Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

ME AKSION

Një hije dyshimi ka rënë mbi veprimet e fundit të qeverisë shqiptare. Bëhet fjalë për disa prishje ndërtimesh pa leje dhe një sërë sekuestrimesh kundër qendrave të bixhozit dhe të lojërave të fatit. Përderisa përbëjnë masa të domosdoshme për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare, për sa kohë mbështeten nga opinioni i shëndoshë publik, përse këto veprime ngjallin skepticizëm?

Në editorialin e vet “Qeveria socialiste e Tiranës”, Mero Baze nuk ka kundërshtim për thelbin e veprimeve të qeverisë, por me konceptin që qëndron pas tyre. “Ideja për të gjeneruar pushtetin përmes aksioneve masive, dhe ndonjë herë më shumë se duhet populiste, ka lënë në hije gjithë shtirjen e qeverisjes qendrore në Shqipëri”, thotë në një pasazh të shkrimit. Gazetari mendon se Edi Rama bazohet në modelin e qeverisjes së tij të Tiranës, që nuk mund t’i përshtatet realitetit të vendit. Si të thuash, dikur ishte Kryetar bashkie, sot është Kryetar qeverie. Në fund, pasi i mirëkupton entuziazmin e njerëzve për aksionet masive dhe spektaklet e ndryshimit të pushtetit, kërkon që vendi të qeveriset në bazë të ligjit në të gjithë territorin.

Pak më ndryshe nyjëtohet mendimi i editorialistit Fatos Lubonja, në shkrimin “Shpresa dhe dyshime”, edhe pse si kolegu i tij në thelb i përshëndet pozitivisht veprimet e lartcituara. Analisti i njohur i lidh aksionet e fundit me lëvizjet e shumta në administratë e në Polici. “Këto zëvendësime janë ndjekur e po ndiqen me mëdyshje e dyshime nga opinioni”, shkruan Lubonja. Pyetja kryesore që bën është kjo: “Kemi të bëjmë me një nisje të mbarë, apo kemi të bëjmë me një zëvendësim klientele ku operacioni shërben si fasadë?”. Pra operacionet e mësipërme mund të konsiderohen edhe si fasadë për ndryshimet në administratë. Ndërkohë që, sipas gazetarit, duhet ndryshuar sistemi klientelar e shpeshherë korruptiv e kriminal që ka kapur disa hallka të ekonomisë shqiptare.

Dy janë fjalët që i lidhin editorialet e mësipërme: dyshimi dhe aksioni. E para ka të bëjë me prapamendimin që i shoqëron disa operacione politike, siç janë shkatërrimi i ndërtimeve pa leje, ose lufta ndaj lojërave të fatit. Nuk mund të përjashtohet mundësia që dyshimi të jetë pjellë e paragjykimit me të cilin shikohen veprimet e kësaj qeverie të kryesuar nga Edi Rama, e kaluara e suksesshme te cilit është e lidhur ngushtë me operacionet e pastrimit të kryeqytetit kur ishte kryebashkiak. Sistemimi i qendrës dhe pastrimi nga ndërtimet pa leje në rrugët kryesore përbëjnë ende kapital politik për kryeministrin e sotëm, pavarësisht se ka vëzhgues që nuk u ka shpëtuar doza mediatike që i shoqëronte ato veprime.

Fjala e dytë, aksioni pra, lidhet me idenë e përkohshmërisë. Vetë aksioni në gjuhën shqipe përbën veprim të shkurtër, pra episodik, jo të vazhdueshëm në kohë. Në shqipen totalitare, shprehja “aksion me goditje të përqendruar” kishte brenda si kohën e shkurtër, ashtu edhe pjesëmarrjen e masave, pra aspektin vullnetar. Në fjalorin e shqipes mund të gjendet edhe në togfjalëshat “metoda e aksionit”, “fryma e aksionit”. Pra në atë kohë aksioni ishte bërë një metodë e caktuar. Nga ana tjetër, kush e ka jetuar atë periudhë, madje duke marrë pjesë në aksione të ndryshme, e di fare mirë se dobishmëria e tyre nuk konsistonte vetëm në objektivat ekonomikë (ndërtimi i hekurudhës, korrja e grurit, pastrimi i lagjes, etj.), shpeshherë modestë e të diskutueshëm, se sa në mobilizimin e masave, siç thuhej atëherë, dhe në qëllimet politike të regjimit.

Fjalët e dikurshme evokohen sot për të namatisur rrezikun e veprimeve në trajtën e aksioneve, pra si operacione të sipërfaqshme, episodike, të sotpërsotshme. Në fakt, po të hiqnim ngjyrat nga ekranet televizive, dhe disa fjalë të gazetarëve raportues, shumë nga pamjet e sotshme do të ngjasonin me ato të djeshmet. Këtu ndikon natyrisht edhe pritshmëria që kjo qeveri ka krijuar në opinionin publik, i cili pret me ankth realizmin e tyre, çka përkthehet me barrën e rëndë mbi shpatullat qeveritare, të cilat mund të kërrusen nga pesha e humbjes së besueshmërisë, në rast se nuk mban premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale. Por ndoshta është shpejt t’i konsiderojmë dyshimet e deritanishme si ndërgjegjësim ndaj mediatizimit të politikës shqiptare dhe operacioneve mediatike të saj.

Gjithsesi, qeverisë shqiptare, midis të tjerash, i duhet të pastrojë edhe dyshimet që brejnë qytetarët shqiptarë. E ky do të jetë pa dyshim “aksioni më i vështirë”.

Pa Komente

  1. Mua më duken të duhura, këto veprime, pak teatrale dhe bombastike, të qeverisë së re. Qytetarët kanë nevojë të ngutshme, qoftë edhe vetëm psikologjike, të shohin një qeveri në veprimtari të vendosur, pas katastrofës së administratës Berisha.

    Në një kuptim, aksionet “dramatike” të qeverisë Rama janë bash e kundërta e turpit të paparë që ndodhi gjatë javëve të fundit të qeverisjes Berisha – kur u veprua vërtet me aksion, këtë herë të kotë; meqë hiper-aktiviteti i asaj qeverie u ngjante sidomos qimeve dhe thonjve, që vazhdojnë t’i rriten të vdekurit.

    1. Më duket se në thelb po themi të njëjtën gjë. Njerëzit u dogjën nga qulli dhe sot i fryjnë kosit. Të gjithë jemi dakord me shkatërrimin e ndërtimeve pa leje. Më shumë dakord me luftën ndaj lojërave të fatit dhe çfarë fshihet pas tyre. Frika është se mos këto veprime janë flakë kashte, thjesht për sy e faqe, siç thotë populli. Sa për show mediatik, sa për të thënë se tani avazi ka ndryshuar, sa për të na treguar se tani komandojmë ne të tjerët.

      Është e vërtetë se publikut i duhen mësime të tilla mu në shesh, mu në mes të fshatit, por me leksione të tilla plateale jemi mësuar prej kohësh. Duhet shtet ligjor, jo aksione mediatike. Duhet shtet qorr, që të mos shikojë askënd në sy, por vetëm të veprojë sipas rregullave. Skepticizmi i qytetarëve ka të bëjë me mendimin se të gjithë politikanët janë njëlloj, shikojnë interesat e grupit të vet, jo të përgjithshmin.

      Ka të tjerë që janë më djallëzorë: “Po prishin vetëm ndërtesat e kundërshtarëve. Po i disiplinojnë që të paguajnë të rinjtë”, e të tjera akuza pa prova si këto. Personalisht nuk i besoj, përderisa nuk ka dëshmi e prova, por qeveria e ka shumë të lehtë t’i davaritë dyshimet. Mjafton të vijojë me prishjen e ndërtimeve pa leje dhe me luftën ndaj mafias që paraqitet me lloj lloj formash. Qeverisë po i kërkoj vetëm koherencë me fillimet e saj, të mbajë premtimet, asgjë më shumë. Nuk dua që pasi të bëjë disa veprime spektakolare, si sistemimi i qendrës së Tiranës dikur, anipse qetësuese për psikologjinë kolektive, të vazhdojë me metodat e vjetra, përfshirë ato të qeverisë paraardhëse.

      Një personi që vjen nga periferia e largët e Tiranës si puna ime, ku aroma e qendrës me bar të gjelbër nuk vjen kurrë, ku çekiçët pneumatikë dëgjohen rrallë, ku dritat dhe uji ikin rregullisht sot e kësaj dite, i lejohet të jetë pak më i kujdesshëm në entuziazmin e përgjithshëm. Jo për të prishur gostinë, por për ta vazhduar ahengun edhe më vonë. Të gjithë së bashku.

      1. Pishak, sec me kujtove Andre Gide-n , por konkretisht ne cilin roman nuk e paskam shenim ne skede ku thote :

        ” Te besoni tek ata qe kerkojne te verteten dhe te dyshoni tek ata qe e gjejne ate “.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin