Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

Kallkan dollapët

“Funksioni i çdo sirtari është të lehtësojë, të aklimatizojë vdekjen e sendeve duke i detyruar të kalojnë përmes një hapësire të përshpirtshme, një faltoreje të pluhurt ku, duke u hequr sikur po i mbajmë gjallë, u lejojmë atyre një interval dinjitoz agonie të errët…” shkruan Roland Barthes te autobiografia e tij mozaike, Roland Barthes by Roland Barthes.

Kur e lexova këtë pasazh, m’u kujtua jo ndonjë sirtar në shtëpi, edhe pse kemi plot të tillë, të mbushur me sende të varur pezull midis vdekjes dhe mundësisë, sado të brishtë të ripërdorimit; por frigoriferi, ku tërhiqen për të kaluar muzgun e tyre gjellët e mbetura, sallatat tashmë të lodhura, salcat pikante të paketuara ngjeshur, në arkivole plastike, ose tase prej balte të mbuluar me plastmas të tejdukshëm; fruta të qëruara përgjysmë, si natyra të qeta të lëna edhe ato përgjysmë, pse tepër të ngjashme me natyra të qeta të mëparshme.

Në fakt ushqimi në tryezë është kaq i gjallë, kaq pulsues me jetë, me informacion dhe mundësi përjetimi, sa nuk të bëhet ta hedhësh sakaq, madje edhe kur je i sigurt se nuk do t’i qasesh më; e vë mënjanë jo për të kursyer, por për respekt ndaj vetes dhe rrethinave, duke shërbyer frigoriferi, në këtë rast, njëlloj si sirtarët e vjetërsirave të Barthes-it; dhe duke u renditur, njëkohësisht, me hapësira të tjera të shenjta dhe njëlloj të ftohta në shtëpi, si kthina, dollapë, rafte këpucësh, albume fotosh, biblioteka dhe valixhet e vjetra, inkubatorë me vezë të vyshkura dhe të rreshkura prej motesh, rroba që nuk të rrinë më, të dala mode, ose që as i mban mend si i ke pasur ndonjëherë; libra dhe CD që nuk e gjen dot as pse vallë i ke blerë; prova të një jete që as do ta kesh jetuar kurrë.

Shtëpia, me frigoriferin në zemër, vjen e mbushet, hap pas hapi me kujtime të tilla sendore, që të rrethojnë si morg sa beninj, aq edhe i pamëshirshëm në shënjimin që ia bën vdekjes. Me arsye, kushedi do të na duhej ta zbraznim krejt frigoriferin, dollapët, sirtarët, komotë, dollapët, valixhet e vjetra dhe të reja, madje edhe shportën e rrobave të palara; po a ia vlen vallë t’i zbrazësh, përveçse për t’u hapur vendin të rejave, që janë duke trokitur te dera tashmë?

Të gjithë ruajmë nga pak, ndoshta edhe vetëm për t’iu kundërvënë, me kryeneçësi, kohës që ikën. Edhe Barthes-i e mbushi sirtarin e autobiografisë së vet, sado mozaike dhe fragmentare, pa e ditur se do të binte viktimë e një aksidenti banal trafiku: i shtypur nga një furgon lavanderie, kushedi ngarkuar me tesha gjysmë të vdekura e tashmë të ftohura të së tjerëve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin