PRONA LUGAT

Krimet në Shqipëri sot konsumohen për gjithfarë motivesh të ulëta – grindje banale, xhelozi, zënie rruge në trafik, një kompliment i lëshuar jo në kohën dhe vendin e duhur, një varëse e bukur, radioja e ndezur me zë të lartë, një “ça ke që shef”, you name it.

Megjithatë, shumë, tepër shumë vrasje dhe lëndime ndodhin për pronat, shpronësimet dhe ripronësimet.

Ky institucion social dhe ekonomik themelor – prona – rrezikon të dëmtojë, si gangrenë, komunitetet, bashkëjetesën dhe rendin publik.

Vrasjet, lëndimet dhe përplasjet e hapura, të cilat ndonjëherë vazhdojnë për vite edhe në trajta të gjakmarrjesh dhe hakmarrjesh të tjera, duhen parë vetëm si maja e ajsbergut, e një dukurie që ka futur me qindra mijëra shtetas në konflikt me njëri-tjetrin: vëllezërit kundër vëllezërve, kushërinjtë kundër kushërinjve, komshinjtë kundër komshinjve.

Prona e rehabilituar është duke shkatërruar lidhjet familjare, fqinjësitë e mira dhe, në përgjithësi, indin që i mban shtetasit së bashku dhe që i bën, tek e fundit, qytetarë.

Nuk po dua të flas si marksist, as të përgojoj pronën në private përgjithësi; por vetëm të ftoj për reflektim në lidhje me atë plagë të hapur, që i shoqërohet institucionit të pronësisë mbi truallin.

Për të kuptuar mirë se çfarë po ndodh me këtë pronësi sot, duhet të kemi parasysh (1) se vetë trualli është i kufizuar, nuk mund të shtohet, bie fjala, duke e ndërtuar (në parim) ose duke marrë kredi; dhe (2) vetë institucioni i pronësisë private mbi tokën u shkatërrua me themel gjatë viteve të regjimit komunist, për t’u zëvendësuar nga pronësia shtetërore, shpesh e maskuar si publike.

Natyrisht, shumë konflikte për truallin degradojnë në kronikë të zezë sepse shtetasit nuk kanë besim te drejtësia, madje e konsiderojnë atë si të kapur nga “të fortët”, ose edhe nga pala “e fortë” në konfliktet; sepse shtetasit nuk janë mësuar t’i zgjidhin andralla të tilla duke iu drejtuar gjykatave; sepse shtetasit nuk arrijnë dot të mbijetojnë nëpërmjet punës, por kërkojnë me çdo kusht rentën që të siguron pronësia mbi tokën, etj.

Ky shkrim nuk është gjë disertacion për shkaqet sociale të krimit në konfliktet për pronësinë ndaj truallit dhe as duhet lexuar ashtu; por vetëm dëshiron të vërë në dukje ndonjë aspekt që anashkalohet në analizat publike të dukurisë.

Dhe që lidhet, para së gjithash, me historinë e institucionit të pronës mbi truallin në Shqipëri dhe të vetë shoqërisë ku vepron ky institucion.

Prona mbi truallin sot strukturohet, në thelb, në bazë të pronësisë historike – trualli i përket atij që e ka pasur. Kësisoj, “kthimi i pronave” vjen e shndërrohet në një orvatje madhështore, por patetike, për të restauruar një fotografi pronësie të, së paku, 60-70 vjetëve më parë; duke e marrë atë për të mirëqenë dhe të përsosur.

Mirëpo, edhe sikur struktura e pronësisë mbi truallin të ketë qenë e pacen atëherë, këtu harrohet se vetë prona, si institucion, evoluon së bashku me shoqërinë, duke iu përshtatur zhvillimeve dhe, anasjelltas, duke ndikuar mbi këto zhvillime.

Nëse prona private mbi truallin në thelb pushoi së vepruari gjatë regjimit komunist, atëherë institucioni në thelb “vdiq”; dhe për një institucion të vdekur është e natyrshme të pyesësh nëse mund të ringjallet.

Përpjekjet për të ringjallur institucione të vdekura mund të jenë fisnike në vetvete, por kjo nuk pengon që të japin si rezultat mëkëmbjen e çfarë nuk është veçse një zombie – ose një i zhvdekur.

Ky farë infektimi i shoqërisë shqiptare me zhvdekje nuk kufizohet vetëm me pronësinë ndaj truallit, por i prek edhe fusha të tjera: për shembull, feja ose historia e rishikuar.

Nëse një institucion i vdekur mund të ringjallet, për këtë mund të diskutojmë gjerë e gjatë; çfarë duket jashtë dyshimi, është që ringjallja nuk duhet marrë si e mirëqenë, ose si zhbërje formale, mekanike ose aritmetike e vdekjes. Ashtu ndoshta do t’i vijë radha edhe diskutimit për çfarë krijohet a përftohet vërtet, gjatë përpjekjeve për rikthim dhe ringjallje të institucioneve të vdekura, të vrara ose të varura në litar.

Që pronësia mbi tokën, si institucion, duhej të ishte zhvilluar historikisht së bashku me shoqërinë përkatëse, duhet kuptuar në dy mënyra: (1) vetë institucioni është dobësuar në vetëdijen kolektive, ka humbur nuancat dhe domethënien, për t’u zhndërruar në një zhguall të kalbur të vetvetes; dhe (2) shoqëria shqiptare, gjatë këtyre 60-70 vjetëve është zhvilluar në drejtime të tjera, p.sh. duke kultivuar institucionin e pronës shtetërore (për mirë dhe për keq) dhe, çfarë është më e rëndësishme, duke u shndërruar nga pikëpamja demografike.

Te kjo pikë e fundit mund të ndalem pak më gjatë, meqë nuk e kam fjalën vetëm për trefishimin numerik të popullsisë, por edhe për faktin që harta e pronësisë mbi truallin, qoftë edhe vetëm e dy-tre brezave më parë, nuk i përgjigjet më strukturës së sotme të titullarëve të pronës: familjeve.

Diçka që nuk duhet harruar në këtë mes: trefishimi i popullsisë ka ndodhur mbi bazën e pronësisë kolektive (shtetërore, publike) mbi truallin, fakt që nuk është aq trivial sa ç’mund të duket.

Ajo përshtatje e ngadalshme e pronësisë mbi truallin, që ndodh teksa familja zhvillohet në kohë (p.sh. ndarja mes vëllezërve me testament, ose primogjenitura, atje ku ekziston), në Shqipëri nuk është lejuar të ndodhë.

Kjo do të thotë edhe se trualli, në marrëdhëniet me shtetasin abstrakt, është shndërruar në varrezë të thellë dhe kutërbuese.

Por zhvillimi demografik ka cekur edhe shpërndarjen gjeografike të popullsisë, duke ndryshuar, p.sh. raportet midis atyre që jetojnë në qytet dhe atyre që jetojnë në fshat; pa folur për rastet kur fshatra dhe qyteza të tëra janë ngritur, si komunitete, mbi prona që sot i janë njohur tjetërkujt.

Më tej, natyrë historike nuk ka vetëm institucioni i pronës, por edhe mënyra si zgjidhen konfliktet përkatëse – antropologët duhet ta dinë si i kanë pleqëruar, tradicionalisht, shqiptarët këto konflikte dhe mosmarrëveshje, pikërisht për të siguruar paqen sociale; por këto teknika tradicionale nuk veprojnë më.

Që drejtësia, madje edhe sikur të ishte e përsosur, të mund të ndihmonte drejtpërdrejt në zgjidhjen e konflikteve të tanishme, asaj do t’i duhej një autoritet moral që nuk e ka; dhe jo vetëm ngaqë shihet si “e kapur” dhe “e korruptuar”; por ngaqë shpesh shtetasit nuk presin që këto konflikte mes komunitetit t’ua zgjidhë një palë e tretë e huaj, dhe aq më pak shteti.

E shumta që shtetasi i zakonshëm bën, në raste konfliktesh të tilla, është “të zërë një avokat” – nuk po merrem me rastet, çuditërisht në rritje, kur i kërkohet zgjidhja Brukselit, në thelb Sulltanit.

Pa folur pastaj për koston ekonomike, sociologjike dhe psikologjike të litigation, ose të zgjidhjes së konflikteve të pronësisë me rrugë gjyqësore.

Veç të tjerash, pronësia mbi tokën, e fituar rishtas, ka përftuar dhe vazhdon të përftojë një lloj histerie, të ngjashme me atë që ndodh kur fitohet lotaria – meqë pronarët e rehabilituar mund të gdhihen të pasur brenda ditës, çka është shumë më e frytshme, si mënyrë pasurimi, se biznesi i zakonshëm ose puna.

“U kanë dalë toka” është një shprehje që, së paku në Tiranë, e dëgjon të shqiptohet me të njëjtin intonacion si “kanë fituar miliona në lotari.”

Mirëpo trualli është vetvetiu i fundëm, sipërfaqja e Shqipërisë është ajo që është dhe malet e gërxhet deri më sot nuk ka arritur t’i hekurosë kush, për t’i kthyer në fusha; dhe çfarë i duhet më pak sot shtetit dhe shoqërisë së atjeshme është një konflikt madhor mes atyre që kanë troje dhe atyre që nuk kanë; sepse ky konflikt përfton veç mjerim në rritje.

Natyrisht nuk e kam zgjidhjen për këtë, por vetëm konstatoj anomalinë e një shoqërie e cila po kërkon të orientohet, në mes të stuhisë, sipas një harte e cila nuk i përgjigjet më “territorit.”

Ose më mirë, zgjidhja që përsiat unë mund të përqeshet, dhe në fakt është përqeshur, si naive: shfuqizimi i çdo pronësie ndaj truallit, i cili duhet t’u përkasë, me përkufizim, të gjithë shtetasve të republikës.

Dhe nëse bëhet kjo, atëherë problemet e pronësisë së truallit mund të zbuten, duke u shndërruar në probleme të dhënies në përdorim të truallit; dhe duke shpresuar, ndërkohë, se shtetasit do të heqin dorë nga ëndrra parazitare për t’u pasuruar nëpërmjet rentës.

Ekonomistët, sociologët dhe të gjithë specialistët e tjerë përkatës do të m’i bëjnë kabull gabimet në parashtrimin më lart dhe terminologjinë detyrimisht jo-teknike; do të mirëprisja kontributet e tyre, por jashtë pozicioneve të ftohta dhe, mundësisht, në vazhdën e problematikës së shkrimit tim.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha jam pak i paqarte se cfare kuptohet me “të dhënies në përdorim të truallit”.

    A mund ta zhvillosh, zgjerosh kete, se nuk(une personalisht) e kam te qarte se cfare kuptohet, perfshihet ne fjalen “truall” ne kete rast.

    Ka nje kategorizim kadastral, pronesie dhe perdorimi ne lidhje me llojet e siperfaqeve tokesore.

    1. Ideja ime, në vija të trasha, do të ishte që trualli të jepej në përdorim si alternativë ndaj pronësisë, në vend të saj; ose që – të paktën për një periudhë të caktuar, bie fjala 100 vjet – të pezullohej e drejta për të pasur pronësi ndaj truallit. Por është vetëm një ide, pa shumë vlerë, besoj unë, në krahasim me problemin që kërkon të zgjidhë; në një kohë që problemi, gjithnjë besoj unë, është kritik.

  2. Kur botova në blog shkrimin PRONARI NË FOKUS, një koleg nga Tirana më shkroi privatisht duke më thënë se i kisha rënë në qafë kategorisë së pronarëve. Ajo vërejtje më bëri të mendoj se tema e pronësisë është shumë e ideologjizuar në Shqipëri, kryesisht për faj të historisë së vonët, por që i ndan njerëzit menjëherë në dy ose më shumë kampe. Pronat janë nervi i zbuluar i shoqërisë shqiptare. Për mua, vetë ndërgjegjësimi për këtë pikë, pra që pronat (dhe ajo që ndodh përreth tyre) janë bërë problem i rëndë e shumëplanësh për shqiptarët, do të ishte fitore në vetvete. Do të ishte, si të thuash, hapi i parë drejt zgjidhjes. Ndërkohë, në Shqipëri, pronat shikohen nga disa si çelësi i zgjidhjeve të problemeve shqiptare.

    Nga ana tjetër, pronat përbëjnë vendin ideal, edhe në kuptimin fizik të fjalës, ku ndërthuren shumë interesa. Mjafton të mendojmë për politikanët, avokatët, gjykatësit, noterët, punonjësit në agjenci si hipotekat, e kështu me radhë. Kjo e bën edhe më të ndërlikuar situatën. Natyrisht, nuk është faji i pronës dhe i pronarit, këta shpeshherë janë viktima të një sistemi. Në qoftë se opinioni publik shqiptar do ta kuptonte se pronat dhe ngrehinat kutërbuese rreth saj janë shndërruar tashmë si gjylja në këmbë e zhvillimit jo vetëm ekonomik, atëherë do të kishim bërë gjysmën e punës. Pa këtë premisë, zgjidhjet do të jenë gjithnjë të diskutueshme e casus belli për palët në fushë.

  3. “Diçka që nuk duhet harruar në këtë mes: trefishimi i popullsisë ka ndodhur mbi bazën e pronësisë kolektive (shtetërore, publike) mbi truallin, fakt që nuk është aq trivial sa ç’mund të duket.”
    Mendoj se eshte citati me i rendesishem ne kete shkrim dhe per kete arsye me lejoni ta shkepus dhe ta vecoj ketu. Nuk po vazhdoj te komentoj kete fjali shume te rendesishme, pasi nuk me duket se eshte momenti e as rrethana per ta shtjelluar me tej.
    Ne lidhje me ceshtjen e prones ne Shqiperine e sotme, ne boten e sotme, XhaXha, toka, pra pronesia e Tokes eshte ndoshta ceshtja me ‘wordly matter’ qe mund te diskutohet. Duam s’duam eshte The worldy matter, par excellence.
    Ne kete pike mund te diskutohen shume ceshtje, edhe pronesia e shtetit mbi token, se pse na u dashka te jete shteti pronar mbi troje, pra shteti nacional si entitet juridik, gjeografia politike me kufijte e saj etj si keto. Mund te shkojme deri atje sa te mendojme te gjithe boten te drejtuar nga nje qeveri globale ala OKB dhe endrra te tilla universale me himn Imagine te John Lennon, te cilat nuk jane pare te ndodhin dot ende ne kete bote. Ne momentin qe dikush del kunder prones private si koncept nuk ka perse nje tjeter te mos dale dhe kunder shtetit nacional si parim, etj debate te tilla, qe nuk mund te shkruhen ketu, pasi shkojne me shume si biseda te lira edhe pse jane ceshtje qe jane rrahur fort shekullin e kaluar, pra fundin e 1800 e fillimin e 1900, me levizjet aktuale te kohes, duke u shtrire nga komunizmi tek anarkizmi dhe konflikti mes ketyre dy rrymave, me kulm ne luften civile te Spanjes, ku komuniste e anarkiste u masakruan me njeri-tjetrin.
    Po te duam me tej diskutime teorike mund te bejme edhe per ‘parane’, p.sh. pra c’eshte apo c’nuk eshte, eshte apo nuk eshte, duhet apo nuk duhet, duhet leter apo duhet metal, duhet metal i zakonshem apo metal i cmuar, duhet fiktive apo nuk duhet fare, etj si keto. Mund edhe te eksperimentojme te heqim parane fare nga qarkullimi ne Shqiperi psh ose ne Kosove psh, po nuk besoj se do kete njeri qe ta marre seriozisht kete sugjerim, pervec ndoshta Vetvendosjes.
    Pertej permasave filozofike, teorike, refleksiviste, apo analitike shkencore, diskutime te tilla kam frike se njerezit e letrave apo te botes akademike e te mendimit, i transformojne shume shpejt ne budallenj me brire, ne syte e njerezve te biznesit, pra atyre te veprimit te cilet kane disa brire te tjera dhe muskuj pak me te konsoliduar. Pra duke qene nje ceshtje shume ‘worldly matter’, druhem se ashtu si ne te gjithe boten njerezore, politike dhe globale, edhe ne Shqiperine e sotme, ceshtja e pronesise dhe kontrollit ndaj territorit, ka shkuar ne favor te kujtdo qe ka qene me i “zoti” te pushtoje, sic edhe ju e pershkruani me lart se eshte perceptimi i pergjithshem ne Shqiperi.
    Nuk me rrihet gjithsesi pa shprehur dy tre mendime te thjeshta ne lidhje me ceshtjen:
    1. Mendoj se ne rradhe te pare duhet pare dhe duhet njohur pervoja dhe zgjidhjet qe i jane dhene problemit ne vende te tjera ish-komuniste apo ish Republika Demokratike mqs vete termi Republike Demokratike mbart nje zgjidhje dhe koncept tjeter te ceshtjes se pronesise. Pra si eshte zgjidhur kjo ceshtje ne vende nga p.sh. Gjemania Lindore, Cekia, Polonia, Bullgaria e deri tek Azerbajxhani, Kirgistani etj. Ne kete pike kam pershtypjen se kemi mungesa te medha informacioni. Pavaresisht se realitetet ne cdo vend jane te ndryshme, nuk kemi pse shpikim ne rroten per cdo gje sic e kemi zakon te bejme, apo sic na pelqen ta vendosim veten ne rolin e gjeniut apo gjelit maje plehut edhe kur nuk eshte fare nevoja.
    Me kujton kjo pune ketu dhe “konfliktin” e fundit ne Permet, ku i gjithe ai debat i madh dhe i zjarrte mediatik, perpara se te ishte bere molle sherri ndershqiptare apo inter-ballkanike mund te ishte zgjidhur fare lehte, nga nje gazete dhe nje gazetar i vetem, i cili te kishte mbledhur dokumentacionin juridik, pasqyruar ate dhe mbi te gjitha shoqruar dhe me nje fotografi te kohes te qendres se Permetit, foto e cila jam i bindur gjendet diku.
    E gjithe ngaterresa me duket ne menyre qesharake dhe tragji komike per mungese te nje fotografie te qarte te qendres te Qytetit te Permetit. Me kaq ceshtja ishte mbyllur per diskutimin publik pa qene nevoja te futeshin njerezit apo shtetet ne tifozllek.
    Kthehem tek prona dhe tek gjeja me e thjeshte por qe gjithashtu mesa duket nuk i ka shkuar njeriu ndermend ne Shqiperi akoma te beje eshte se: 2. Çeshtja nuk mund te zgjidhet pa perfshire ne dialog dhe komunikim palet e interesuara. Kjo vlen mbi te gjitha per fshatin dhe ligjin 7501 konfliktet mbi te cilin kane paraliyuar psh komplet bregdetin.
    Pra, pa u mbledhur dhe diskutuar ceshtja ne parim dhe ne menyre konkrete mes paleve te interesuara, ish pronareve dhe pronareve te 7501-sit, ne menyre te drejtperdrejte, konkrete, fshat per fshat, krahine per krahine, kjo ceshtje nuk mund te zgjidhet me nje te rene te lapsit nga pale te tjera. Pra nuk mund te zgjidhet nga askush tjeter pervec paleve vete dhe shtetit si arbiter dhe kompensues i drejte per cilendo pale.
    3.Dhe me e rendesishmja, eshte se Shqiperia ka nje kushtetute dhe sot per sot, detyra e shtetit shqiptar eshte te respektoje kushtetuten qe ka. Neser, nqs ajo nderrohet me nje tjeter, mbi parime te tjera, mbi filozofi te tjera, apo pas ndonej revolucioni boteror, do te duhet te respektohet ajo tjetra, nga kushdo autoritet ligjor qofte ai shtet apo konfederate globale revolucionare. Pra respektimin e kodit baye te tij, kushtetutes, nuk e ben shteti vete, dhe ketu qendron problemi kryesor i prones. Pra eshte nje problem praktik, jo teorik.
    Me pelqen citati qe kam shkeputur me lart nga shkrimi juaj Xhaxha, me pelqen shume, por mbi te gjitha sepse vlen per te iluminuar me gjeresisht nje viyion tuneli kapitalist te sotem ne Shqiperi, shume me teper sesa per te dhene vertet nje zgjidhje praktike probleme te medha te nje Shqperie te vogel, qe nuk mund te kete luks te beje eskperimente te metejshme me ceshtje thelbesore te mbarevajtjes se te gjithe ngehines te emertuar si demokraci liberale dhe jo republike demokratike.

    1. Dua vetëm të shtoj se ideja – propozimi, sugjerimi, lajthitja – për heqjen, pezullimin ose “ngrirjen” e së drejtës për pronësi mbi një truall nuk është e barasvlershme me idenë për heqjen, pezullimin ose “ngrirjen” e pronës private. Janë dy gjëra të ndryshme, dhe ja pse: e para vë në diskutim vetë mundësinë nëse mund të pronësohet trualli (natyra, gjeografia); dhe pyet se mbi ç’të drejtë mund të bazohet kjo; e dyta është përsiatur jo aq për truallin, sa për mjetet e prodhimit. Aq e vërtetë është kjo, sa plot familje, edhe nën regjimin e kaluar, kanë pasur pronë truallin ku është ndërtuar shtëpia e tyre (familja ime ka qenë e tillë, me truall në zemër të Tiranës) dhe kjo nuk ka qenë ndonjëherë problem. Dhe, më në fund, unë nuk kam sugjeruar gjëkundi që të bëhet shteti pronar i truallit (shteti nuk ka qenë pronar i truallit as nën regjimin komunist); por vetëm që trualli t’u përkasë në parim të gjithë shtetasve (njëlloj sikurse u përket edhe shteti, xhanëm); dhe shteti vetëm ta administrojë, sikurse administron gjëra të tjera – p.sh. trafikun, ose doganat.

      1. Ok ndjesë për ndonjë keqkuptim Xhaxha. Ndjesë gjithashtu për y-të që më zëvendësojnë padashje z-të kur kthej tastierën për të shkruar me ‘ë’ dhe ‘ç’ edhe pse në rrëmbim e sipër harroj ta bëj edhe këtë..
        Megjithatë me atë fare pak informacion që kam mbi këtë çështje, di që trualli i republikës është në administrim të shtetit pikërisht siç sugjeroni ju. Me sa di unë, shteti mund të ketë të drejtë ta lëshojë me konçension një truall për x apo y vjet. Problemi është që këto ‘konçensione’ kanë qenë shumë të dyshimta, le pastaj faktin banal, që troje të tëra jepen fillmisht me konçension e më pas privatizohen me pretekst se kush investon më shumë se vlera e tregut të truallit, ka të drejtë të blejë më pas edhe truallin. Në këtë formë është bërë kërdia në yona të tëra. Ok ndjesë që e banalizova çështjen por kështu është puna. E gjitha kjo në kohën kur pronarët legjitimë trajtohen si të nenës apo të njerkës sipas qejfit. Pak a shumë si në rastin e Përmetit. (!)
        Toka për te kompensuar pronarët e vjetër nuk ka më, sepse janë dhënë me konçensione, ose planifikohen të jepen, e kështu mbetet një qark i mbyllur dhe kush ka “aftësi” të falsifikojë më bukur dokumeta, të paguajë gjykata nëpërmjet avokatëve, apo të ketë lidhje me x apo y fiton. Ndjesë dhe për këtë shumë të panevojshëm, pasi sot nuk ka shqiptar sidomos po të jetë mbi 60 vjeç, të mos jetë bërë super ultra ekspert juridik pikërisht për këto çëshjte.

  4. Xhaxha, dy gjera:

    1. Pyetja nese nje institucion i vdekur si prona private mund te ringjallet ne Shqiperi eshte dhe do te mbetet pyetje e hapur per shume kohe. Megjithate, per mua DUHET te ringjallet sepse nga ana ekonomike eshte nje nga ato aspektet praktike qe jane thelbesore dhe te pazevendesueshme. A mund ta benim kete lloj pyetje pershembull per nje tjeter institucion qe ngordhi gjate komunizmit: Fjalen e Lire? Une do te argumentoja qe marredhenia e shqiptarit me fjalen e lire nuk ka qene kurre e qarte, dhe qe njezet vjetet e fundit ka qene nje marredhenie e manget sepse fjale e lire nuk do te thote gjithnje fjale e mencur. Megjithate une do te isha tejet i pakenaqur nese dikush do te ma mbyllte rubinetin e peizazheve te fjales. Me kete dua te them qe rrenojat e institucioneve shqiptare ndoshta jane te shemtuara, po ca nga to duhen kultivuar se ndryshe na mori belaja.

    2. Persa i perket propozimit tend qe shteti ta jape token me qera dhe te mos jape pronen, nuk eshte propozim aq djaloshar. Kete e bejne shume shtete ne boten kapitaliste perkrah prones prívate (per me teper shteti ka gjithnje te drejten e eminent domain). Megjithate, me sa e shoh une problemi ne Shqiperi qendron ne zbatimin e kontrates (contract enforcement) dhe jo ne pronen prívate. Psh, ta zeme se nje kompani e huaj i kerkon shtetit qe te filloje eksplorimin diku ne veri. Shteti i jep te drejte te punoje ne nje truall toke qe eshte ligjerisht e shtetit dhe qe shteti ka te drejte ta jape me qera (kjo nenshkrohet ne kontrate me nje numer kadastre). Pasi kompania aty gjen dicka te vlefshme, nje nenshtetas shqiptar i hedh ne gjyq per keqperdorim te prones se tij. Kompania ankohet tek shteti, i perfaqesuar nga nje nepunes, i cili ngre supet dhe thote qe nr i kadastres qe eshte cituar ne kontraten fillestare te nenshkruar nga shteti dhe kompania prívate nuk ekziston. Ligjerisht, ai pronari i tokes ka te drejte. (ky nuk eshte shembull bosh, dicka e tille ka ndodhur ne Shqiperi). Ne te dyja rastet, edhe kur kemi prone prívate edhe kur kemi tjesht lenie me qera problemi eshte i njejte. Shteti eshte i paafte te garantoje PERDORIMIN e prones ligjerisht nga nje individ juridik. Kjo eshte ceshtja kryesore dhe qe duhet rregulluar sa me shpejt. Fakti qe shteti te jep te drejten ligjore te zenies se nje trualli (te perhershme apo per 100 vjet) nuk te garanton asgje. Prandaj ne Shqiperi ka nje industri te tere me “property trolls” qe gjuajne prona deri sot te pavlefshme, qe behen papritur te vlefshme (per mua jane nje forme me e thjeshte e patent trolls) . Prandaj dalin kaq shume prona dhe avokatet e pronave po mbushin xhepat. Kjo eshte nje lloj industrie e krijuar drejtperdrejt nga shteti, ose me mire nga paaftesia e shtetit Shqiptar. Per mua, ndryshimi midis prones prívate dhe qeradhenies per 100 apo 200 vjet eshte tejet i vogel, nga ana ekonomike keto te dyja jane pothuajse njesoj. Por nese dhenia e qerave behet ne te njejten menyre si dhenia e pronave sot, asgje s’ka per tu permiresuar.

    1. Elton, në fakt unë kisha parasysh në shkrim vetëm pronësinë private ndaj tokës, jo pronën private si të tillë.

      Dhe e kisha nxjerrë më vete, sepse për mua – por mos më lër t’ia fut kot – pronësia private ndaj tokës në Shqipëri po përdoret rëndom nga një pakicë që të pasurohet në mënyrë krejt parazitare, ose pa prodhuar absolutisht asgjë.

      Ka edhe më: toka është e fundme – përveç se me shpyllëzime dhe tharje kënetash, ajo nuk shtohet dot, siç mund të shtohet, bie fjala, sipërfaqja e apartamenteve të banimit, ose numri i mafisheve të prodhuara për banor.

      Rezultati i zhvillimit gangrenoz të këtij institucioni, është dhe do të jetë përqendrimi i trojeve në pak duar, në qytet dhe në fshat; dhe krijimi i një shumice të madhe shtetasish që nuk kanë pronë ndaj tokës, as kanë ku ta gjejnë më.

      E kisha përmendur edhe unë në shkrim, por e vërejti edhe një koleg këtu – duhet të shohim edhe historinë e pronësisë ndaj tokës, për një vend si Shqipëria, me një të kaluar kaq problematike, ku p.sh. një kastë aristokrate myslimane – bejlerët – kishin në pronësi toka dhe çifligje përrallore, sipas një logjike që ndoshta merrte kuptim në hapësirat e Perandorisë Osmane, por jo në atë pëllëmbë truall ku u katandis Shqipëria.

      Para ca ditësh, kur diskutohej në media për familjen e Leka Zogut që kish kërkuar t’ia “kthenin” trojet e Pallatit të Brigadave bashkë me Pallatin, mbaj mend që kish dalë një kushëri i Qazim Mulletit dhe kish shpjeguar se trojet ku është ndërtuar Pallati i Brigadave Zogu I thjesht ia kish marrë Qazim Mulletit, pasi ky ish arratisur në Itali, si kundërshtar politik i mbretit.

      Dua të them: mbi ç’bazë po kthehen tokat?

      Si në çdo familje që e quan veten të tillë, edhe tek imja diskutohet për “ca prona” që po bëhen gati të dalin diku andej nga Delvina – hektarë pas hektari, të gjitha “tonat.” Më duket absurde, gati surreale, që një ditë unë mund të jem “pronari i ligjshëm” i ca tokave që s’i kam shkelur kurrë, dhe ku jetojnë njerëz të mirë e të ligj, që mbjellin atje domate e kushedi hashash, kullosin dhentë e dhitë, selitin kosheret e bletëve, e kushedi u mbajnë pajimet gjahtarëve italianë të sezonit.

      Këtu ka diçka që nuk shkon, diçka kundër natyrës, nëse duam ta quajmë kështu.

      1. Ligji i ve limit nja 60 ha ne mos gaboj, keshtu qe Vrionasit e Verlacet mund te kene pasur nga 10 mije ha por vetem 60 ha u njihen. Limiti eshte i arsyeshem, bejleret e medhenj si numer jane te pakte dhe u jepet njefare mundesie krijimit te disa fermave kapitaliste.

        Ne 700 mije ha toka bujqesore qe ka Shqiperia, nga 100 ha nje ferme kapitaliste, mjaftojne te jene 7 mije pronare dhe disa dhjetera mijera familje punetoresh, gjithe-gjithe nja 50 mije familje me 200-250 mije fryme. Kaq fshatare duhet te kete Shqiperia per aq pak toke sa ka.

        Ose te jemi me demokratike, 50 mije familje me nga 14 ha prone secila, me familje qe behen bashke e formojne kooperativa kapitaliste 100-150 ha secila (7-10 familje mund te punojne bashkarisht).

        Kapitalizmi nuk e ka aspak te nevojshme qe te kete shume njerez me prone, perkundrazi 2 milion fshatare me nga 0.35 ha per fryme (aktualiteti) eshte nje ndarje ekonomikisht shume e demshme, me ekonomi fshatare te mbyllura si ne kohen e pordhes. Praktikisht kapitalizmi s’hyn dot fare ne fshat, dhe Shqiperia jeton me qytete kapitaliste e fshatra antikapitaliste.

        Problemi i tokave ka vetem nje zgjidhje, urbanizim sa me i vrullshem (ky i ketyre 23 vjeteve nuk ka qene i vrullshem per mungese kapitali ), hapje e vendeve te punes ne qytet qe te ngelen ne fshat nja 10% e popullsise, atehere de facto-ja do zhduke nje thes me probleme per truall ne qytet (se tokat do jene kthyer ne pallate), dhe po ashtu shitblerja e tokes bujqesore e zhvendosja e fshatareve do zhduke problemin e pasjes se tokes per te mbijetuar, problemi esencial sot per sot ne fshat.

        Kapitali shqiptar, (ajo pjese qe s’ka dale jashte vendit ne forme importi e fshehje paresh neper banka te huaja) eshte investuar per blerje shtepish, keshtu qe vende pune ka hapur shume pak, rrjedhimisht urbanizimi s’ka qene as ka qene ne nivelet e duhura, as i ka dhene mundesi de facto-s ti zgjidhe problemet juridike me menyren e vet.

  5. Xhaxha pyetja juaj eshte me vend nese do te ishim duke jetuar ne nje bote ku te gjithe njerezit vijne nga nje start i barabarte. Sic e dime, nuk eshte keshtu. Disa e nisin garen nga starti, disa nga mesi i pistes, disa nga shume prane finishit e disa te tjere mund te jene qe ne start shume xhiro pas.
    Nemos gaboj ne fillimet e veta, ligji per kthim dhe kompensim te pronave ka qene me nje limit deri ne 5 apo 50 ha (nuk jam i sigurt per shifren e sakte por ka qene si kufi dhe ka mundesi te jete e dyta). Kjo pikerisht per te parandaluar problemin e bejlereve qe ne fakt jane shume pak familje ne total. Pra nuk qendron problemi tek ata.
    Ne anashkalojme ndonjehere faktin se nje brez i tere shqiptaresh, pas luftes se dyte boterore, ne forme revolucionare, mendoi se reforma agrare ishte e nevojshme ne Shqiperi. Kjo, duan apo nuk duan shume njerez, u perkrah nga shumica e popullsise dhe u realizua.
    Nemos gaboj nje reforme agrare e kahershme eshte ndermarre edhe nga qeveria Noliste ne mes te dy lufterave.
    Mesa di une problemi i lemshit te kesaj pune eshte se shpesh here eshte levizur data e references; do te merren per baze hipotekat e 1920-tes, 1938-tes, 1939-tes, 1945-es apo te 1951-2 qe me duket jane te fundit.
    Hilet mendoj jane bere ne kete pike, sepse eshte bere lemsh nga cila date do te jete starti.
    Sidoqofte reforma agrare e 92-shit mund te themi se ishte e fundit. Erdhi pas humbjes se luftes se ftohte nga njera pale dhe fitores globale te pales tjeter. Ceshtja eshte qe kjo pala tjeter qe doli fituese, ja qe e ka ne themel te sistemit te vet trashegimine dhe pronen. Ne kete pike, nqs ne duam te integrohemi ne kete sistem, nuk mund ta bejme duke e bazuar pronesine ne nje llogjike te nje sistemi tjeter.
    Natyrisht qe problemi i prones kerkon nje lloj arbitrariteti ne nje moment te caktuar, por ama kjo nuk mund te behet pa marre parasysh qendrimet e paleve perkatese. Me tej nuk eshte nje ceshtje qe te mund te zgjidhet me votim apo me referendum, ne stilin Balkanweb te votimit online, se kush ka apo nuk ka te drejte, kisha apo bashkia. Ceshtja e prones eshte ceshtje elementare e te drejtes ne rend konstitucional si yni.
    Individualisht nuk na pengon asgje, as ju e as mua, t’u falim fshatareve pronat qe na takojne, si beri Tolstoi apo Kropotkini dikur. Por nuk jam i sigurt nese keta te dy kane patur femije ama, pasi eshte gjithashtu ne natyren njerezore e drejta e gjithsejcilit te lere trashegimi per femijet apo sterniperit , ne menyre qe te mos mbeten disa xhiro larg startit te te tjereve, ne nje bote ku njerezit, sic e dime, nuk kane start te barabarte.
    Me pak fjale, Shqiperia eshte shume e vogel dhe e vuajtur per te bere eksperimente me pronen. Eksperimentet jane bere dhe deshtuan. Pervoja e te tjereve ne rajon eshte e vetmja gje qe mund te ndihmoje.
    E njoh deri diku ndikimin qe disa cuna e goca kane prej zgjidhjesh te reja e te vjetra ala Zapatiste dhe eksperimentale qe jane bere ne kete drejtim ne disa vende te Amerikes latine, tip Chiapas Mexike apo me rishtas ne Bolivi. Por te mos harrojme se jane vende me probleme te medha te trasheguara ne raport me popullsite indigjene. Nuk po zgjatem me ketu. Shkurtimisht mendoj se thjeshte duhet te shikojme si e kane zgjidhur te tjeret ne Evrope, te pershtaten zgjidhjet me realitetin e pas 92-shit, dhe te arrihet marreveshje mes paleve dhe shtetit duke patur nje pikenisje te qarte te themi vitin 1952 apo ndonje date tjeter. Pak a shume keshtu me duket se eshte konceptuar ne fillim por di qe rregullat jane nderruar disa here gjate rruges keto vjet.
    Ceshtja primare tani mendoj eshte se si do te sillet shteti, apo qeveria e re me koncensionet. Flas ketu ne rradhe te pare per bregdetin dhe zonat me profil turistik, jo per zonat industriale ekzistuese apo te reja si te themi psh Maliq, Memaliaj apo Lac, te cilat mund te kene hapesira per politka te tjera zhvillimi si ato qe permend Eltoni.
    Une mendoj se zgjidhja me e mire do te ishte qe ish-pronaret te kompensohen me troje nga ato qe ju permendni se jane ne administrim te shtetit, ne te njejtat zona dhe qarqe ku jane pronat ekzistuese te dhena me 7501-shin. Nuk e kuptoj cfare e pengon shtetin te beje nje zgjidhje te tille dhe kjo te jete primare perpara koncensioneve.
    Persa u perket atyre qe presin t’i marrin token e ndare ne 92-shin fshatareve, eshte mire te kene parasysh edhe dicka tjeter qe harrohet: Ne rast se fshatareve iu dhane nga 2 dynyme per fryme, qytetareve iu dha e drejta te privatizojne apartamentet ku jetonin. Nqs duan te marrin tokat e fshatareve te ndara ne 92-shin, le ti kembejne ato me apartamentet e ndertuara nga shteti.

  6. Shteti kombetar, hipotetikisht, mund te beje nacionalizimin e te gjithe pronave (truall, are, pyll,lendine,djerrine) pasi t’u kete paguar vleren pronareve te ligjshem me ane te pareve qe do nxjerre prej kontratave per perdorim 100 vjeçar. Shume do hidhen perpjete, se s’do duan ta shesin pronen e tyre, po s’do kete revolucion, pasi me perkufizim 28748 km te Shqiperise i takojne kombit.

    Por, cfare do te ndodhe ? Thjesht nje shitblerje masive, paraja do percaktoje gjeografine e re te tokave per plot 100 vjet, derisa te vije dita e rishperndarjes.

    Kjo do te sillte qe tokat do i zinte Meta, Argita, Edi e me radhe gjithe bejleret e rinj te dale nga politika apo nga lidhjet me te, ata qe kane parane e vertete, me te cilet i shpronesuari pavaresisht se ka marre kompensimin nuk konkurron dot per ish-token e vet.

    Pra, nje propozim i tille do te legjitimonte ‘perdorimin 100 vjeçar” te Shqiperise, nga ana e tipave te mesiperm dhe trashegimtareve te tyre.

    Shteti ne vetvete ( jo si shtet komb-ose shteti per vete) eshte produkt i prones private mbi token, madje nje shtet mund te zhduket nga harta prej nje shteti tjeter, por pronesia mbi token ne shumicen e rasteve i mbijeton shtetit, sepse shteti pushtues historikisht e ka njohur ( madje nje pjese edhe ne rastet ekstreme te shpronesimeve, si i Vilhelm Pushtuesit apo Turqise Osmane).

    Ka disa institucione qe perbejne esencen e shtetit (ose shtetin ne vetvete) te cilat eshte mire te mos i ngasesh, perndryshe shteti rrezikon zhdukjen. Pronesia private, ekzekutivi i forte dhe ushtria, jane 3 me kyçet, meqe shteti ka lindur fale ketyre institucioneve.
    Mos te harrojme qe marksizmi supozonte shtetezimin e pronave ne funksion te zhberjes se ardhshme te shtetit; ne teori kishte te drejte, zhdukja e prones private mbi token eshte atentat ndaj esences se shtetit.

    Pra, nje propozim i tille, nga nje ane eshte atentat ndaj esences se shtetit, nga ana tjeter, nese do mund te jetesohej do sillte nje Shqiperi te kontrolluar nga baronet apo bejleret e rinj, te prodhuar nga politika.

  7. Nga pozicioni i nje prej hartuesve te Ligjit Mbi Kthimin e Pronave, dhe njekohesisht si pronare trualli qe bredh gjyqeve prej 20 vjetesh, them se thelbi i cfare ndodhi dhe po ndodh me pronat ne Shqiperi, eshte korruptmi i procesit nga te gjitha hallkat e pushtetit.

    Ligji ktheu pronat e pandryshuara, pra pronat qe ekzistonin ne te njejten gjendje qe nga koha e shpronesimit. Dhe nuk ishte gabim, sepse nuk ka arsye qe nje truall bosh ku ka qene shtepia e gjyshit tim, te jete sot prone e shtetit dhe jo e imja. Banesat private duhej te kalonin ne nje cikel rikthim/ripronesim qe ligjerisht ishte i manget meqe pronari qe blen nga shteti quhet qe blen ne mirebesim (pavarsisht se shteti ja ka marre me dhune pronen pronarit fillestar). Dyqanet ekzistuese ju dhane me vendim qeverie shitesave qe ishin te punesuar aty, tjeter gabim/padrejtesi qe shkaktoi konflikte.

    Pronat qe kishin ndryshuar, ishin shembur dhe zevendesuar me objekte publike (shkolla, spitale, biblioteka, etj) duhej te kompensoheshin ne troje te lira ne pronesi te shtetit, mbi bazen e planeve rregulluese. As sot Bashkia e Tiranes nuk ka plan rregullues, pra merret me mend se cfare baterdie u be gjate ketyre 20 vjeteve me trojet ne Tirane, dhe ne gjithe qytetet e tjera.

    Toka bujqesore u la ne pronesi te atyre qe banonin ne fshat, duke faktorizuar edhe 3 fishimin e popullsise qe e bente te pamundur dhe te padrejte kthimin e plote te tokave bujqesore ish pronareve. Tokat ju ndane fshatareve, me shpresen qe mbasi t’ju dilte inati i kooperativave, do te gjenin rrugen per te krijuar ferma bujqesore si bashkepronare, duke u ndihmuar me kredi etj.. Fshtaret iken ne mergim ose prane qyteteve, toka mbeti djerre. As ish pronaret e medhenj nuk ndriten me ato pjese te tokave qe ju kthyen. Ne blejme domate ne Greqi dhe qepe ne Mal te Zi.

    Ai pak truall e toke bujqesore qe ka Shqiperia eshte keqmenazhuar, grabitur, tjetersuar, shkaterruar, duke krijuar probleme sociale, rritje te krimeve me motiv pronesie, pasurim te paligjshem te atyre qe qelluan ne pushtet ne etapa te ndryshme ose qe paten lidhje me pushtetin dhe grabiten pronat e te tjereve. Eshte shume i vogel numri i atyre qe arriten te marrin pronat pa probleme.

    E megjithate, pavarsisht se shume pronare akoma enden gjyqeve ose s’kane asnje shprese te marrin pronat, prona private eshte themeli i sistemit kapitalist qe po duam te ndertojme. Ne historine afatgjate te Shqiperise, nuk do kete shume rendesi se si u be pronar filani, apo pse s’u be fisteku. E rendesishme eshte qe me gabime, me korrupsion, edhe me krime, eventualisht pronesia private do stabilizohet, dhe bashke me te shpresojme te stabilizohen edhe shume probleme qe shohim sot, dhe qe jane tipike te tranzicionit te shoqerise nga nje sistem ne nje tjeter.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: