhorancën, sidomos kur dihet se ëndrra e saj është t’ia prishë ëndrrën e muajit të mjaltit me opinionin publik. Në një farë mënyre protesta, nga qëllimet e opozitës, mund të përshkruhet si ajo shkundja e mëngjesit kur të thonë “çohu se u bëre vonë”, ose si përgatitja e valixhes për t’u kthyer nga plazhi në shtëpi. Se sa ia arrin është diçka tjetër.

      Asnjë qeveri nuk mund të pretendojë që muaji i mjaltit të vijojë pafundësisht. Sikurse edhe çiftet normale, edhe pse do të ishte diçka e bukur. Qeveria Rama po gëzon ende rentën e risisë, por kjo nuk do të vazhdojë gjatë. Edhe Ministri më i ri vjetrohet pas një farë kohe. Është afërmendsh, sidomos kur gabimet nuk mungojnë. Por besoj se këtë e dinë edhe anëtarët e qeverisë shqiptare, se nuk janë pa përvojë. Kjo nuk përjashton mundësinë që qeverisja ta vijojë punën pa asnjë problem për katër vjet rresht, meqë qeveritë varen nga votat në Parlament, jo nga humori i sheshit. Por në rastin negativ, do të kishim martesë për inerci, jo me dashuri. Natyrisht, këtë të fundit e urojnë të gjithë njerëzit e arsyeshëm.

  2. Sigurisht opozita duhet te shfrytezoje çdo mjet per te forcuar identitetin e saj, sidomos tani pas daljes ne pension te Sali Berishes dhe humbjes se rende te zgjedhjeve te qershorit. Dhe niset nga nje gjendje e saj tejet e rende. Por problemet qe rendojne sot shoqerine shqiptare varen edhe nga 8 (Tete) vitet e qeverive Berisha. Prandaj shumica e tanishme mund te sulmohet per gjithçka por jo sepse:
    “po ben nderrimet ne administrate” “respektimi i ligjit mbi nepunesin civil”, etj, ne kohen qe e dime qe ne te gjitha postet politike, dmth ku i shkon mendja atij qe ka kalemin, firmen, qe prej v.1992 vihen vetem besnike qe jo gjithmone i kane kriteret profesionale; dhe kjo eshte bere nga te gjitha qeverite e te dyja paleve; pra edhe nga Berisha qe mbeti vetem edhe per ca jave edhe pa LSI-ne shpirte e xhane deri ne ate çast; pra nuk mund te beje nje beteje kunder menyres se vet te veprimit; sepse keshtu vetem sa forcon vleresimin negativ per te nga zgjedhesit, sepse eshte e njejta menyre veprimi, qe ishte ne fuqi me vete partine demokratike deri para 7 muajsh.
    Opozita perveç riorganizimit ne rangjet drejtuese, nqs i ka mundesite per tani se Sali Berisha, duke perqendruar pushtetin kishte bere tabula rasa rreth tij, perjashto Jozefina T., dhe… sigurisht Lulin, duhet te rilidhet me bazen e saj, nqs se i ka mbetur edhe kjo;
    duhet te mos improvizoje: se permend gjithnje si far drejtues shembullin me te keq qe i del perpara: pranvere arabe, pranvere boshnjake, shembull ukrahinas; pra mundohet te beje te vetin çdo mundesi edhe shume te larget per t’iu afruar marrjes se pushtetit;
    Opozita te mos perkrahe nisma ilegale te kategorive te veçanta, si psh çeshtja e furgonave; dhe per te perkrahur furgonat duhet guxim duke pare te gjithe jetet e marra ne javet e fundit nga aksidentet e tyre;
    Opozita duhet te rregulloje komunikimin:shkurt, perfaqesuesit e vet qe dalin ne tv private shqiptare te jene koherente me ate qe thone sot dhe neser, te jene te pergatitur per programin e afert e te larget te forces politike qe perfaqesojne per temat per te cilat diskutohet, edhe duke perfituar nga niveli tejet i ulet i “debatit politik” ne programet e superperseritura televizive; e te… mos perdorin argumente si argumenti i fundit qe sapo ridegjova ne tv tani: pergjegjesite e qeverise se tanishme sepse ne Vlore ka pasur raste te malaries.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin