ATLASI ANATOMIK I KRYEMINISTRISË

2411Këto ditë të ndërrimit të stafetës në ekzekutiv, dy gjeste thelbësisht simbolike të qeverisë së re kanë tërhequr vëmendjen e publikut edhe ngaqë janë përcjellë bujshëm nga mediat: heqja e gardhit që rrethonte ndërtesën e kryeministrisë në Tiranë, dhe botimi i një numri fotosh aspak mikluese të interierëve të po asaj ndërtese, menjëherë pas marrjes së saj në dorëzim nga njerëzit e Ramës.

Për shkak të vetë natyrës së tyre, fotot kanë ngacmuar më tepër se heqja e gardhit, duke ngjallur edhe reagime shpesh emocionale, si dhe aluzione për gënjeshtra, trukime dhe shkelje të etikës; edhe pse leximi i tyre si “dokumente” nuk përkon me funksionimin e tyre, as me përvetësimin dhe përdorimin e tyre; sa kohë që fotot nuk janë as produkt i ndonjë gazetarie investigative, as i ndonjë “candid camera” që ka hyrë fshehurazi në mjedise përndryshe të ndaluara ose të përjashtuara.

Përkundrazi, syri që i merr dhe i miraton këto pamje nuk e fsheh asnjëherë qëllimin e vet; si edhe në raste fotosh të interierëve për qëllime reklame ose ilustrimi të një projekti të ri arkitektonik, publiku ftohet të vizitojë një hapësirë të zbrazët – ose më mirë të zbrazur, në rastin e tanishëm – për të përjetuar me imagjinatë përdorimin e saj, dje, sot dhe nesër.

Prandaj, për të kuptuar efektin e thellë të këtyre fotove, duhet të mbajmë parasysh se ato i referohen jo vetëm ndërtesës së kryeministrisë sot, ose të boshatisur nga “qiraxhinjtë” e saj; por edhe ndërtesës së kryeministrisë përballë masës së protestuesve, në 21 janar të vitit 2011.

Kamera tani na shoqëron nga një sallë në tjetrën, nga një korridor në tjetrin, nga një depo në tjetrën, nga një oborr i brendshëm në tjetrin, nëpër shkallë, shkallare e tarraca, për të na treguar rekuizitën – tashmë të hedhur mënjanë dhe gati për riciklim – të teatrit politik që është luajtur në këtë ndërtesë për tetë vjetët e shkuar: kolltukë, podiume, karrige, emblema: një skenografi të cilën e kemi parë të gjithë, detyrimisht, forcërisht, të shoqërojë veprimtarinë butaforike të ekzekutivit Berisha – qoftë edhe në emër të transparencës, të adoptuar prej tyre me bujë të madhe vite më parë, dhe të materializuar në trajta të pranisë së komanduar të një kamere dhe një mikrofoni, në mbledhjet dhe debatet e qeverisë, ose në monologët e të paskriptuara të kryetarit të saj.

Fotot e sapobotuara i kundërvënë kësaj transparence teatrale një tjetër – atë të syrit kureshtar, në kufi të voyeurism-it, që depërton atje ku nuk pritej, duke përzier publiken me privaten në të njëjtën supë imazhesh; njëlloj siç na paraqet atlasi i anatomisë të brendshmet e trupit tonë, të cilat përndryshe jemi mësuar t’i përjetojmë si të padukshme, si të mbuluara ndaj shikimit.

Fotot e rropullive të një ndërtese të rëndësishme, që bëhen kaq pamëshirshëm publike në një moment ndërrimi të rojës, funksionojnë tani si normalizuese të një situate e cila, vetëm pak vjet më parë, në 21 janar të vitit 2011, kish prekur cakun e absurditetit; aq sa ndarja artificiale brenda/jashtë dhe gardhi, atëbotë i policëve dhe i Gardës së armatosur, përftoi katër viktima: po aq reale, sa ç’ishte ndarja vetë artificiale; po aq prej mishi dhe gjaku, sa ç’ishte ndarja vetë simbolike, në kufi të arsyes magjike.

Atëbotë publikut iu tha se forcat e rendit, përfshi edhe Gardën, po ruanin “institucionin” e Këshillit të Ministrave, madje kryeministri i atëhershëm Berisha, në një fjalim që mbajti para Komisionit Hetimor Parlamentar u shpreh kështu:

Pasi mbarova drekën, në orën 14.15 u ktheva në zyrën time. Punonjësve u thashë se institucionet janë kështjella dhe nuk jepen kurrë. Sado e hidhur, sado e shëmtuar, sado e dhimbshme që është ajo që ndodhi në 21 janar, nga ana tjetër, po kaq madhështore, po kaq heroike, po kaq domethënëse është qëndresa e atyre burrave dhe grave të Policisë së Shtetit dhe Gardës, të cilët bënë të qartë se institucionet, kështjellë të lirisë, nuk jepen, nuk mund t’i pushtojë kush kurrë.

Në atë fjalim, Berisha kish bërë të vetin një koncept ku dallimi mes institucionit dhe paligjshmërisë nuk ishte veçse kufiri fizik që ndante selinë e Këshillit të Ministrave, në bulevard, nga turma e protestuesve; duke e trajtuar ndërtesën në fjalë sikur të ishte kulla e malësorit në bjeshkë – që jo rastësisht u përdor pastaj si kullë ngujimi, nga ushtarët dhe oficerët e Gardës së Republikës, për t’i shpëtuar drejtësisë.

Nëpërmjet një metafore të cilën ai vetë e kish marrë tepër seriozisht, Berisha e shndërroi godinën e Kryeministrisë në kështjellë; dhe marrëdhënien e qeverisë së vet me protestuesit në bulevard në marrëdhënie midis një kështjelle të rrethuar dhe ushtrisë rrethuese.

Kësisoj, nga metafora në metaforë, publikut iu prezantua teatri i një fushëbeteje ku, si në çdo fushëbetejë tjetër, do kishte edhe të vrarë – siç edhe pati.

Fotot e publikuara këto ditë, të mjediseve të po asaj ndërtese, të po asaj kështjelle që u mbrojt me forcën e armëve, duhen interpretuar, në këtë kontekst, si një përgjigje simbolike ndaj shndërrimit metaforik, dhe butaforik, të një ndërtese në kështjellë. Së bashku me heqjen e gardhit mbrojtës ose të “bllokëzimit” të një hapësire që duhej të ishte e lirë dhe publike, fotot nuk janë veçse depërtimi – sado i vonuar – i syrit të protestuesit të 21 janarit në ndërtesë, në “kështjellën” tashmë të dorëzuar; ose marrja në kontroll e një selie qeveritare të zbrazur, nga turma “revolucionare.”

Vetëm se ky i tanishmi është revolucion jo në bulevard, siç deshi ta përshkruajë Berisha atëherë, me notat e stonuara të një teorie komploti të tillë që të përligjte katër viktimat e zjarrit të Gardës; por revolucion “simbolik”, i kryer jo përmes grykës së pushkës, por objektivit të kamerës së fotografit, i cili hyn vrullshëm në ndërtesën tashmë të pushtuar dhe fikson në fotografi pasojat e një shkatërrimi dhe bastisjeje, që në fakt nuk ndodhën kurrë, pa çka se do të ndodhnin më pas vetvetiu.

Dhe ndryshe nga ç’prodhoi paranoja propagandistike e regjimit atëherë, tani nuk është më fjala për të pushtuar një institucion dhe për të rrëzuar një qeveri legjitime; por vetëm e vetëm për t’ia hequr një ndërtese atributin grotesk të institucionit “të paprekshëm”, dhe për ta kthyer atë, ndërtesën, në gjendjen e saj natyrale, ose materiale.

Kësisoj edhe objektet e treguara nuk shënojnë doemos lënien pas dore, as brutalitetin e të strehuarve në godinë, as trishtimin e humbësve, as nxitimin e pashpjegueshëm të ikësve; por më tepër përdorimin e rëndomtë që i është bërë ndërtesës, nga qiraxhinjtë e saj njëlloj të rëndomtë: këtu një makinë espresso-je, atje një palë sandale grash; këtu një karrige e thyer, atje një faqe muri e përfshirë nga lagështia; këtu një saç i ndryshkur, atje një tryezë portative për hekurosje; këtu një WC alla turca, së bashku me musllukun e nevojshëm, atje një monitor katodik kompjuteri; këtu një pirg librash me siguri të dhuruar (publikut i duhet të përfytyrojë dedikimet e shkuara dëm), atje një pirg tjetër, qesesh plastike të zeza, plehra të konfirmuara në statusin e tyre prej plehrash; këtu një dritare me xham të thyer, atje një skrivani druri solid me syprinën të shqepur; këtu një varg flamurësh të BE-së, që rrinë në një cep kokulur si kuaj të vjedhur, aty një perde e kapur pezull, në fluturimin e saj të rëndë e të pluhurt nga qielli në dysheme; këtu një stivë kutish me dosje (edhe pse jo ato dosje që do të donim), atje një stivë tjetër, me qilima të mbështjellë, si stofrat në një dyqan tradicional metrazhesh.

Kjo laparoskopi e pandalshme, ky udhëtim për së brendshmi i një syri që ishim mësuar ta afronim vetëm nga jashtë, duket sikur ia heq kryeministrisë aurën e “institucionit”, për ta kthyer në gjendjen e saj të natyrshme, prej ndërtese si të gjitha ndërtesat; jo të shenjtë për nga trualli dhe funksionet, si katedralja; as të paprekshme nga publiku, si kazerma; as të molepsur nga sëmundjet dhe njëkohësisht sterile si spitali; as me shpinë të kthyer nga liria si burgu; por një ndërtesë të hapur për publikun, të lirë nga brenda dhe nga jashtë; të banuar jo vetëm nga kryeministri i djeshëm, në vetminë e postit dhe të dritares së vet; por edhe nga gjithfarë ndihmësish, sekretarësh, kopistësh, kamerierësh, kuzhinierësh, ushtarësh, rojesh, pastruesish, ustallarësh, hidraulikësh, elektricistësh; jo një copë historie, herë të lavdishme e herë të palavdishme, të shndërruar në monument përmes histerisë së sekretit dhe rrethimit me gardh, por në zhguallin e një hapësire të banueshme, sipas rastit, edhe nga e mira edhe nga e keqja, edhe nga ligji edhe nga paligjshmëria; jo një objekt të denjë për muze për shkak të historisë ose funksioneve që ka kryer, por në vetë muzeun, pak të rrëgjuar, të përditshmërisë së shtetit.

Duke ia kthyer ndërtesën normalitetit dhe institucionin publikut, administrata Rama po kërkon ta bëjë më të pranueshëm edhe operacionin, sërish me tone të forta simbolike, të restaurimit të po kësaj ndërtese në vlerat arkitektonike burimore; në stilin e kryetarit të ri të Këshillit të Ministrave, që e paska zakon ta nisë veprimtarinë e vet prej lideri ekzekutiv me ndërtesat, për shkak kushedi të dukshmërisë së tyre, ose të lehtësisë me të cilën i projektojnë ndryshimet e fasadës dhe dekorit në hapësirat sociale përreth. Jashtë këtij konteksti metonimik, ku ndërhyrja estetike simbolizon reformën politike dhe ku gjestet ndonjëherë simbolikisht të dhunshme synojnë të riparojnë pasojat e dhunës së djeshme, rehabilitimi i ndërtesës së kryeministrisë dhe selisë së qeverisë në Tiranë nuk do ta përmbushte dot misionin e vet, sikurse nuk do ta përmbushë, në qoftë se politika dhe publiku marrëdhënien e tyre me realen ta zëvendësojnë me praktika të bonifikimit dhe risistemimit të shenjave dhe simboleve.

Botuar në numrin e kësaj jave të gazetës Impakt.

Nuk ka komente

  1. 2xh thote : “rehabilitimi i ndërtesës së kryeministrisë dhe selisë së qeverisë në Tiranë nuk do ta përmbushte dot misionin e vet, sikurse nuk do ta përmbushë, në qoftë se politika dhe publiku marrëdhënien e tyre me realen ta zëvendësojnë me praktika të bonifikimit dhe risistemimit të shenjave dhe simboleve”.
    Edhe une besoj se ky eshte thelbi apo edhe çengeli ku do te varet fati i qeverisjes se Rames, pasi “maredhenia me realen” perveçse eshte nje proces i veshtire dhe i rendesishem, eshte edhe nje proces i dyanshem, sepse publiku me politiken jane edhe vete pjese e realitetit, qe nenkupton se maredhenia me vetveten eshte edhe maredhenie me realitetin. Nese kjo realizohet ne nje proces te thelle reflektimi ku perfshihet vetvetja dhe realiteti, metonimia perjashtohet si metode pune dhe kthehet ne nje perralle, jo ne kuptimin e keq, por ne ate kuptim ku perralltaret e medhenj duke imituar popullin, arriten te ndikojne ne breza te tere njerezore dhe ndoshta jo rastesisht ne vendin ku lindi Anderseni sot jetohet si ne perralle. Veshtiresia qendron ne ate se edhe nese politika e ben reflektimin a eshte ne gjendje qe publiku te beje te njejten gje? Nese jo mund te themi me plot gojen se ky vend eshte i mallkuar megjithese ne pergjithesi besohet se e kunderta eshte e vertete dmth qe perendia e bekoi ate me pasuri te panumerta.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: