FAST FORWARD

wmVitet 1960 do të kujtohen si vite të progresit dhe sidomos të optimizmit teknologjik – të kurorëzuar me transplantimin e parë të zemrës nga Ch. Barnard (1967) dhe njeriun e parë në Hënë (1969).

Në Shqipërinë e vogël, ky progres teknologjik u shfaq në shumë mënyra – që nga elektrifikimi e deri te televizioni; prej të cilave dua të veçoj për një moment makinën larëse, e cila pati edhe një impakt social të konsiderueshëm.

Mbaj mend se në shtëpinë tonë patëm marrë në fillim një makinë larëse me helikë (shnek), por pak kohë më pas e zëvendësuam me një Candy – prodhim italian, me kazan vertikal dhe mbushje nga përpara.

Kam qenë fëmijë atëherë, dhe një nga karakteristikat e të qenit fëmijë është se je vazhdimisht pak i sëmurë, me ndonjë gjë ose një tjetër: hundët, bajamet, mushkëritë, barku…

Ende i kujtoj mirë ilaçet dhe trajtimet e atëhershme. Meqë im atë ishte mjek dhe shumë merak nga natyra, jam i sigurt se më është dhënë trajtimi më i mirë i mundshëm i kohës, për Tiranën.

Kështu, infeksionet i luftonim me sulfaleks (një sulfa), dhe më pas me streptomicinë ose edhe tetraciklinë: kjo e fundit me një shije të hidhur tronditëse dhe ngjyrë të verdhë fosforeshente. Kish edhe një pomadë oftalmike, me tetraciklinë, për infeksionet e syve (sklepat).

Asnjë prej këtyre antibiotikëve nuk përdoret më sot në shkallë aq të gjerë; pse nuk veprojnë më mirë, ose për shkak se konsiderohen toksikë.

Përndryshe, qepallat e syve na i shpëlanin me acid borik, kur na pezmatoheshin; puçrrat e lëkurës na i lyenin me blu metilen; ndërsa për grykën e sëmurë shpresat mbeteshin te gargarat mbrëmësore me permanganat kaliumi, një pluhur që kur tretej në ujë merrte ngjyrë vjollcë të thellë.

Kur të hipte temperatura, të gjithë mobilizoheshin për ta ulur (kushedi pse; sot thonë të kundërtën, që temperatura deri në 40 bën veç mirë). Ilaçet të cilave u besohej ky mision, përveç aspirinës, ishin Algina (që, me sa më kujtohet tani, përmbante fenacetinë), analgina dhe piramidoni. Analginën ndonjëherë ta jepnin si injeksion në muskul, dhe ashtu përftonte efekt të menjëhershëm, duke e shndërruar ethen në djersë të bollshme dhe rraskapitëse.

Të tre këto barna antifebrile dhe analgjezike (jepeshin edhe për gjithfarë dhimbjesh) sot praktikisht nuk i dëgjon të përdoren më, madje në disa vende janë ndaluar, për shkak të efekteve anësore toksike.

Kur të zinte kolla – siç i zë kalamajtë – të jepnin kodeinë, e cila nuk bënte keq (dikur përdornin edhe heroinë për këtë punë, edhe pse jo në Shqipëri); por edhe gjithfarë shurupësh ekspektorantë, që kishin një shije krejtësisht të ngjashme me likerin gjerman Jägermeister, por shiteshin shumë më lirë.

Megjithatë, kolla mund të ishte simptomë sëmundjesh serioze; që këtej edhe një vizitë e detyruar në radiologji, për t’iu nënshtruar ekzaminimit me rreze X. Tani, një radiografi në muaj edhe durohet; por aso kohe të bënin radioskopi – ku të dilnin mushkëritë në ekran, si në televizion; pa çka se unë isha gjithnjë në anën e kundërt të spektaklit.

Kushedi ç’doza hipopotami rrezesh X do të kem marrë atëherë, teksa më kontrollonin për pleurit, bronko-pneumoni dhe të tjera sëmundje me emra cool, shumë-rrokësh.

(Përndryshe, stërgjyshen time, Anenë, nuk e lanë kurrë të më hidhte kupat; edhe pse e linin ndonjëherë të më yshtte: duke më spërkatur me ujin ku kish shuar më parë një thëngjill).

Shumë vite më vonë, kur do të aplikoja për një bursë të akorduar nga qeveria italiane, duhej që formularit t’i bashkëngjitej edhe një radiografi e krahërorit; dhe meqë formulari ishte kërkuar në gjashtë kopje, tekniku i radiologjisë i ra shkurt, dhe më bëri gjashtë radiografi të njëpasnjëshme!

(Si për hakmarrje, kur kam rinovuar një herë kontratën e punës në universitet, në Napoli, më kanë testuar për sifiliz!)

Por le të kthehemi në fëmini. Në vitet 1960 jeta ishte shumë më e lirshme, në kontakt të pandërprerë me natyrën. Një kushëririt tim i diagnostikuan ekinokokozë në mëlçi dhe e futën në sallë të operacionit: muaj më pas më ka treguar plagën, rreth një metër të gjatë, a thua se e kish çarë me shpatë ndonjë hero homerik, mes për mes brinjëve.

Nuk di si veprohet sot me këtë parazit që na e përcjell qeni, por nuk do të habitesha sikur ndërhyrja të bëhej me rrugë laparoskopike, ose duke hyrë në trup përmes vrimash të vogla në lëkurë.

Motra ime, më e vogël se unë, ka lindur me operacion cesarian; mbaj mend që, për mua fëmijën, shenja e operacionit në barkun e sime mëje ishte burim i pashtershëm i mahnitjes, a thua se ishte hapur aty një portë magjike, e cila e bënte edhe më enigmatike përgjigjen e pyetjes tjetër, se nga ç’portë kisha kaluar unë.

Vite më pas jam habitur, kur ia kam parë shenjën e të njëjtit operacion dikujt tjetër, por tani të reduktuar në një vizë të hollë, pothuajse të padukshme – dhe krejtësisht beach-friendly.

Edhe tezja e sime mëje kish një shenjë të hatashme operacioni nën brinjën e majtë – ku e kishin operuar dikur (më duket para Luftës), për t’i hequr një gur në veshka.

Shenja të tilla i shihje nga të gjitha anët; sidomos në plazh: ishin gjurmë të marrëdhënies së trupit me thikën e kirurgut, por edhe prova se trupi yt, me ndihmën e mjekëve dhe të teknologjisë, e kish fituar tashmë një betejë me armikun përtej.

Dhe meqë e zura në gojë teton, kujtoj se pagjumësinë ajo e luftonte me luminal, ndërsa hipertensionin me rezerpinë.

Po respektoj lexuesin dhe nuk po shpjegoj se çfarë opinioni ka për këto barna sot; gjithsesi, shumë më të keq se për sandalet e burrave, pantallonat kaubojs dhe mëngët e tejdukshme të këmishave të grave.

Këtu nuk rri dot pa përmendur as Vipratox-in, ose një pomadë me toksina gjarpërinjsh, me të cilën lyenim gjymtyrët kur na dhimbnin; as Pyolysin-ën, një krem anti-bakterial me erë karakteristike, dhe që thuhej se e prodhonin nga filtrate bakteresh të ngordhura.

Përndryshe, vajzat e reja e mjekonin aknen me Locacorten, një krem kortikoid (të paktën pastën e dhëmbëve me radium nuk e nxori deti në brigjet tona); dhe në rast se mbeteshin shtatzëna dhe u duhej të abortonin, ruheshin prej infeksioneve falë penicilinës oleoze (një antibiotik që sot u jepet zakonisht lopëve); kush kishte rinit alergjik, e kuronte me Incidal, ose duke hedhur në hundë Diabenyl; kush vuante nga ankthi, merrte Meprobamat.

Më pak se gjysmë shekulli ka kaluar nga ajo kohë, dhe gjithçka ka ndryshuar aq shumë, sa një mjeku do t’i dridhej dora t’i përdorte këto barna, teknika dhe metoda edhe në vendet më të varfra e të pazhvilluara.

Dhe këtu më vjen në mend një skenë nga filmi Star Trek IV: The Voyage Home, ku disa nga personazhet e sagës së njohur televizive udhëtojnë mbrapsht në kohë, nga shekulli XIV në vitin 1986, në një mision për të shpëtuar balenat gungaçe nga zhdukja; gjatë të cilit njëri prej oficerëve, Chekov-i, mbetet i lënduar dhe përfundon në spital.

Skena që dua të risjell në vëmendje, zhvillohet pikërisht në reanimacion, ku Chekov-in e plagosur rëndë po e trajtojnë me teknologjinë më të fundit të atyre viteve. Ju ftoj ta shihni video-klipin në YouTube, të titulluar jo më kot “Kirk & Crew Rescue Chekov from 20th Century Medicine”, për të parë një ilustrim, ironik, të vjetrimit të teknologjisë mjekësore, përfshi këtu edhe procedurat diagnostike, teknikat terapeutike dhe barnat.

Nga e gjithë kjo komedi, në kuptimin dantesk të fjalës, mund të nxjerrësh përfundimin se mjekët përgjithësisht kanë qëllime më të mira se mjetet që u vë në dispozicion teknologjia; dhe kjo vlen pavarësisht nga shkalla e progresit të teknologjisë dhe të dijeve sot; dhe se vetëkënaqësia e specialistit që duket sikur e ka situatën në kontroll është shpesh nevojë e sugjeruar nga dinamika psikoterapeutike (a psikanalitike nëse duam) e raportit të tij me të sëmurin.

Prandaj edhe e solla shembullin e lavatriçes Candy në fillim të shkrimit. Që nga ajo kohë relativisht e afërt, pothuajse gjithçka ka ndryshuar në mjekësi, shpesh duke u përmirësuar në mënyrë rrënjësore: mënyrat e diagnostikimit dhe të imazhimit të trupit, teknikat kirurgjikale, barnat dhe protokollet e trajtimit; por një teknologji – le ta quajmë kështu – që ecën me hapa kaq gjigante, është ende në fazën e vet foshnjore dhe nuk ka arsye pse të kultivojë iluzione filozofike ose edhe “shkencore”.

Përkundrazi, lavatriçja Candy do të mund të shitej për bukuri, në një dyqan pajisjesh elektroshtëpiake në Berlin a në Boston, edhe sot e kësaj dite. Ndonjë ndryshim inkremental edhe ka ndodhur me teknologjinë e larjes me makinë – p.sh. uji dhe elektriciteti përdoren më me kursim, detergjentët janë më efikasë; por përndryshe teknologjia vetë është pjekur dhe ka hyrë në një fazë stabiliteti.

Tani, sikur të mund t’i kuronim edhe trupin tonë dhe mendjen duke u futur në makinën larëse, do të ishte ideale…

Nuk ka komente

  1. Roy Porter e hap vepren e tij magjistrale mbi historine e mjekesise (The Greatest Benefit to Mankind: A Medical History of Humanity) me verejtjen se “jetojme ne kohe te cuditshme, kur jemi njekohesisht me te shendetshem e me te shqetesuar rreth shendetit se kurre”. Kam pershtypjen se koha se ciles i referohesh, Xha Xha, percillte nje nivel te larte sigurie e besimi tek fuqia e mjekesise, ndoshta i lidhur ky me faktin qe zhvillimi i mjekesise shkencore ishte ende ne hapat e para, pra, ne ate qe mund ta quajme faza e optimizmit heroik ne zhvillimin e nje shkence (kujtoj ketu lulezimin e psikanalizes, sidomos ne SHBA, aty nga mesi i shekullit te 20-te dhe reaksionin skeptik te mepastajme). Sot, me gjithe lajmet pa fund per nderhyrje kirurgjikale fantastiko-shkencore mbi trupin e njeriut, ndihet nje lloj pesimizmi latent ne lidhje me mjekesine (nuk i referohem gjendjes se mjekesise ne Shqiperi, qe eshte diskutim me vete, por shkences dhe praktikes mjekesore ne pergjithesi. P.sh., degjon pa fund ankesa ndaj ilaceve qe besoj se nuk degjoheshin me pare per antibiotiket qe sot u jepen lopeve). Thene ndryshe, ligjerimi mjekesor sikur e ka humbur autoritetin qe gezonte dikur, cka shpjegon deri diku edhe nevojen per te mediatizuar kuriozitete mjekesore si kunderpeshe ndaj kesaj bjerrjeje.

  2. Fantastike kjo puna lavatriçes Candy. Nje lavatrice e tille prodhim i 1966, hyre ne Shqiperi ne 69-en, ndodhet sot e kesaj dite ne shtepine time ne gjendje te mire pune, si lavatriçe e vetme qe ka perballuar ngarkesen e larjeve te perditshme qe prej vitit 1970, dmth per 43 vjet pa nderprerje. I jane nderruar vetem disa pjese dytesore si tubat e shkarkimit, guarnicioni, i jane bere riparime te thjeshta ne trurin elektronik dhe se fundmi u zevendesua edhe pompa e ujit. Po te ishte e interesuar firma prodhuese Candy do ta nderroja me kenaqesi me nje lavatriçe te re, ne te kundert, sipas ustait qe zevedesoi pompen, lavatriçja mund te vazhdoje te punoje edhe disa vite te tjere, me perjashtim te rastit, kur mund t’i shpohet kazani, difekt ky qe nuk mund te riparohet. Nuk di te shpjegoj se çfare rastesise ka hyre ne loje por ne kete çast femijet e mi po luajne ne kompjuter nje loje interesante te quajtur Candy Crush, diçka si karamele e shtrydhur, proces qe Candy lavatriçe e ka te persosur. Madje ne ato vite te largeta kur shitej Candy u perhap fjala se do te vinin lavatriçe qe i nxirrnin rrobat e thata dhe te hekurosura, thashethem qe i la mjaft njerez pa nje Candy. Keta me vone u detyruan te blenin lavatriçe çeke apo me keq akoma, ne mos gaboj, lavatriçe rumune.

    1. Dhe une mendoja se jetgjatesia e Candy-t qe kishim 28 vjet ishte nje gje e jashtezakonshme! Ajo ishte ndertuar me standarte te tilla qe do benin te skuqeshin te gjitha mjetet elektroshtepijake te sotme. Kujtoj qe ndonjehere tensioni ishte aq i ulet (160-170V) sa lavatricja kishte veshtiresi ne rrotullimin e kazanit. Kush njeh sadopak teorine dhe praktiken e elektromotoreve, e di se tensioni nen nivelin e atij per te cilin eshte projektuar elektromotori eshte shume i demshem. Megjithate ai rezistoi heroikisht bashke me elektromotorin e frigoriferit Ignis (koleg i asaj lavatriceje legjendare) deri ne diten e tyre te fundit.
      Dikush mund te habitet por deri pak pas Luftes se Dyte Boterore mbizoteroi filozofia e te berit te gjerave me jetegjatesi te respektueshme. Shume gjera riparoheshin, ne kundershtim me filozofine e sotme “Usa e getta”.
      A nuk ka pare shumekush ne pune akoma makinat qepese Singer? Nje pjese po e kalojne shekullin.

      1. “Dhe une mendoja se jetgjatesia e Candy-t qe kishim 28 vjet ishte nje gje e jashtezakonshme”

        Kjo ka ndodhur sepse ne industrine e viteve ’60 ne Europe ende nuk kishte hyre politika e “vjetrimit te programuar” (Planned Obsolescence): http://en.wikipedia.org/wiki/Planned_obsolescence

        Sot nuk ka me gjasa te rroje aq gjate lavatriçja.

  3. Jam dakort me te gjitha cfare ju Xhaxha shkruani ne artikullin tuaj. Dua te komentoj ne dy aspekte qe kane lidhje direkte me shkrimin tuaj, aspektin e mjekesise popullore dhe ate te perdorimit te ushqimit si ilac.
    1. Eshte e vertete qe mjekesia shkencore ne ato vite ishte ne hapat e para te zhvillimit e modernizimit te saj, dhe eshte e vertete qe njerezit e zhveshur me rroba banjo ne plazh dhe me kurrizin tej per tej me shenje operacioni te ngjallin nje ndjenje te cuditshme, por mjekesia popullore ishte nje shpetim per te gjithe, dhe me thene te drejten jo te gjithe e perkrahnin dhe e shihnin si shpetim, packa se shume gjenin shpetim prej saj. Nga dita ne dite habitem me perkrahjen qe po I bejne shoqerite e zhvilluara te perendimit mjekesise alternative, ose asaj qe ne I thoshim “mjekesi popullore”. Jam habitur kur kam pare ne TV nje interviste me nje artiste te madhe amerikane qe tregoi se kuroi dhimbjen e kokes duke vene shushunja. Mu kujtua mamaja ime qe, qe nga koha kur une mund te mbaj mend e kishte vazhdimisht te semure gishtin e madh te dores se majte. Sa here qe ajo fuste duart ne uje per te lare dicka, lekura I cahesh dhe kishte dhimbje te tmerrshme e gishti behesh plage. Dhe ai gisht me te shumten e kohes rrinte I lidhur. Shkoi ne te gjithe mjeket e mundshem dermatologe te asaj kohe ne Trane. Ata I dhane pomada e ilace nga me te ndryshmet e me ngjyrat nga me te cuditshmet (disa te cituara edhe ne shkrimin tuaj) dhe asgje nuk ja sheroi gishtin mamase. Nje mikeshe e familjes te cilen mamaja e quante zonja Natali, I premtoi mamase sherim te plote. Ajo erdhi ne shtepi dhe I vuri ne dore tre shushunja te vogla. Mamaja e mbajti doren te lidhur per dy dite, dhe pastaj gishti u sherua njehere e pergjithmone. Zonja Natali na tregoi se shushunjat I vinte kur njerezit e familjes ose miqte kishin tension te larte, dhimbje koke e migrena te forta, varice ne kembe dhe shume e shume semundje te tjera qe une tani nuk I mbaj mend por qe me lane nje mbrese te madhe ne ate mendjen time 14 vjecare. Dhe sa here kalonja prane tregut te fshatareve ne Tirane shihnja fshataret qe shisnin shushunja ne kavanoza te vegjel. Tashme ato shushunjat e shemtuara te zeza me dukeshin shume te madherishme e misterioze ne te njejten kohe: me kishin shpetuar mamane nga nje e keqe.
    2. Gjithashtu jam po aq e e habitur me tendencen e fundit ne shoqerite e zhvilluara perendimore per te perdorur ushqimin si ilac, dhe largimin e ketyre shoqerive nga ilacet (qe ashtu sic thote ervini ne komentin e tij) cdo dite e me shume dalin jo te perdorshme per shkak te veprimeve te tyre anesore te tmerrshme. SA here kam mundesi shoh nje emisionin televiziv te nje mjeku te famshem ne New York: Dr. OZ. Para disa ditesh degjova ne emisionin e tij qe, ilaci me I mire per te ulur nivelin e sheqerit ne gjak jane manat. Manat ishin shume te mira per te kuruar edhe nje sere semundjesh te tjera. Manat?!?!? Po, po manat, ato manat qe i hanim aq shume kur ishim te vegjel…… kush e dinte? Dhe sa e sa fruta e zarzavate te tjera degjojme cdo dite te quhen nga media “superfood” e qe sherojne kete apo ate dhimbje.

  4. Ne fakt shihet nje tendence shume pozitive ne rikthimin apo rikonsiderimin e teknikave shume te vjetra qe per nje arsye apo nje tjeter (midis tyre dhe nje lloj arrogance qe vjen nga besimi i verber infantil se teknologjia kapi qiejt dhe s’kemi nevoje per urtesine dhe eksperiencen mijravjecare). Do permend nje teknike (te me falin lexuesit paraprakisht per makabritetin aparent).
    Ne raste nekrozash apo gangrene ne vendin e prekur vendosen krimba te nje familjeje qe ekspertet e medicines legale i njohin mire meqe keta shfaqen pas pak kohesh ne kufoma.
    Keta krimba brenda nje kohe rekord eliminojne ne menyre radikale vetem ….indet e nekrotizuara. Me saktesi te paarriteshme ata shmangin indet e shendoshe (si ushqim i papershtatshem per ta).
    Apo rasti i metodes afrikane per qepjen e plages (pas operacionit) duke perdorur nofullat e nje milingone te madhe.

    1. per mjekimin e bajameve te infektuara, krahas antibiotikeve te mjekesise zyrtare, kishte edhe nje metode popullore. “Mjeku” popullor i fuste gishtat ne gryke femijes dhe i shtydhte mire e mire bajamet e qelbezuara, sa i plaste gjaku e qelbi nga te gjitha anet.
      Pastaj merrte nje kaush te holle prej letre dhe, duke fryre ne te, sperkaste drejt e te bajamet nishader, qe ishte nje pluhur i bardhe si kripe qe perdorej ne industri.
      Pas kesaj nderhyrjeje “alternative” thuhej se bajamet nuk te infektoheshin me.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: