Në shkrimin e vet “Mjerimi i shkronjarëve”, Xha Xhai preku telat e dhimbshme të gjendjes financiare të atyre që shkruajnë në Shqipëri. Dallimi nga llojet e tjera të krijimtarisë më duket thelbësor, ngaqë ndryshimet janë të dukshme nga arti në art, me ndonjë përjashtim të jashtëzakonshëm. Kjo e nxjerr edhe më të mjerueshme pamjen e “shkronjarëve” në kuadrin e prodhimtarëve shqiptarë të intelektit. Nuancat e mjerimit shkojnë përtej aspektit financiar, për sa kohë prekin çështje të rëndësishme etike.
Njëlloj si Xha Xhai, edhe unë jam përpjekur për të gjetur ndonjë grant për Peizazhe të Fjalës. Angazhimi i kolegëve në këtë hapësirë është domethënës, jo vetëm nga ana cilësore. Që të jesh në gjendje të shkruash kërkohet studim e lodhje, që të studiosh kërkohen të ardhura e kohë, që të botosh diçka të hajrit lypet punë e djersë. Tek e fundit, shkronjarëve u duhet ta ulin prapanicën para kompjuterit e ta shtrydhin trurin. Ka si të thuash lodhje fizike e mendore njëkohësisht. Por nuk kanë qenë këto arsyet kryesore, që më kanë shtyrë të kërkoj ndonjë kontribut financiar, pavarësisht “shtegtimeve” të paautorizuara të artikujve.
Domosdoshmërinë e financimit të produkteve si blogu i Peizazheve të Fjalës, pra edhe të logjeve të tjera, brenda e jashtë vendit, e shoh fillimisht tek kultivimi i shqipes dhe i shqiptarisë. Nga pikëpamja kulturore, shkëmbimi që realizohet brenda këtyre hapësirave ka vlerë të jashtëzakonshme për komunitetin, meqë nuk lëvrohet vetëm gjuha shqipe, por identiteti shqiptar në përgjithësi. Argumenti i dytë për domosdoshmërinë e mbajtjes gjallë të këtyre “qendrave kulturore” nevralgjike ka të bëjë me lirinë e shprehjes dhe të mendimit. E di që shpeshherë, shkrimet shikohen me syrin “me kë je”, ose “kundër kujt je”, por besoj se rrahja e mendimeve, diskutimet e debatet i kanë bindur edhe më skeptikët se këtu është fjala për shprehjen e lirë e dialogun konstruktiv, se sa për istikamet partiake e monologun narcizist.
Grant-et kërkojnë profesionalizëm më vete, çka me profesionalizëm mund të nënkuptohen shumë gjëra. Gjithsesi, në kërkimet e mia prej neofiti dyert e institucioneve shqiptare i kam gjetur gjithnjë të mbyllura. Mungesë fondesh. Nuk ka para. Vështirësi ekonomike. Buxhet i shkurtuar. Këto kanë qenë përgjigjet, si të thuash formale. Ndërkohë, tregu është i dobët për arsyet e veta sociale që ta mbushë zbrazëtinë publike.
Në një mjedis si Shqipëria ekziston gjithnjë mundësia që së bashku me financimin të të kërkohet edhe një farë besnikërie ndaj financuesit në punën tënde intelektuale. E kotë t’i biem rrotull, e dimë shumë mirë që kushtëzime të tilla ndodhin në të gjithë botën. Megjithatë, në Shqipëri përshtypja është se në vend të dorezës së kadifenjtë përdoret ajo e boksit. Ka një rrezik implicit pra në kërkimin e ndihmës financiare për projekte intelektuale. Por nuk është e thënë. Jo gjithnjë punët intelektuale kushtëzohen në përfundimet e tyre, sidomos kur kontributet vijnë nga institucione larg influencës politike.
Disa më kanë thënë se PTF-ja duhet të shndërrohet në faqe të vërtetë interneti, që të ketë mundësi të thithë reklama nga ente private ose publike. Pra të evoluojë nga blog në organ informativ, si një lloj reviste sociokulturore aktualiteti, ose diçka e ngjashme. E kam biseduar disa herë me Xha Xhain e Parrullën këtë pikë, por nuk është e lehtë. Edhe këtu kërkohen investime, sepse kalimi nga wordpress-i në platformë tjetër, lyp kompetenca specifike. Vetë mirëmbajtja e faqes së internetit kërkon më pas angazhim të posaçëm. A mund të bëhen të gjitha këto vullnetarisht? Megjithatë, jemi në studim e sipër, ideja nuk është braktisur.
Ajo që më ka prekur më shumë kur kam folur për punën vullnetare në PTF ka qenë mimika e mosbesimit. Pak vetë besojnë që shkrimet e botuara këtu bëhen vullnetarisht, pa asnjë lloj shpërblimi. Këtë mosbesim nuk di si ta interpretoj. Si shprehje e kapitalizmit shqiptar prej xhungle? Tundi paratë që të lëviz? Apo nga tradita e vjetër “Pa pare s’hyp hoxha në minare”? Fakt është që habia u del natyrshëm nga të gjitha poret e fytyrës. “Shkruani pa shpërblim? Çudi, si ka mundësi?”. Më dashamirësit të këshillojnë me urtësi: “Po pse o të uruar e lodhni trurin kot për këtë milet.” Dashakeqësit, ose prapaskenistët profesionistë, të buzëqeshin dykuptimësisht me nëntekstin: “Kushedi në cilën borderò firmosni ju, se pa parà nuk bëhen këto punë”. Buzëqeshje që është shprehur hapur edhe në komente gjatë këtyre viteve. Me fjalë të tjera, në pamundësi për të shkruar falas, jeni si rrjedhim të shitur. Pra le të kërkojmë direkt pronarin. Arsyetim i denjë për paradokset. Gjithsesi, plagosës.
Pavarësisht se çështja e financimit të atyre që shkruajnë u personalizua me shembuj nga Peizazhe të Fjalës, duhet të kuptojmë se blogu përbën vetëm një shembull modest në panoramën e kulturës shqiptare, e cila ende nuk e ka kuptuar se mbijetesa e vet nuk varet nga tenderët, koncesionet e ndryshme, ryshfetet, ekzibicionizmi, allishverishet, orgjitë materialiste, por nga ata që e lëvrojnë çdo ditë me përkushtim e dashuri, në kopshte ku hijeshojnë liria dhe respekti ndaj Tjetrit.
Nuk eshte se kam shume informacion per legjislacionin, apo traditen e financimit nga shteti per kultivimin kulturor te pavarur, por ne nje kendveshtrim jo fort te thelluar, shoh veshtiresi; kujtdo funksionari i kerkohet llogari per perdorim financash, dhe fusha qe diskutohet eshte shume subjektive- pavaresisht deshires se mire, fisnikerise, apo njohjes se holle te vlerave, nje administrator fondesh do atakohej. Ndaj financimet private ose prej shoqatave, organizatave, apo edhe universiteteve duken me te mundshme.
Zhvillimi i kultures mund te jete ne situate te veshtire, por nuk eshte ne situate te mire edhe arsimi universitar. Nje miku im, me eksperience te bollshme akademike ne USA, por edhe me nje eksperience te shkurter por interesante si rektor i Universitetit publik ne Vlore, shkruante nje dite per problematiken e shperndarjes kaotike, te fragmentuar por edhe te pa kolauduar te arsimit universitar ne Shqiperi. Supozonte qe duke u nisur nga popullsia, nese do krahasohej me USA, ne Shqiperi mund te ishin optimale deri ne kater, e shumta pese universitete, dhe keta te ishin publike. Kjo do optimizonte financat, kapacitetet pedagogjike, kerkimin shkencor.
Mund te duket pak jashte temes se Pishakut, por i shoh te lidhura, dhe shqetesimi per to eshte i perbashket.
Dhe dicka…mund te dukem naiv por te them te drejten me cudit fakti qe ka njetez qe mendonin se stimuli i shkrimit ne PTF eshte pagesa; mua nuk me ka shkuar ne mendje. Do uroja qe rrethanat te qellonin gjithmone qe njerezit qe shohin driten, ta tregojne ate nga kushtet dinjitoze te njeriut te lire, qe nuk diskuton te pakten lirine ekonomike. Ata qe e dyshojne, me falni per paragjykimin, me duken individe qe nuk e njohin kete drite e kete liri.
“Ajo që më ka prekur më shumë kur kam folur për punën vullnetare në PTF ka qenë mimika e mosbesimit. ”
pishak, ketu ke thene nje te vertete te madhe. sistemi totalitar na beri ta humbasim njehere e pergjithmone besimin per punen vullnetare. gjithe ato kodra, brezare, fusha, hekurudha, parcela, rruge, ura, puseta nafte, hidrocentrale. termocentrale, fabrika, uzina, diga, keneta, kooperativa, qe u punuan, sheshuan, ndertuan, thane me pune vullnetare, bene qe sot shqiptari te thote NON SERVIAM.
prandaj para ca kohesh, qe disa te rinj te huaj kishin ardhur e pastronin vullnetarisht rruget e lezhes (a te lushnjes, nuk mbajm mend), vendasit i shikonin me buzeqeshje cinike, me tallje; rrinin anash e pinin kafe.
besimi tek njeriu ka humbur.
ah, jo ” nje here e pergjithmone”, jo!