Vizitorët dhe turistët, në Tiranën e sotme, mund të mos e kthejnë kokën dy herë, për të parë ngrehinën e heshtur të hotel “Tiranës”; madje edhe vendësve ua tërheqin vëmendjen të tjera ndërtesa dhe jondërtesa; por ka qenë një kohë, jo dhe aq e largët, kur ky paralelopiped ishte orvatja jonë me flatra çimentoje, për t’i kapur lartësitë.
Këtë e mbaj mend edhe ngaqë, gjimnazist i “Sami Frashërit” aso kohe, i jam ngjitur një ditë vetë i tretë karabinasë së pambaruar, që ngrihej mbi shalë të holla betoni, ende e hapur përpara, mbrapa dhe anash, e lirë për vështrimet, diçka si masë drejtkëndore hojesh dylli, ose rrjetë bojë alumini të vjetër, bëzhdile urbane e hatashme, zhgarravinë metodike e një hyu të mërzitur.
Hipëm deri lart në majë, nuk di sa kate shkallë – me siguri pesëmbëdhjetë, sepse ashtu e quanim ne, pesëmbëdhjetëkatëshi, në vitet kur edhe emrin “Tirana” e mbante akoma një hotel tjetër. Nuk na pyeti kush as ku shkoni as pse; nuk ndeshëm në frymë njeriu, thuase ajo farë gërdalle vetëm ashtu, e braktisur, mund të arrinte të ekzistonte.
Ka qenë kulla e parë së cilës i jam ngjitur me këmbë, dhe kushedi e fundit; vite më vonë gjithnjë i jam dorëzuar tundimit të ashensorit dhe e kam përjetuar fluturimin vetëm në koncept; duke i mbyllur sytë poshtë dhe hapur pastaj lart.
Por ngjitja me shkallë është tjetër gjë, sfilitje e detyruar, sa gjimnastikore aq edhe iniciatike, që duhet t’i paraprijë lartësimit shpirtëror; barasvlerë e fluturimit, të cilin e arrijmë si me magji, që nga maja, kur hedhim sytë poshtë.
Tiranën e kishim kundruar nga lart edhe më parë, nga tarraca e malit të Dajtit; pellgaçe llurbash urbane dhe industriale, mbuluar me tymra dhe avuj vajgurorë, squfur dhe pluhur të qymyrtë; kishim bërë sikur ishim mrekulluar me pamjen, duke e shprehur admirimin njëlloj si bebja që qesh e lodhur, kur ia shtypin me gisht lëkurën e tendosur të barkut.
Por tarraca e pesëmbëdhjetëkatëshit të jepte një pamje tjetër, prej panopticon-i: nga njëra anë sheshi i bardhë, me tapiceritë e rregullta dhe të mirëmbajtura të ministrive dhe të bulevardeve; nga ana tjetër, mëhalla prapa hotelit, që deri dje kish qëndruar e fshehur mirë prej vështrimeve: e rrjepur, e shtrembër, skorbutike, një pyll shkurresh prej qerpiçi, të shtyra pamëshirshëm mënjanë nga buldozeri i urbanizmit socialist.
Nga maja e pesëmbëdhjetëkatëshit pamë një Tiranë të ndarë më dysh, si gruan e shogët në ato ilustrimet e anatomisë, me njërën anë të trupit të lëmuar si prej manekini; dhe me tjetrën të seksionuar për së gjati, për të lënë të duken zgavrat, pejzat, tejzat, venat mavi, muskuli risorius dhe kokërdhoku i llahtarshëm i syrit cullak.
Vite më vonë, kur hoteli përfundoi dhe ua hapi dyert mysafirëve, qarkulloi fjala se të huajve nuk ua jepnin dhomat me ballkone “nga mbrapa”, ose nga ku dukeshin rropullitë e Tiranës; por vetëm këto të tjerat, me pamje optimiste nga sheshi aq i sheshtë Skënderbej.
Por për ne kacavarësit urbanë të improvizuar të asaj kohe kjo ndarje kaq topologjike e pamjes nuk ekzistonte; ne lëviznim jo aq nëpër hotel, sesa nëpër idenë e një hoteli, në kontakt me katet, korridoret, dhomat, sallonet – por më tepër si segmente të hapësirës, se objekte të mirëfillta; madje ndonjëherë, nga ndonjë pozicion, mund ta shihnim Tiranën njëkohësisht, edhe mbarë dhe mbrapsht: si të ishte fjongoja e Moebius-it.
Mu përballë na ngrihej një kullë tjetër, e përmbyllur dhe e mprehur bukur, si laps gjeometri: kulla e Sahatit, ose strumbullari i gjeografisë tiranase; pa çka se aty brenda nuk futeshe dot, as dilje dot në ballkonin delikat, poshtë fushave të orës, për t’ua bërë me dorë atyre poshtë; sikurse ta konfirmonte dryni në portën e saj aq modeste.
Gjithnjë ma ka pasur ënda të mendoj se kulla të tilla të holla, që vërviten drejt qiellit përgjatë përmasës së tretë, nuk janë veçse zhguaj për spiralet e shkallëve që u shtjellohen në brendësi.
Ti hyn aty, nuhat ajrin e zënë rob kushedi prej vitesh; dhe i merr shkallaret me radhë, njërën pas tjetrës, monotonisht, shpesh me sytë në shpinën e kërrusur të kujt të paraprin; për t’iu nënshtruar këtij mundimi gati purifikues, para se të dalësh në majë dhe ta vësh qiellin në kokë si kësulë, me një ndjesi ngadhënjimi primordial; por që në fakt i detyrohet kalimit kaq dramatik nga klaustrofobia në agorafobi, totale si njëra si tjetra.
Në fëmininë time, në vitet 1960, gjithnjë ia kisha zili hoxhës te xhamia në Rrugën e Kavajës, që hipte në minare, i palodhur, për të thënë ezanin e që nuk di pse e përfytyroja rregullisht shkurtabiq, kushedi ngaqë duhet të jesh gjithnjë pak xhuxhmaxhuxh që të ndërtosh kullën e të jetosh pastaj atje duke dihatur poshtë e lart shkallëve, si i ndërkryer, nga një orar lutjesh në tjetrin; por edhe më pëlqente t’i negocioja mendërisht, së bashku me këtë mik shtatvogël, spiralet e shkallëve brenda tubit të minaresë, derisa të më hapej përpara ballkoni i ngushtë dhe frika nga lartësitë e përzier me dëshirën e papritur, absurde, të prapranueshme, madje politikisht jokorrekte për t’u hedhur.
Por ia kisha zili atij hoxhe, sepse ai më shihte mua si thnegël, ndërsa unë atë si krijesë të ajrit dhe të përrallave.
Dhe, në fakt, kam pasur një libër të çuditshëm në bibliotekën time, një broshurë të titulluar Londres à vol d’oiseau, ku kryeqyteti britanik i viteve 1940 rrëfehej faqe pas faqeje e rrugë pas rruge, i parë nga lart dhe pak pjerrët, me syrin e një zogu në mëdyshje; diçka si Google Maps sot, por e vizatuar me dorë dhe e ngjyrosur me akuarel.
Më pëlqenin hartat, në përgjithësi dhe sidomos ato të qyteteve të largëta; kur im atë shkoi në Paris, gjëja e parë që i kërkova ishte një hartë e qytetit, ku të shëtisja me mendje. Mbaj mend që më pat dërguar një hartë të vogël, me postë; nga ato që t’i japin falas në hotelet; dhe ku monumentet kryesore ishin të vizatuara sipër adresave përkatëse.
E përfytyroja veten në majë të kullës Eiffel, mundësisht të mbërritur aty me metodën e shkallëve, dhe duke e parë Parisin nga lart e duke kërkuar me sy për “kuptim”, njëlloj siç thuhet të kenë kërkuar për kuptim vizitorët nga kozmosi, sipër pllajës së Nazca-s, në Peru.
Ç’të ketë qenë ajo dëshirë aq rrëmbushëse, përveçse mall për udhëtime të pamundshme, fluturime me avionë të linjës, vizita në vende të largëta, ulje-ngritje në aeroporte dhe zgjerim të horizonteve, ose për një jetë të mbetur në letër?
Përndryshe, hartat e vjetra, që e paraqitin dheun të soditur nga lart, ia bëjnë gjithnjë lëshimet e duhura fantazisë; sepse është e pamundur të fluturosh mbi botë, dhe të mos mendosh për një HIC SVNT LEONES, një përshkrim që është njëkohësisht edhe paralajmërim; sa kohë që harta vetë të këshillon t’u rrish larg disa viseve; ose më mirë, që i paraqit këto vise në trajtën e kërcënimeve e rreziqeve që u bashkëlidhen.
Në hartën e Tiranës sonë të atëhershme, idealisht të parë nga kulla që do ta dëshironim të gjithë mu në zemër të qytetit, një mbishkrim i tillë kushedi do t’i shkonte bllokut, ose “qytetit të ndaluar”, a më mirë “fshatit të ndaluar” përbri Bulevardit të Madh – ose anti-mëhallës të cilën të gjithë do të bënim mirë të supozonim se nuk ekzistonte, qoftë edhe duke e shmangur vështrimin, kur i kalonim anash. HIC SVNT DRACONES.
Hotel Tirana, me të pesëmbëdhjetë katet e veta të madhërishme, me siguri ish kalkuluar nga arkitektët që të mos ishte aq i lartë, sa t’ua lejonte kureshtarëve pamjen e bllokut; sheshi Skënderbej me trafikun e rrallë të makinave dhe trafikun e dendur të milingonave do të mjaftonte; madje ndonjë turist i armatosur me teleobjektiv do të mund të gjendej edhe sy më sy me vetë Gjergj Kastriotin me vetullat kaleshe prej bronzi. Por jo shumë më tepër.
Tirana e mbante hartën e vet të shtrirë, batanije të vjetër pikniku mbi fushëtirën gjithnjë pak të baltosur.
Ky turp prej vashe, ky kujdes për të mos i zbuluar gjunjët, e la kryeqytetin pa kullë; sikurse e kish lënë deri dje pa kështjellë, bedena dhe mure rrethuese; me përjashtim të atyre që i ndanin lagjet dhe mëhallat më dysh, ose në të dukshme dhe të padukshme.
Pa çka se kullat sot në Tiranë i gjen me bollëk: të drejta dhe të pjerrëta, të rrumbullakëta dhe prizmatike, të ligjshme dhe të paligjshme, të mbushura dhe të zbrazëta, funksionale dhe spekulative, në kohën e kryer dhe të pakryer; të stolisura me gjithfarë reklamash, ballkonesh, belvederesh dhe restorantesh panoramike. Por këto ambicie gjysmake sipërmarrësish, ndoshta pikërisht ngaqë janë shumë e për lumë, sytë veç i kanë për njëra-tjetrën e te njëra-tjetra, si konkurrentet në një konkurs bukurie.
Përballë këtij eksplorimi kaq të hareshëm të vertikales së zbuluar rishtas, s’e bën dot veten me faj, kur mendon se kulla imagjinare, Eiffel-i aq i dëshiruar i Tiranës tjetër, asaj as të vjetër as të re por vetëm të lënë mënjanë, ka hedhur shtat në drejtim të kundërt, drejt nëndheut; tashmë qime monstruoze, e rritur gjithë pezmatim së prapthi.
Ne nje moment te shkrimit fillova dhe leximin symbyllur
Perfytyroj perhere rreshtime ne nje antologji te poetikes mbi Tiranen, po per kedo qe do t’i hynte vertet punes seleksionuese, edhe neper internet, po bej qe tani, ose here pas here, ndonje ‘gugullim’ manipulues, si nenvizim.