TABLETA PËR NJERIUN

tabletaNë dy qendra universitare japoneze paskan zbuluar se minociklina, një antibiotik që përdorej kryesisht në vitet shtatëdhjetë, i bëka meshkujt më pak të ndjeshëm ndaj joshjeve të femrave tërheqëse. Ka pasur edhe studime të tjera që kanë vërtetuar se kjo molekulë e çuditshme i ndihmon burrat të fokusohen në thelbin e çështjeve, pa u hutuar nga aspekte të tjera dytësore. Studimi i ri japonez, vuri re se meshkujt që pinin minociklinë ishin më të përmbajtur ndaj femrave joshëse, reagonin me arsye, kurse të tjerët e “humbnin trurin” përballë sharmit femëror. Këtë lajm e lexova në media. Por, çfarë dreq lajmi është ky? I mirë apo i keq?

Varet. Ti ke një koleg që kur del rrugës sillet me femrat si radari me avionët, i kontrollon të gjitha. Të reja e të vjetra. Pastaj ndalon me shikim tek ato që i pëlqejnë. Sytë i përdor si skaneri rrezet. Ia kalon trupit të femrave nga flokët tek këmbët, deri në imtësi. Madje analizon edhe veshjen. Të pish një kafe me të është dramë e vërtetë. Pikërisht në momentin kur i thua diçka interesante, i bindur se i ke tërhequr vëmendjen, koka e tij lëviz në drejtim të pacaktuar; lëvizje e njëtrajtshme që ndalon kur sytë përqendrohen tek “objekti” tashmë i identifikuar mirë, të paktën në sipërfaqe. Nuk kalojnë dy sekonda dhe koka i lëviz nga ana tjetër, në kahun nga përdridhet një fund që më mini nuk mund të bëhet. Ti flet, kurse ai kontrollon hapësirën ajrore të gjinisë femërore. Natyrisht ti je i padukshëm, sikurse fjalët e tua të shurdhëta, që i shkojnë hera herës në trajtë jehone. Ky është efekti më i vogël që ka ndaj femrave. Përfytyroni kur distanca mes tyre zvogëlohet. Tani,  po të kishe pasur një ilaç si ai i mësipërmi, që e pengon veprimin e sharmit femëror, ose i përgjum instinktet seksuale, kishe për t’ia hedhur në gotën e ujit, kështu që kafen ta pinit rehat. Për ty është lajm i mirë, për kolegun nuk e besoj.

Po për komshien tënde që e trajton sheshin e pallatit si skenë teatri, kurse banorët si spektatorë të ulur në lozha? E veshur herë si për dasmë, herë si për ballo, herë si për diskotekë, dhe ndonjëherë si e paveshur fare, komshia jote e dëshiron vëmendjen, e krijon nga hiçi, ose e kërkon atë me ngulm, si ujin i eturi, si cigaren duhanpirësi, si drogën toksikomani, si bukën i urituri. Përshtypja është se shikimet e meshkujve, që e ndjekin ja për dukshmërinë e saj, ja për hiret e mbuluara ose të zbuluara me art, janë në një farë kuptimi jetike për të. Me dy buzëqeshje e me pak mimikë arrin çdo gjë. Për t’i rregulluar makinën meshkujt bëjnë garë. Në të vërtetë, shikimet që nuk i magnetizon dot e ngacmojnë më shumë. E irritojnë, e hutojnë, por edhe i ngjallin kureshtje. Indiferencën e dikujt, ajo e pranon si sfidë, ndaj është gati të bëjë çdo gjë, mjaft që t’ia tërheqë vëmendjen. Ka edhe ajo dështimet e veta. Nuk besoj se lajmi i minociklinës është i mirë për komshien.

Për mjekësinë, studimi për efektet qetësuese të këtij ilaçi të ri mund të jetë i mirë. Specialistët thonë se kështu mund të kurohet vartësia nga seksi. Tableta me minociklinë ndoshta nuk e zgjidh problemin, por mund ta ndihmojë psikologun, për shembull, që të punojë në drejtime të tjera e me mjete të tjera. Për fabrikat farmaceutike lajmi duhet të jetë fantastik. Se gjërat kështu fillojnë. Fillimisht për një patologji, pastaj konsumi i barnave kthehet në kulturë. Si do ta quanin ilaçin me emër tregtar? Veritas, Mens, Ratio, Cerebrum, Rigor. Që tani i imagjinoj reklamat e ilaçit. “Dëshironi mendje të kthjellët? Pini Ratio”. “Je shofer, trajner, oficer, politikan, qytetar i thjeshtë? Vuani nga lëvizjet e kokës sa andej këtej? Pini Cerebrum”. “Profesor, dëshironi të jeni objektiv në nota? Ju duhet Veritas”. “Shef, ju shqetëson dekolteja bujare e sekretares? Çdo mëngjes një Rigor. “Miniciklina vs. Minifundit. Fiton e para”. A nuk do të blenin me mijëra tableta shkollat, ushtritë, ministritë, fabrikat, spitalet, shërbimet sekrete, etj. ? Biznes i paparë.

Mirëpo çdo ilaç e ka një kundërilaç. Edhe në lëmin e barnave ka konkurrencë mizore. E provon edhe mitologjia e lashtë. Nëse ju kujtohet, para se të shkonte tek magjistarja Circe, e cila i kishte shndërruar shokët e tij në derra, Uliksi takoi Hermesin, lajmëtarin e Perëndive. Ky i dha një bimë si ilaç mbrojtës, kështu që kur magjistarja e famshme i ofroi Uliksit kupën e helmatisur me lëndë magjike, ai nuk e refuzoi ta pinte.  Brenda tij ndodhi një luftë e furishme midis forcash kundërshtare. E mira kundër së keqes. E vërteta kundër mashtrimit. Tek e fundit, kombinim substancash nga ana kimike, betejë barnash nga pikëpamja farmaceutike.

Thuhej se kur bënim zboret e dikurshme, na hidhnin diçka në çajin e mëngjesit. Bromur (?!) për të na kontrolluar instinktet, thoshte shoku i togës, duke e derdhur nga luga çajin e zbehtë. Pa ia hequr shikimin e trishtuar. Ende sot nuk dihet nëse rrëfenja kishte ndonjë bazë të vërtete. Por edhe nëse kishte, cilësia e qetësuesit të uniformave ushtarake nuk duhej të ishte e lartë. Ose dikush na jepte fshehurazi, me groshët e ziera të drekës, ndonjë bar kundërveprues. Veprim spiunazhi, sabotim.  Përndryshe si shpjegohet që djemtë i mbanin sytë, veshët, mendjen e bateritë nga kapanoni i femrave? Edhe në zbor paska qenë konflikt tabletash, aspak ideologjik; midis nesh, jo midis kampesh armike, siç donin të na e shisnin atëherë.

Nëse ilaçi i ri qetësues i shpirtrave të trazuar është kundërshtar i Viagra-s së sotme, në të ardhmen laboratorët do të prodhojnë ndonjë Viagra 2.0. me efekt të dyfishtë? Jeni nën efektin e Minociklinës? Për ta neutralizuar mjafton një tabletë e kaltër. Tableta e lirisë! I fejuari nuk ju hedh më sytë? Mund të jetë nën nën efektin e barnave. Çliroje nga skllavëria! Kuptohet që për biznesin e barnave do të ishte parajsa vetë.

Pra lajmi i mësipërm mund të jetë edhe i mirë, edhe i keq. Ndoshta as i mirë, as i keq. Varet. Po për njeriun në përgjithësi, si duket ky lajm? Në qoftë se me njeri nënkuptojmë mrekullinë më të madhe të universit, anipse plot të meta, në qoftë se ia pranojmë ndryshmërinë dhe individualitetin si pjesë përcaktuese e thelbësore, në qoftë se normaliteti njerëzot përkufizohet nga format e anormalitetit, atëherë korrigjimet masive me tableta, medikalizimi i jetës, do të na rezultojnë të dëmshme, ngaqë çojnë drejt homologimit të një qenie tjetër. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për patologjitë, por për normalitetin prej ylberi të karakterit njerëzor. Lajmi për prodhuesit e robotëve nuk duhet të jetë i mirë.

Sa për kolegun, komshien, femrat në përgjithësi, po të duash ia gjen ilaçin. Në qoftë se duam, natyrisht;  sepse ta ndjesh bukurinë femërore nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi. E kundërta do të kishte qenë e çuditshme. Të përkëdhelesh në krahët e sharmit femëror i jep poezi jetës, i jep zjarr ndjenjave, i ndez ëndrrat, që mund të jetë preludi i dashurisë. Të bën më njeri. Për fat të mirë edhe sharmi është subjektiv. Atje ku dikush shikon joshjen primordiale, dikush tjetër dallon vulgaren. Atje ku dikush vëren tërheqjen fatale, dikush tjetër percepton banalen. Kolegut të mësipërm mund t’ia thuash gjërat nëpërmjet një kolegeje tjetër, ndoshta e dëgjon si femër, komshies mund t’i tregohesh indiferent, ndoshta ke më sukses, sharmin femëror mund ta vlerësosh sipas konteksteve, pa u ndikuar për qëllime të tjera. E nëse gabon, nuk ka rëndësi. Do të mësosh nga gabimet e tua. Nuk ka tabletë më të mirë.

Nuk ka komente

  1. Per ata qe jane kurioz, e jo te gjithe jane, artikulli gjendet i plote open access (pra falas) ketu: http://www.nature.com/srep/2013/130418/srep01685/full/srep01685.html

    Nderkohe qe Pishaku e ka ngritur shkrimin e tij mbi kete:
    “…i bëka meshkujt më pak të ndjeshëm ndaj joshjeve të femrave tërheqëse”
    dhe jo kete, qe eshte ajo qe i permbahet “frymes” se rezultatit te artikullit frymedhenes:
    “…kjo molekulë e çuditshme i ndihmon burrat të fokusohen në thelbin e çështjeve, pa u hutuar nga aspekte të tjera dytësore.”

    1. Nuk e kisha parë këtë shkrim në “Nature”. Lajmin e mora nga revista italiane “L’Espresso” (n. 33, 22 gusht 2013, f. 92) ku botohej shkrimi me titull “La pillola che calma i bollori“. Atje jepej informacioni që citova në fillim të artikullit tim. Të tjerat janë përsiatje të lira.

      1. Shkrimi ishte mjaft simpatik dhe terheqes, si gjithe temat qe trajtohen prej teje Pishak. Le te themi se jane njefare Review… 🙂

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: