Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

SHQIPËRIME HARTASH

Kur isha në Tiranë, Artan Shkreli më përmendi, shkarazi, një gabim të mrekullueshëm përkthimi, në botimin shqip të romanit Baudolino të Umberto Ecos.

Duke pasur parasysh burimin, kuptohet që gabimi do të gjendej në një hartë; sikurse merret vesh se do të bëhej fjalë për ndonjë hartë të vjetër, të vizatuar me dorë.

Meqë e kam Baudolino-n në origjinal, iu luta Shkrelit të më dërgonte një imazh të hartës në shqip, për ta nxjerrë në Peizazhe të Fjalës; imazh që, më në fund, më mbërriti në kutinë e postës.

Është fjala, këtu, për një hartë të botës që Baudolinoja dhe miqtë e vet e gjejnë në abacinë e Shën Viktorit.

Ja versioni në përkthimin shqip:

Baudolino Shqip

Ja edhe versioni origjinal:

baudolino

Si gjahtar i Albania-s në hartat e Mesjetës e më tutje, Shkreli kish vënë re se, në përkthimin shqip, Albania e Kaukazit ishte përkthyer si Shqipëria.

Nga imazhet më lart, lexuesi mund të shohë qartë se Albania jonë e ka vendin diku afër Dalmacisë; dhe jo atje ku e ka vendosur përkthyesi – ose midis Kaukazit dhe Asirisë.

Meqë edhe vetë përkthej, nuk kam ndërmend me këtë të kap përkthyesin e veprës në gabim: gabime bëjmë të gjithë. Por kjo ngatërresë e Albanisë së Kaukazit me Shqipërinë, që nuk bëhet për herë të parë, është gabim i një lloji të veçantë, sui generis, që nuk mund të lihet pa u përmendur.

Për latinistin, ka pasur një Albania në Kaukaz dhe një tjetër në Ballkan; dhe homonimia nuk dimë t’u ketë sjellë gjëkundi ngatërresa kartografëve dhe udhëtarëve.

Në shqipe, megjithatë, Albania e Ballkanit do të përkthehet si Shqipëri, ndërsa ajo tjetra mbetet Albani.

Emri Albania, për truallin në Kaukaz, ka qenë në përdorim shumë më parë se homonimi i tij, për truallin në Ballkan – i pari që në lashtësi, i dyti duke filluar që nga Mesjeta.

Përkthyesi i hartës ka bërë edhe gabime të tjera: kështu, Mare Rubrum e ka dhënë si Deti Rubrum (në vend të Deti i Kuq); dhe mbishkrimin deserta terra vicina solis ardore incognita nobis në anë të hartës e ka shqipëruar, kushedi pse, Tokë e shkretë pranë diellit Zjarri i panjohur hyjnor (në vend të: e panjohur për ne për shkak të nxehtësisë).

Ndonjëherë përkthime krijuese, si këto, e bëjnë edhe më të mistershëm tekstin! Nxehtësia e Diellit nuk mund të konkurrojë dot, poetikisht, me zjarrin e panjohur hyjnor!

Pa Komente

  1. Nje gabim qe nuk e bejne vetem shqiptaret fatkeqesisht. Mbaj mend se kur kam qene student, kisha nje te njohur, student nga Azerbaxhiani, i cili kembengulte se shqiptaret e kishin prejardhjen nga albanezet e kaukazit. Edhe ai ngaterrohej me emrin Albania.
    Qe nje djale inteligjent dhe pergjithesisht i lecitur. Atehere nuk kishte Wikipedia dhe burime te tjera qe kjo pune te sqarohej lehtesisht per publikun mesatar. E vetmja gje qe me beri te dyshoj fort asokohe qe njefare fodulleku qe e shoqeronte sa here shprehte kete. E ne ballkanasit fodullekun dime ta lexojme mire (me mire se historine) e qe ne kete rast thoshte “Po ja fus kot plako!”

  2. Nje pyetje Xha Xha, sepse nuk e kam lexuar romanin:

    Toponimet e hartes mbeten vetem ne harte apo rimerren edhe ne tekstin e romanit?

    1. Albania përmendet edhe një herë tjetër në roman, si vendi ku “njerëzit janë më të bardhë se gjetiu, dhe i kanë qimet të rralla, si mustaqet e maces” (f. 78 e botimit të Bompiani-t, të vitit 2000). Nga konteksti, kuptohet se edhe këtu është fjala për Albaninë e Kaukazit. Ngaqë nuk e kam përkthimin shqip, nuk di si mund të jetë dhënë kjo Albani atje.

      1. Pyeta sepse kam pershtypjen se gabimi kryesor kryesor i perkthyesit aty eshte qe ka marre pesiper te perktheje harten. Te isha une ne vend te tij, harten do ta kisha lene siç eshte ne origjinal. Ndryshon puna nese autori ne roman ka rimarre toponimet e hartes duke i shtjelluar e zgjedhuar gjere e gjate.

  3. Xhaxhai: “Për latinistin, ka pasur një Albania në Kaukaz dhe një tjetër në Ballkan; dhe homonimia nuk dimë t’u ketë sjellë gjëkundi ngatërresa kartografëve dhe udhëtarëve.”

    Ajo qe thote Xhaxhai qendron. Por Eco eshte njohes i thelle i Mesjetes(i te trejave) dhe i latinishtes. Ndersa perkthyesja mund te njohe italishten shume mire, ndoshta latinishtja nuk eshte shume e njohur per te. Ne fund te fundit ketu po diskutohet per disa gabime ne interpretimin/perkthimin e hartes. Per dike qe nuk e ka te zhvilluar nocionin e orientimit gjeografik, ne nje harte primitive sic ajo qe ka adaptuar Eco(nder emrat gjeografike qe ka shtuar me nje fare saktesije eshte pikerisht Albania ne Kaukaz, qe ne koherat tona eshte e panjohur per nje shumice njerezish me kulture kontemporane) edhe mund te gaboje, ta shkembeje me Shqiperine, qe duhet te ishte ne anen tjeter te Helespondit, midis Greqise dhe Dalmacise.

    Mund te kujtoj se ekzistonte edhe nje Albania e trete ne epoken latine, qe merrte perseri te njejten kuptim, flitej per nje vend malor(Alps), si edhe dy Albanite e tjera dhe qe dezinjonte Skocine. Ka nje poeme ballade te njohur e te fameshme, te titulluar Albania(qe e zoteroi ne origjinal) qe i kendohet pikerisht Skocise. Emri latin Albania eshte nje mbivendosje e nje emertimi qe ruan te njejtin kuptim prej periudhes kelte te Skocise.

    Te kthemi perseri te harta e Eco-s. Vete Eco e ka huazuar kete harte nga hartat e vjetra dhe duke qene se po flasim per Albania(sot jo ekzistuese e Kaukazit), duke e bere kete emer shume prominent, te dukshem, megjithese ishte/eshte krejt i panjohur dhe padukeshem per udhetaret e kohes. Nje trill i Ecos ndoshta?!

    Vet teksti i modifikuar i hartes se Ecos ne latinisht, nuk jep sic duhet kuptimin/domethenien e legjendes te hartes per ate toke qe nuk ishte shume eksploruar nga udhetaret e kohes, ndoshta edhe prej frikes nga e panjohura dhe mungesa e teknologjise 🙂 ; per shkak se eshte afer ekuatorit, ku “supozohet” se eshte me nxehte: “terra vicina solis ardore incognita nobis”, nderkohe qe legjenda origjinale kopjuar nga njera harte ne tjeter shkruhet: DESERTA TERRA VICINA SOLI AB ARDORE INCOGNITA NOBIS harta – qe i jep kuptim sic duhet(ab ardore) edhe shprehjes – toka e shkrete(shkretetire, e shkretuar) prane diellit, e panjohur prej nesh per shkak te nxehtit(temperaturave te larta).

    Sot ne e dime se duke shkuar drejt ekuatorit, temperatura rritet(i nxehti shtohet) jo se i afrohemi diellit, por rrezeve “me te drejtperdrejta” (per shkak te rritjes se kendit – qe arrin edhe 90º – te rrezet diellore qe godasin siperfaqen e tokes). Ne Mesjete ekzistonte, ashtu sic ekziston edhe sot nje keqkuptim i madh nder shume njerez, edhe per stinet, ne lidhje me temperaturat, te nxehtit ne marredhenie me distancen e tokes nga dielli.

    Edhe ne perkthimin ne anglisht te hartes e shprehjes latine “me gabime” ne harten e Eco-s kemi nje adaptim qe ka ardhur nga njohja me e mire e perkthyesit me domethenien e legjendes se hartes: “Desert lands, near the burning sun, unknown to us” – toka te shkreta(shkretetira) afer(prane) diellit qe djeg – simboli i diellit – te panjohura per ne(e ka fjalet per pjesen e panjohur te hartes).

    Por ne e kemi situaten me te qarte nese i referohemi tekstit te librit te Ecos: ” …proprio sul Mare Rosso, al di là del quale vi è la terra deserta, vicinissima al sole dell’equatore, e così calda che nessuno vi si può avventurare” (pikerisht ne detin e Kuq, pertej se cilit eshte toka e shkrete(shkretetira), shume afer diellit te ekuatorit, kaq e nxehte(shkretetira) sa askush nuk ia mban(nuk guxon, nuk orvatet) te shkoje.(ky eshte nje perkthim i lire nga ana ime).

    Nese shqipja e perkthimit te romanit te Eco-s, do te mbarte gabime ne trupin e vete tekstit te vepres, atehere puna e perkthyeses duhet te vihej seriozisht ne pikpyetje. Gabimet ne perkthimin e hartes lidhen me shume me mosnjohjen e gjeografise dhe latinishtes, qe nje googlim i shpejte mund ta kishte nxjerre perkthyesen faqebardhe edhe karshi “kritikave” te tilla.

    Ne rastin e Mare Rubrum perkthyer si Deti Rubrum, perkthyesja duke mos e perkthyer(ndoshta perseri mosnjohja) ngjyren rubrum latine ne te kuqen shqipe, e ka bere “tingellimin e emrit me misterioz”, por ka evituar nje gabim tjeter, si ai i “Zjarri i panjohur hyjnor”, por qe ne thelb nuk e demton teresine e perkthimit te vepres.

    Duke mos pasur mundesi te kem perkthimin e Baudolino-s ne shqip, mosnjohja e nje Albania ne Kaukaz, per me shume, ne mendjen enciklopedike te Ecos, mund ta kete provokuar perkthyesen te beje edhe gabime te llojit qe u eksploruan ne shkrimin e XhaXhait. Jam e sigurte qe personit, “gjahtarit te hartave” sic e quan Xhaxhai, mund t’i kete shpetuar edhe nje fakt tjeter, qe aventura e Baudolinos e shetit ne vende te tilla ne “kaukazin” qe njohim sot, qe shkojne ne thellesi te kohes, kur nuk ekzistonte emertimi Albania, 5-10 mije vjet te shkuara, atehere kur krijoheshin mitet biblike dhe percillej si gojedhane legjenda e Noas, permbytja dhe shpetimi ne majen e malin Arat.

    Mendja dhe imagjinata e Ecos na shetit ne nje kohe te lashte, teper te lashte, kur flet per Albanian e njerezve me bardhoshe se ne cdo vend tjeter, me qimet e rralla si mustaqet e maces… Le diceva dell’Albania, dove gli uomini sono più bianchi che altrove, e hanno peli radi come i baffi del gatto; di une paese se uno si volge al oriente proietta la sua ombra alla propria destra… etj.

    Shumekujt mund t’I shpetonin gabime te tilla. Kjo Albania do te ngaterronte edhe njerez te sofistikuar ne kulture, perderisa sot njihet vetem nje Albania, Shqiperia. Kur lexon pershkrimin e Eco-s, te befason me perngjasimin e races te eger shqiptare, me ato malesoret trimeresha, amazona te egra, etj.

    Kjo fare mire mund te ushqeje(per arsye qe dihen) edhe mitin tjeter, qe shqiptaret malesore kane emigruar mijra vjet me pare me qeleshet e tyre te bardha, me bardhesin e lekures dhe leshin e ralle nga thellesia e legjendes se Noas.

    1. Read Me, ky qe vuri ne pah Xha Xhai eshte gabim tipik enciklopedik dhe jo mirefilli gjuhesor. Po t’ia hyjme shqyrtimit te perkthimeve ne shqip, por edhe atyre prej shqipes ne gjuhe te tjera, gjejme gabime gjuhesore me thase. Nuk thone kot: “traduttore traditore”. Seç ndiej nje lloj sekelldie sa here qe diskutohet cilesia e perkthimeve, ndoshta sepse me vijne nder mend disa gabime trashanike qe kam bere vete dikur ne perkthime 🙂

      1. Jam ne nje linje me ty Relapso. Kurioziteti me coi te mesoj me shume per perkthyesen.

        [Lutem le ta lëmë përkthyesen pa ia bërë gjyqin këtu ad hominem, aq më tepër kur dalim të gjithë me pseudonime. 2Xha]

        Pra, nuk eshte “leng groshe”. Gabime te tilla me teper lindin nga neglizhenca, nenvleresimi kombinuar me nevojen e konsultimit te fjaloreve enciklopedike.

        Une nuk i futem perkthimeve te ketij lloji, sepse je ne lupen e lexuesit dhe eshte nje mund i jashtezakonshem per te justifikuar shperblimin. 🙂

    2. Por Eco eshte njohes i thelle i Mesjetes(i te trejave) dhe i latinishtes. Ndersa perkthyesja mund te njohe italishten shume mire, ndoshta latinishtja nuk eshte shume e njohur per te.

      Perkthyesi ne kete rast ka rene pre e ‘rebranding’ qe i beme vetes gjate pushtimit Osman. Kujton se emri ‘Shqiperia’ eshte me i lashte se ‘Albania’.

  4. Duke u nisur nga titulli i shkrimit, pyetja ime eshte nese ne te drejtat qe autori i jep perkthyesit a perfshihet edhe e drejta e editimit te hartave?

    Edhe une nuk e kam lexuar librin por gabimi i editimit te hartes do te behej edhe me i madh nese ne perkthim e siper perkthyesja ka perdorur emrin Shqiperi ne vend te Albania-s. Perse valle i eshte dashur perkthyeses te beje kete zevendesim? Thjesht mungese kulture apo venjen e shqiptareve sa me afer atyre qe shkruanin hartat sefte.

  5. Ne mos qofsha gabim, Enveri ne librin e tij “Me Stalinin” deshmon qe Gjeorgjiani i famshem ishte ngaterruar keq me kete subjekt, e kujtonte se Enveri ishte nga Azerbajxhani, pikerisht prej ksaj ‘Albani te Kavkazit’.

  6. Meqe u be si loja “gjeni dallimet”, origjinali ka Jeruzalemin. Judea ne shqip me duket se nuk ekziston fare, lexuesi mesatar do gjendej shume me mire me emrin Izrael. Gjithsesi persa i perket gabimit kryesor, eshte absurde qe perkthyesi te mos kete pasur minimumin e interesit se c’ne kjo Shqiperi larg greqise e dalmacise e afer armenise. O ka menduar se autori e ka vene atje qellimisht dhe s’ e ka vrare mendjen me tej ose e ka bere qellimisht per arsye qe s’ dihen.

    1. Mund edhe të mos e ketë lexuar dot hartën – që është e orientuar me një ndryshim 90-gradësh, në krahasim me tonat sot. Ose ia ka dërguar vetëm emrat e hartës një përkthyesi të latinishtes (por jo hartën vetë), dhe ky automatikisht e ka përkthyer “Albania” si Shqipëri… pastaj disenjatori që i ka futur mbishkrimet në hartë nuk e ka vënë re gabimin.

    2. Kjo është thjeshtë injorancë nga gjeografia. Edhe një nxënës i 9-të vjeçares do ta dinte se Shqipëria e sotme ndodhet diku mes Romës e Athinës, të paktën në terma gjatësie gjeografike.
      E kjo është mirëfilli mungesë Kulture, me K të madhe. E kjo kulturë nuk mësohet nëpër libra letrarë, por në shkollë. E nëse shkolla nuk i jep qytetarit të nesërm bazën nga ku mëpastaj të gjykojë në mënyrë kritike për informacionet e reja që i vijnë,edhe nga librat artistikë, gjykoj se gjithë ky preokupimi mbi kulturën (letrare; e nënkuptuar) është i kotë. Problemi qëndron tjetërkund. Mosleximi i librave apo dështimi i panaireve të librit është përballë kësaj një ështje shumë më kalimtare dhe e përciptë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin